Dy shenjtër, të bashkuar në qiell e në tokë

Dy shenjtër, të bashkuar në qiell e në tokë

Ishte rastësi, që në Ditën Botërore të Misionit, më 19 tetor 2003, në Shën Pjetër, Papa Gjon Pali II kremtoi Lumnimin e Nënë Terezës. Ishte akti i parë i procedurave të kanonizimit, që 13 vite më pas, do ta çonte në ngjitjen drejt altareve motrën shtatvogël e njëherësh aq të madhe të Kalkutës.

1-224563_101512443501778500883_nMe këtë rast, Shën Gjon Pali II shprehu këto fjalë: “Jam personalisht mirënjohës për këtë grua me kurajë, që e kam ndjerë gjithmonë pranë vetes. Si ikonë e Samaritanit të mirë, ajo shkonte ngado për t’i shërbyer Krishtit, në më të varfërit e të varfërve. As edhe konfliktet e luftërat nuk mundën ta ndalnin atë”.

“Shpeshherë vinte të më fliste për përvojën e saj në shërbim të vlerave ungjillore – ka thënë për më tepër Ati Shenjtë –. Kujtoj, për shembull, ndërhyrjet e saj në favor të jetës e kundër abortit, madje edhe me rastin e dhënies së Çmimit Nobel për paqen (në Oslo, më 10 dhjetor 1979).

Më tej ka vënë në dukje: ‘Nëse dëgjoni se ndonjë grua nuk do ta mbajë fëmijën e vet e dëshiron të abortojë, kërkoni ta bindni të ma sjellë mua këtë fëmijë. Unë do ta dua, duke parë në të shenjën e dashurisë së Perëndisë. Me këtë dëshmi të jetës së saj, Nënë Tereza u kujton të gjithëve se misioni i ungjillëzimit të Kishës kalon nëpërmjet bamirësisë, të ushqyer në lutje e në dëgjimin e fjalës së Perëndisë”.

Këto fjalë konfirmojnë simbiozën e veçantë shpirtërore, që do t’i lidhte në jetë këto dy apostuj të mëdhej të vëllazërimit, të cilët sot janë të bashkuar në mirënjohjen e Kishës e në kujtesën e besimtarëve prej aureolës së përbashkët të shenjtërisë.

Po veprat, në jetën e shenjtërve, pas një rrjedhe toksore, shpesh të ashpër e të mundimshme (ndonëse mbështetur nga ndërgjegjësimi i misionit për t’u përmbushur), gjejnë vazhdueshmëri në përmasën e shpirtit, nga i cili vazhdojnë ta drejtojnë shikimin e tyre me afeksion tek vëllezërit që jetojnë në botën fizike, duke ndërhyrë, në ndonjë rast, për të orjentuar rrugëtimin e ekzistencës së tyre.

Është pikërisht ky kuptimi i mrekullisë: pra një fakt i vështirë dhe i pazakonshëm që kërkohet nga Perëndia për të konfirmuar një të vërtetë religjioze e për të transmetuar mesazhin tek njeriu, sikurse e shpjegonte Shën Agustimi. Ndërkohë që Shën Toma përcaktonte si mrekulli një ndërhyrje të jashtëzakonshme të Perëndisë, që realizohet në botë jasht rendit material, d.m.th. në një botë të epërme të forcave të natyrës dhe jo kundër rendit naturor.

Kardinali José Saraiva Martins – në libër-intervistën e shkruar nga Saverio Gaeta (“Mrekullia e Karolit”, Rizzoli Editore) – saktëson përtej se “mrekullitë e kryera kësisoj në jetën e shërbyesve të Perëndisë nuk përbëjnë provën e shenjtërisë: vetëm ata që kanë ndodhur pas vdekjes me ndërmjetësimin e tyre, konfirmojnë përfundimisht një shenjtëri të tillë me autoritet hyjnor. Mrekullia, d.m.th. duhet kuptuar si konfirmim i besimit, si një lloj ‘vule’ që vendoset nga Perëndia, përmes të cilit ai garanton shenjtërinë e kandidatit që drejtohet për nga altarët”.

Për një tip shërimi, që të mund të thuash mrekulli, duhet që ai të ngjasë në mënyrë të zgjidhur, të menjëhershme dhe të qëndrueshme e totale. E këto rrethana të jashtëzakonshme duhet të jenë, si të thuash, të vërtetuara nga një Komision Mjekësor ekspertësh që parashikon “pashpjegueshmërinë shkencore”. Vetëm në këtë rast Kisha ia pranon ngjarjes, karakterin e “mrekullisë” dhe e mban atë si të dobishme për qëllimin e lumnimit apo të kanonizimit, sëbashku kjo, me hulumtimin e kujdesshëm që shpaloset prej Postulatori që konstaton “virtytet heroike” të ushtruara në jetë nga kandidati për shenjtërimin.

“Përvoja e mrekullisë është diçka që ndryshon nga Brenda, për shkak se të jep vetëdijen e qartë se ekziston diçka që na kapërcen por që është prej këtu e në të njëjtën kohë, jemi pjesë integruese. Mund të them se kam përjetuar një përvojë e cila mund të përkufizohet një ‘unicum’ në jetën e një mjeku, pasi një gjë është të dish gjërat në teori apo t’i kesh të dëgjuara prej të tjerëve dhe një gjë tjetër është t’i përjetosh ato personalisht…”.

Që flet kështu është prof. Carlo Jovine, neurologu i Urdhërit të Maltës dhe eksperti zyrtar i Kongregatës për Kauzën e Shenjtërve, mjeku që ka analizuar, për nga pikëpamja shkencore, si mrekullinë e Gjon Palit II ashtu edhe mrekullinë e Nënë Terezës.

“Që të dyja mrekullitë, janë në drejtim të fushëveprimit neurologjik – shpjegon Jovine në ZENIT –. Konkretisht është përfshirja e strukturave cerebrale përfaqësuese për jetën, si në në të pesë shqisat ashtu edhe në menaxhimin e lëvizjes, si në përpunimin e mendimit edhe në krijimtarinë e në formimin e unicum që është individi”.

“Është sugjestive të mendosh se që të dy mrekullitë, ajo e Gjon Palit II dhe ajo e Nënë Terezës, lenë gjurmë në brendësinë e thelbit të njeriut: në trurin tonë, si seli të mendimit e, për besimtarët, unazë të lidhjes mes mendjes dhe shpirtit”.

“Personalisht – tregon mjeku – kam ekzaminuar shërimin nga Parkinsoni të motër Marie Simon Pierre Normand, e cila qe premisa e lumnimit të Wojtyl-ës, e pastaj edhe rastin e shërimit të inxhinierit brazilian Marcilio Haddad Andrino me tetë absese cerebrale e me një hidrocefali hipertensive të rëndë, që i hapi rrugën kanonizimit të Nënë Terezës”.

“Që të dy eventet ngjallin emocion, si për aspektin e jashtëzakonshëm për nga pikëpamja klinike (bazuar mbi prova të përthelluara të natyrës së dokumentuar por edhe shkencore), si për modalitetin me të cilin janë manifestuar”.

“Motër Normand do të duhej të luftonte për t’u mbajtur në këmbë, deri në pikën që, me 2 qershor 2005, kërkoi nga Eprorja e saj që ta përjashtonte nga veprimtaria e punës që kryente. Por pikërisht në atë kohë ndodhi diçka e paparashikuar: mbrëmjen e 2 qershorit të shkruarit i ishte kthyer në normalitet e mëngjesin pasardhës u ngrit nga gjumi plotësisht e shëruar, me një  lëvizshmëri në të gjitha drejtimet normale e me një autonomi të plotë. Disponohet, ndër të tjera, një provë tepër e rëndësishëm grafike krahasuese: emri i Gjon Palit II, shkruar me kaligrafinë tipike të një të sëmuri rëndë me Parkinson pak orë para se të shërohej, dhe i njëjti emër i shkruar nga motra me shkrim linear të një personi krejtësisht të shëndoshë pas pësimit të  eventit mrekullibërës”.

“Po aq i bujshëm është rasti i inxhinierit Andrino. Më 13 dhjetor 2008 u dërgua në sallën e operacionit në kushtet e komas për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje të dëshpëruar kirurgjikale me rrezikun eminent të vdekjes. Por pacienti i hapi sytë dhe mes habisë së mjekëve, pyeti se përse gjendej atje. Kirurgu, prof. Cabral, i pushtuar nga habia e duke konstatuar kthjelltësinë e plotë të pacientit, vendosi të mos e bëjë ndërhyrjen kirurgjike të parashikuar dhe të ndjekë kryerjen e një rezonance të re manjetike të funksionimit të trurit. Prova nxorri në pah një ndryshim radikal të kuadrit patologjik paraekzistues, me zhdukjen e hydrocephalozës akute si dhe me zhdukjen thuajse totale të abseseve cerebrale. Pak ditë më pas, inxhinieri Andrino u nxor nga spitali i shëruar në mënyrë perfekte e pa pasoja”.

“Janë ngjarje që kanë ndjekur thirrjen e lutjes drejtuar dy shenjtërve. Ngjarje që të lënë të mrekullohesh e që, në të njëjtën kohë, kërkojnë reflektim mbi kuptimin e jetës – përfundon Jovine –. Për aq sa ka të bëjë me mua, përvoja e mrekullive më ka lënë një ndjenjë të thellë pasurimi të brendshëm. Konfirmoj se Besimi e Shkenca nuk janë në antitezë. Besimi ka nevojë për Shkencën derisa, duke i dhënë rolin aktiv të inteligjencës së njeriut, të mos rrezikojë të përfundojë në integralizëm. Shkenca ka nevojë për Besimin për të mbetur e përvuajtur e në shërbim të njeriut; për të pranuar atë pjesë të misterit që jep shije për jetën e lirinë në mundësinë e takimit me Perëndinë”.

Shqipëroi Ferdinand Ndocaj

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *