Pse dua të pagëzohem?

Pse dua të pagëzohem?

Katekizmi 2016

Katekizëm!!! Një fjalë apo një koncept i cili duket sikur shumëkënd e irriton disi duke krijuar idenë e një shkolle të cilën duhet ta kryesh me patjetër për tu bërë nxënës i kishës dhe bir i Zotit. Kur i pyet të rriturit e papagëzuar, se si ka mundësi që ende në këtë moshë je pa u pagëzuar dhe pa i marrë sakramendet e Kishës, përgjigja në shumë raste është standard: Kam shkuar, ja interesuar, por… duhej bërë katekizëm më kanë thënë, dhe për këtë arsye kam mbetur tani kështu, sepse nuk ka kohë me u marrë edhe me shkollë tani në këtë moshë e në këto kushte që jam. Justifikim i cili nuk besoj se ka nevojë për koment. Sepse kur njeriu do apo dëshiron një gjë, me siguri do ta gjejë kohën për ta bërë atë gjë. Këtu poshtë po japim dëshmitë e atyre të cilët, katekizmin e shohin jo si periudhë “torture” në të cilën të imponohet ushtrimi i durimit për të marrë pjesë në disa takime, të cilët “duhen” për tu bërë i krishterë, por për ta katekizmi ishte koha e domosdoshme për të njohur sadopak Atë për të cilin ja vlen që të sakrifikosh çdo gjë dhe të fillosh njohjen e Tij, njohje e cila vetëm sa fillon me takimin në sakramendet e Pagëzimit, Kungimit dhe Krezmimit dhe që mbaron vetëm me mbarimin e jetës tokësore por që njohjen e plotë ta dhuron vetëm në jetën e pasosun. Në këtë mënyrë, një grup shumë i madh të rinjsh e të rejash të famullisë tonë, e kanë filluar rrugëtimin e tyre drejt sakramenteve të Fillimit të krishterë duke u përgatitur për Pagëzim, Kungim dhe Krezmim që prej muajit shtator të vitit të kaluar dhe tashmë po bëhen gati për marrjen plot me gëzim të këtyre sakramenteve. Këtu poshtë po sjellim përgjigjet që disa prej tyre kanë dhënë përballë pyetjes ekzistenciale se pse duan të pagëzohen, motivet që ata i shtyjnë të zgjedhin këtë rrugë si dhe çfarë ata preson që të ndryshojë në jetën e tyre pasi të jenë vënë plotësisht në ndjekje të Krishtit, Zotit të tyre.

Katekizmi.,.,.AVIS – Në momentin e parë kur ju pyetët gjithsecilin prej nesh “Përse doni të pagëzoheni?”, e vetmja përgjigje që më erdh në mendje dhe që fort besoj që më rrodhi natyrshëm qe “Sepse unë besoj”. Por, duke marrë parasysh moshën time, çfarë e pasonte atë përgjigje ishin rreshta plot me “justifikime” mbi përse po e ndërmerrja kaq vonë këtë hap!

Gjatë këtij rrugëtimi, për të cilin ju jam pafundësisht mirënjohëse, kuptova dhe mësova që në fakt jetën e Krishterë e kisha keqkuptuar, madje më saktë, nuk e kisha kuptuar në thelb. Kuptova dhe mësova se në fakt deri më sot nuk kisha jetuar vërtetë, se feja dhe besimi nuk ekzistojnë vetëm në zemër. Kuptova dhe mësova se veprimi i Shpirtit Shenjt i jep te Krishterëve dritë, siguri, paqe e dashuri dhe për të patur mundësinë për t’i siguruar, në këtë jetë dhe në tjetrën, “dera hyrëse” është pikërisht Pagëzimi.

Sot, përgjigja ime ndryshon. Unë dua të pagëzohem sepse Krishti na ka thirur të bashkohemi me Të përmes pagëzimit. E sipas mësimeve të Tij të bëhemi mishërimi i vullnetit të Atit, të Birit dhe të Shpirtit Shenjt për një jetë plot harmoni dhe mirësi. Sot unë shpreh se dua të pagëzohem për të pastruar shpirtin tim nga çdo mëkat e kështu të mund të jetoj dhe shijoj e lumtur sakramentet e jetës së krishterë.

E vërteta është që vetëm në kaq pak muaj informacion e njohuri mbi Krishtin më kanë sjellë përmirësime në qenien time dhe më kanë bërë të punoj fort mbi defektet e mia për të qenë më e mirë, e më e paqtë. Tashmë jam e paduruar me shpirt e çdo qelizë të trupit tim të mund të kem mundësinë të hedh hapin e parë në këtë jetë të re të mrekullueshme në praninë e Zotit.

Katekizmi 2016.IGLI – Kur vendosa te hedh hapin e parë drejt Pagëzimit (të jem i sinqertë, kam vite që e kam vendosur ketë, por nuk di te them perse e vonova kaq shumë), mendoja se i dija arsyet. Ato ishin kryesisht arsye teknike, e qe kishin të bënin me të qenurit anëtar me të drejta të plota i fese në të cilën me mënyrën time (tashmë qartësisht të gabuar) besoj pothuajse prej gjithë jetës sime.

Në fakt, sa më shumë hapa hedh në këtë rrugëtim, aq më shumë e kuptoj që arsyet e mësipërme, janë pothuaj krejtësisht të pavlera. Pas çdo Meshe, pas çdo seance katekizmi, pas çdo leximi të një pasazhi të Ungjillit, pas çdo dite të shënuar, pas çdo riti të kryer, kuptoj që arsyet e vërteta janë të pafundme, e të pakrahasueshme me ato që mendoja deri pak muaj më parë.

Ato arsye nuk arrijnë të justifikojnë pse vij 3 apo 4 here në javë në Meshë e gjithsesi ndjehem pak fajtor që nuk vij dot çdo ditë; pse ndjehem shpirtërisht më i plotësuar; pse kam shumë më shumë vullnet për të parë të mirën tek çdo gjë që më rrethon e për të shtuar të mirën te çdo gjë që bëj. Nuk arrijnë as të shpjegojne pikëllimin që më ka zënë që tash, për faktin që pas 5 javësh nuk do kemi më në program takimet ndriçuese të së enjtes.

Ndaj nuk dua te zgjatem shumë me to, por të falënderoj Zotin që pavarësisht arsyeve të gabuara, më drejtoi në rrugën e duhur, e të shpreh gëzimin e pamatshëm që tani jam plotësisht në këtë rrugë, e pas pak javësh do të filloj një jetë të re.

JONA – Përgjigjën e kësaj pyetje po e përmbledh në disa pika: Pse mos ta bëj edhe unë, kur vetë Jezusi u pagëzua? E kam dëshiruar me zemër që në vegjëli. Dua të bëhem fëmijë e adoptuar e Hyjit, motër e Jezusit dhe anëtare e Kishës. Të jem e aftë të kryej vepra që i kanë hije jetës së amshuar që do fitoj. Të strehoj Hyjin në shpirtin tim. Le të jetë Jezusi “mendja” ime për të më udhëhequr në të dyja jetët. Të jem pjesëmarrëse e Eukaristisë për t’u bashkuar me Jezusin e ringjallur që të përtërihem shpirtërisht.

Katekizmi.,.,ALMA – Pjesën më të madhe të jetës sime e kalova nën dhunën e një shteti ateist, që çveshi një popull të tërë nga virtytet më të madhërishme njerëzore, si dashuria për tjetrin, mirëkuptimi, sakrifica, falja, e plot të tjera.

Jetova në një periudhë kur, ndonëse fëmijë, pashë të shkatërroheshin objektet e kultit me një histeri të jashtëzakonshme, e të tërhiqeshin zvarrë e masakroheshin qindra klerikë. Ndonëse besimi nuk u vra, qenia njerëzore ndryshoi për keq, u bë më mizore, më hakmarrëse, më e padrejtë. Kjo gjë u pasua nga një varfëri totale, si shpirtërore ashtu dhe materiale.

E ndodhur nën pushtetin e trysninë e këtyre ngjarjeve, jam përpjekur të ruaja të pacënuar njeriun brenda meje. Dhe isha e jam e bindur se kjo realizohet vetëm nga besimi në Zotin.

Zgjedhja për tu pagëzuar në fenë katolike ka qenë një dëshirë e hershme që lidhet me gjithçka shpreha me sipër, të cilën munda ta realizoj vetëm tani. Jam e lumtur qe po përqafoj një ëndërr të hershme.

Dhe shtysa me e madhe se gjithë të tjerat është respekti i pakrahasueshëm që ky besim ka për qenien njerëzore, e në veçanti të seksit më të dobët, që janë gratë, të cilat historikisht kanë qenë të diskriminuarat në të gjitha drejtimet.

FATMARINA – Gjithmonë e kam ditur që i gjithë ky cikël perfekt i ekzistencës së këtij sistemi ku ne sot jetojmë e ka një krijues. Pavarësisht formës që e kam njohur fenë, asnjëherë nuk ka qenë e panjohur për mua.

U drejtova drejt këtij besimi me shumë pyetje, përgjigjet e të cilave se mendoja kurrë se do të ishin kaq të lehta, dhe për më tepër që kanë qenë gjithmonë brenda meje, por që çelësi i vetëm ka qenë të besoja dhe ta ndjeja duke lënë mënjanë logjiken e aritmetikën.

Pse dua të pagëzohem?

Çdo emocion që përjetoj gjatë një meshe ose gjatë një mësimi më tregon që unë duhet të jem pjesë e këtij besimi. Sa më shumë mësoj, sa më shumë lexoj, aq më shumë bindem dhe aq më shumë argumenta gjej për tu pagëzuar.

S’ka gëzim më të madh sesa ta kuptosh se DIKUSH të do ashtu siç je, se ka vdekur për ty, është ringjallur për ty dhe jeton për ty e në ty – nëse ti ia jep atë vend Atij. Ne jemi të lirë në tokë që të marrim njërin nga këto vendime: të jemi me Perëndinë në tokë për të qenë përgjithmonë me Të në qiell, ose e kundërta. Dhurata na u është ofruar falas, është e jona, ta marrim.

Një herë një vajzë më ka uruar: “Uroj të ndizet dhe për ty kjo drite që nuk shuhet kurrë”, dhe në atë moment drita shpresës ishte e para që ndriçoi…

Katekizmi....MARIJA – Unë dua të pagëzohem për të qenë plotësisht pjesë e bashkësisë së krishterë dhe fjala e Zotit të bëhet pjesë e pandarë e jetës sime. Nëpërmjet pagëzimit duke shlyer në këtë mënyrë edhe mëkatin origjinal të trashëguar mbi ne që në lindje, synoi që besimi im të forcohet më tej dhe të fitoi forcën për të mos rënë pre e asnjë lloj tundimi nga forca negative.

Sakramenti i pagëzimit na bën bijë të Zotit dhe vëllezër të besimtarëve dhe e tillë dua të jem edhe unë, që dashuria për Zotin dhe të tjerët të mbizotërojë në jetën time.

ENEA – Dua të pagëzohem sepse e gjithë familja dhe fisi im është me besim katolik. Për shkak të problemeve të ndryshme gjatë gjithë kësaj kohe skam mundur me u pagzu dhe tani me e kam këtë mundsi. Dua të pagëzohem sepse kur të shkoj në kishë nuk dua të ndihem më si i huaj, por të ndihem i ftuar në shtëpinë e Zotit tim. Dua të pagëzohem sepse është një gjë të cilën besoj se do më ndihmoje shumë gjatë jetës time, duke ditur se kam një Zot të cilit mund ti drejtohem për çdo gjë, dhe do me japë forcë dhe kurajo për t’ja dalë mbanë. Gjithashtu edhe unë do ndjek të gjitha porosite e tij dhe të bëhem një shërbëtor shembullor i fesë katolike. Nuk dua te ndalem vetëm me Pagëzimin, por dashuria për Zotin me jep dëshirë edhe të krezmohem e të kungohem.

JONIDA – Edhe pse nga një familje me traditë myslimane, që në moshë të vogël më pëlqenin shumë filmat dhe programet që flisnin për Jezusin dhe fenë katolike, me pëlqente tek dëgjoja nga të rriturit të flisnin rreth Biblës dhe historisë së krishterë ashtu sikurse në çdo orë te katekizmit ju dëgjoj me kërshëri tek flisni rreth kësaj feje.

Eksperienca ime e parë me kishën ka qenë 11 vite më parë dhe prezenca ime e parë në një Meshë më ka lënë një mbresë shumë të veçantë dhe të paqtë. Ka ndodhur pikërisht 3 vite më parë dhe prej asaj dite fillova të interesohesha akoma më shumë dhe me shpesh rreth fesë katolike deri sa arrita në pikën ku jam tani, të merrja një vendim dhe të pagëzohesha.

Është feja që përshtatet me unin tim përsa i përket principeve të saj. Gjithashtu më pëlqejnë ritet, festat dhe gjithçka ka të bëjë me këtë fe.

Martesën, lidhjen e kurorës në kishë e kam parë gjithmonë si diçka shumë hyjnore, shume të magjishme. Lidhja përpara Zotit me njeriun e zemrës për mua do të thotë shumë, ashtu sikurse Pagëzimi i fëmijëve të mirë që në vegjëli. Dua të jem sa më afër Jezusit duke qenë e pranishme në meshat, festat dhe ritet e kësaj feje.

Katekizmi...JULIAN – Dua të pagëzohem sepse: në jetën time shpesh herë Zoti ma ka dhënë mundësinë për të qenë pranë tij dhe nuk e kam bërë, edhe pse Ai ishte gjithmonë pranë meje, por mendoj se tashmë ka ardhur koha që unë të pranoj e të përulem përpara tij. (Rrugëtimi filloi kur erdha të pagëzoje vajzën time me emrin Daria, por siç duket mrekullia e këtij emri që përkon me virgjërën Shën Daria vazhdon edhe sot pasi Shën Daria ka qenë ndër të parët persona që kanë konvertuar romakët në Katolikë)

Sepse: Zoti më ka qëndruar pranë sa do që unë nuk i kam kushtuar vëmendjen e duhur apo jam kujtuar për të në kohët që kam patur nevojë, prandaj mendoj që ka ardhur koha që falënderimet e mia t’ia shpreh duke u afruar me të.

Sepse: si çdo qenie njerëzore edhe unë kam mëkatet e mia dhe kam nevojë të rilind për ta jetuar jetën time edhe një herë nga e para, me shpresën se Zoti do të më qëndrojë pranë dhe do ketë mëshirë për mua.

Sepse: dua të mbetem i lumtur edhe në ditët e vështira, sepse jeta një herë vjen dhe trupi im një dite do të tretet në këtë dhe, por shpirti im duhet të shkojë drejt Krijuesit tim, Atit të Shenjte.

Sepse: dua të jem një shembull i mirë i fëmijës tim dhe të eci së bashku me familjen time në rrugën e duhur, në rrugën e Zotit.

Sepse: dua që Bibla të jetë udhërrëfyesi im dhe të dëshmoj kudo për Jezusin, të Birin e Atit, Krijuesin e gjithësisë.

YLVI – Në momente të veçanta edhe mua më vjen natyrshëm në mendje pyetja: Pse unë dua të pagëzohem?

Përgjigjen edhe vetë nuk e di, por di një gjë absolute që:

VETE ZOTI DESHI QE UNE TE PAGEZOHEM DHE TE JEM KATOLIK.

Kam lindur në vitin 1967, në një vit shumë të vështirë ku besimi në Zotin u ndalua zyrtarisht. Në vitin 1976 duke folur me gjyshin tim ai më thotë: o bir, unë jam plak dhe nuk i kam ditët të gjata, kështu për ju nuk ka njeri që të kujdeset (babai me kishte vdekur në vitin 1975), por a e di se ka një ZOT që kujdeset për të gjithë. Unë ngrita supet dhe i thashë se nuk e di. Gjyshi më tha këto mëkate i kemi ne, por i likuidoftë komunizmi që nuk na lejon për tu treguar, dhe adhuruar Zotin. Me pas gjyshi vazhdoi: O bir, duhet të dish që ka një Zot, gjithmonë kërkoji ndihmë edhe Ai do të të ndihmoje. Këtë nuk e kam harruar në të gjithë jetën time dhe gjithmonë Zotin e kam pasur pranë.

Në vitin 1990 (banoja në Rrajcë) u lejua besimi në Zot dhe unë fillova të lexoj Kuranin (Fshati Rrajcë i Librazhdit ka qenë me besim kristian Katolik dhe në vitet e sundimit turk u shndërrua në besimin mysliman), dhe të lutesha në atë besim duke arritur deri sa kam agjëruar deri 30 dite në vit. Duke dëgjuar për besimin Kristian gjithmonë jam lutur: O Zot, me jep besimin më të drejtë për të të adhuruar. Rreth viteve 1996 (banoja në qytetin Librazhd) e në vazhdim fillova të lexoj Biblën, në fillim lexova Dhiatën e Re e pastaj Dhiatën e Vjetër. Zoti gjithmonë më “shfaqej” duke më forcuar besimin Kristian dhe në këto momente nuk bëja lutje myslimane por Kristiane Ati ynë….. Gjatë kësaj periudhe të gjitha rrugët për tu lutur në besimin mysliman mbylleshin dhe më hapej besimi Kristian deri sa arriti që unë të ndihesha i Krishterë, dhe futesha në Kisha që gjendeshin në rrugët që bëja jashtë Librazhdit.

Në vitin 2001 kam ardhur në Tiranë me banim dhe për të gjetur e për t’u lutur në Kishë ishte më e lehtë. Duke marrë pjesë në Meshën e ditës se djelë (në fillim jo çdo herë) ose duke u lutur edhe ditët e tjera (në ditë të veçanta) në Kishën e Shën Palit për një periudhë që nga viti 2008 ndihesha i Krishterë Katolik (pagëzimi i dëshirës). Por nuk mund të rrihet më kështu, duhet të formalizohet kjo ku unë duhet të Pagëzohem: “Në Emër të Atit të Birit dhe Shpirtit të Shenjtë”.

Këto paragrafë janë jeta ime me plot vuajtje, por, ku ishte Zoti kur unë vuaja?

Ai ishte bashkë më mua në vuajtje, në Kryqin e Tij dhe në kryqin tim. Ja pse jam dhe dua të jem KATOLIK.

INVA – Pse dua të pagëzohem? Krijuesi i gjithçkaje është Ai. Dua që me anë të pagëzimit të jem më afër me Të. Me këtë Pagëzim të shenjtë dua të jem ajo që gjithmonë kam ëndërruar të jem, bija e Zotit tim, Zotit tonë. Qetësinë, dashurinë dhe ndjenjën më të pastër në botë e gjej këtu. Nuk i gjykoj besimet e tjera, por këtu kam gjetur të Vërtetën e jetës sime sepse zgjedhjen e kam bërë me mendje, me zemër dhe me bindje të plotë. Kjo sepse kam kuptuar që nuk ka dashuri më të madhe sesa dashuria e Jezu Krishtit për njeriun, pasi ishte Ai që dha jetën e tij për ne, për të na shpëtuar nga mëkati ynë. Prandaj dhe unë kam zgjedhur se duke marrë Pagëzimin e Shenjtë, të jem më afër Tij, ti bindem Atij për gjithçka dhe ta falënderoj për çdo të mirë që më ka dhuruar në jetë.

UARDA – Si çdo qenie njerëzore edhe mua me ndodh shpesh të jap përgjigje; për disa hesht, disa i jap pa menduar, disa i mendoj dhe rimendoj, jo sepse është e vështirë, por sepse duhen gjetur fjalët e duhura për tu shprehur. Pagëzimi është më shumë sesa thjesht një përgjigje, do e klasifikoja tek ato të cilat duhen fjalët e gjetura për tu shprehur, sepse duke qenë se është diçka që ndjehet, fjalët nuk e përkufizojnë dot atë.

Që në moshe të vogël kam dëgjuar prindërit e mi që i luteshin Zotit për motive nga më të ndryshmet, dhe si fëmijë që mëson nga më të rriturit u mësova dhe unë ta bëja një gjë të tille, duke krijuar besim tek diçka që është mbi mua. Kam pasur gjithmonë në shtëpi dhe i kam piktura të vogla të Shën Marisë, apo dhe rruzare të cilat babai im i mban gjithmonë të varura diku ku ai mund të falënderojë çdo dite Zotin. Nevojën më të madhe për të besuar e kam patur kur babai im pësoi një incident dhe ditën që ka patur operacionin kam ndjerë vërtetë nevojën e Atit qiellor. Ajo ishte lutja ime e parë, edhe pse femijë, kërkova ndihmë dhe me shumë kërshëri kisha besim se do të më ndihmonte, pasi ishte e vetmja shpresë për mua për momentin dhe e vetmja gjë që unë mund të bëja.

Koha kalonte dhe duke u rritur, kuptova se sa të nevojshme e kisha ti drejtohesha Shenjtërve, nuk kalonte dite pa u lutur dhe pa falënderuar Atin. Kam besuar gjithmonë edhe pse këtë besim nuk e manifestoja diku, ishte diçka e brendshme pa të cilën e kisha të pamundur të rrija.

Besimi katolik ka qenë gjithmonë i parapëlqyeri im. Me dukej gjithmonë feja më e pastër, më e drejtë, ajo që përhap vetëm mirësi, paqe dhe dashuri. Pas pagëzimit të mikes time të ngushtë, mendova se kishte ardhur koha ta bëja dhe unë një gjë të tillë.

Pagëzimin e mendoj si një takim me Atin, tashmë jo më fshehurazi, jo më në mendjen time dhe në vendet e mia sekrete. Tani dua të marr dhe unë një veshje, atë të duhurën e pagëzimit, për tu ballafaquar bashkë, ku bëhemi të dy nësoj, dhe ku rruga hapet për tu drejtuar drejt Tij, për të më pranuar para të gjithëve, jo më nëpërmjet shkëmbimeve të “sms dhe telefonatave”, por në Ujin e Pagëzimit.

Mbase nuk i kam fjalët e zgjedhura “kishtare”, kjo për arsye të formimit tim ende jo të plotë. Gjithsesi besoj se i kam pranë të gjithë njerëzit e duhur për të mbushur mangësitë. Dua të pagëzohem sepse dëshirat nuk kanë arsye, burojnë nga brenda, dhe ashtu si fëmijët që qajnë e mërziten kur nuk u plotësohen dëshirat, unë nuk do ri të qaj, por dua të pagëzohem.

MANJOLA – Jezu Krishti është Zot i jetës sonë, prandaj nuk kemi pse t’i dimë dhe t’i kuptojmë mirë të gjitha arsyet e rëndësisë së pagëzimit – thjesht na duhet që t’i bindemi Atij dhe të pagëzohemi. Nëse Jezusi na dha urdhër që të pagëzohemi dhe iu tha dishepujve të Tij që t’i pagëzonin besimtarët e rinj, derisa Ai Vetë të kthehet përsëri. Unë besoj se Jezu Krishti është biri i Perëndisë dhe dua të pagëzohem në Emrin e Tij.

KLEA – Unë mezi po pres të pagëzohem për disa arsye:

Sepse: unë në jetë kam pasur shumë vështirësi dhe Zoti më ka qëndruar pranë në secilën prej tyre. Më ka ndihmuar që çdo pengesë, me ndihmën e Tij ta kaloja me sukses. Sepse: dua të jem një nënë e denjë katolike për vajzën time Daria, e cila u pagëzua në 25 nëntor 2015 dhe dua ta rris me dashurinë për Zotin. Sepse: kam nevojë të pastrohem nga gjithë mëkatet që kam bërë dhe të rilind në familjen e madhe të të Bijve të Zotit. Sepse: dua të jem sa më afër të jetë e mundur me Zotin. Dua që Bibla të jetë udhërrëfyesi im dhe i gjithë familjes time.

ESMERALDA – Dua të krezmohem sepse sakramenti i Krezmimit të forcon me Shpirtin Shejt për ta bërë ma të qëndrueshme lidhjen time me Kishën dhe për t’me ndihmuar që të dëshmoj fenë e krishterë, du me shtu ma shumë besimin, të jem e sigurt se Zoti është i pranishëm për mua se ai më njeh dhe më do.

KLITI – Unë jam pagëzuar në vitin 2012 me emrin e shën Bernardit dhe me këtë emër lidhet edhe krezmimi im. Unë dua të krezmohem sepse: Dua të përforcohem në mënyrë që të bëhem akoma më shumë tempull i Zotit; Dua që të më rritet dëshira për t’ju lutur Zojës së Bekuar; Dua që në jetën time të më shtohet lumturia. Pa ardhjen e Shpëtimtarit tonë lumturia nuk ekzistonte, Ai e shpalli. Prandaj duke u krezmuar unë ndërgjegjësohem më shumë për të qenë më afër Tij.

ERINDA – Unë dua të pagëzohem sepse gjatë jetës time i jam drejtuar shumë herë Zotit, i jam lutur në rastet më kritike dhe e kam falënderuar për ditët e mira. E kam ndierë veten si e përzgjedhur prej Tij që kur linda në të njëjtën ditë me të 😉 dhe për këtë fillova të mendoja se duhet të isha edhe unë në rrugën e tij. Më pëlqen të jem Bijë e Zotit, dhe pagëzimi më bën të ndihem më afër me të. Dua të kaloj një jetë të qetë dhe në paqe, dhe për këtë kam nevojë për ndihmën dhe udhëheqjen e Tij.

LORIANA – Jam e pagëzuar që e vogël në kishën katolike të Shna Ndout në Tirane dhe procesi i kungimit të parë dhe krezmimit është një proces normal (dhe pse fatkeqësisht i vonuar për mua) në rrugëtimin e të qenurit një katolik i rregullt e rritur në një familje katolike. Mamin e kam prej familjes katolike se Shestanëve të Shkodrës dhe ashtu siç më kanë pagëzuar që të vogël katolike, dua te vazhdoj te jem e tillë, sepse ndihem e tillë;

– Nuk ndihem e plotësuar sa herë shkoj në meshën e së dielës dhe kur vjen moment i kungimit, nuk mund të bëhem pjesë e tij dhe gjithmonë vëzhgoj sa të qetësuar duken gjithë njerëzit sapo mbaron ky proces; do doja ta provoja dhe unë këtë ndjesi para Zotit;

– Vitin e fundit kemi pasur probleme të rënda shëndetësore në familje: njeriu duhet të jetë i devotshëm dhe të besojë në Zot në çdo moment të jetës së tij dhe jo t’i drejtohet Zotit vetëm në moment nevoje – Kjo e bën një besimtar të vërtetë; megjithatë, në ato moment vështirësie ndjeva praninë e Zotit akoma më shumë në jetën time; gjeta tek Ai mbështetje dhe siguri kur nuk e gjeja në asnjë e asgjë tjetër; I premtova përkushtim më të fortë (nuk po them besim se atë gjithmonë e kam pasur) dhe pata ndjesinë sikur më dëgjoi. Do doja ta kisha këtë ndjesi gjithmonë dhe për këtë po përpiqem; qw tw mbajw premtimin për më shumw përkushtim;

– Dua që në një të ardhme të mund të martohem në Kishë me bekimin e Zotit; dua që t’i rris fëmijët e mi me të njëjtat bindje, besim dhe parime siç jam rritur edhe unë;

– Edhe për qëllim informimi fetar: në kohët e sotme të internetit është shumë e lehtë të informohesh mbi çdo gjë, dhe për këtë edhe kam tentuar në kohën time të lirë; megjithatë ndjeva ndryshim te madh nga leximi i një artikulli në internet për fenë katolike nga dita e parë e katekizmit; Ju padër Marian flisnit aq thjesht për Krishtin dhe ato qe fliteshin ishin aq lehtësisht te arritshme tek mua saqë të them të drejtën po kënaqesha dhe doja që ajo orë të vazhdonte edhe pak; kuptova që nga katekizmi jo vetëm do të merrja një informacion më të plotë mbi fenë time (njohuri qe zakonisht i marrim te mirëqena dhe nuk i zhvillojmë gjate jetës), por mbi të gjitha më të ndjerë, që do të më afronte akoma më shumë me Zotin, gjë që në një botë pragmatiste si kjo e sotmja është gjithmonë e më e vështirë.

POR mbi të gjitha, dua të krezmohem sepse e ndjej që jam katolike dhe e ndjej që Zoti është i pranishëm në jetën time. Madje mbaj mënd edhe momentin e parë në jetë kur realisht e kam ndjerë prezencën e Zotit. Kam qenë rreth 5-6 vjeç dhe duhet të ketë qenë kohë Pashke, pasi po shikoja filmin e jetës së Krishtit në televizor (në ato kohë TVSH e jepte atë film çdo të dielë Pashke). Ishte momenti i kryqëzimit të Krishtit dhe unë mbaj mënd që isha duke qarë me ngashërim në këtë moment, siç do fëmijë ndoshta që e shef të gjithë këtë histori si një film ap përrallë me fund të dhimbshëm. Ndërkohë mbaj mënd që shqetësimi më i madh imi i asaj kohe, si i një fëmije që falënderon Zotin nuk ka shumë probleme në atë moshë, ishte humbja e dhëmbit të parë; kisha makthe natën mbi dhimbjet e humbjes së dhëmbit të parë. Dhe ashtu sic po qaja me ngashërim me duar përpara fytyrës për kryqëzimin e Krishtit në film, papritur dhëmbi që po prisja të më binte “me dhimbjet më të mëdha të kësaj bote”, më bie në dorën time me lehtësinë më të madhe. Mund të duket pak qesharake, por për një fëmijë të vogël, mjafton një moment apo një detaj që të ndryshojë çdo gjë, qoftë një thyerje besimi, apo edhe krijim besimi: një moment që unë e mbaj mënd edhe sot pas 22 vjetësh si ditën kur kam marrë provën e parë se Zoti është i pranishëm dhe e kujtoj sa herë kam krizat ekzistenciale të ‘egziston vërtet Zoti apo jo’. Dhe që atë ditë, me uljet dhe ngritjet, unë kam pasur dhe kam gjithmonë ndjesinë që Zoti është i pranishëm në jetën time dhe nëse Ai kërkon që besimtarët e tij të krezmohem, atëherë unë do të krezmohem edhe pse tek mua dhe besimi im ndjej që nuk do të ketë ndonjë ndryshim: do të vazhdojë të besoj në Zot dhe të jetoj e t’i bëj njerëzve mirë siç Ai predikon.

Katekizmi..ANITA – Megjithëse e rritur në një familje me traditë jo te theksuar fetare, që në fëmijëri kam pasur një prirje për të qenë pranë fesë së krishtere. Deri para pak kohësh, në përgjithësi frekuentoja Kishën Ortodokse, kjo me tepër edhe nga që nena ime është ortodokse. Por, në thellësi nuk njihja asnjë nga fetat, thjesht shkoja në Kishë, lutesha në formën time dhe ndihesha më mirë pasi dilja nga Kisha. Kjo, më shtynte që të shkoja shpesh në Kishë. Vetëm para 3-4 vitesh kam filluar të ndjek meshat në Kishën Katolke. Jo në mënyrë të rregullt por herë pas here vija në Katedralen e Shën Palit. Më tërhiqnin meshat dhe ndihesha shumë mire gjatë kohës që isha në Kishë.

Unë kam besuar gjithmonë në ekzistencën e Zotit dhe në veprat e tij në tokë. Pata fatin që partneri im është katolik. Bashkimi me të, më bëri të dëshiroj akoma më tepër të qenit sa më pranë Zotit. Dëshiroj të dëgjoj dhe të ndjej Zotin sa më afër, të kem një fuqi më të madhe se vetja, të ndjej faljen që më jep Ai. Edhe pse, në momente të caktuara kam ngritur pyetjen a ekziston vërtet, kjo për shkak se është e vështirë të shpjegohen të gjitha ndodhitë në jetë, sidomos ato të këqija.

Pas fillimit të katekizmit, që kam dëgjuar dhe lexuar më shumë për Zotin, jam bindur akoma më shumë me veten se të qenit sa më pranë Tij më bën të ndihem më mirë, më në paqe me veten dhe me të tjerët. Kam nevojë për një marrëdhënie që me jep më shumë forcë dhe paqe. Pagëzimi është hapi i parë që më çon më afër Zotit.

TAULANT – Shumë arsye janë se pse dua të pagëzohem, por njëra nga ato dhe më e rëndësishmja është se besoj në Krisht dhe dua të jem me afër Kishës që Ai ka themeluar mbi këtë tokë. Zoti për mua është jeta dhe unë jetën e dua me gjithë shpirt. Jetën na e ka falur Zoti dhe neve në fund tek ai qe na ka falur jetën duhet të shkojmë.

KUJTESA – Unë dua të pagëzohem sepse dua të jem pjesë e familjes së Zotit me të gjitha rregullat e Tija. Dua të kem shpirtin, mendjen dhe trupin nën drejtimin e Zotit, sepse kjo më bën të ndjehem mirë me vetveten dhe të tjerët që më rrethojnë. Dua të kem Zotin dhe askënd tjetër Udhëheqës të jetës sime.

HELGA – Jam e vendosur se dua të pagëzohem sepse së pari plotësoj një ëndërr që në fëmijëri. Së dyti, jeta na vë para sfidave me kuptim dhe pakuptim arsyen e të cilës ndoshta a priori se gjejmë dot por a posteriori kur shohim edhe frytet e iniciativave kuptojmë pse-në! Në rastin e pagëzimit e konsideroj sfidën më të qartë për të cilën tashmë di kuptimin dhe pritshmëritë.

ARIOLA – Kam qenë 6-7 vjeçe kur dëshira që të isha më pranë me Zotin buronte fuqishëm brenda meje.

Sot pas 22 vitesh e dëshiroj më shumë së kurrë  të pagëzohem që të jem më pranë Zotit që nuk më ka braktisur kurrë, gjithmonë jam përpjekur dhe lutur me mendjen time që të ecja në rrugën që Zoti do dëshironte për fëmijën e tij, për krijesën e duarve të tija. Që të jem më e afërt me  Atit tim, dua ta konfirmoj me pagëzim ekzistencën si bija e tij.

KRISTINA – Unë kam lexuar dhe mësuar se me Krezmim unë fitoj shumëzimin e hirit shenjtërues, fuqinë për të jetuar si i krishterë, begatinë e dhuratave të Shpirtit të Shenjtë, shenjën e pashlyeshme në shpirt me të cilën Krishti na shënjon si luftëtarë dhe bashkëpunëtorë të tij për mbretërinë Hyjnore. Unë besoj në Shpirtin Shenjt, në mrekullitë e tij, në gjithçka të mirë që Krishti me ofrimin e tij ka bërë për mua dhe familjen time. Prandaj dua ta marr Shpirtin e Shenjtë që të forcohem në besim dhe që çdo vepër imja të jetë e pëlqyeshme para Hyjit, Zotit tonë.

JURGEN – Unë dua të pagëzohem sepse Pagëzimi do të tregojë hapur rilindjen time si një person i ri që do ndjek Krishtin dhe Ungjillin e tij. Në këtë mënyrë unë bëhem një dishepull i Krishtit dhe i bashkohem Kishës së tij. Pagëzimi për mua simbolizon mënyrë për ti shprehur botës që unë jam një njeri mëkatar dhe i vetëm nuk ja dal të jetoj me mëkatin tim dhe në këtë mënyrë i afrohem Zotit Jezus për ta pasur atë si avokatin përballë të së keqes. Me anë të Pagëzimit dhe falë Mëshirës së Hyjit unë mund të pastrohem nga mëkatet por dhe të jetoj larg mëkatit, pasi Jezusi në mënyrë më të fortë dua të jetë dhe do të jetë në mua, sepse vete Jezusi na e ka lënë në Bibël tek shën Mateu 28 vargjet 19-20: “Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga të gjithë popujt duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit Shenjtë,dhe duke i mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që unë ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës”. Amen.

KLAJD – Që i vogël kam marrë pjesë në Meshën që bëhej në kishën e të Shëlbuemit në Rubik. Pyetja është prapë pse dua të Pagëzohem? Prindërit i kam të Pagëzuar dhe cdo festë të  të krishterë e lusim dhe e festojmë në familje dhe unë me krenari edhe pak me mburrje  them se jam Katolik. Por si mund të jem katolik, përderisa ende nuk jam i Pagëzuar? Siç shihet çdo rrugë  më afron me besimin në Krishterim. Dhe pyeta veten pse mos te jem një i krishterë edhe sipas ligjeve dhe rregullave të Kishës Shejte përderisa unë besoj në Jezu Krishtin, dhe pse mos të jem i tillë përderisa unë dua ta trashëgoj tek fëmijët e mi besimin në Jezu Krishtin. Besoj në Zotin tonë Jezu Krisht dhe ndjehem mirë sa herë që e shkoj këtë gjë nëpër mend, sepse e ndjej Zotin tim Jezus të pranishëm në jetën time dhe dua ta trashëgoj këtë besim.

JORIDA – Dëshira që unë të pagëzohem ka qenë shumë e madhe, sepse kjo fjalë është shumë e veçantë dhe as vetë nuk e di por më jep një ndjesi të bukur kur e dëgjoj. Pagëzimi për mua është një hap për të hyrë në botën e Atij, në një botë në të cilën ka vend për të mirën, mëshirën, faljen, dashurinë. Gjithmonë kur shkoj në kishë kam një ndjesi paqësore, dhe e gjithë ndjesia negative largohet dhe ndihem shumë mirë me veten time. Unë besoj shumë në mrekullitë që bën Ati  plotfuqishëm që të shikon me dashuri, mirësi, mëshirë dhe jo me sy paragjykues. Dua të pagëzohem sepse dua të zbuloje misteret, dua të di përgjigjet e pyetjeve që kam në koke, dhe më e rëndësishmja të bëhem e të jem katolike e mirë duke u ndjerë mirë me vetveten time dhe me njerëzit që më rrethojnë.

ARMANDO – Gjëja e parë dhe më e rëndësishme që më vjen ndërmend është që Zoti është Dashuri dhe ndaj ne kemi ardhur në këtë botë për ta dashur atë. Jeta është dhuratë nga Perëndia i Plotfuqishëm dhe do të jetohej më bukur dhe me një frymë të thellë shpirtërore. Marrëdhënia me Perëndinë  është ajo që i jep më kuptim ekzistencës sime.

Sa herë shkoj të dielave në kishë ndjej një shplodhje dhe relaks shpirtëror që askush dhe asgjë nga bota e jashtme nuk ma afron. Pikërisht teksa përpiqem të vij në kontakt me Zotin, Krijuesin e Gjithësisë, gjithçka më duket kaq pa vlerë kundrejt Perëndisë dhe me vlerë në kontekstin që ai i ka krijuar të gjitha gjërat e kësaj bote. Liria është ajo çka Perëndia zgjodhi për njerëzimin, të zgjedhim me vullnet të lirë atë. Lirinë për ta përdorur jetën në shërbim të tij apo jo. Ai e kishte dhe e ka fuqinë të zgjedhë të na sforcojë në zgjedhjet tona, por jo!!! Ai na la të lirë ta zgjedhim atë, e kështu të jetë për ne Një Dashuri e pashlyeshme dhe e pazëvendësueshme. AI është Dashuri  ndaj erdhëm në këtë botë që ta duam atë, për mua Ai është Dashuri në plan të parë dhe që kurrë nuk kalon në plan të dytë.

MAJLINDA – Gjithmonë kam ndjerë dhe ndjej Zotin pran meje që më mbron dhe ndihmon. Un kam një familje të krishterë e cila më ka lënë të lirë të zgjedh nëse jam gati apo dhe nëse un kam dëshirë të Pagëzohem. Për këtë un i falënderoj prindërit e mi që un sot kam zgjedhur vetë të Pagëzohem falë dëshirës sime të brendshme, dashurisë për Zotin. Afrimi im me Zotin nuk ndodhi kur un vendosa të pagëzohesha por ka qenë dhe do jetë gjithmonë i palëkundur! Me Sakramentin e  Pagëzimit më dhurohet bijësia hyjnore, zhduket mëkati i rrjedhshëm i Adamit dhe Evës, prindërve tanë të parë dhe falen  mëkatet e tjera. Un besoj tek Jezu Krishti, që erdhi për të na shpëtuar nga mëkatet dhe dhuruar jetën e amshueme. Un dëshiroj të jem akoma më afër shtëpisë së Zotit (Kishës) ku ndihem e sigurt dhe e lumtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *