Nana e Jezusit dhe nëna e Judës

Nana e Jezusit dhe nëna e Judës

Nana e Jezusit dhe nena e Judes-1

Nga Dom Marjan Lumçi

Mbasi që Krishti vdiq në kryq, aty ku padrejtësia dhe ligësia njerëzore e kishte gozhduar dhe tashmë drama e Shëlbimit ishte përmbushë, virgjëra e Dhimbshme, që i kishte dhuruar botës Viktimën ma të përsosur, e vendosi trupin e Birit të saj tejet të dashur në Varr dhe mori rrugën e kthimit për në Shtëpi së bashku me Gjonin, nxënësin që Ai e donte shumë dhe të cilit i’a besoi Nënën kur po jepte shpirt.

Duke ecur rrugës, Zoja e Bekuar i dha të kuptonte Apostullit se dëshironte ta përshkonte dhe një herë rrugën që kishte bërë i Biri për të shkuar drejt vdekjes.

Ai, atëherë, e përcolli Marinë në kopshtin e Ullinjve, aty ku Krishti ishte lutur në natën në të cilën pati qenë tradhtuar. Mbretëronte një qetësi e thellë… Maria ishte zhytur në një soditje të thellë… por për një çast, dihatjet dëshpëruese dhe të qarat me zemër që dëgjoi i tërhoqën vëmendjen. Maria u ngrit nga vendi i saj dhe ju afrua gruas që po qante me dëshpërim duke e pyetur si cili ishte motivi i një dhimbjeje kaq të thellë që ajo po provonte në atë çast?! “Më ka vdekë djali”- i’u përgjigj gruaja mes lotësh dhe drithërimash. Menjëherë Maria ndjeu në shpirtin e saj një dhembshuri shumë të madhe për të, duke e shikuar atë grua të mjerë më një fytyrë plot ëmbëlsi dhe dashuri. Gruaja, e përmalluar nga ai shikim plot me mëshirë dhe dashuri, e pyeti Atë se: “kush je ti që po më shikon kaq ëmbël dhe po më kupton kaq shumë në dhimbjen time”? Atëherë Maria i përgjigji: “Jam Nana e Atij që sot ka vdekë në Kryq”. Kur i dëgjoi këto fjalë gruaja e panjohur u zbeh dhe më shumë në fytyrë dhe duke belbëzuar i tha Marisë: “- Isha Nënë edhe unë, por biri im është vetëvrarë. E kam gjetë të varur në një fik përgjatë rrugës që del nga kopshti…”!

“Si quhej për emër djali i yt”? -e pyeti Maria. “Judë” – i përgjigji menjëherë gruaja.

Atëherë, Maria, i shtriu duart drejt saj, dhe duke e përqafuar e ftoi që ta ndiqte nga pas. “Eja, mbështetu tek unë dhe të shkojmë në shtëpi. Unë do të kujdesem për ty dhe të dyja së bashku do të qajmë për dhimbjen tonë”.

Ndërkohë kishte rënë nata. Njëra përbri tjetrës, dy nënat filluan që të ecin së bashku.

Apostulli u shkonte nga pas duke mbajtur një farë distance, por dhe duke admiruar me përmallim të thellë dashurinë e Nënës së Krishtit, e cila po largohej nga Golgota për të ngushëlluar nënë e tradhtarit të Birit të saj.

Sikur njerëzit t’ja hapnin zemrën dashurisë së pafundme të Zojës së Bekueme, atëherë nuk do të guxonin që ta fyenin atë.

O Nanë qiellore, ne kemi nevojë për TY

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *