Një notë 10 e merituar dhe një notë 4 akoma e pa përmirësuar për “intelektualin” Moikom Zeqo

Nga Gjergj Gjergji

7-at-gjergj_fishta

Siç çdo shqiptar që Gjergj Kastriotin Skënderbeun e konsideron dhe e nderon si Hero Kombëtar, kam ndjekur me vëmendje reagimet në shtypin e shkruar shqiptar të disa intelektualëve tanë ndaj një farë historiani turk, Talha Ugurluel (ogurzi) që mund të jetë një “kamikaz historik”, por historian kurrsesi. Thjesht, një shtetas turk që ka rënë në “gjak” me historinë dhe të vërtetën…

Të tillë denigrues të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut, Kadare i quan “mohsa” që mjerisht ndër ta ka edhe shqiptarë.

Që të mos zgjatem e ta mërzis lexuesin, po sjell këtu një thënie të shkencëtarit të madh francez, Blez Paskal që mendoj se i përshtatet  kontekstit:

“E vërteta është aq e errësuar në këto kohë dhe gënjeshtra aq e mirëvendosur, saqë po nuk e deshëm të vërtetën, zor se do ta njihnim”.

Një ndër këta reagime të nevojshme e të vyera ishte edhe intervista e intelektualit Moikom Zeqo e botuar në gazetën “Koha Jonë” me datën 8 korrik 2016 që e meriton vlerësimin me notën 10. Zeqo, gjatë intervistës propozon me të drejtë që Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut të ketë “Mbrojtje kushtetuese”.

Në vijim të po kësaj interviste, pyetjes së gazetarit se:

Çfarë na bashkon ne shqiptarët, Zeqo i përgjigjet:

“Ne themi se na bashkon gjuha. Por, gjuha edhe mund të na ndajë, sepse me të njëjtën gjuhë edhe shahemi me njëri­-tjetrin, në mënyrë të skajshme. Atëherë çfarë na bashkon? Janë disa figura, të cilat në mënyrë konsensuale janë të përbashkët për të gjithë ne, pavarësisht ideve politike. Është Skënderbeu, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Onufri, Pjetër Bogdani, Fan Noli, Faik Konica, Gjergj Fishta, Naim Frashëri, De Rada, Migjeni etj. Ne quhemi shqiptarë, sepse në kujtesën tonë janë këta emra”.

Me shumë të drejtë z. Zeqo rreshton një plejadë personalitetesh që na bëjnë të ndjehemi krenarë që jemi bashkëkombas me Ta.

U gëzova shumë kur në këtë plejadë pashë edhe emrin e At Gjergj Fishtës, kandidati i parë shqiptar për çmim Nobël në letërsi e qysh në nëntor 2002, Nderi i Kombit (me vonese, por gjithsesi më mirë vonë se kurrë).

Nuk mund ta di nëse z. Zeqo e ka harruar një poezi (nëse mund të quhet e tillë) që ai ka botuar në gazetën “Drita” me 30 tetor 1983, me titull “Funerali”, ku At Gjergjit mjerisht i denigrohet “Udhëtimi i fundit i trupit të Tij mbi tokë, pra funerali”.

Kam 33 vjet që e ruaj këtë gazetë, nuk kam mbaruar fakultet për Gjuhë–Letërsi, por e bukura në art, muzikë e letërsi më ka tërhequr qysh në rinì, prandaj në ato vite (1975 – 1992) abonohesha në gazetën “Drita”, e cila edhe pse e censuruar si i gjithë shtypi i asaj kohe, shpesh kishte tregime e poezi me vlera nga autorë vendas e më rrallë, edhe të huaj.

7-gjergj-fishta-funerali

Poezinë po e paraqes pa i hequr asnjë presje.

Funerali

Funerali i Fishtës me katafalkun grandioz,

mbi katafalk një kryq i madh dhe i zi,

dekoratat e papës dhe tre perandorëve

vajtimi dhe litanirat priftërore në kllapi.

Ekstazë fetare,

Françeskanëve në rreshta

nga brezi litari karakteristik u varej,

kufoma idol në përfytyrim do t’u mbetej

në mënyrë arkaike munifikuar në vargje.

Pas të vdekurit në krye vetë Jakomoni,

mes qirinjve të mëdhej e të ndezur

nënmbnreti fashist – një i vdekur i gjallë

i krejt perandorisë që kish për të vdekur.

Në atë muzg okupacioni

ky funeral priftërinjsh

shkelte mbi dramat e popullit e dhimbjet,

si trekëmbësh

kryqi i katafalkut të zi

lëkundte litarin e nëmur të Fishtës!

***

Sinqerisht më vjen keq për lëndimin që mund të ndjejë z. Zeqo nëse e lexon këtë shkrim. Kisha dëgjuar e lexuar për dhunim kufomash, varresh, por për denigrim funerali kurrë. Kam rreth 50 vjet që për veprën letrare të At Gjergjit kam dëgjuar e lexuar. Mbaj mend se u pikëllova shumë kur e lexova atë “po e zi”, e se kujt po i denigrohej funerali, bash Atij që në vitin 1902, poezinë “Atdheu” e përfundon me vargjet:

…Dersa t’mundem me ligjrue

E sa gjallë me frymë un jam,

Kurr, Shqypni, s’kam me t’harrue

Edhe n’vorr me t’permendë kam.

Mbasi jemi në pikun e diskutimeve për Reformën në Drejtësi, po sjell në vëmendjen e lexuesit një fragment nga poema satirike “PALOKË CUCA“  e shkruar në vitin 1922, ku At Fishta vë në pah rëndësinë jetike dhe përgjegjësinë e madhe që kanë njerëzit e drejtësisë për mbarëvajtjen e një vendi…

“Der sa gjyqtari e syni i tij avokati,

Mos t’ kenë kuptue shejtninë e detyrës s’ vet

Që para n’ skam me ra ata t’ jenë gati

Se me iu shmang Drejtësisë e Ligjës, nji shtet

Nuk përparon, jo kurrë, e atij i bardhë fati

S’ ka për t’iu reshë as n’ fshat as n’ qytet…”

***

Vlerësim jo objektiv për veprën e At Fishtës deri në vitin 1991 ka pasur edhe I. Kadare, por ka 25 vjet që kandidati për Çmim Nobël në letërsi (uroj që ta marrë këtë vit, në 80 vjetorin e Tij) ka ndyshuar mendim e ka bërë «mea culpa» për veprën e Fishtës sa që në librin e tij, MOSMARRVESHJA, mbi raportet e Shqipërisë me vetveten, sprovë letrare, botim i ONUFRI-t, 2010,  në faqen 38, shkruan: Gjergj Fishta është rilindës. Ai është shpëtues si gjithë rilindësit. Ai është më tepër se aq, ai është shëlbues.

(them se komenti është i tepërt).

Për analogji, shpresoj se edhe Ju z. Zeqo do të kërkoni ndjesë nëse e ndjeni. At Gjergji, në Kishën Françeskane në Shkodër, aty ku Ai sapo u emrua Drejtor i Kolegjit Françeskan në vitin 1902, hoqi gjuhën italiane si gjuhë të parë mësimi dhe vuri gjuhën shqipe që aq mahnitshëm e lëvroi në lirikë, epikë, satirë e publicistikë për 40 e sa vjet.

Aty, në atë Kishë, Poeti ka të murosura disa eshtra të dorës që për mrekulli, si për të treguar vlerën e asaj dore për çfarë shkroi Ai për gati gjysëm shekulli, mbetën pa u hedhur në lumin Drin me pjesët e tjera. Siç duket «autoritetet» e padenjë të asaj kohe nuk donin që Poeti të vazhdonte të «përmendte» Shqipninë, por Partinë…

Ç’ makabritet i antivlerave njerëzore dhe i urrejtjes patologjike e jo vetëm politike i Diktaturës Komuniste…

Z. Zeqo, nëse e ndjeni se jeni penduar për atë poezi, do të ishte mirë që të shkoni në atë vend të shenjtë e të kërkoni të falur e At Gjergji me siguri do t’Ju falë. Ai në të gjallë të Tij ka falur gjakun e vëllait të vrarë.

E Ju do të ndjeheshit i lehtësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *