Zoti bën historinë. Dhe kur ne gabojmë, Ai e korrigjon…

Sido që të shkojë jeta, do të jetë gjithmonë një sukses nëse do t›i besohi Zotit, sepse Ai e bën historinë. Dhe kur këtë histori nuk e kuptojmë, edhe kur kalojmë momente të errëta, të vështira, duhet të kemi diçka të qartë: historia e Zotit është gjithmonë histori Shëlbimi. Në prag të Krishtlindjes, Papa Françesku dëshiron t›i bëjë një dhuratë të gjithë besimtarëve: Shpresën. Shpresën që nuk braktisemi kurrë nga Zoti, shpresën për të ardhmen duke u nisur nga eksperienca e të shkuarës. «Zoti ka dashur të na shëlbojë përgjatë historisë dhe shëlbimi ynë nuk është shëlbim aseptik, laboratorik. Por është një shëlbim historik. Ka bërë një rrugëtim historik me popullin e tij». Pra nuk ka shëlbim pa një histori. Për të arritur në pikën që jemi sot, ka qenë një histori e gjatë që Zoti ka bërë, por që e bëjmë dhe ne. Ndonjëherë «gabojmë». Por edhe kur kjo ndodh, Zoti e korrigjon historinë dhe na bën të ecim përpara, duke ecur gjithmonë me ne. Papa ka paralajmëruar që nëse ne, nuk e kemi të qartë këtë, nuk do ta kuptojmë kurrë Krishtlindjen! Kurrë nuk do ta kuptojmë mishërimin e Fjalës. Kurrë! Sepse është një histori e tërë që ecën dhe nuk mbaron me Krishtlindjen. Jo! Zoti akoma po na shëlbon në histori. Dhe po ecën me popullin e tij. Në këtë ecje janë të zgjedhurit e Hyjit, si Abrahami, Moisiu, Elia dhe gjithë personat që ai përzgjedh për të ndihmuar popullin e tij të ecë përpara. Dhe janë edhe disa nga ato momentet e errëta, të papërshtashme apo kur lodhesh nga gjithçka. Zoti për ta bërë historinë na «lodh» dhe shpesh herë na bën të ecim në rrugë që nuk do dëshironim. Siç i ka ndodhur Moisiut dhe Elisë, që në një farë pike do kishin preferuar të vdisnin, apo siç ndodhi me Jozefin. Pikërisht Ungjilli tregon për atë momentin e errët në historinë e shëlbimit, ku zdrukthëtari zbuloi që e fejuara e tij Maria, ishte shtatzënë. Ai vuan, dëgjon gratë e fshatit që bëjnë thashetheme në pazar, por ai vuan dhe mendon «Ajo është e mirë, unë e njoh. Është njeri i Zotit. Por ç›më ka bërë?! Nuk është e mundur!» Dhe Maria rrezikon dënimin më gurë nëse Jozefi do ta akuzonte. Por ai e di në zemrën e tij që Maria ishte «e paaftë për të mos qenë besnike» dhe e pranon situatën që i paraqitet. Sepse në këto momente të vështira, këto zgjedhje të Zotit, për të bërë historinë, duhet ta marrin hallin mbi supe, pa e kuptuar. Dhe Jozefi «në momentin më të vështirë të jetës së tij, çastin  Dhe akuzon veten e tij para njerëzve, për të mbuluar të fejuarën e tij». Zoti pastaj i flet në ëndërr duke i dërguar një engjëll. Ndoshta ndonjë psikoanalist do të mendonte që ai gjumë që bëri Jozefi ishte akumulimi i ankthit që kërkon një rrugëdalje… Por le të thonë ç›të duan. Ç›bëri Jozefi? Pas ëndrrës mori me vete të fejuarën. «Nuk kuptoj asgjë, por Zoti më tha që do të shfaqet si im bir!» Të bësh histori me popullin tënd, për Zotin do të thotë të ecësh dhe të sprovosh të zgjedhurit. Kjo vihet re me dy prindërit tokësorë të Jezusit. Dhe nga e njëjta histori kuptohet se Zoti në fund të fundit na shpëton gjithmonë. Le të kujtojmë me besim edhe në momentet e vështira, edhe në sëmundje, kur nuk e kuptojmë që duhet të kërkojmë këmbëngulje kur nuk kemi rrugëdalje, le të themi: «Por o Zot, historia nuk ka filluar me mua dhe s›do të përfundojë me mua. Ti ec përpara, unë jam i gatshëm». Ta lëmë veten në duart e tij, në duart e Atit tonë. Siç thotë Shën Pali që Zoti të na bëjë të kuptojmë këtë mister të rrugës së tij me popullin e tij përgjatë historisë, të faktit që vë në provë të zgjedhurit e tij dhe madhështinë e zemrës së të zgjedhurve, që marrin mbi vete dhimbjet dhe vuajtjet.