GËZIM DHE BUZËQESHJE TEK E LUMJA TEREZA

 

mons-frendoNga Imzot George Frendo

 

Friedrich Nietzsche, që, sipas teologut të shquar Paul Tillich ishte “ateist i famshëm dhe armik i zellshëm i besimit dhe i krishterimit”, ka bërë një koment kundër atyre të krishterë që duken tepër seriozë dhe të trishtuar. Ai ka thënë: “Nxënësit e Jezusit duhet të paraqiten më të lumtur”.

Ndoshta Nietzsche kishte arsye të bënte këtë koment, sepse në disa periudha të historisë kemi dhënë përshtypjen se gëzimi është diçka lëndore, jo e denjë për njeriun shpirtëror. Por anglezët thonë: “Long faces do not make saints” (“fytyra të mërzitura nuk bëjnë shenjtër”). Madje Shkrimi Shenjt vazhdimisht flet për gëzim (“Shërbeni Zotin me hare” [Ps 99], “Gëzohuni në Zotin” [Fil]); vetë Jezusi e quajti mesazhin e vet “lajm i mirë”, dhe i fton të mërziturit dhe të braktisurit që të shkojnë tek ai, “dhe unë do t’ju çlodh” (Mt 11, 28). Paul Tillich thotë: “Për njerëzit e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re, mungesa e gëzimit është pasoja e ndarjes së njeriut nga Perëndia, ndërsa përvoja e gëzimit është fryti i pajtimit me të”[1].

Jeta e së lumes Tereza është shembull tipik i kësaj të vërtete. Fytyra e saj rrezatonte gëzim, dhe një gëzim të tillë saqë nuk mund të pyesim “çfarë ka bërë?” pa pyetur njëkohësisht “pse e ka bërë?”. Është mjaft e njohur përgjigja e saj një vizitori amerikan, i cili, shumë i habitur duke parë me sa durim dhe kujdes po lante plagët e të gërbulurve, i tha: “S’do të bëja punën që po bën ti as për një milionë dollar”. Përgjigja e saj ishte: “As unë!” Pse pra e bënte? Sepse feja e saj ishte themeli i asaj dashurie që tregonte ndaj çdo njeriu, pavarësisht nga besimi, ngjyra, kombësia, klasa sociale. Feja e saj e bindi që tek çdo njeri ka një dinjitet të pazevëndësueshem. Dhe ky, ndoshta, është kontributi më i madh i Nënë Terezes për njerëzimin në shekullin njëzet. Ky ishte gjithashtu burimi i gëzimit të saj. Përsëri citoj Paul Tillich: “Gëzimi është i mundshëm vetëm kur tërhiqemi drejt gjërave dhe personave, sepse janë ajo që janë, dhe jo sepse do të marrim diçka prej tyre”[2].

Nënë Tereza ndihej shumë e lumtur kur vinte re se kjo dashuri linte një përshtypje pozitive tek vizitorët, jo për qëllim vetëmburrjeje, por sepse ishte e bindur që ishte një dëshmi pozitive për Ungjillin e Krishtit. Një ditë i tha një gazetari: “S’do të harroj kurrë shikimin i një njeriu në Kalighat, i cili shikonte një nga motrat tona që kujdesej për një të sëmurë. Motra nuk e dinte se ai e po shikonte. Pas pak kohe ky burrë erdhi tek unë dhe më tha: ‘Nënë, kur erdha këtu tek ju nuk besoja në asgjë. Por sot, në atë motër, në mënyrë si vështronte atë të sëmurë dhe si kujdesej për të, e kam gjetur Zotin’”.

Kënaqësia më e madhe për Terezën ishte t’u dhuronte pak gëzim të lënëve pas dore, varfanjakëve, pleqve të flakur e të braktisur, të sëmurëve, të vetmuarve. Ja çka thotë: “I lajmë të sëmurët dhe kujdesemi për ta dhe përpiqemi t’i ushqejmë. Në këtë mënyrë mundohemi t’u tregojmë sa të rëndësishëm janë për ne. Ne duam që këta persona të cilët shpeshherë s’kanë pasur asgjë në jetën e tyre, të paktën në fazën e fundit të jetës së tyre të shohin para tyre një fytyrë që rrezaton dashuri për ta. Ndërsa ata lëshojnë këtë botë, duam që të paktën një herë në jetën e tyre të mësojnë çfarë do të thotë të jesh bir i Hyjit, dhe të dinë se ka persona të gatshëm për t’u shërbyer”.

Një ndër shenjtërit që ka ndikuar më shumë në përshpirtërinë e Terezës ishte pa dyshim Shën Tereza e Jezusit fëmijë, e cila, në shkrimet e saj, shpeshherë ka theksuar se ajo zgjodhi “rrugën e vogël” të përshpirtërisë, që kërkon t’i kryesh veprat e vogla me një dashuri të madhe. Nënë Tereza ishte e bindur se zbatimi i veprave të bamirësisë kërkon dy kushte të domosdoshme: dashuri dhe gëzim. Për këtë arsye me këmbëngulje përsëriste me motrat fjalë si këto: “Të varfërve mos u jepni vetëm përkujdesjen, por njëkohësisht edhe zemrën tuaj”. Dhe: “Pa dashuri, shërbimi nuk mund të bëhet një dhuratë”. Ose: “Kemi nevojë për dy duart për të shërbyer dhe një zemër për t’i dashur”.

Në fakt, një ndër kushtet që ajo vendosi për një kandidate për Kongregatën e saj ishte pikërisht gëzimi[3]. Në Kushtetutat e Kongregates, në kapitullin që flet për shpirtin e Kongregates, ka një nen vërtet të bukur për gëzimin[4]. Atje, pasi flitet për themelin biblik të gëzimit, ky përshkruhet si lutje, dashuri, rrjetë dashurie, nevojë dhe njëkohësisht fuqi. Natyrisht, këtu flitet për atë gëzim që është një nga frytet e Shpirtit Shenjt. Janë katër aspekte apo cilësi të gëzimit që meritojnë vështrimin tonë dhe që pa dyshim shprehin përvojën shpirtërore personale të së lumes Tereza.

Pse, pra, gëzimi është lutje? Tereza e dinte mirë se lutja nuk është një monolog, por hapja e zemrës për Zotin, që nuk vjetrohet kurrë dhe që është burimi i gëzimit që nuk perëndon; është një qëndrim ku njeriu ndihet më shumë pasiv sesa aktiv, që përgatit njeriun për t’i shërbyer Zotit me gëzim.

Gëzimi është dashuri, madje një dashuri që shprehet në buzëqeshje. Në shumë shkrime dhe fjalime Tereza foli për vlerën e buzëqeshjes. Shpeshherë u thoshte motrave: “Give a big smile – Jepni një buzëqeshje të madhe”. Ka thënë: “Mirësia qoftë në fytyrën tuaj, në sytë e buzëqeshjen tuaj dhe në ngrohtësinë e përshëndetjen tuaj. Fëmijëve, të varfërve dhe gjithë atyre që vuajnë e janë të vetmuar, jepini gjithmonë buzëqeshjen e gëzimit!” Deshiroj këtu të përmend fjalët e Kardinalit Suenens: “Të buzëqeshesh do të thotë t’i shikosh të tjerët me sytë e Krishtit. Një buzëqeshje është një rreze ndriçuese nga fytyra e Zotit”[5].

Gëzimi është “një rrjet dashurie”. Citoj nga shkrimet e Nënë Terezes: “Ne nuk dimë sa shumë mirë mund të bëjë një buzëqeshje!” Dhe përsëri: “Të jemi të gatshëm për të shndërruar një buzëqeshje. Buzëqeshja është prologu i dashurisë”. Vërtet, një buzëqeshje e sinqertë është shenjë që kemi pranuar atë person. Para shumë vitesh një mjek holandez ka shkruar një ese mbi buzëqeshjen e parë të një fëmije. Nëna qëndron afër djepit të fëmijës së vet, me buzëqeshje flet me të, flet me të edhe pse fëmija nuk kupton asgjë…. megjithatë arrin dita kur fëmija përgjigjet me një buzëqeshje. Buzëqeshja e parë e fëmijës është përgjigja e saj për përkujdesjen e s’ëmës, kinse po thotë: “Po, e di se jam pranuar, jam dashur, ndihem i rrethuar nga dashuria!”

Dhe së fundi, gëzimi është një nevojë dhe njëkohësisht një fuqi, sepse, sipas nënë Terezes, “vazhdimisht na përgatit për të bërë të mirë”. Besoj se përvoja jonë tregon se kjo është e vërtetë. Kur ndihemi tepër të mërzitur, humbasim dëshirën për të punuar, bëhemi të paqendrueshëm.

Por gëzimi nuk do të thotë një jetë krejt pa përvojë pikëllimi. Gëzimi dhe pikëllimi bashkekzistojnë në jetën e krishterë, sepse pikëllimi, vuajtja, nuk e prish shpresën. Pra mund të kuptojmë pse vetë Jezusi, vetëm pak orë para arrestimit të tij, u tha apostujve fjalë si: “Jua thashë këto që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjn 15, 11); “Askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj” (16, 22); “Jua thashë këto që ta keni paqen në mua… Unë e munda botën” (16, 33). Mund të kuptojmë pse shën Pali, i lidhur me zinxhirë në burg, shumë herë u përsërit Filipianëve fjalët: “Gëzohuni në Zotin”. Mund të kuptojmë gjithashtu pse edhe në përvojën e errësirës shpirtërore Nënë Tereza vazhdoi duke dëshmuar gëzim me buzëqeshje, si rrëfen ajo vetë në një letër. Dhe vazhdon: “Nëse vuajtja ime do ta shuajë etjen tënde, atëherë ja ku jam, o Zot, me gëzim do të pranoj gjithçka deri në vdekjen, dhe t’i buzëqesh fytyrës sate të fshehur”[6].

Deshiroj të mbaroj këtë fjalim me dy citime nga shkrimet e së lumes Tereza. E para është fjala e fundit e nenit që kam cituar më parë nga Kushtetutet e Misionarëve të Dashurisë, që flet për gëzimin: “Mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë dhe ndaj popullit është të pranojmë gjithçka me gëzim. Një motër e lumtur është si drita e dashurisë së Hyjit, shpresa e lumturisë së amshuar, flaka e dashurisë që digjet”[7].

Dhe citimi i dytë është nxjerrë nga teksti shumë i njohur, Jeta është[8]:

…Jeta është bukuri, adhuroje.

Jeta është bekim, provoje…

Jeta është një e mirë, kujdesu për të.

Jeta është dashuri, shijoje…

Jeta është një këngë, këndoje…

Jeta është një aventurë, bëje me guxim.

Jeta është jetë, mbroje.

Jeta është fat, shfrytëzoje.

Jeta është tepër e vlefshme, mos e shkatërro!

 

[1] “For the men of the Old and New Testaments, the lack of joy is a consequence of man’s separation from God, and the presence of joy is a consequence of the reunion with God”

[2] “Joy is possible only when we are driven towards things and persons because of what they are, and not because of what we can get from them”

[3] Kushtetuta, n. 232e.

[4] n. 25. Nënë Tereza shpreh pak a shumë të njëjtë mendime në nje “lutje për gëzimin”, e përkthyer nga Anton Berisha në librin Lutja është Zëri i Zotit fq. 59.

[5] “To smile is to look at others with the eyes of Christ. A smile is a luminous ray from the face of God” – Christian Life Day by Day, p. 76.

[6] Drejtuar Atë Picachy, më 3 korrik 1959

[7] “The best way to show our gratitude to God and people uis to accept everything with joy. A joyful sister is like the sunshine of God’s love, the hope of eternal happiness, the flame of burning love”.

[8] I përkthyer nga Anton Berisha në librin Lutja është Zëri i Zotit fq. 88.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *