Ungjilli dhe Eukaristia për të kaluar nga trishtimi në gëzim.

Papa Françesku na fton që të sillemi si dishepujt e Emausit që, edhe në momentet më të vështira, fjala e Hyjit dhe Eukaristia ushqejnë gëzim dhe shpresë

Nga Antonio Gaspari

QYTETI I VATIKANIT – “Ka gjithmonë një Fjalë e Hyjit që na jep orientimin pas përhumbjeve tona, dhe nëpërmjet lodhjeve dhe zhgënjimeve tona është gjithmonë një Bukë e copëtuar që na bën të shkojmë përpara në ecje”. Këtë ka thënë sot në mëngjes Papa Françesku para se të recitonte Regina Caeli. Përballë sheshit Shën Pjetër e mbushur me shtegtarë, Papa ka kujtuar se çfarë u ka ndodhur dishepujve të Emausit, të cilët pas vdekjes së Jezusit u larguan nga Jeruzalemi dhe u kthyen përsëri, të trishtuar dhe të përhumbur, drejt fshatit të tyre. Gjatë rrugës takuan një njeri që në fillim nuk e njohën. Ky i shpjegoi se mundimet dhe vdekja e Mesisë ishte e parashikuar në planin e Hyjit dhe e parakallëzuar në Shkrimet Shenjta. Kjo ngjalli shpresë në zemrat e tyre. Dishepujt e Emausit e pëlqyen atë njeri dhe e ftuan të qëndronte me ta gjatë natës. Ungjilli tregon se kur, e panë sesi e bekonte dhe copëtonte bukën e njohën. Në atë moment Jezusi u zhduk. Dishepujt ishin të ngazëlluar dhe donin të ktheheshin në Jeruzalem për të treguar atë që kishin parë e dëgjuar. “Rruga e Emausit – ka nënvizuar Papa – bëhet kështu simbol i ecjes sonë në fe”.

“Jeta – ka shpjeguar ai – ndonjëherë na plagos dhe ne largohemi të trishtuar, drejt “Emausit” tonë, duke i kthyer krahët planit të Hyjit. Largohemi nga Hyji. Por na pranon Liturgjia e Fjalës: Jezusi na shpjegon Shkrimet dhe ndez në zemrat tona ngrohtësinë e fesë dhe shpresë, dhe në Kungim na jep forcë. Fjala e Hyjit, Eukaristia”. Për këtë arsye – ka theksuar papa – Mbajeni mend mirë: duke lexuar çdo ditë një pjesë të Ungjillit, dhe duke shkuar të dielën për të marrë Kungimin e shenjtë, për të marrë Jezusin” sepse “pikërisht kështu u ndodhi dishepujve të Emausit: e kanë marrë Fjalën, kanë bashkëndarë copëtimin e bukës dhe nga të trishtuar që ishin dhe të lodhur, u gëzuan”.

Papa Françesku ka përfunduar “Mbajeni mend mirë! Kur je i trishtuar, merre Fjalën e Hyjit. Kur je i mërzitur, merre Fjalën e Hyjit dhe shko në Meshën e së dielës për të marrë Kungimin e shenjtë, për të marrë pjesë në misterin e Jezusit. Fjala e Hyjit, Eukaristia, na mbushin me gëzim”. Pas lutjes së Regina Caeli, Ipeshkvi i Romës i ka ftuar t’i luten Marisë për paqen në Ukrainë duke kërkuar që Zoti “të mbushë zemrat e të gjithëve me ndjenja paqeje dhe vëllazërimi”. Papa ka kërkuar lutje edhe për të vdekurit për shkak të një rrëshqitje dheu që ka ndodhur dy ditë më parë në një fshat në Afganistan. “O Hyj i gjithëpushtetshëm, që njeh emrin e secilit prej tyre – ka thënë Papa -, pranoji të gjithë në paqen tënde; dhe u dhëntë të mbijetuarve forcën për të ecur përpara, me mbështetjen e atyre që veprojnë për të lehtësuar vuajtjet e tyre”.