Sinodi Dioqezan, sfidë e vështirë, por jo e pamundur!
Nga Igli Gjelishti
I nderuar e fort i dashur, Monsinjor George, Kryebariu i Arkidoqezës sonë,
I dashur vikari i përgjithshëm i Arkidioqezës sonë, Don Arjan,
Të dashur Meshtarë e Motra, të dashura motra e vëllezër në Krishtin,
Me pothuaj të gjithë besimtarët e Katedrales, njihemi prej gati dy vjetësh. Për të tjerët, unë jam Igli, e së bashku me Avisin që sot është ime shoqe, të dielën e shkuar përkujtuam me shumë gëzim përvjetorin e dytë te një së enjteje të tetorit të vitit 2015, kur shkuam në Katedrale, morëm pjesë në Meshën e Shenjtë e menjëherë më pas nisëm Katekizmin.
Më kujtohet shumë mire atë ditë Dom Marjani që pasi më pa se largu, m’u afrua e me tha jo pak i habitur: Ah, erdhe përnjimend! Në fakt edhe unë isha disi i habitur me veten, por ajo habi do zhdukej shumë shpejt e do ia linte vendin njw farë zemërimi të vogël, po me veten. Një zemërim me faktin që e kisha vonuar aq shumë këtë gjë. Një zemërim për faktin që megjithëse Krishtin e kisha njohur që fëmijë, e kisha besuar te Ai gjithë jetën time prej atëherë, madje s’kam pasur kurrë dyshim për t’u vetëquajtur i krishterë, padija me kishte mbajtur larg së vërtetës. Them padija, për të mos përdorur termin më të rëndë ‘injoranca’, sepse realisht isha i paditur.
Pagëzimin e kujtoja thjesht një procedurë e asgjë më shumë. Për krezmimin mbase s’kisha dëgjuar ndonjëherë. E sigurisht, nuk kisha as më të voglën njohuri mbi fuqinë e Eukaristisë, mrekullinë e takimit me Zotin. (Besoj është e kuptueshme që librat me të cilat isha ndeshur fëmijë e nëpërmjet të cilëve kisha njohur Zotin, nuk ishin botime katolike, por edhe aq, e kryen misionin e vet).
Se ç’ndodhi pas asaj të enjteje në jetët tona, e sidomos disa muaj më vonë, pas pagëzimit, une e kam shumë të vështirë ta shpreh me fjalë, por kam besimin që meqë të gjithë ushqehemi nga i njëjti burim lumturie, e merrni me mend se ç’do doja t’ju tregoja.
Të gjithë këtë hyrje, e bëra sepse jam i sigurt që ashtu si unë, ka jashtë derës së Kishës shumë të tjerë “të paditur”. Sepse e di që ashtu si unë, ka shumë që s’kanë lindur në familje katolike, e nuk guxojnë ta kalojnë pragun e Kishës sepse mendojnë se ajo është e hapur vetëm për një komunitet të ngushtë njerëzisht që nuk i mirëpresin të tjerët. Atyre do t’ju mjaftonte një takim, një fjalë, një buzëqeshje, për të kuptuar që nuk është kështu, për të zbuluar të Vërtetën e për të marrë rrugën e duhur. Unë, s’e pata këtë mundësi, e m’u desh të pres 31 vjet për ta kapërcyer atë prag. Ama, unë pata fatin e madh, që pasi e bëra, të takoj njerëzit e duhur, qoftë priftërinj, e qoftë besimtarë të tjerë, që më bënë më të prekshme e më të përjetueshme forcën e dashurisë së Hyjit. Jo të gjithë e kanë këtë fat, e në shohim shumë raste edhe në Kishën tonë që shumë të rinj, pasi vijnë, pasi marrin sakramentet, largohen e nuk i shohim më aty.
Me aq sa kam pasur mundësi të bisedoj këto dy javë, kam vënë re që për këtë Sinod që nisim të përgatisim sot, ka një miks ndjenjash e mendimesh. Ka që mendojnë se është i nxituar, ka që mendojnë se është i pamundur, ka madje edhe që mendojnë se është i panevojshëm. Sigurisht ka më shumë nga ata që janë entuziastë dhe besimplotë, ndërsa ajo që i bashkon të gjithë, është mungesa e informacionit të plotë mbi çfarë është një sinod. As vetë s’e kam akoma shumë të qartë, por më gëzon tematika e tij.
Personalisht mendoj se që prej kohës kur Shën Pali ka kaluar në këto anë, nuk ka pasur një moment më të mirë që shqiptaret të ungjillëzohen. Pas 5 shekujsh pushtim nga jashtë, e pas 5 dekadash çmenduri të brendshme, sot jetojmë një moment kur kushdo është i lirë të ndjekë atë që beson. Jetojmë në një moment kur vetëm në 3 vjet, na ka vizituar një Papë, kemi shenjtëruar një nënë shqiptare, 38 martirë shqiptarë i janë shtuar Kishës së Shenjtë, e vetëm për të dytën herë në histori, kemi një Kardinal shqiptar. Janë shumë ngjarje në 3 vjet, për të mos u frymëzuar prej tyre. Sigurisht, jetojmë edhe një kohe idhujsh të rremë, por këta as kanë lindur sot e as do zhduken nesër. E sigurisht Sinodi nuk do jetë një gjë e lehtë, por nëse kur të mbyllet, do ketë kthyer edhe një person të vetëm në rrugën e duhur, për mua do keteë vlejtur. Nëse kthen dhjetë, njëqind, njëmijë, njëqindmijë, akoma më mirë.
E në kuadër të këtij Sinodi që nisim të përgatisim sot, e ndërkohe që presim të kuptojmeë më shumë rreth tij, e detyrave që mund të na caktojnë ne, për të cilat personalisht shpreh që sot gadishmerine time për të bërë ç’të nevojitet e ç’të mundem, ne besimtaret mund të nisim menjëherë nga gjerat e vogla. Le të fillojmë duke i thënë dikujt si unë i para dy vjetëve, që dera e Kishës është e hapur për të gjithë. Që aty nuk bëhen vetëm disa rite të caktuara dekada a shekuj më parë, por që aty takohesh me Zotin, personalisht. Le të japim një buzqëshje, e të themi se nga Kush buron ajo. E atyre që i shohim në Kishe rishtazi, t’u afrohemi, t’i ftojmë të ndajmë së bashku eksperiencën e fesë, e mbase do e kenë më të lehtë të mos largohen më prej aty. Po ashtu, të mos rreshtim asnjëherë së treguari kush jemi e pse jemi. Duket ndonjëherë, sikur jemi katolikë në Kishe e në shtëpi, por kur jemi jashtë, shndërrohemi në ateistë mondanë të prekur nga sëmundja e madhe e kësaj kohe, ajo e të qenurit politikisht korrekt, që fshehim besimin tonë nga droja se mos ofendojmë ata që nuk besojnë si ne.
Vëllezër e motra, nëse kur hyra në Kishe isha krejt i paditur, nuk pretendoj se për dy vjet kam bërë kush e di se çfarë hapa përpara. Ama, një gjë e kam kuptuar mirë, e ajo është forca e lutjes. Kam provuar në vetë të parë, se çfarë mund të arrihet duke u lutur e duke i’a lënë në dorë Zotit zgjidhjen. Ndaj, pavarësisht vështirësive që mendojmë se mund të ketë kjo ecje që nisim sot, me bindjen se për Zotin s’ka asgjë të pamundur, le t’i lutemi Shpirtit Shenjt që të na drejtojë në këtë ecje, e Zojës së Bekuar që të na mbrojë e të na ndihmojë. Qoftë Lëvduar Jezu Krishti!