THIRRJA DHE MISIONI I PAZËVËNDËSUESHËM I FAMILJES NË KISHË.
Nga Motër Rita DEDA
Zemra e këtij Sinodi Dioqezan dëshiron të jetë Shpallja e Ungjillit, Lajmi i Mirë në një kohë të re (në të sotmen e historisë e cila na kërkon të lexojmë “shenjat e kohës” përballë sfidave baritore, ndryshimeve të të menduarit, vepruarit, zgjedhurit, vlersuarit, komunikuarit etj); por është edhe një kohë e volitshme, kohë hiri, dashurie, falje dhe kthimi, ku Zoti vetë takohet me njeriun dhe e përtërin.
Para së gjithash duhet të themi se “Kisha si nënë me zemër të hapur egziston për të ungjillëzua”: d.m.th predikim dhe mësim, – kanal hiri dhe pajtimi, – kremtimi dhe falënderimi. Papa Françesku duke iu referuar Evangelii Nuntiandi 14. thotë se, “të ungjillëzosh është hir dhe vetë thirrja e Kishës, identiteti i saj thelbësorë”.
Çelsi i kumtimit të Lajmit të Mirë, të “Gëzimit të Ungjillit”[1] është pikërisht familja. Nuk mund të harrojmë, as të nënvlerësojmë se një pjesë e mirë e “ungjillëzimit të ri” varet nga “Kisha Shtëpiake”[2] dhe të vepruarit e saj, qoftë brenda apo jashtë mureve ku ajo shtrihet dhe vepron.
“Kjo do të thotë që në çdo familje të krishterë, duhet të pasqyrohen aspekte të ndryshme të Kishës në tërsi. Prandaj familja, sikurse Kisha, duhet të jetë një hapsirë në të cilën Ungjilli Shpallet dhe nga ku Ungjilli transmetohet”[3].
Këtu del në dritë edhe thirrja e familjes dhe misioni i sajë i dyfishtë: pranuese e Lajmit të Mirë dhe ungjillëzuese, vend ku mësohet feja dhe dëshmohet. Vatër ku çdo pjestarë i familjes jo vetëm e merr, por edhe ia shpallë “lajmin e gëzueshëm tjetrit”. Poashtu një familje e ungjillëzuar dhe e vetëdijshme për misionin që i është besuar bëhet ungjillëzuese për shumë e shumë familje të tjera. Në shumë raste dhe situata laikët – familja, arrin aty ku Kisha nëpërmjet klerikëve – të kushtuar nuk mund të arrijë. Ajo luan një rol ndërmjetësues shumë të rëndësishëm, jo vetëm si protagoniste e ungjillëzimit të ri por edhe si favorizuese e dialogut mes Kishës dhe shoqërisë.
Me fjalë të Koncilit II, familja është “objekt dhe subjekt ungjillëzimi”, me dëshminë e jetës së vet, me fjalë dhe me shenja.
Është detyrë jonë (e Kishes), që të ndihmojmë familjet të kuptojnë pasurinë e dhuratave që kanë marrë dhe çdo ditë marrin prej Shpirtit Shenjt, por edhe rolin e tyre të paçmueshëm dhe të pa zëvendësueshëm brenda Kishës – Familje e familjeve.
Duhet të inkurajojmë dhe ti nxisim familjet “që të rriten në vetëdijen e një ministerialiteti i cili buron nga sakramenti i martesës dhe thërret burrin dhe gruan të jenë shenjë e dashurisë së Zotit që përkujdeset për çdo bir të vetin”[4]. Nën dritën e ungjillëzimit të ri, “Martesa dhe Familja” janë të njohura si një ndër të mirat më të çmueshme të njerëzimit[5], shenjë dhe imazh i dashurisë së Zotit, bashkëkrijues dhe bashkëveprues të planit Hyjnor. Bashkëshortët – familja e krishterë edhe pse me ato limitet dhe mangësitë e veta paraqitet si një refleks i gjallë, një imazhë i vërtetë i dashurisë së Krishtit për Kishës. Në Eukaristi ata përjetojnë dhurimin më të madh që Hyu u bën, nga edhe zbulojnë identitetin e tyre thelbësorë dhe thirrjen në shërbim të botës. Eukaristia dhe familja manifestojnë të njëjtin mister dashurie, (Kr. Ef. 5).
Për këtë qëllim ajo është e thirrur të jetë komunitet dashurie, feje dhe ungjillëzimi, të ushqyer me Fjalën dhe sakramentet në dialog intim me Zotin vëndosen në shërbim të vëllezërve dhe Kishës. Për këtë qellim duhet të mendohen forma të ndryshme përfshirjeje të familjeve në jetën e Kishës dhe në baritoren e saj.
Prandaj në këtë kohë përgatitje për hapjen e Sinodit Dioqezan të angazhohemi edhe më shumë që “Lajmi i Mirë” të përçohet tek të gjitha shtresat njerëzore, i cili transformon nga brenda dhe ripërtërin njerëzimin, jo vetëm me fjalë por, sikurse thotë Pali VI edhe duke “shpërbërë nëpërmjet forcës së Ungjillit kriteret e gjykimit, vlerat e përcaktuara, pikat e interesit, rrymat e të menduarit, burimet frymëzuese, që janë në kundërshtim me Fjalën e Zotit dhe planin e shëlbimit”[6]. Nuk mjafton të njohim sfidat baritore që ekzistojnë, shkaqet apo pasojat, por edhe se si ti përballojmë ato.
Pyetja që duhet të bëjmë dhe mbi të cilën duhet të reflektojmë është; cilat janë zgjedhjet dhe qëndrimi ynë korret, ungjillorë pra, përballë sfidave baritore mbi familjen (dhe jo vetëm) që paraqesin sot në vendin tonë në kontekstin e ungjillëzimit të ri? Sikurse na mëson Papa Françesku, me optimizëm dhe një shpresë të ripërtërirë, të bindur se do të jetë “freskia e parë e Ungjillit që do të na hapë shtigje të reja, metoda të larmishme, me forma të ndryshme të shprehuri, shenja më shprehëse […] për botën aktuale”[7]. Kjo përgatitje për sinodin do të na mundësojë që së bashku në dialog, jo vetëm të hetojmë sfidat me të cilat Dioqeza dhe familja sot përballen, por edhe të gjejmë udhezimet e të vepruarit baritore të personit dhe të familjes.
Prandaj me një vullnet të mirë e zemër të hapur ta lejojmë Shpirtin Shenjt promovues i çdo misioni në Kishë ti frymëzojë dhe ti udhëheqë mendjet tona gjatë kësaj kohe për të mirën e tërë njerëzimit. Me Papa Françeskun të themi “mos të lejojmë të na e rrëmbejnë shpresën” […] “dhe forcën misionare”.
Familja e Shenjtë e Nazaretit, model i martesës dhe familjes e shoqëroftë Dioqezën tonë dhe çdonjërin prej nesh në këtë ecje sinodale të Shpalljes së Ungjillit.
Mt. Rita DEDA
Motrat Françeskane të Shën Filippa Mareri
Kamëz
[1] Papa Francesco, Nxitja apostolike mbi Gëzimin e Ungjillit, Evangelii Gaudium. ( Tani e tutje EG).
[2] Kushtetuta Konciliare mbi Kishen, Lumen Gentium, 11. Shiko, Evangelii Nuntiandi, 71. (Tani e tutje EN).
[3] EN 71 .
[4] Konferenca Ipeshkvore Italiane (CEI)., Të edukosh sipas jetës së mirë të Ungjillit. Orientime baritore të Episkopatit italian për dhjetëvjeçarin 2010-2020, (4 tetor 2010).
[5] Cf. Giovanni Paolo II, Familiaris Consortio (FC), 1.
[6] EN, 18-19.
[7] EG, 11.