Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës

Dekret për shpalljen e Sinodit të Arqidioqezës Tiranë–Durrës

ARQIPESHKVIA METROPOLITANE TIRANË – DURRËS

ARCHIDIOECESIS METROPOLITANA TIRANENSIS – DYRRACENA

Prot. Nr. F/146/17

 

IMZOT GEORGE FRENDO O.P.

ARQIPESHKËV METROPOLIT I TIRANË-DURRËS

TË GJITHË MESHTARËVE, RREGULLTARËVE, RREGULLTAREVE

DHE BESIMTARËVE

 

Fort të dashur, përshëndetje në emrin e Zotit tonë Jezu Krishtit!

Tashti kanë kaluar më shumë se nëntë muaj nga ajo ditë kur, në Kishën tonë Katedrale, u lexua Dekreti i Atit të Shenjtë Françesku, me anën e të cilit më kishte caktuar Arqipeshkëv të kësaj Arqidioqeze të dashur të Tiranë-Durrësit.

Dua të rrëfej se, në fillim, kisha shumë frikë se, për faktin se jam i huaj, nuk do të pranohesha nga populli si Arqipeshkëv në kryeqytet; dhe kisha frikë se, për faktin se jam i shtyrë në moshë, nuk do të pranohesha nga të rinjtë. Por kam gabuar! Sepse në fakt populli ynë shqiptar, i njohur për shpirtin e tij jashtëzakonisht mikpritës, më ka pranuar me një dashuri të madhe. Gjithashtu të rinjtë, jo vetëm më kanë pranuar me gëzim, por më kanë ndihmuar në mënyrë që, në sajë të dashurisë së tyre, sot ndihem më i ri sesa isha para një viti!

Falenderoj Zotin për ju: Ai më ka dhuruar një familje të madhe, që jeni ju. Dhe falenderoj ju, të dashur besimtarë, që më tregoni një respekt që, më besoni – flas sinqerisht – nuk e meritoj. Falenderoj meshtarët tanë, që, me një kujdes me të vërtetë baritor, bashkëpunojnë ngushtë me mua me një besnikëri të madhe. Falenderoj murgeshat, që me një përkushtim të pamasë, zhvillojnë punë të ndryshme për të mirën e popullit tonë. Falenderoj besimtarët, që e duan Kishën me një dashuri bijësore. Gjatë vizitave baritore që kam bërë deri tani në disa famulli kam vënë re se Arqidioqeza jonë është shumë e pasur, jo sigurisht në kuptimin financiar, por është e pasur në personat shumë bujarë në dashuri dhe solidaritet, shumë të fortë në dëshminë e fesë, shumë të gatshëm për shërbim.

I nisur nga këto vëzhgime, kam menduar sesi mund të rritemi si një familje që ushqehet me Fjalën e Zotit, që bashkohet rreth sofrës së Krishtit Shpëtimtar, dhe që shquhet për dashuri. Me fjalë të tjera, si mund të rritemi si një bashkësi, familje, që pasqyron Krishtin profet, prift dhe mbret. Dhe, pasi u konsultova me Këshillin Meshtarak dhe me Këshillin Baritor, vendosa të planifikojmë dhe përgatisim një Sinod Dioqezan, që do të jetë i pari në dioqezën tonë.

Por duhet t’ju tregoj çfarë është një Sinod Dioqezan. Dokumentat e Kishës e përkufizojnë: “Sinodi dioqezan është asamblea e meshtarëve dhe besimtarëve të tjerë të dioqezës, të zgjedhur për t’i dhënë ndihmë ipeshkvit dioqezan për të mirën e të gjithë bashkësisë dioqezane” (kan. 460). Prandaj në Sinod do të marrin pjesë jo vetëm Arqipershkvi dhe meshtarët, por edhe një përfaqësim të motrave dhe të laikëve.

Një Sinod nuk bëhet në një ditë ose në një javë. Përfshin shumë takime dhe kërkon një përgatitje të gjatë. Pasi u konsultova me Këshillin Meshtarak dhe me Këshillin Baritor, vendosa që ky Sinod të hapet zyrtarisht në tetor 2018. Ndërkohë kemi një vit gjatë të cilit dëshiroj që të gjithë meshtarët, motrat, dhe besimtarët tanë të luten për suksesin shpirtëror të Sinodit dhe të reflektojnë mbi thirrjen e Zotit që na fton të pranojmë me gëzim Fjalën e Tij. Sepse Fjala e Zotit është gjithmonë një lajm i mirë që na nxit të angazhohemi për të ndërtuar një shoqëri më të denjë për popullin tonë, më vëllazërore, më pasqyruese e dashurisë së Krishtit.

Dhe duke pasur parasysh dy dokumenta të mëdha të Kishës në epokën pas Koncilit të IIe të Vatikanit, Shpallja e Ungjillit të Papa Palit VI, dhe Gëzimi i Ungjillit të Papa Françeskut, pasi u konsultova me bashkëpunëtorët e mi, vendosa që tema themelore e Sinodit të jetë Ungjillëzimi i Ri në Arqidioqezën tonë.

Në përgatitje për Sinodin, do të organizohet një Asamble Dioqezane më 7 tetor të këtij viti, tek Qendra Dom Bosko. Fillojmë në orën 9.30 fiks. Të gjithë besimtarët tanë janë të ftuar dhe të nxitur të marrin pjesë në këtë Asamble.

Urdhëroj që ky Dekret të lexohet në të gjitha kishat e Arqidioqezës në të gjitha meshat që do të kremtohen sot pasdite dhe nesër paradite dhe pasdite. Dhe nxis të gjithë besimtarët t’i luten Hyjit Krijues, Zojës Mari, Yllit të Ungjillëzimit, dhe Shën Palit, Pajtorit të Arqidioqezës sonë, për suksesin shpirtëror të Sinodit.

E dhënë sot, e shtunë 23 shtator, në përvjetorin e njëmbëdhjetë të shugurimit tim ipeshkvor, tek Kurja jonë arqipeshkvore.

 

George Frendo O.P.

Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit

Mons. Henry Veldkamp

Kancelar

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *