Të krishterë që akoma edhe sot kryqëzohen.

Të krishterë që akoma edhe sot kryqëzohen. Papa qan…

Në Meshën në Shën Marta, Papa Françesku flet për përndjekjet që pësojnë të krishterët: nga dishepujt e fshikulluar nga Sinedri, deri tek martirët e kohës moderne të vrarë vetëm se mbanin një Ungjill në shtëpi.

Nga Salvatore Cernuzio

QYTETI I VATIKANIT, 02 Maj 2014 – Edhe Papa qan. Qan kur sheh bijtë e Popullit të Hyjit i cili është Bariu që martirizohen për fenë e tyre. Vajton kur dëgjon se, në vendet si Siria, të krishterët kryqëzohen publikisht. Vajton kur sheh të përsëritet akoma edhe sot, në mijëvjeçarin e tretë, të njëjtat përndjekje që pësuan Jezu Krishti dhe dishepujt e tij. Megjithatë, homelia e sotme e Papës në Meshën në Shën Marta nuk është një qarje, as një shfryrje inati, por një mesazh shprese për të thënë se pas kryqit është ringjallja, dhe që këto vuajtje janë pjesë e historisë së shpëtimit. Për ta bërë këtë Ati Shenjtë propozon tre ikona, duke filluar nga Leximi i sotëm i Veprave të Apostujve, në të cilën dishepujt fshikullohen nga Sinedri. Ikona e parë – shpjegon Papa – “është dashuria e Jezusit për njerëzit, vëmendja e tij ndaj problemeve të personave”. Zoti – nënvizon – nuk shqetësohet se sa e ndjekin, as nuk i shkon në mëndje, për shembull, që të bëjë një regjistrim për të parë nëse është rritur numri i besimtarëve… jo! Ai flet, predikon, do, shoqëron, përshkon rrugën me njerëzit, i butë dhe i përvujtë”. Dhe këtyre njerëzve u drejtohet me atë autoritet që vjen nga “forca e dashurisë”. Dashurisë së Krishtit e kundërshton “xhelozia” e autoriteteve fetare të kohës. Është kjo “ikona e dytë”, pohon Françesku: liderët e kohës “nuk toleronin faktin që njerëzit të shkonin pas Jezusit! Nuk e toleronin këtë gjë! Ishin xhelozë! Dihet që, xhelozia “është një sjellje shumë e shëmtuar” që të çon deri në zili, një ndjenjë akoma edhe më e rrezikshme në të cilën babai është vetë “djalli”, që pikërisht nga zilia bëri që të hyjë në botë e keqja.

Të trazuar brenda kësaj përzierje mes zilisë dhe xhelozisë, krerët e asaj kohe bënin çdo lloj poshtërsie kundrejt Krishtit: “Këta njerëz – thotë Papa Françesku – e dinin mirë se kush ishte Jezusi! Këta njerëz ishin të njëjtët që kishin paguar rojet për të thënë se apostujt kishin grabitur trupin e Jezusit! Kishin paguar për të fshehur të vërtetën”. Ishin njerëz “me të vërtetë të këqij!”, thekson Bergoglio, sepse “kur paguan për të fshehur të vërtetën, jemi pjesë e një të keqeje shumë më të madhe”. Ata nuk e duronin dot “butësinë e Jezusit”, “butësia e Ungjillit”, nuk e toleronin dashurinë. Në fakt, populli “ e dinte se kush ishin këta” të nënshtruar, “dhe nuk “i ndiqnin” por “i toleronin vetëm sepse kishin autoritet: autoriteti i kultit, autoriteti i disiplinës ekleziastike”. Në fakt Jezusi – kujton Papa – “thotë për ata se vendosnin pesha shumë të mëdha tek besimtarët dhe ia ngarkonin njerëzve”. Dikush që më shumë guximtar provonte të kundërshtonte: Gamalieli, një “njeri i urtë”, që – citon Shkrimin Shenjtë – gjatë mbledhjes së Sindedrit fton autoritetet fetare për të liruar apostujt. Megjithatë këta lider, “me manovrat e tyre politike, me manovrat e tyre ekleziastike për të vazhduar të sundojnë mbi popullin”, pas fjalëve të njeriut të urtë, “i thërritën përsëri apostujt dhe i fshikulluan e i urdhëruan të mos flisnin më në emër të Jezusit. E kështu i lanë të lirë”. Nuk mundën të dëgjonin vetëm sugjerimin e Gamalielit: “Duhet të bëjmë diçka; do t’i japim një mësim të mirë e pastaj i lirojmë!” E diçka bënë, “të padrejtë, por e bënë”, thotë Papa. Sepse “ata – vazhdon Papa – ishin pronarët e dijeve, dhe ndiheshin se mund ta bënin këtë”. Ashtu si edhe në atë kohë, edhe sot, “në botë, ka shumë nga “këtë “pronarë të dijeve”: “Edhe sot, ka nga këta njerëz që, në emër të Hyjit, vrasin, përndjekin”, akuzon Bergoglio. E rrëfen, me butësi dhe humanizëm, se ka derdhur lot të hidhur kur ka parë në media, “lajmin e kryqëzimit të të krishterëve në një Vend jo të krishterë”. Megjithatë, përkrah këtyre “pronarëve”, ka të krishterë që “si apostujt, ndihen të nderuar që kanë qenë të denjë të pësojnë tortura për emrin e Jezusit”. “Mendoni – thotë Françesku – që në disa Vende, vetëm për të çuar Ungjillin, shkon në burg. Ti nuk mund të mbash një kryq, sepse do të paguash gjobë pastaj”. Sot janë të shumtë të krishterët në këto kushte, dhe – siç përsërit shpesh Papa – “ka më shumë martirë sot sesa në të kaluarën”. Megjithatë zemra e këtyre njerëzve “është e gëzuar”, dhe kjo është “ikona e tretë për sot: gëzimi i dëshmisë”. Kështu pra, përmbledh Papa Françesku: “Ikona e parë: Jezusi me njerëzit, dashuria, rruga që Ai na ka mësuar, në të cilën duhet të shkojmë. Ikona e dytë: hipokrizia e këtyre drejtuesve fetarë të popullit, që kishin burgosur popullin me gjithë këto urdhërime, me këtë ligjshmëri të ftohtë, të ashpër, dhe që kanë paguar për të fshehur të vërtetën. Ikona e tretë: gëzimi i martirëve të krishterë, gëzimi i shumë vëllezërve dhe motrave tona që në histori kanë ndjerë këtë gëzim, këtë gëzim që kanë qenë të denjë që kanë pësuar tortura në emër të Jezusit”. Tre ikona: “Le t’i shohim, sot, – përfundon Ati Shenjtë – Është pjesë e historisë sonë së shpëtimit”.