Të gjithë meshtarëve, rregulltarëve dhe rregulltareve, dhe të gjithë besimtarëve të Arkidioqezës Tiranë – Durrës
Fort të dashur, Duke iu afruar fundit të vitit 2014, e ndiejmë detyrë ta falënderojmë Zotin, i cili, gjatë këtij viti, në shumë mënyra, e ka pajisur dioqezën tonë me bekime të mëdha. Le të kujtojmë veçanërisht dy prej tyre. Bekimi i parë është numri i madh i personave që sivjet janë bërë anëtarë të Kishës Katolike në dioqezën tonë, një shenjë, pa dyshim, se Kisha në dioqezën e Tiranë-Durrësit është duke u gjallëruar dhe lulëzuar vazhdimisht. Bekimi i dytë ishte ardhja e Papa Françeskut në Shqipëri. E kemi pritur me shumë entuziazëm, dhe ardhja e tij ka qenë arsye gëzimi jo vetëm për katolikët, por për të gjithë Shqiptarët. Mesazhi që ai komunikoj me thjeshtësi ungjillore u frymëzon kurajë atyre që përballojnë vështirësi, gëzim atyre që kanë humbur drejtimin e jetës, dhe shpresë mëkatarëve që janë larguar nga Zoti. Në fjalimin e tij në Pallatin Presidencial, Papa Françesku tha: “Me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të ndërsjellta mes individit e shtetit, me në krye familjen “. Fort të dashur, para disa javësh, në Vatikan, është mbledhur Sinodi i jashtëzakonshëm i ipeshkvijve, gjatë të cilit është diskutuar mbi martesën, familjen, dhe sfidat që duhet të përballojnë. Vetë Papa Françesku, në dokumentin e tij Gëzimi i Ungjillit, pohon: “Familja po përjeton një krizë të thellë kulturore “. Nuk është e vështirë të vërejmë se kjo gjendje, fatkeqësisht, pò verifìkohet edhe në vendin tonë, ku bashkimi familjar ka qenë shumë i fort. Mjafton të përmendim disa prej tyre, sikur rritjen alarmuese të numrit të të divorcuarve, sidomos në qytetet e mëdha. Mjetet e komunikimit kanë ndikuar gjithashtu në rritjen e rasteve të mosbesnikërisë martesore. Gruaja vazhdon të jetë e diskriminuar, e abuzuar, dhe viktimë e dhunës. Shumë familje, megjithatë, përballojnë me sukses sfidat e kulturës bashkëkohore.
Shumë bashkëshortë të krishterë kanë kuptuar se marte sa nuk është bashkim mes njërit që jep urdhra dhe tjetrit që duhet t’i nënshtrohet, por është bashkim mes dy personave me dinjitet të barabartë. Ajo nuk është një bashkëjetesë mes dy personave të gjinive të ndryshme që përdorin njëri-tjetrin thjesht për qëllime egoiste, por një besëlidhje dashurie që nuk shuhet kurrë. Jemi duke iu afruar festës së madhe dhe të bukur të Krishtlindjes. Krishtlindja është festa e familjes. Në kishat tona përgatitet shpella e Betlehemit, ku shohim fìgurat e Marisë, Jozefit dhe të foshnjës Jezus. Por Maria, Jozefi e Jezusi nuk janë thjesht statuja. Janë një familje; një familje që, si familjet tona, kanë përjetuar gëzime dhe trishtime, janë përballur me probleme dhe zhgënjime. Megjithatë, feja e Marisë dhe e Jozefit u dha force që te përjetojnë sfidat e jetës me shpresë dhe kurajë. Mes Marisë e Jozefit është edhe një person tjetër, është vete Jezusi, i cili, është burimi i dashurisë që bashkon një familje të lumtur. Nuk mjafton të flasim vetëm për sfidat me të cilat përballet familja në kulturën e sotme, por duhet folur gjithashtu edhe për bukurinë e jetës martesore.
Sa e bukur është jetà e familjes, kur dita fillon dhe mbaron me një lutje falënderimi Zotit, i cili, është zbuluar brenda familjes! Sa e bukur është jetà e familjes kur kjo bashkohet rreth një tryeze dhe çdo anëtar i saj, me një buzëqeshje, flet për përvojën e tij gjatë ditës! Sa e bukur është jeta e familjes kur anëtarët e saj përdorin fjalë – që fatkeqësisht tek shumë familje janë harruar – si: “faleminderit”, “me fal”, “ke bërë një punë të mirë”! Ne jemi shumë mirënjohës ndaj familjeve që janë me të vërtetë bërthamë dashurie, ndriçues që shkëlqen në errësirë, model për shumë familje të tjera, shkollë ku formohen të krishterë dhe qytetarë të drejtë që dine të ndajnë gëzimin e tyre me të tjerët dhe buzëqeshja e tyre tregon se mund të shohin të tjerët me sytë e Zotit. I jemi mirënjohës familjeve dhe atyre që kanë transformuar shtëpinë e tyre në një kishë shtëpiake dhe kështu janë bëre si një oazë në shkretëtirë. Falënderojmë Zotin dhe lutemi që çdo familje katolike të bëhet një familje e tillë. Të dashur vëllezër e motra, përzemërsisht ju urojmë që Krishtlindja t’ju sjellë dhuratën e gëzimit e të paqes dhe së bashku me urimet tona, ju përcjellim bekimin tonë baritor! Dhënë në Tiranë, tek Kurja Arqipeshkvore, me 23 nëntor 2014, festa e Jezu Krishtit Mbret.
Imzot Rrok Mirdita Arqipeshkëv Metropolit Tiranë – Durrës
Imzot George Frendo Ipeshkëv Ndihmës