Për inat të djallit e të shqyptarve Zoti ka me e mbajtë Shqypninë në kambë

Me rastin e 145 vjetorit të lindjes  së At Gjergj Fishtës 23.10.1871 – 30.12.1940), një kolazh  me vargje të zgjedhur nga vepra e poetit.

fishta_kombi

SHQYPNISË

(1909)

T’ falem, Shqypni, ti i shpirtit tem dishiri!

I lum njimend jam un n’gji tand tue rrnue,

Tue gzue t’pamt tand, tue t’hjekë atë ajr t’kullue

Si Leka i Madhi e Skanderbegu i biri

Kje Lumi vetë, qi mue m’dergoi ksi hiri

Për nën qiell tande t’kthielltë un me u perftue.

Malet e hjedhta e t’blerta me shikjue,

Ku Shqypnija e Burrit s’dron se i qaset niri.

Ktu trima lejn gjithmonë, pse ti je nana

E armvet n’za, qi shndrisin duert e t’lumit,

Kah des për ty i rrebtë e trim si zana:

Eden n’Balkan ti je; ti prej t’Amshuemit.

 

GJUHA SHQYPE

Porsi kanga e zogut t’verës,

qi vallzon n’blerim të prillit;

porsi i ambli fllad i erës,

qi lmon gjijt e drandofillit;

porsi vala e bregut t’detit,

porsi gjama e rrfés zhgjetare,

porsi ushtima e nji tërmetit,

ngjashtu a gjuha e jonë shqyptare.

Ah! po a e ambël fjala e saj,

porsi gjumi m’nji kërthi,

porsi drita plot uzdajë,

porsi gazi i pamashtri;

Edhe ndihet tue kumbue;

porsi fleta e Kerubinit,

ka’i bien qiellvet tue flutrue

n’t’zjarrtat valle t’ameshimit.

 

SHQIPNIA E LIRË

(1921)

Do t’valvitet m’Kaçanik

M’Kaçanik, po, do t’valvitet

Kuq e zi Flamuri i shqyptarvet,

Përse toka shqyp ku flitet,

Ajo vetë asht, q’i prej t’parvet

Trashigim na e kemi pasë:

Mbrendë i huej, jo ma s’do t’shklasë,

Posë atëherë kur vjen për mik.

Jo, jo: sot na ktu sundojmë;

Ktu s’hecë fjala e tjetër kuej;

Gjall Lirin’ na nuk e lshojmë

S’njohim mbret as krajl të huej.

Zoti n’qiell e na mbi tokë:

Me gjithkënd vllazen e shokë,

Por se i cili m’cak të vet.

 

DREDHA E DJALLIT

Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmeron ardhjen e dreqit te kuq (komunizmit) ne Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet perpara se ai te triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Gj.Gj.)

 

E shka t’lânë kta kater ujq, 1)

Qi i kercnohen shoqi-shojt,

Thonë, do t’dalë nji dreq i kuq,

Qi pa dhimbë do t’i a njesë thojt.

Edhe m’duket se per né,

Mor’ Shqyptarë, ky djáll i zi

Sa mâ para ka me lé,

Pse na dreqnit kem’ kojshi…

Qe, pra, tash se per ç’arsye

Punë n’Shqypni s’jet pa u shperthye,

Due me thânë, pa u partallisun

Çdo pûnë mbarë qi t’jete nisun

E kjo nâmë, ase kjo rrfé,

Ka me ngjatun, thom, nder né

Dersá menden na t’a rrisim

E me dije mos t’a shndrisim;

Dredha e djallit, pse s’âsht tjeter

Si e kam kndue nder libra t’vjeter

Veç padija dhe krenija,

Qi shkojn njitë si trupi e hija.

1). Serbia,Mali i Zi,  Greqia, Bullgaria

 

MOMI

(1902 )

(MOMI – I biri i Natës e i Gjumit, vëllai i marrisë, hy prozhmimesh)

…Kushdo fjalet nuk matë ku vrasin,

Ate e ndjeke perhere rreziku;

Pse shqyptaret nje fjalë e flasin:

Ç’ ka t’ ban goja, s’ t’ ban anmiku…

……………………………

M’ kambë kryekungujt prej si u vunë,

Duel padija n’ krye te vendit;

Njerzt e kenun u poshtnuene,

Mbeten t’urtit jashtë kuvendit.

Duel me faqe t’ bardhë tradhtari,

Shpirt e fis qe ka kuleten;

U ndeshkue pa dhimbç shqyptari,

Qi per fis jep gjane e jeten.

Shqypnisë zani atehere i humbi,

T’ huejt mbi qafe i a vune thembren,

E e mbloj skami, terri e gjumi,

Djemte e vet ia lnuren zemren.

E shqyptaret, jo veç s’e nisen

Per keto pune perjashta Momin,

Por ma fort madje e konisen,

Msue gjithmone me nderue llomin…

 

KOHA E ARIT NE SHQYPNI

(1907)

…Sot ma shpejt nje thes me pleshta

Ti ban bashkë se dy shqyptarë.

Sa jane fise permbi dhe

Me bashkim kta n’drite kane dalë:

Ka çite dreqi pushke mbi ne

Mos me u ba dy vete m’nji fjale.

…Sepse ktu kujton seicili

Se ka mend edhe me shitun:

Thue se mendja e holle e kshilli

Vijne prej vedit n’krye t’u rritun.

JO, heu paça ! S’jane mendte fieri

Per me u rrite neper morriza:

S’a ba i dijshem kush pa hiri,

Ndeje peshtetë e tu njehë miza…

 

NEN HAJAT TE PARRIZIT (1914)

(Duke u nisur veçanerisht nga kjo “bisedë”, shënim ( Gj.Gj.)

Skanderbegu : A thue ka gjasë se Shqypnija ka me pasë një Mbret të vetin?

Djalli : Nji? Njiqind ti thuej! Ne Shqypni moj faqja e bardhë, hiqet zi me gjetë se kush me ndigjue, këtu asht halli; pse për me urdhnue gjen sa të duesh; çdo çaush beledijet n’ Shqypni kishte me dashtë me u ba Mbret, veç per mos me ndigjue…

Shen Pjetri : …Por per inat të djallit e të shqyptarve Zoti ka me e mbajtë Shqypnine në kambë me nder e me lumni…

Skanderbegu : Si janë pra shqyptarët e Shqypnija?

Djalli : Si janë?… Si po i don anmiku…

 

PALOKE CUCA

(Poemë satirike, 1922)

Ah, ju grekomanë – do stramastikë qelbsina,

Motit si sot, ju te pabesë gjithmonë,

Me bark n’ Tiranë e kryet kthellë te Athina,

Rrashten të fortë si rrumi nen kumbonë

Që, sikur orli lëshon permbi stervina,

U lshuet ju mbi financa t’Shtetit tonë

E llapazana t’sterholluem tuj kenë,

Krejt mendsh i muert muhamedanë e t’kshtenë*.

……

*- të katolikë

( Sqarim- me “grekomanë” nuk nënkuptohen ortodoksët.)

 

“KORRUPSIONI”

— nga “Gomari i Babatasit”

Kush zhelan-kush sallahan,

Po yrysh lshue t’gjith m’pilaf,

Ta kanë qitë, po, Shqipnin n’grusht,

E toçë brryl mastikë e n’musht,

T’kanë ba zyret monopol

Ç’prej Koplikut m’Konispol,

Franka ar tue grrye me spol,

Do ministra-e Kryeministra,

Tjert prefekta-e nënprefekta,

Kta n’Botore ata n’Foshnjore,

Disa antarë-disa gjygjtarë:

Kush me da tokën e Shqipnisë…

Ju rrugaça e sallahana,

Vagabonda, shakllabana,

Rriqna t’ndyet, mikrobë të kqi,

Qi të mjerës moj Shqypni

Kthellë hi i keni në mushkni,

Pa dhimbë gjakun tuj ia pi,

Po der kur, bre batakçi!

Bre coftina kalbë mbi dhe!

Der kur ju tu’ u tallë npër ne,

Do t’na qelbni fis e atdhe?…..

 

Për do “gazetarë”

Edhe kshtu po qep e shkep,

Me nji shqipe per gazep

E si t’ishin ne kllapi,

Pa kqyre cak, pa mbajte hulli,

Pa pase shkrimi as kambë as krye,

N’ mereqep kartat kanë zhye,

E t’ kane pjellë-me nder me thanë-

Njata artikuj qe ty dhanë

S’ t asht der sot me u vu me i kndue.

Se ata, besa – m’ndigjo mue-

Nuk i kanë shkrimet zanat:

S’ jane për pendë, por janë për shat.

Jo, po, kshtu asht mor t’u ngjatë jeta!

Per me shkrue zotni n’gazeta

Duhet shkruesi t’ jetë ma parë

Njeri i ndershëm e atdhetar,

T’ jetë fisnik, zemër-bujar,

Jo intrigant e ngatrrestar

Edhe kenë mos t’ket hafije

Mandej duhet që t’ ketë dije-

Dije t’hàpt n’ekonomi,

N’histori e në tregti,

N’politike e ne drejtsi;

Edhe t’dije shk’ asht shkolla e msimi

Shk’ asht lirija e qytetnimi,

T’ jetë shqiptar ne shkrim e n’gojë,

Fjala n’pendë mos t’i ngurrojë:

Mbarë e mbarë puntë t’i kallzoje

Me t’ ngushtue me kndue perdhuni

Shka nder shtylla ai rresht vuni,

Tashti, pra nji sallahan,

Vagabond e shakllaban,

Njeri idiotë e laraman,

Qe mendon se për taman

Të tanë bote rri n’ “sahan”,

Çka mund t’ shkruej, po t’pyes unë ty

Ky qi as byk nuk ka ne krye,

Jo ma tru?…

 

Lahuta e Malësisë

Fragmente

(Tek Epika shohim te skalitura si postulate pjese te historise se vertete te Shqiperise, te miqve e te armiqve te saj) Shënim i (GJ.Gj.)

Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit *

N’dorë tande a mbarë Europa

Dert mos ki per t’drejta t’njerit

Si t’duesh ndaje copa-copa?

Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin

korr ku s’mbolle, mbjell n’arë t’hueja

Der ku t’duesh ti mate hapin

Shqiptaria asht n’duer tueja?

……………………….

Bini Toskë ju n’pikë të vrapit

mos tu ndalin mal as zall

Naim Frashëri i ra Qitapit

Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë

Ju prej Dibret, prej Bishkashit

Çohi djelm si shqipe t’lehta

Ka gjimon asht topi i Knjazit

Për Shipni t’mos u dhimet jeta.

Ma mirë dekë nën dhe me u kja

Se me marre gjallë mbi dhe

Për dhe t’vet kush dekë ka ra

Ai s’ka vdekun, por ka lè.

*- Rusia

* * *

(Një ligjerim në gojën e Marash Ucit tek Lahuta… mund te cilesohet si amanet i Fishtes per brezat, nje “shkolle” e vertete edukimi, pse jo edhe per sot… Shënim i Gj.GJ.)

Amanet un ‘jam t’u lanë,

Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,

Armet e mbushme mos me i dhanë,

Me shokë tuej kurr mos m’u xanë

Mos m’u xanë, as mos m’u nga

Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla

Si me pushkë ashtu me uha.

T’huejn me fjalë mos t’ a poshtnoni;

Bukën para, por t’ia shtroni

N’Shqiptari si a kenë zakoni

……………………

Edhe n’mend kinje nji fjalë:

Zemres s’frytë me i lanun dalë;

Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,

Ujit turbullt mos me i ra,

Mos me i dalun n’va t’pa va;

Me iu ruejtun shakës tërbueme,

Me iu ruejt , po, grues së lshueme;

Vendin tuej me dashtë përore,

Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *

Për dëshmoret në Letërsinë Shqipe zor se gjendet ndonjë poezi me e bukur e dinjitoze. Po tek Lahuta, tek kanga Ndërmjetësia, një perlë e veçantë per harmonine fetare të vërtetë në Shqipëri.

(Shënim i Gj.Gj.)

…O ata t’lumtë qi dhanë jetën,

O ata t’lumtë, që shkrinë veten,

……………………

derdhen gjakun tue luftue,

porsi t’Parët u pa’n punue!

Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,

but u kjofshin moti e stina,

ak’lli, bora e serotina:

E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,

e der t’ketë n’det ujë e ranë,

der’ sa t’shndrisin diell e hanë,

ata kurr mos u harrojshin,

n’kangë e n’valle, por u kndojshin.

E njaj gjak qi kanë dikue,

ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue

për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,

për kah vendi e gjuha e t’Parit!

 

 

Përzgjodhi dhe përgatiti për botim Gjergj Gjergji

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *