Shugurimi i Kishës në Bathore kushtuar në nder të shën Gjon Palit II-të
Tiranë, 3 maj 2014
Predikimi i Sh.T. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv i Arkidioqezës Tiranë-D, në shugurimin e Kishës së re të ndërtuar në Bathore, kishë e cila i kushtohet shejtit Gjon Pali II-të.
Shumë të dashur vëllezër e motra, Me gëzim të madh e mirënjohje të thellë i kushtojmë Hyjit këtë kishë të re. Tre mendime na shoqërojnë në këtë kremtim: Kisha është dhuratë e Hyjit; Hyji është besnik me Kishën e vet; në Kishë gjejmë adhurimin që na bën të lirë.
1. Kisha është dhuratë e Hyjit. Ajo lind në takimin me Krishtin. Ati qiellor, aq shumë e deshi botën, sa dërgoi Birin e vet, për t’i mbledhur bijtë e humbur, në një popull të vetëm e të shenjtë. Për të hyrë në Kishë, duhet të gjejmë derën, dhe Jezusi thotë: “Unë jam dera: kush hyn nëpër mua, do të shëlbohet. Do të hyjë e do të dalë, e do të gjejë kullosë” (Gj 10,9). Por, si mud ta gjejmë këtë derë? Ungjilli i sotëm është marrë nga takimi i Jezusit me gruan samaritane, tek pusi, që mendohej se ishte i Jakobit. Ajo grua nuk po kërkonte Jezusin, por Jezusi shkon tek ajo dhe i kërkon ujë. Jezusi, të dashur vëllezër e motra, që kur erdhi në botë nëpërmjet Marisë së Nazaretit para dymijë vjetësh, vjen ditë për ditë në jetën e çdo njeriu, aty ku njeriu kërkon ujë, për të shuar etjen. Njeriu nuk duhet të shkojë askund për ta kërkuar Jezusin, sepse është Jezusi ai që ka ardhur për të na kërkuar ne dhe na ka gjetur aty ku nuk prisnim ta takonim. Jezusi e do njeriun, e njeh, e di cilat janë brengat dhe pamundësitë e tij, prandaj i afrohet, siç iu afrua gruas samaritane, dhe i kërkon t’i hapë zemrën: “Më jep të pi!”. Kisha është dhuratë e Hyjit, sepse lind në takimin me Krishtin, dhe vetë takimi me Krishtin është dhuratë e dashurisë së tij. A nuk është dhuratë e dashurisë së tij feja që kemi gjetur në familjet ku kemi lindur e jemi rritur? Ajo fe që i ka mbajtur zemrat e etërve, gjyshërve e stërgjyshërve tanë të lidhura fort dhe thellë me zemrën e Krishtit? Ajo fe, me të cilën na kanë pagëzuar, me të cilën na kanë mësuar lutjet, me të cilën e lejojmë Hyjin të na i falë mëkatet dhe të na e ngazëllejë shpirtin, edhe në mes të persekutimit? Paraardhësit tanë e kanë ruajtur këtë fe brez pas brezi, sepse brez pas brezi e kanë lejuar Krishtin të banojë në shtëpitë dhe në zemrat e tyre. Kur kemi lindur, e kemi gjetur Kishën në shtëpi, sepse familja është Kisha e parë në të cilën hyjmë, sapo lindim: dhuratë e mrekullueshme e Hyji.
2. Hyji është besnik me kishën e vet. Në dymijë vjet histori krishterimi, nuk kanë munguar as përndjekjet, nga ana e armiqve të Kishës, as gabimet dhe tradhtitë brenda Kishës. Por Hyji është besnik. Nëpërmjet Krishtit, ai i ka thënë Pjetrit, kreut të apostujve: “Mbi ty do ta themeloj Kishën time dhe dyert e ferrit nuk do të ngadhënjejnë kundër saj”. Besnikëria e Hyjit është vënë në provë të madhe në historinë e Kishës shqiptare për shumë shekuj. Shumë nga paraardhësit tanë mund të kenë pyetur: “ku është Hyji?” gjatë dhunimeve të të krishterëve nën pushtimin gati pesëqindvjeçar osman dhe shumë të tjerë e kanë bërë të njëjtën pyetje, ndoshta edhe me më shumë forcë, nën dhunën e ateizmit komunist, kur u mbyllën edhe kishat e fundit, që kishin mbetur në këmbë. Kisha, që është shtëpia e Hyjit mes njerëzve, u rrënua për shekuj, jo vetëm në ndërtesat e shembura, por edhe trupat e martirizuar të vëllezërve e motrave tona, që dhanë jetën vetëm sepse ruajtën fenë. Martirizimi nuk është vetëm shenjë e besnikërisë së njerëzve ndaj Hyjit, por edhe e besnikërisë së Hyjit ndaj bijve të tij. Hyji u ka dhënë martirëve të shumtë të tokës sonë hirin e ruajtjes së fesë gjer në fund, u ka dhënë forcën e faljes dhe gëzimin e jetës së pasosur. Ata e kanë ditur se Hyji është më i fortë se vdekja, prandaj e kanë pranuar vdekjen për Hyjin. Por Ai, Besniku i amshuar, e ka treguar besnikërinë e vet edhe nëpërmjet fesë së ruajtur në thellësinë e shpirtit të njerëzve të thjeshtë e të vuajtur të fshatrave dhe qyteteve tona. Sa gjyshër e nëna janë lutur në fshehtësi dhe ua kanë mësuar fëmijëve lutjet, kur një gjë e tillë dënohej me ligj? Në mes të vështirësive të jetës, në mes të varfërisë dhe mungesës së lirisë, të krishterët shqiptarë ruanin brenda ndërgjegjes së tyre shenjtëroren e fesë dhe takonin brenda saj Hyjin besnik, që i flet zemrës fjalët e jetës së amshuar dhe i kujton njeriut, se nuk jetohet vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Hyjit. Ndërsa shembeshin kishat e gurit nën goditjet e kundërshtarëve të fesë, Krishtit i kushtoheshin katedralet madhështore shpirtërore të njerëzve të vuajtur, që asnjë forcë e kësaj bote nuk mund t’i shembë. Hyji nuk është lidhur me njerëzit nëpërmjet gurëve të një kishe, por nëpërmjet trupit të Birit të tij të bërë njeri, të kryqëzuar e të ringjallur, në të cilin, me anë të fesë, marrin pjesë trupat tanë shpesh herë më shumë të kryqëzuar sesa të ringjallur. Besnikëria e Hyjit në Krishtin mbetet përgjithmonë, dhe këtë na e kujton shën Pali, në Letrën drejtuar Romakëve: “Jam i bindur – shkruan shën Pali – se as vdekja as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja as e ardhmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom 8,38-39). Por besnikëria e Hyjit nuk shfaqet vetëm nëpërmjet gatishmërisë së njerëzve për të duruar përndjekjet e botës për dashurinë e tij. Hyji e tregon besnikërinë edhe duke shfaqur forcën e vet dhe duke i gëzuar zemrat e bijve të tij. Ardhja e lirisë fetare në Shqipëri është shenjë e qartë e besnikërisë së Hyjit, i cili e rimëkëmbi Kishën në këtë tokë, duke e nxjerrë nga fshehtësia e shpirtrave dhe duke e vendosur edhe një herë mes fshatrave dhe qyteteve tona. Hyji deshi të banonte mes nesh në një formë të dukshme. Ai deshi që trupi i tij mbi tokë, Kisha e shenjtë katolike, të formohej edhe një herë në plotësinë dhe gjallërinë e vet. Ajo kishë e fshehur thellë në shpirtrat e njerëzve për dhjetëra vjet, u dëftua e ringjallur dhe e bukur, e përflakur nga dashuria dhe e ndezur me shpresë, para shoqërisë shqiptare dhe para mbarë botës, më 25 prill 1993, kur në tokën tonë shkeli pasardhësi i shën Pjetrit, Shën Gjon Pali II. Udhëtimi në Shqipëri i Papës së madh, i cili u shpall shenjt të dielën e shkuar, qe një dhuratë e madhe e Hyjit për popullin tonë të vuajtur. Gjatë meshës së shugurimit të katër ipeshkvijve të parë pas komunizmit, Shën Gjon Pali II tha: “Ipeshkvi i Romës, për shumë vite, e ka rrethuar me lutjen e vet dhe me atë të të gjithë Kishës, varrin në të cilin, këtu në tokë ishte mbuluar Jezusi dhe trupi mistik i tij, që është Kisha. Është Krishti ai që ka vuajtur në martirët e vet, në ipeshkvijtë, në meshtarët, në personat e shuguruar dhe në të gjithë ata, që në tokën tuaj kaluan një provë vdekjeje tronditëse, që shkroi me dhimbje historinë e kohëve të fundit”. Papa i shenjtë Gjon Pali II erdhi për të nderuar Krishtin e kryqëzuar në Shqipëri dhe për të shpallur, si pasardhës i denjë i Pjetrit, Krishtin e ringjallur në tokën tonë. Këtë e bëri duke ringritur Kishën e dukshme, duke shuguruar barinjtë e rinj, duke ripërtërirë jetën normale të trupit mistik të Krishtit në vendin tonë. Kisha jonë sot i thur lavdi Hyjit për besnikërinë e tij të pandryshueshme dhe për shenjat e dukshme të kësaj besnikërie. E tillë qe jeta dhe personi i Shën Gjon Palit II: shenjë e pakundërshtueshme e besnikërisë së Hyjit. Sot, nga qielli, ky mik i shtrenjtë i Hyjit dhe i Shqipërisë e shikon kishën tonë, me të njëjtën dashuri me të cilën erdhi për ta ripërtërirë para njëzetenjë vjetëve. Sot ai shikon këtë kishë, vëllezërit dhe motra e kësaj famullie dhe këtë tempull të bukur, që i kushtohet kujtimit të tij. E shikon nga qielli dhe e bekon. Besnikëria e Hyjit, të dashur vëllezër e motra, tregohet nëpërmjet fytyrave të njerëzve që Hyji dërgon mes nesh. Edhe në këtë famulli kjo besnikëri e ka një fytyrë konkrete: është ajo e famullitarit tuaj, dom Patrizio-s. I dashur dom Patrizio, në mes të vështirësive të kësaj zone të kryeqytetit tonë, ti ke qëndruar mes grigjës së dashur të Krishtit me thjeshtësinë dhe mirësinë e dëshmitarit besnik të Bariut të Mirë. Kjo kishë e dukshme dhe e bukur, që sot po ia kushtojmë Hyjit, fryt i angazhimit tënd të palodhur, është shprehje e Kishës së padukshme, që ti ke ndërtuar me durim e përkushtim në shpirtrat e banorëve të Bathores, me anë të predikimit, të sakramenteve dhe të veprave të dashurisë. Jam i sigurt se Hyji ta ka shpërblyer mundin, duke e mbushur zemrën tënde me gëzim e hare. Në emër të kishës sonë dioqezane, dëshiroj të shpreh mirënjohjen e thellë për praninë tënde të çmuar mes nesh. Sigurisht, besnikëria e Hyjit shprehet sot edhe nëpërmjet fytyrës së kishës dioqezane të Maceratës, e pranishme sot me anë të një përfaqësie të kryesuar nga ipeshkvi Imzot Claudio Giuliodori. Me këtë kishë dioqezane na lidh dashuria dhe mirënjohja e thellë.
3. Shumë të dashur vëllezër e motra, në Kishë gjejmë adhurimin që na bën të lirë. Jeta jonë është e kërcënuar nga shumë skllavëri dhe tirani. Njeriu, për vetë natyrën e tij, ka nevojë të adhurojë diçka, sepse Hyji e ka krijuar njeriun të hapur ndaj adhurimit, por shpesh herë adhuron gjënë e gabuar, në vendin e gabuar, dhe humb lirinë. Bota është plot me hyjni të rreme, si paraja, suksesi, pushteti, të cilat prodhojnë shfrytëzim, korrupsion, dhunë e përjashtim. Prandaj pyetja e gruas samaritane në Ungjillin e sotëm, për vendin e adhurimit të vërtetë, nuk është pyetje teologjike, por ekzistenciale: “Zotëri ‑ i tha gruaja ‑ po shoh se je profet. Etërit tanë adhuruan në këtë mal, kurse ju thoni se në Jerusalem është vendi ku duhet të bëhet adhurimi”. Duke iu përgjigjur samaritanes, Jezusi e themelon Kishën në shpirtin e njeriut: “adhuruesit e vërtetë do ta adhurojnë Atin në shpirt e në të vërtetë. Hyji është shpirt, dhe ata që e adhurojnë duhet ta adhurojnë në shpirt e në të vërtetë.” Vetëm me Jezusin mund ta mësojmë këtë adhurim dhe ta gjejmë këtë liri. Shën Gjon Pali II është modeli dhe pajtori ynë, prandaj atij ia drejtojmë lutjen tonë: Shën Gjon Pal, shikoje me dashuri nga qielli këtë Kishë dhe lutju Bariut të amshuar t’i prijë ndërgjegjes sonë drejt adhurimit që na bën të lirë! Amen.