Sakramenti i Krezmimit në famullinë “Zoja e Këshillit të Mirë” Gurëz

Nga Juliana Bici

Me këto fjalë Shkëlqesia e Tij Imzot Rrok Mirdita ka lyer me krizmën, më 28 Maj 2014, adoleshentët e famullisë “Zoja e Këshillit të Mirë” në Gurëz pasi u kishte dhuruar atyre nëpërmjet shtrirjes së duarve Shpirtin Shenjt. Mesha e Shenjtë u kremtua pasdite në praninë e nunëve, prindërve dhe të afërmve të adoleshentëve, marrësit e këtij sakramenti. Në krezmim ose siç e quajmë ndryshe përforcim, i krishteri merr Shpirtin Shenjt, sikurse e morën Apostujt ditën e Rrëshajëve. Ata ishin përpara frikacakë, por pasi morën plotësinë e Shpirtit që Krishti ua kishte premtuar, u bënë dëshmitarë dhe përhapës guximtarë të mësimeve ungjillore. Shpirti Shenjt na jep forcën, që besimin tonë ta pranojmë me qëndrueshmëri para njerëzve dhe për të edhe të luftojmë.

Krezmimi i shenjtë na ndihmon që të jemi dëshmitarë dhe apostuj të Krishtit në famullinë tonë, në familjen tonë, si edhe në mjedisin ku jetojmë. Me krezmim i pagëzuari fiton shumëzimin e hirit shenjtërues; fuqinë për të jetuar si i krishterë i vërtetë dhe për të dëshmuar parimet ungjillore, begatinë e dhuratave të Shpirtit Shenjt, shenjën e pashlyeshme në shpirt, me të cilën Krishti na shënon si bashkëpunëtorë të tij në ndërtimin e mbretërisë hyjnore. Edhe sot Shpirti Shenjt vazhdon të veprojë me fuqi në Kishë dhe frytet e tij janë të bollshme në masën në të cilën ne jemi të gatshëm t’i çelemi fuqisë së tij ripërtëritëse. Për këtë është e rëndësishme që secili prej nesh ta njohë, të hyjë në marrëdhënie me Të dhe të lihet të udhëhiqet nga Ai, theksoi në fjalën e tij Arqipeshkëvi Rrok Mirdita. Edhe sot dishepujt e Krishtit janë të ftuar të përhapin Lajmin Ungjillor. Imzot Mirdita i ftoi të rinjtë të hapnin zemrën e tyre e të pranonin me dashuri e besim dhuratat e Shpirit Shenjt dhe të shpallnin me jetën e tyre Lajmin e Mirë të Ungjillit.

Jeta e besimit nuk mbaron me Sakramentin e Krezmimit, madje aty besimi bëhet më i fortë dhe këta të rinj duhet të vazhdojnë të qëndrojnë të fortë në besim. Jeta e krishterë nuk është shumë e lehtë, por me lutjen dhe me ndihmën e Shpirtit Shenjt mund t’ia dalim të jetojmë ashtu si Ungjilli na mëson. Kandidatët në sakramentin e Përforcimit ishin tetë. Një numër shumë i ulët po të krahasohet me numrin e lartë në të shkuarën. Por edhe një reduktim i tillë nuk është garanci e cilësisë së mirë në përgatitjen e kandidatëve. Sipas Famullitarit tonë kemi nevojë për një ndryshim themelor në baritoren katekistike, të përmendur shumë në dokumentat e Kishës. Është e nevojshme të vendoset në plan të parë shpallja e Ungjillit derisa të ngjallë e të maturojë në zemrat dhe në mendjet e fëmijëve dhe të rinjve kuptimin e besimit. Nuk është më koha të shqetësohemi për kremtimin e sakramenteve, por më shumë për ungjillëzimin e personave.

Të ungjillëzosh do të thotë të mbjellësh në mendjen, në zemrën, në sjelljet e në zgjedhjet e përditshme fjalën e Jezusit. Të ungjillëzosh domethënë të kultivosh mentalitetin e besimit në jetën e çdo dite. Nuk mund të heqim dorë në mënyrë pasive ndaj dukurisë së largimit dhe të shkëputjes së të krezmuarve, që në vend që të konfirmojnë e të forcojnë përkatësinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës vendosin të largohen nga ajo Bashkësi, që besonte se i kishte gjeneruar në një besim më të matur, në shërbim të Ungjillit e të Kishës.

Çfarë duhet të bëjmë për ta kundërshtuar këtë mentalitet, që tregon një mungesë të plotë të ndërgjegjësimit dhe përgjegjësisë ndaj Përforcimit dhe sakramenteve të tjera? Është një sfidë që na pret të gjithë ne, punëtorëve në vreshtën e Zotit.