Shkëlqesia e Tij Imzot George Frendo, merr Paliumin e Metropolitit

Shkëlqesia e Tij Imzot George Frendo, merr Paliumin e Metropolitit

Tiranë 2 korrik 2017

 

Fjala përshëndetëse e Famullitarit të Katedrales në fillimin e kremtimit Eukaristik

Kjoftë levdu Jezu Krishti

Vllazën e  motra të dashtun, Kremtimi Eukaristik që sapo kena nisë, Buka e Gjallë që na mbledhë çdo të diele përreth elterit, sot na ban me u ndi ma të gëzueshëm dhe ma shumë të bashkuem në lutje përreth Arqipeshkvit tonë Imzot Gjergj Frendo, i cili vetëm tre ditë ma përpara ka pranue Paliumin Metroplitan prej Atit të Shejtë Papës Françesku.

Bashkë me Ju të gjithë i uroj mirëseardhjen në këtë Katedrale Eminencës së Tij Kardinalit tonë Ernest Troshani, i cili në të vërtetë nuk asht hera e parë që na viziton në këtë katedrale, por që sot i jep nder bashkimit tonë duke ba që në një farë mënyre Kisha Dëshmitare e së sotshmes të ndihet e bashkueme më Kishën Martire të së djeshmes.

Arqipeshkvi i ynë do ta marrin Paliumin e Shejtë prej duerve të Nuncit Apostolik Shkëlqesisë së Tij Imzot Charles John Brown, Ambasador i Selisë Shejte pranë shtetit tonë. Në të vërtetë Nunci në pak kohë që gjendet mes nesh na e ka shprehë afërmitetin e tij me praninë e tij të shpeshtë në këtë Katedrale, dhe bashkë me miresëardhjen do të doja që ta falënderoj edhe një herë për kremtimin e bukur dhe plot të entuziazëm të 7 vjetorit të Lëvizjes për Jetën të cilën e kremtuam bashkë me ju besimtarë para dy ditësh.

Ju uroj mirëseardhjen edhe të gjithë ipeshkvijve të pranishëm në këtë kremtim të cilët kanë dashtë që të bashkëndajnë me ne gëzimin e kësaj dite të veçantë për Arkidioqezën tonë.

Një mirëseardhje të ngrohtë në mesin tonë due që në emnin e të gjithë juve t’ja jap edhe themeluesve të bashkësisë “Casa di Maria” – Shtëpia e Marisë në Rromë, Dom Giaccomo Martinelli dhe Motër Nicoletta Reschini, të cilët janë të pranishëm në mesin tonë sot duke na sjellë si dhuratë Vikarin e ri të Arkidioqezës sonë Dom Arjan Dodën, i cili me pranimin e kësaj shërbese të re, do të jetojë në mesin tonë për të ndihmue që Arkidioqeza jonë të rritet në fe dhe të forcohet në vllaznim.

Në këtë Meshë do të përkujtojmë me falënderim dhe lutje të përshpirtshme në mënyrë të veçantë shpirtin e Imzot Rrok Mirditës, Arqipeshkvit të parë të kësaj Selie Arqipeshkvore, si dhe shpirtin e Nuncit të Parë Apostolik Imzot Ivan Diaz i cili para pak ditë kaloi në amshim në Shtëpinë e Atit qiellor.

Të gjithëve ju uroj Meshë të Shejtë me praninë e Shpirtit të Zotit.

 

Predikimi i Shkëlqesisë së Tij Imzot George Frendo, në kremtimin Eukaristik në të cilin mori mbi vete Paliumin e Metropolitit.

Një nga tiparet më spikatëse të popullit shqiptar është mikpritja e madhe e tij. Në atë që quhet Kanuni i Lekë Dukagjinit flitet me shumë detaje për shpirtin me të cilin shqiptari duhet të pranojë mikun. Ndër të tjera lexojmë: “Shtëpia e shqiptarit është e Hyjit dhe e mikut”; dhe: “Miku nderohet duke i ofruar bukë, kripë e zemër”. Dhe ky shpirt mikpritës, që uroj që popullit tonë mos i mungojë kurrë ta, ka një porosi shumë të veçantë dhe shumë të rendësishme për botën e sotme. Shumë popuj sot kanë humbur atë ndjesi mikpritjeje që në të kaluarën e kishte kultivuar. Shumë popuj sot jetojmë në anonimitet ose në atë që Papa Françesku ka quajtur “globalizimi i indiferencës”.

Leximi i Parë sot na paraqet një çift që ka treguar një mikpritje të veçantë ndaj një profeti me emrin Elizeu. Për ca kohë, çifti i ofronte bukë çdo here që ai kalonte andej. Më vonë çifti vuri re se ky person ishte “njeri i Hyjit, njeri i shenjtë”, dhe vendosën t’i ndërtonin një dhomë në tarracë. Kanë treguar një bujari mikpritjeje të veçantë, dhe Zoti i shpërbleu.

Terë misioni i profetit Elize tregon gjithashtu ndjeshmërinë e tij ndaj njerëzve më të braktisur apo të mënjanuar: një vejushë, një lebroz, shumë njerëz të uritur, njerëz të varfër. Profeti nuk ngurron të bashkohet me ata që bota i braktis ose i paragjykon.

Edhe Jezusi, në Ungjill, flet për mikpritje. Ja fjalët që kemi dëgjuar në ungjill: “Kush pranon profetin pse është profet, do të marrë shpërblimin që i takon profetit; kush pranon të drejtin pse është i drejtë, do të marrë shpërblimin që i takon të drejtit. Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” Pra bëhet fjalë me një formë edhe më fisnike mikpritjeje, sepse është një mikpritje që bëhet në emrin e Krishtit. Prandaj Jezusi tha: “Kush ju pranon ju, më pranon mua; e kush më pranon mua, pranon Atë që më dërgoi mua”.

Ky Ungjill na paraqet tri kategori njerëzish që mbartin mbi vetë përngjasimin e Jezu Krishtit: profeti, i drejti dhe i varfri. Dhe kjo na ndihmon të kuptojmë cila është Kisha që ne duhet ta ndërtojmë. Rasti i sotëm, dorëzimi i paliumit mbi shpatullat e mia, na kujton se jemi Kishë, Kisha e Krishtit, që, duke gëzuar praninë e Krishtit, përjeton gjithmonë atë njësi që e bën një familje të madhe. Dhe këto fjalë që sapo kam cituar nga Ungjilli i sotëm na tregojnë cilat janë tiparet që Kisha e Krishtit duhet të pasqyrojë në Shqipëri dhe për të cilat duhet të angazhohet. Jezusi ka lavdëruar ata që pranojnë një profet, një të drejtë, dhe një të varfër. Ja si duhet të jetë, ku duhet të veprojë, dhe për çfarë duhet të angazhohet Kisha në Shqipëri.

Përmend së pari të varfrit. Jemi Kisha e Krishtit, e Krishtit të mishëruar. Mishërimi i Krishtit do të thotë atë pasuri të fshehur në varfëri; ose, në fjalët e Shën Palit, “Jezu Krishti, duke qenë i pasur, u bë për ju i varfër, që ju të bëheni të pasur me anë të varfërisë së tij”. Për këtë arsye Jezusi u tregua shumë i ndjeshëm ndaj të varfërve; madje u identifikua me të varfrit kur tha: “Çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua.” Dhe, në Ungjillin e sotëm: “Kush ia jep ndonjërit prej këtyre të vegjëlve, madje edhe një gotë uji të freskët, pse është nxënësi im, për të vërtetë po ju them: nuk do t’i humbë shpërblimi!” Si Kishë e Krishtit le të bëhemi zë për ata që nuk kanë zë, për atë që ka nevojë të bëjë një operacion, por i mohohet kjo e drejtë, sepse nuk mund të paguajë lekët që kërkon mjeku i korruptuar; për atë që nuk gjen punë, sepse nuk njeh asnjë deputet që mund ta fusë në punë; për atë të cilit i mohohet një vendim i drejtë në gjykatë sepse gjyqi u shit për një shumë të madhe lekësh nga një person shumë i pasur.

Së dyti përmend të drejtët. Jezusi tha: “Të lumët janë ata që kanë uri dhe etje për drejtësi”. Sot e ndiejmë shumë “urinë” për drejtësinë shoqërore. Kush janë të drejtët? Janë ata që nuk pranojnë të shiten për të votuar për një parti politike në zgjedhje, sepse e dinë se e mira e përbashkët duhet të ketë përparësi mbi fitimin personal. Është ai polic që nuk shitet për një kafe. Është ai deputet që në kuvend nuk ka frikë të denoncojë një projekt-ligj që kundërshton parimet morale, dhe ka kurajë ta mbrojë martesën si bashkim mes një burri dhe një gruaje. Është ai që nuk është lakmues për pasuri, për pushtet, për zbavitje. Si Kishë ne duhet të angazhohemi për promovimin njerëzor dhe çlirimin e njeriut: për dinjitetin e gruas, respektin për të varfërit dhe të mënjanuarit, etj. Është një angazhim për ndërtimin e një shoqërie më të denjë për njeriun. Angazhohemi jo si “sindakalist” ose thjesht si punëtorë shoqërorë, por si deshmitarë të ungjillit, të frymëzuar nja Fjala e Zotit. Vaj për ne nëse bëjmë një lloj jetese të qetë, duke arsyetuar: “Nuk është puna ime…”. Misioni ynë na detyron të qëndrojmë jo aq afër atyre që sundojnë, por më shumë afër viktimave të padrejtësisë.

Dhe së treti përmend profetët. Leximi i Parë ka folur për çiftin që pranoi profetin Elizeu. Jezusi lavdëroi ata që pranojnë profetin sepse është profet. Kush janë profetët? Jemi ne ipeshkvinj, jemi ne meshtarë, jemi të gjithë ne besimtarët. Dhe çfarë bën profeti? Profeti nuk është ai që paralajmëron të ardhmen, por ai që predikon të tashmen. Domethënë ai që shpall vlerat e vërteta, në kundërshtim me vlerat fallco që shpall bota e sotme. Profeti shpeshherë duhet të ecë kundër rrymëve. Shën Pali ka thënë: “Mos iu përshtatni parimeve të shekullit”. Me kurajën e Jeremisë, lejojmë vetveten të “ngashënjehemi” nga Zoti. Me kurajë të themi “po” ose “jo” kur duhet të themi “po” ose “jo”. Me kurajë të marrim vendimin e duhur e të themi fjalën e duhur edhe duke ditur se do të kritikohemi. Me kurajën të lejosh Fjalën të të shndërrojë që të mund të shpallesh të vërteten që liron. Me kurajën e Isaisë, i cili tërhoqi vëmendjen e popullit për jetimët dhe vejushat dhe të shtypurit, duke qortuar ata që vazhdonin të hanin dhe të pinin dhe të zbaviteshin kinse gjithcka ishte në rregull. Me kurajën e Amosit dhe të Ozesë, që sot tërheqin vëmendjen tonë për ata që po vriten në luftra në Siri dhe në Irak, fëmijët që po vdesin nga uria në këto vende dhe në shumë vende në Afrikë.

Në pjesën e parë të Ungjillit të sotëm Jezusi tha: “Kush e do të atin e të ëmën më shumë se mua”. Kush lexon këto fjalë në mënyrë siperfaqësore mund të mendojë se Jezusi na nxit të injorojmë prindërit dhe familjarët tanë. Nuk është e vërtetë. Madje ishte Jezusi që i qortonte fortë farisenjtë sepse thoshin se nuk kemi asnjë detyrë ndaj prindërve, por vetëm ndaj Zotit. Por Jezusi tregon se thirrja e tij ka përparësi mbi çdo thirrje tjetër, edhe mbi atë të prindërve. Sa shumë prindër kanë penguar planin e Zotit kur nuk kanë lejuar që djali i tyre të vazhdojë rrugën për t’u bërë prift! Sa prindër kanë penguar vajzat e tyre mos të pranonin planin e Zotit që të bëhen murgeshë!

Vëllezër e motra, bota e sotme ka nevojë të dëgjojë Ungjillin e Krishtit. Bota e sotme ka nevojë për ne. Ka nevojë për secilin prej nesh, por jo thjesht si të krishterë. Secili prej nesh duhet të jetë jo thjesht një “i krishterë”, por një “Krisht tjetër”, që në praninë tonë të kenë turp ata që mbjellin padrejtësi, korrupsion dhe urrejtje, sepse shohim në ne figurën e apostujve të dashurisë, që hapim rrugën për një revolucion: i vetmi revolucion që është i lejueshëm, madje i detyrueshëm: është revolucioni i dashurisë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *