Zoti është dashuri!

Nga Dom Marjan Lumçi

Zoti është dashuri
Zoti është dashuri

Zoti është dashuri! Nëse ne arrijmë me i dashtë personat që jetojnë përreth nesh, kjo ndodh vetëm sepse Zoti ma përpara na ka dashtë ne. Dashnia jashtë këtij dimensioni mund të jetë mirënjohje, bashkëndarje, ndihmë vëllazërore. Por, nëse dashuria që në ndjejmë nuk i ka rrënjët e ngulura në dashninë që Zoti ka për ne, nga një moment në tjetrin mund të shndërrohet në mërzitje, në lodhje e ndoshta ndoshta edhe në urrejtje.

Të Duash me “D” të madhe, ashtu sikurse Ati na ka dashtë ne duke dërgue Birin e tij të vetëm dhe të pafajshëm për me vdekë për mëkatet tona, do me thanë mos me u pendue kurrë dhe në asnjë rrethanë për dashninë që ne kemi mujtë me dhurue. Kjo ndjenjë mund të vijë vetëm prej Zotit. Të duash Zoti dhe të afërmin, sikurse na mëson kjo pjesë e ungjillit don me thanë se duke dashur Atin ne vetë shndërrohemi në dashuri dhe vetëm atëherë kjo dashuri shndërrohet në dashuri për të afërmin. Këto dy gjëra nuk mund të ndahen nga njëra tjetra. Nëse duam Hyjin nuk mund të mos duam dhe të afërmin, sepse vetëm duke parë se si dhe sa e duam të afërmin mund të kuptojmë se si dhe sa e duam Hyjin. Nuk mund ta duam Hyjin që nuk e shohim nëse nuk e duam të afërmin që e shohim.

Është pikërisht dashuri që Zoti ka për njeriun vullnetmirë, që e shtyn këtë njeri kudo nëpër botë që të sakrifikohet deri në vetëflijim për ti treguar botës me vepra konkrete dashurie, hijeshinë e Zotit të bukur që Jezusi ka ardhë për të na e shpallë.

E rëndësishme është që të mbetemi të lidhur me Krishtin në lutje, në mënyrë që të mund të kryejmë gjithmonë vullnetin e Tij dhe jo vullnetin tonë. Është më se e vërtetë ajo që shën Tereza e Avilës thoshte: “Mjafton vetëm Zoti, kush ka Zotin në zemrën e tij nuk ka nevojë për asgjë tjetër”.

Më i madhi urdhërim

Ungjilli sipas shën Mateut 22, 34-40

Farisenjtë, kur morën vesh se ua mbylli gojën saducejve, u bashkuan dhe njëri sish [mësues Ligji], për ta vënë në provë, e pyeti: “Mësues, cili është më i madhi urdhërim i Ligjit?” Jezusi përgjigji: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde! Ky është më i madhi dhe i pari urdhërim. I dyti është i barabartë me të: ‘Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!’ 40 Në këto dy urdhërime varet i tërë Ligji dhe Profetët.”