Punëtorët baritorë – meshtarë, rregulltarë, rregulltare dhe laikë të vrarë në vitin 2013

“Jemi afër të gjithë misionarëve dhe misionareve të cilët punojnë shumë por pa bërë shumë zhurmë, e japin jetën e tyre”

(Papa Françesku, Engjëlli i Zotit i 20 tetorit 2013, Dita Botnore e Misioneve)

Punëtorët baritorë të vrarë në vitin 2013

Qyteti i Vatikanit (Agenzia Fides)

Prej informatave të mbledhura nga Agjencia Fides, në vitin 2013 janë vra në botë 22 punëtorë baritorë (pjesa më e madhe e tyre ishin meshtarë), dhe janë gati dyfishi i të vrarëve të vitit 2012, vit në të cilin ishin vrarë 13 persona. Në natën mes 31 dhjetorit 2013 dhe 1 janarit 2014 është vra edhe një meshtar tjetër, P. Eric Freed, famullitar i Eureka, në Kaliforni: policia është duke hetuar për të hedhur dritë mbi shkaqet dhe mënyrën e vrasjes. Për të pestin vit me radhë, numri më i lartë i punëtorëve baritorë të vrarë i përket Amerikës Latine, ku në vendin e parë qëndron Kolumbia. Në vitin 2013 kanë vdekur në mënyrë të dhunshme 19 meshtarë, 1 rregulltare dhe 2 laikë. Sipas ndarjes së kontinenteve, në Amerikë janë vrarë 15 meshtarë (7 në Kolumbi; 4 në Meksikë; 1 në Brazil; 1 në Venezuelë; 1 në Panama; 1 në Haiti); në Afrikë kanë mbetur të vrarë 1 meshtar në Tanzani, 1 rregulltare në Madagaskar, 1 laike në Nigeri; në Azi ka mbetur i vrarë 1 meshtar në Indi dhe 1 në Siri. Gjithashtu ka mbetur i vrarë 1 laik në Filipine; në Europë është vrarë 1 meshtar në Itali. Sikurse është bërë zakon tashmë prej kohësh, lista e Fides nuk përmban vetëm misionarët ad gentes në kuptimin e ngushtë të fjalës, por të gjithë punonjësit baritorë që kanë vdekur në mënyrë të dhunshme. Në këtë rast nuk përdoret terminologjia “martirë”, terminologji e cila përdoret në këtë rast vetëm në kuptimin e fjalës “dëshmitarë”, në mënyrë që mos të interferojnë me gjykimin e mëpastajmë që Kisha mund të japë mbi disa prej tyre, kjo edhe për faktin se lajmet që arrihen të mblidhen për rastet në fjalë nuk janë të bollshme dhe shteruese sa për të gjykuar përfundimisht çdo situatë. Në vitin 2013 është hapur procesi i lumturimit për gjashtë misionaret italiane të motrave Varfanjake të Bergamo-s, të cilat vdiqën në Kongo në vitin 1995 pasi morën virusin “ebola” vetëm sepse nuk pranonin që ta linin popullsinë e atij vendit pa asistencën sanitare dhe mjekësore, duke u shpallur kështu “martire të dashurisë dhe të bamirësisë”. Ndërsa është përmbyllur faza dioçesane e procesit të lumturimit të Luisa Mistrali Guidotti, anëtare Shoqatës Femërore Mjekësore Misionare, e vrarë në vitin 1979 në Rodezinë e atëhershme ndërsa po shoqëronte një grua qe po lindte për në spital, e cila ishte në rrezik për jetën. Më pas është hapur rruga e lumturimit për padre Mario Vergara, misionar i Institutit Papnore të Misioneve të Jashtme, si dhe për katekistin laik Isidoro Ngei Ko Lat, të vrarë në urrejtje të fesë në Myanmar në vitin 1950. Me 25 prill 2012 është kremtuar lumturimi i dom Pino Puglisi: “butësia e tij dhe veprimi misionar i pareshtur, i frymëzuar nga ungjilli, u ndesh me një logjikë jete që ishte plotësisht në kundërshtim me fenë, logjika e mafiozëve, të cilët kërkonin ta frenonin veprimin e tij misionar me trembje, kërcënime dhe rrahje, derisa arritën në eliminimin e tij fizik, në urrejtje të fesë” patën shkruar për të ipeshkvijt e Sicilisë. Ngjall shqetësim të madh fati i shumë punëtorëve të tjerë baritorë të zhdukur pa lënë gjurmë dhe për të cilët nuk kemi asnjë lajm, sikurse janë tre meshtarët kongolez të urdhrit të Agostinianëve të Asuncionit, të marrë peng në veri të Kivu në Republikën Domenikane të Kongos në tetor të vitit 2012, si edhe një tjetër meshtar kolumbian i zhdukur prej shumë muajsh. Ndërsa konflikti i tmerrshëm që po përgjak prej tre vitesh Sirinë nuk i kursen aspak të krishterët: prej shumë kohësh nuk ka më asnjë lajm për meshtarin jezuit padre Paolo Dall’Oglio, për dy Ipeshkvij metropolit të Aleppos – greko ortodoksin Boulos al-Yazigi dhe siro ortodoksin Mar Gregorios Yohanna Ibrahim, për motrat ortodokse të manastirit të shën Tekles. Ndërkohë në ditët e para të janarit ka qenë liruar fatmirësisht pa shumë dëmtime padre Georges Vandenbeusch, meshtari francez “Fidei Donum” i cili pati qenë marrë peng me dhunë me 12 nëntor në famullinë e tij të Nguetchewe, në Kamerun. Sikurse është shprehur edhe Ati i Shejtë Papa Françesku, “gjatë këtyre dy mijë viteve janë një ushtri e pamasë burrash e grash të cilët kanë sakrifikuar jetën e tyre për ti mbetur besnikë Jezu Krishtit dhe Ungjillit të tij” (Engjëlli i Zotit i datës 23 qershor 2013). Listës provizore të Agjencisë Fides, do të duhej ti shtohej edhe lista e gjatë e shumë të tjerëve, për të cilët ndoshta asnjëherë nuk do të mund të kemi asnjë lajm apo mbase nuk do të arrijmë as tu mësojmë emrat, por që në çdo kënd të planetit tonë vuajnë dhe e paguajnë me jetë fenë e tyre: “mendojmë për shumë vëllezër e motra të krishtera, që në çdo kënd të planetit vuajnë përndjekje dhe persekutime për shkak të fesë së tyre. Janë shumë. Ndoshta janë sot më shumë se sa në shekujt e parë të Kishës. Jezusi është me ata. Por edhe jemi të bashkuar me ata nëpërmjet lutjes tonë dhe ndjenjës së vëllazërisë. Kemi admirim për kurajën e tyre dhe për dëshminë e tyre. Janë vëllezërit tanë dhe motrat tona, ata që në shumë anë të botës vuajnë për shkak se janë besnikë ndaj Jezu Krishtit” (Papa Françesku, Engjëlli i Zotit i 17 nëntorit 2013).

Të dhënat biografike dhe rrethanat e vdekjes

Dom José Francisco Vélez Echeverri, 55 vjeç, meshtar dioqezan, është vra me mjete të forta prerëse, në oborrin e shtëpisë së tij në lagjen El Albergue, në jug të Buga në Kolumbi. Të afërmit e tij kanë vënë re një person i cili pak orë para gjetjes së trupit të meshtarit ishte larguar me biçikletë nga shtëpia tij. Nga hipotezat e formuluara prej autoriteteve duket se bëhet fjalë për një vjedhje e cila më pas ka përfunduar në një tragjedi. Dom José ishte shumë i angazhuar në shërbimin social ndaj të varfërve dhe sipas dëshmive të personave që kanë qëndruar përreth tij, nuk kishte asnjë armik të deklaruar. Ai ishte shuguruar meshtar me 20 janar 1990 dhe për dy vite pati qenë famullitar i famullisë Niño Jesús de Praga (Fëmija Jezus i Pragës), në komunën Tuluà, si dhe kishte zhvilluar shërbesën e tij baritore edhe në famulli të tjera.

Dom Luis Alfredo Suárez Salazar, i Arkidioqezës së Villavicencio, është vrarë mëngjesin e 2 shkurtit 2013 në Ocaña, në veri të Santander (Kolumbi), në kufi me Venezuelë, ndërsa po kalonte pushimet në qytetin tij të lindjes. Dy persona të armatosun të cilët arritën të hipur mbi një motor kanë shtënë të paktën dhjetë plumba mbi meshtarin dhe dy miqtë e tij që në atë moment po qëndronin së bashku. Sipas burimeve të policisë lokale, shënjestra e këtij sulmi në atë moment nuk ishte meshtari por njëri prej dy personave që në atë çast gjendeshin duke biseduar me meshtarin.

Dom José Ancizar Mejia Palomino, 84 vjeç, i dioqezës së Buga, është gjendur i vdekur me 2 shkurt 2013 në banesën e tij në Caldas, bashkia e Riosucio (Kolumbi). Trupi i meshtarit është gjetur në shtratin e tij i lidhur dhe me shenja të shumta dhune. D. Mejia Palomino e ushtronte shërbesën e tij baritore në dioqezën e Pereira si kapelan në jetimoren “Sagrada Familia” dhë shtëpinë e pleqve “Luisa de Marillac”.

Dom José Flores Preciado, meksikan, ka vdekur në Spitalin Universitar rajonal në qytetin Colima (Mesikë), pasi u rrah barbarisht nag disa të panjohur në Kishën e Krishtit Mbret, aty ku dhe rrëfente dhe kremtonte Meshën Shejtë çdo ditë. Në mbrëmjen e 5 shkurtit 2013 disa të panjohur ka hyrë në kishë, ndoshta për të bërë një vjedhje, por kjo nuk dihet me siguri, por kur kanë parë meshtarin pa dhënë asnjë shenjë komunikim e kanë rrahur atë shumë keq. Megjithëse një grup besimtarësh e ka dërguar menjëherë në spital meshtarin ai nuk ka arritur tu mbijetojë plagëve të marrura. Don José, lindi me 30 dhjetor 1929 në Tuzcacuesco, Jalisco, ishte shuguruar meshtar në vitin 1961. Ishte një person shumë i qetë. Ishte profesor i latinishtes në Seminarin e Chiapa (Colima) si dhe në Seminarin Cobano (Colima qytet), rrëfyes i Katedrales dhe kujdestar i një grupi seminaristësh.

Dom Evarist Mushi, 55 vjeç, i dioqezës së Zanzibar (Tanzani), është vrarë në orën 7 të mëngjesit të se dielës 17 shkurt 2013. Sapo kishte arritur në Katedralen e shën Jozefit për të kremtuar Meshën, dhe ndërsa po bëhej gati të zbriste nga makina e tij, dy persona me motor i janë afruar dhe personi i cili qëndronte prapa e ka qëlluar me tre plumba ndërsa ende ishte në makinën e tij. Disa ditë më parë gazetat lokale dhe televizioni kishin publikuar kërcënimet e një grupi kriminal lokal të cilët shpreheshin se do të vrisnin Ipeshkvin dhe të gjithë meshtarët që qëndrojnë me të.

Dom José Ramón Mendoza, 44 vjeç, është vrarë në mbrëmjen e së diele 17 shkurtit 2013 në shtetin Lara të Venezuelës. Rreth 400 kilometra nga Caracas. Ndërsa po ecte rrugës për të shkuar në lagjen El Manzano, në zonën Iribarren, një grup keqbërësish e kanë ndjekur dhe i janë afruar makinës së tij që ishte e ndaluar në semafor. Sipas rindërtimit të skenës së krimit nga policia, meshtari kur i ka vënë re këta persona, instinktivisht i ka dhënë gaz makinës për tu larguar, por fatkeqësisht një plum e ka marrë në kokë duke e lënë të vdekur në vend. D. José Mendoza ishte famullitar i famullisë së shën Gjon Pagëzuesit në lagjen Brisas de El Obelisco, dhe njihej nga të gjithë si meshtar i devotshëm dhe që lutej shumë.

Laiku katolik Dexter Condez, 26 vjeç, i përkiste Shoqërisë së Shën Vincenc de Paoli (Familje rregulltare Vinçenciane). Është vrarë me tetë plumba pistolete në ishullin Boracaya (Filipine) me 22 shkurt 2013. Condez mbronte të drejtat dhe kërkesat e indigjenëve të grupit Ati të cilët kundërshtonin shfrytëzimin e territorit nga ana e shoqërive ndërtuese. I riu punonte në bashkëpunim të ngushtë me Kishën lokale, ne dioqezën e Kalibo-s.

Dom Michele Di Stefano, 79 vjeç, i dioqezës së Trapani-t (Itali),është vrarë duke e rrahur rëndë në shtratin e tij në natën mes 25 dhe 26 shkurtit 2013. Disa të afërm të tij, duke parë se ai nuk po arrinte për drekë në të cilën kishte qenë i ftuar, i kanë kërkuar një të afërmi të tij që të shkojnë dhe të shikojnë se pe nuk po vjen. Por kur kanë shkuar në banesën e tij e kanë gjetur meshtarin në shtrat dhe kudo kishte njolla gjaku. Kisha kanonike e tij ishin pak të izoluar nga pjesa tjetër e vendit. Vrasësi, 33 vjeç, një banor i famullisë, është kapur disa ditë më pas dhe është dënuar me 30 vjet heqje lirie. Dom Michele kishte qenë famullitar për 43 vjet në një zonën Fulgatore, dhe pasi që kishte mbushur 75 vite vazhdonte ti shërbente nja famullie të vogël të “Jezusit, Jozefit dhe Marisë” afër Ummari. Për shumë vite ka qenë asistent i punëtorëve të Veprimit Katolik dhe asistent shpirtëror i Coldretti. Sipas dëshmive, meshtari ishte shumë i dashur prej të gjithëve, kishte raporte shumë të mira me të gjithë njerëzit, ishte njeri i mirë, i përzemërt dhe shumë i zellshëm.

Motër Marie Emmanuel Helesbeux, 82 vjeçe, franceze, i përkiste Soeurs de la Providence de Ruillé sur Loir, dhe është gjetur e vrarë me 1 mars 2013 në Mandritsara, në verilindje të Madagascar, në fillim e goditur me shkopinj e më pas e furur. Tre janë arrestuar dhe e kanë pranuar krimin. Rregulltarja ishte që prej 42 vitesh në Madagascar, dhe gjithmonë kishte qenë në Mandritsara, vend në të vilin ishte shumë e dashur dhe e nderuar prej të gjithëve për veprat e saja të shumta të bamirësisë dhe dashamirësinë që tregonte ndaj të gjithëve pa dallim.

Dom Kochupuryil J. Thomas, 65 vjeç, Rektor i Seminarit të Lartë San Pitro në Bangalore (Indi), është vrarë nga disa të panjohur në natën mes 31 marsit dhe 1 prillit 2013 në brendësi të ambienteve të seminarit. Meshtari është keqtrajtuar barbarisht deri ne vdekjen e tij. Arsyet e vërteta të vrasjes së tij mbeten të panjoftuna, edhe pse ai shquhej për predikimet e tija të mprehta dhe aspak të pajtuara me realitetin e vështirë në të cilin gjendej popullsia. Ai ishte nga Kerala (India) dhe kishte shërbyer në atë bashkësi që prej 30 vjetësh. Njihej nga të gjithë si një meshtar “shumë i devotshëm, njerëzor dhe studiues i nivelit të lartë, me shpirt të guximshëm dhe shumë i sinqertë. Kishte shpirt të madh pune, studimit, lutjet dhe shërbimit”.

Padre Richard E. Joyal, 62 vjeç, kanadez, anëtar i Shoqërisë së Zojës së Bekueme, është vrarë me 24 prill në kryeqytetin e Haitit, Port au Price. Mendohet se është vrarë vetëm për ta grabitur, pasi e kanë vënë re se ka lek në portofolin e tij dhe i janë afruar duke e qëlluar tri herë me pistoletë pas shpine. Misionari kishte shërbyer më përpara në Filipine dhe në Bregun e Fildishtë.

Dom José Antonio Bayona Valle, 48 vjeç, meshtar dioqezan i Arkidioqe zë s s ë Barranquilla (Kolumbi) është vrarë mbrëmjen e 6 majit 2013 me 18 thika. Trupi i i tij i pajetë është gjetur gjatë një bregoreje në fshatin Juan Mina. Ishte shuguruar meshtar me 20 dhjetor 1998, kishte punuar si famullitar në famullinë e Krishtit Mbret në jug-perëndim të Barranquilla në lagjen Lipaya. Motivet e vdekjes së tij ende janë të panjohura plotësisht, por mendohet se është masakruar pasi ditë më parë kishte mbrojtur disa të mitur nga një agresion i një grupi keqbërës të lagjes ku punonte.

Meshtari sirian padre François Murad, 49 vjeç, është vrarë në Gassanieh, në veri të Sirisë, në kuvendin e Rojtarëve të Tokës së Shejtë ku dhe ishte strehuar pak kohë më parë, me 23 qershor 2013. Rrethanat e vdekjes nuk janë të qarta, përveçse mbetet ajo e urrejtjes së fesë. Sipas burimeve lokale, kuvendi në të cilin gjendej i strehuar padre Murad është sulmuar nga një grup burrash të armatosur anëtarë të grupit xhihadist Jabhat al-Nusra. Padre François kishte bërë hapat e parë të jetës rregulltare me fretnit Françeskanë Rojtarë të Tokës së Shejtë me të cilët vazhdonte me mbajtë lidhje të forta miqësie shpirtnore. Mbasi ishte shuguruar meshtar kishte themelu një urdhër të ri siro-katolik i frymëzuar nga përshpirtnia e Shën Simonit Stilit dhe kishte filluar ndërtimin e një kuvendi në fshatin Gassanieh. Mbas fillimit të luftës civile, kuvendin ja kishin bombarduar dhe rrafshuar për tokë dhe kështu padre Muraqd ishte transferuar për tu strehuar në kuvendin e Rojtarëve të Tokës së Shejtë.

Trupi i pajetë i dom Néstor Darío Buendía Martínez, 35 vjeç, i zhdukur prej disa ditësh, është gjetur në një zonë të izoluar të Los Cordobas, rreth 500 km në veri të Bogotà (Kolumbi), me 26 qershor 2013. Meshtari ishte nisur nga Cereté, ku ishte zëvendës famullitar për të shkuar në Monteria ku banonte familja e tij, po nuk arritur asnjëherë të shkojë deri atje. Edhe pse meshtari asnjëherë nuk ishte ankuar nëse kishte pasur ndonjë kërcënim prej ndokujt, por sipas informacioneve të banorëve të vendit ai kishte denoncuar publikisht bandat kriminale të zonës së Cereté. Don Néstor Darío Buendía Martínez lindi në Canalete (Kordoba), dhe ishte zëvendës famullitar i famullisë së Shna Ndout të Padovës në Cereté, pasi që kishte qenë famullitar i kishës së Santo Domingo Vidal në Chima.

Padre Elvis Marcelino De Lima, 47 vjeç, lindur në Fortaleza (Brazil), i Kongregatës së Familjes Shejte të Nazaretit (e p. Giovanni Piamarta), është vrarë me 13 korrik 2013 nga dy djem të cilët e kanë sulmuar par ta grabitur pranë Centro Educacional da Juventude di Fortaleza, vend në të cilin edhe banonte. Sipas dëshmitarëve që janë gjendur në ato momente në vend ngjarje, padre Elvis që në fillim pa bërë rezistencë ua kishte dorëzuar grabitësve lekët, telefonin dhe çelësat e makinës, kur njëri prej dy të rinjve i moshës 20-21 vjec e ka qëlluar duke e lëne të vdekur. Që prej shugurimit të tij meshtarak, padre Elvis kishte punuar përherë në fushën e edukimit: në fillim ishte në Grossa (Paraná), pastaj në Santiago të Kilit dhe në Curitiba. I zgjedhur si Superior Rajonal i bashkësisë për Amerikën Latine, që nga 2008 banonte pranë Centro Educacional da Juventude di Fortaleza (Qendra e Edukimit të Rinisë së Fortalecës). Sipas dëshmive të atyre që e kanë njohur, meshtari ishte një person shumë komunikativ, i aftë të rrinte dhe të bisedonte me të gjitha shtresat e njerëzve dhe kudo që kishte shërbyer, buzëqeshja e tij i kishte bërë për vetë të gjithë, por sidomos të rinjtë. Ai humbi jetën në një episod dhune, por që për banorët e atij qyteti është një prej fakteve të kronikës së ditë për ditshme. Vdiq prej dorës së dy të rinjve, ai që të rinjve u kishte dhuruar që më parë krejt jetën e tij.

Dom Ignacio Cortez Alvarez, famullitar i famullisë “María Auxiliadora”, është vrarë në banesën e tij në qytetin Ensenada, në rajonin e Baja California në Meksiko. Trupi i pajetë i meshtarit është gjetur me 22 korrik 2013 në banesën e tij me plagë të shumta në kraharor. Motivet e vrasjes mbeten ende të panjohura. Padre Cortez Alvarez kishte lindur me 16 tetor 1956 në Janamuato, Michoacán dhe ishte shuguruar meshtar me 19 mars 1988 në Katedralen e Arkidioqezës në Tijuana.

Dom Luis Bernardo Echeverri, 69 vjeç, dhe dom Héctor Fabio Cabrera, 27 vjeç, famullitari dhe zëvendës famullitari i famullisë së shën Sebastianit në bashkinë e Roldanillo, Arkidioqeza e Cali-t në Kolumbi, janë vrarë në shtëpinë e tyre në natën mes 27 dhe 28 shtatorit 2013. Sipas burimeve lokale disa banorë të zonës kanë vënë re dy persona me motoçikletë të cilët janë larguar nga banesa e meshtarëve. Motivet e vrasjes mbeten ta paqarta përderisa nuk janë zbuluar vrasësit, por presupozohet se dy meshtarët janë vrarë nga urrejtja që ata kishin mbjellur në zemër të disa grupeve kriminale të zonës si pasojë e luftës së pareshtur që ata i bënin çdo ditë stilit të jetës në atë vend. Të dy meshtarët i përkisnin dioqezës së Cartago-s.

Afra Martinelli, misionare laike, e lindur 78 vjet ma përpara në Civilerghe (Brescia- Itali), jeton në Nigeri prej më shumë se 30 vitesh ku kishte themeluar dhe drejtonte Qendrën Mbretëresha e Botës: një shkollë informatike së bashku me një kolegj prej djem në Ogwashi-Ukwu, në dioqezën Issele-Uku. Mëngjesin e 27 shtatorit bashkëpunëtorët e saj e kanë gjetur të plagosur rëndë në kokë me mjete të forta. Mendohet se gjithçka ka ndodhur për moteve grabitjeje. Pas një periudhe disa ditore vdes më 9 tetor pasi që kishte kaluar menjëherë në koma. Papa Françesku e ka kujtuar atë në lutjen e Engjëllit të Zotit në të djelen e 20 tetorit, në Ditën Misionare, me këto fjalë: “Në këtë Ditë i jemi afër të gjithë misionarëve, të cilët punojnë shumë por pa bërë zhurmë dhe japin jetën e tyre. Si italiania Afra Martinelli e cila ka punuar për shumë vite në Nigeri: disa ditë më parë është vrarë, për ta grabitur; të gjithë kanë qarë, të krishterë e myslimanë. E donin shumë. Ajo e ka shpallur Ungjillin me jetë, me veprën të cilën atje ka arritur ta realizojë në atë qendër formimi për të rinjtë; kështu ajo e ka shpërndarë ngrohtësinë e besimit duke luftuar si duhet luftën e mirë! Të mendojmë për këtë motër tonën dhe ta përshëndesim me një duartrokitje, të gjithë!”

Dom Anibal Gomez (67 vjeç), me origjinë spanjoll, i inkardinuar në dioqezën e Colon në Panama, është gjetur i vdekur me 30 tetor 2013, në hyrje të banesës së Ipeshkvit emerit të dioqezës së Colón-Kuna Yala, vend ky në të cilin ai banonte. Mendohet se motivi i vrasjes të ketë qenë për grabitje, pasi meshtarit nuk i kanë gjetur me vete asnjë prej sendeve të tija personale dhe e kanë gjetur të lidhur e me një plagë të mashe arme prerëse. Episodi kriminal është verifikuar në zonën Davis të Colon, një qytet ky shumë i dhunshëm për shkak të një kriminaliteti gjithnjë në rritje. Padre Anibal Gomez ishte famullitar i famullisë Maria Nëna e Zotit.

Dom Hipólito Villalobos Lima dhe dom Nicolás De la Cruz Martínez janë gjetur të vrarë me 29 nëntor 2013 në shtëpinë tyre famullitare në San Cristobal të bashkisë së Ixhuatlán de Madero, në shtetin Veracruz të Meksikës, dioqeza e Tuxpan. Ishin dy meshtarë shembullorë dhe shumë të dashur prej popullit me të cilin jetonin dhe të cilëve u shërbenin. Nuk dihen ende motivet e vdekjes së dhunshme që ata kanë përsuar, por duke vërejtur zinë e madhe që ka pushtuar gjithë zonën ku ata vepronin dhe ishin të njohur, presupozohet se ata kanë mbetur viktimat e radhës së bandave kriminale që kërkojnë të kenë nën sundimin e tyre të gjithë banorët dhe gjithçka që ata kanë në pronësi.

Punëtorët baritorë të vrarë nga 1980 deri në 2012

Sipas të dhënave që ka Agenzia Fides, në dhjetëvjeçarin nga 1980-1989 kanë humbur jetën në mënyrë të dhunshme 115 misionarë. Sigurisht kjo shifër është ma e madhe, por këtu flasim për rastet e vërtetuara dhe për ato raste kur informacioni është i plotë. Pasqyra përmbledhëse e viteve 1990-2000 paraqet një total prej 604 misionarësh të vrarë, gjithmonë sipas informacioneve që agjencia ka në dispozicion. Numri është dukshëm më i lartë në krahasim me dhjetëvjeçarin e maparshëm, megjithëse në këtë periudhe duhet të kihen parasysh disa faktorë: Gjenocidi në Rwanda (1994) i cili ka shkaktuar të paktën 248 viktima mes personelit kishtar; shpejtësia e lajmit që mass media arrin ta gjejë dhe ta përçojë edhe nga vendet më të izoluara; gjithashtu numri nuk ju përket vetëm misionarëve ad gentes në kuptimin e ngushtë të këtij termi, por krejt personelit kishtar i cili ka sakrifikuar jetën i vetëdijshëm për rrezikun në të cilin gjendej në ato rrethana, por kanë qëndruar ty për të mos i braktisur personat të cilët u janë besuar shërbimit të tyre. Në vitet 2001-2012 numri i përgjithshëm i punëtorëve baritorë të vrarë është 294.