Koalicioni Europian i shpall luftë Is-is në emër të vlerave!?!?

Koalicioni Europian i shpall luftë Is-is në emër të vlerave!?!?

Në emër të cilave vlera???!!!

Nga Dom Marjan Lumçi

A burned EU flag hangs on the barriers protecting the Greek parliament in Athens on May 1, 2013. Greece's two main unions called a general strike against prolonged austerity on May 1, with protests by unions, students and workers. AFP PHOTO/ LOUISA GOULIAMAKI (Photo credit should read LOUISA GOULIAMAKI/AFP/Getty Images)

Pas sulmeve terroriste në Paris, të gjithë këto ditë po kërkojnë një përgjigje të armatosur ndaj Isis në Siri dhe në çdo vend ku terroristët luftojnë, përgatiten apo rekrutohen. Të gjithë tashmë po kërkojnë që rrobat e gjakosura të viktimave pariziene të pastrohen në lavatriçen pastruese të luftës e cila në këtë rast thuhet se është e pa evitueshme, e domosdoshme dhe paqesjellëse për botën.

Ajo që unë e kam vështirë ta kuptoj, është se: në emër dhe në mbrojtje të cilave vlera Europa don ta sulmojë Is-is?!

Më në fund Europa dhe “europianët” e vërtetë u kujtuan se në rastin e mbrojtjes së ligjshme, lufta na qenka edhe e drejtë. Pacifizmi ekstrem ishte shumë i mirë dhe i domosdoshëm madje deri në dhunë (nuk e di se sa mund të quhet paqësore një lëvizje e dhunshme në emër të paqes), kur bëhej fjalë për të kundërshtuar luftën në Irak apo në shtetet e Ballkanit, por kundër Is-is duhet patjetër një grusht i fortë i cili ti eliminojë përfundimisht prej faqes së dheut ata barbarë të civilizimit.

Si ka mundësi ky bashkim mendimesh i tillë tani? Edhe pse ata nuk mund ta thonë, e nuk e di nëse mund ta them dhe unë, por unë po e shkruaj të paktën, motivi është shumë i thjeshtë: Në Irak dhe në Ballkan popullsia thuhej se vritej brenda llojit dhe brenda shteteve të tyre, ndërsa tani cirkat e gjakut kanë arritë edhe në kryeqendrat europiane dhe kjo gjë bëhet e padurueshme. Duket sikur kemi gjithnjë të njëjtin skenar dhe histori: nëse nxënësit e një shkolle të tërë vriten vetëm pse janë të krishterë, por kjo ndodh me mijëra kilometra larg nesh, kjo gjë na indinjon, por në fund…. nëse zhduken dioqeza të tëra me besimtarë të krishterë, dioqeza të cilat janë rrënjët e krishterimit të hershëm, por kjo gjë ndodh me mijëra kilometra larg nesh, kjo gjë na indinjon, por në fund… në fund të fundit bëhet morali i gjithmonshëm se kundër luftës nuk fitohet me luftë. Edhe unë jam dakort me këtë gjë, d.m.th që dëmet e luftës nuk riparohen luftë, por kur për situata të ndryshme përdoren standarte të ndryshme, kjo gjë më trishton dhe nuk më len të shpresoj se gjërat mund të ndryshojnë. Kur në një vend europian dikush gabimisht na thyen pasqyrën e makinës, jemi të gatshëm që ta sulmojmë tjetrin me ç’të mundemi, dhe kjo do të thotë se paqja, falja, dialogu janë shumë të mira për të tjerët, por jo për ne. Sepse “ne”, qytetërimi i vlerave të “laicite” jemi gjithmonë rast i veçantë, i ndryshëm nga të tjerët dhe për të cilin duhet të aplikohen rregulla të tjera. Në këtë kontekst, interesant, cinik, apo nuk di si ta quaj, (le ta vendosi lexuesi), ishte komenti që Presidenti i Sirisë Baššār al-Asad, bëri pak orë pas atentateve të Parisit, atëherë kur kufomat ishin ende të ngrohta. Presidenti tha se “- ajo që ka ndodhur në Paris, për në është një përditshmëri. Atë që në shpirtin e tij po ndjen Hollande për një ditë të vetme le të shumëzohet për njëqind mbi dheun sirian”.

Dhe në të vërtetë, është tashmë me një indiferencë platonike që i shohim lajmet apo dëgjojmë radion, dhe marrim vesh për vdekjen e qindra qenieve njerëzore në një treg të një qyteti të vogël të cilit nuk i dimë dhe nuk jemi të interesuar t’ja kujtojmë më emrin, apo për masakrën e ndodhur në një shtet afrikan të cilin me na thënë ta gjejmë në atlas, nuk do të arrinim kurrë pa ndihmën e google maps. Ky më duket cinizëm i tepruar, por fatkeqësisht është e vërteta e fakteve të përditshmërisë europiane.

A e mendojmë sado pak se sa kraharorë nënash çdo ditë shndërrohen në teatro Bataclan? Masakra e Parisit përsëritet e shumëzuar me mijëra herë me vetveten çdo ditë në klinikat e mbarë botës me krimin e abortit, por ky lajm tashmë nuk zë asnjë vend sado të vogël në kronikat e lajmeve, dhe jo ma të jemi të shqetësuar se jetët dhe gjaku i tyre gërthet hakmarrje në praninë e Hyjit.

Në emër të cilave vlera do të luftojë bota Is-is!

Nga sa thashë më sipër, kultura borgeze, kozmopolite dhe progresiste – ky duket së është identiteti i Europës që Is-is don të zhdukë – , nuk e  konsideron atentat shumë të rëndë kundër qytetërimit, aktin terrorist kundër personave të pambrojtur, por bile bile e quan edhe të drejtë legjitime dhe të fituar më mundë të madh si dhe shprehje të demokracisë së saj. Jo të gjithë të vdekurit janë të barabartë për këtë europianizëm të dëshpëruar që kërkon të mbrojë vetveten në tejngopjen me mëkatin.

Terroristët kanë ardhë të mbjellin vdekjen në një kulturë që, sikurse e pati përsëritë shpesh herë shën Gjon Pali II, është tashmë në vetvete një kulturë vdekjeje.

Atëherë në emër të cilave vlera do të luftojë bota Is-is!

Terroristët islamikë, duke i vra gjithë ato të rinj në Bataclan, kanë kërkuar ta godasin në zemër kombin francez me vlerat e tija të Liberté, Égalité, Fraternité. Pa dashtë me kenë jo respektues për viktimat, por sipas dëshmive të të pranishmëve thuhet se në çastin e sulmit terrorist, banda muzikore që quhet Eagles of death metal ishte duke kënduar së bashku me të pranishmit në sallë Kiss the devil (Puthe djallin). E përsëris, nuk dua të jem mos rrespektues ndaj dhimbjes së askujt, por mos vallë kemi të bëjmë me një turmë europianiste e cila në emër të Laicite, tashmë e ka marrë me vetëdije të plotë rrugën drejt humnerave të djallit duke ju vetëdhuruar atij?

Ende nuk arrij të kuptoj sot e kësaj dite se në emër të cilave vlera do të luftojë bota Is-is!

Nëse për Europën vlerat e revolucionit francez, dhe jo vlerat e Ungjillit janë themeli i shoqërisë që dëshirojmë të kemi, atëherë unë mendoj se këtu kemi një problem shumë të madh dhe serioz, i cili do të vazhdojë të mbjelli viktima derisa mos të jetë kuptuar ashtu si duhet.

Nuk dua të lë vend për asnjë ekuivok në këtë mes, a thua se këto vlera dhe Ungjilli janë në antagonizëm njëri me tjetrin. Aspak jo. Përkundrazi! Por përjashtimi reciprok sikurse shihet është i dëmshëm dhe i rrezikshëm. Sigurisht që këto vlera janë të nxjerra nga Ungjilli, por këto vlera nuk janë krejt Ungjilli dhe aq më tepër shndërrohen në të rrezikshme kur zhvishen nga valenca e tyre Ungjillore.

Unë mendoj se ato vlera republikane të cilat integralistët islamikë të veshur me të zeza duan ti zhdukin, u formuluan në të vërtetë nga jakobinët që nuk i patën lënë gjë mangut njerëzve të Is-is përsa i përket strategjisë së terrorit që ata mbollën në kohën e tyre.

Në të dy rastet armiku nuk ka dinjitet. Për këtë arsye si të parët ashtu të dytët ishin gjakftohtë në krimet e tyre.

Në të dy rastet nuk ka dialog: për revolucionarët e Liberte ishte e pa pranueshme të dialogoje me fisnikët, borgjezët, kishën, priftërinjt apo fshatarët e thjeshtë të cilët nuk përkuleshin para besimit të ri iluminist. E njëjta gjë ndodh me Is-is.

Mbase, pa dashur ta ekzagjeroj tepër, por kanë dhe diçka tjetër të përbashkët: Gijotinën. Mes jakobinëve, nuk kishte mundim të madh për të bërë dallimin mes të fajtorëve dhe të pa fajshmëve. Për shembull: po të ishe besimtar në Krishtin dhe kishën, ishe në të njëjtën kohë edhe kandidat i përsosun për gijotinën. E njëjta gjë në masakrën e teatrit në Bataclan apo tek shpërthimet jashta stadiumit, nuk kishte shënjestra fajtorësh, por thjesht persona që i përkasin kulturës perëndimore.

Në emër të cilave vlera do të luftojë bota Isis!

Si mundet ta luftojë vdekja vdekjen, kultura e vdekjes kulturën e vdekjes? Që duhet luftuar Is-is dhe terorrizmi islamik në të gjitha format e saja, kjo është një gjë e padiskutueshme, por a është vallë e zonja Europa e vlerave të vdekje të luftojë këtë kulturë vdekje që po përhap Is-is, këtë për momentin them se nuk e di, por jam i sigurt në të vërtetë se nuk mund ta bëjë kurrë, nëse nuk zgjohet dhe nuk përqafon vlerat e vërteta të Ungjillit, vlerat të cilat e nxisin njeriun drejt Lirisë së vërtetë të të menduarit dhe të jetuarit, dejt barazisë ungjillore dhe drejt vëllazërisë universale.

Kultura e vdekjes për të cilën fliste shën Gjon Pali II, është pikërisht kultura e cila vjen nga mendimi liberal që rrjedh nga Deklarata e të drejtave të njeriut që e ka vrarë familjen me divorcin, me bashkëjetesën, me mjetet kontraceptive apo së fundmi me të famshmin gender; që ka vrarë jetën me abortin, me fekondimin artificial dhe eksperimentet përmbi embrionet, me eutanazinë; që ka vrarë zotërimin e njeriut mbi krijimin me ambientalizmin apo animalizmin dhe së fundmi apo pikë së pari që ka vrarë praninë e Zotit me laicizmin.

Ende mbetem i paqartë dhe nuk mund të jap një përgjigje se në emër të cilave vlera Europa dhe “njerëzimi i qytetëruar” kërkon që ta luftojë Is-isin!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *