Nga Ferdinand Ndoca
Shiu i lehtë që tashmë ka nisur shtruar, me psherëtimën monotone të pikave që bien mbi çimento, në oborrin e madh të shtëpisë, gjatë këtyre momenteve të para të fillimit të kremtimit eukaristik përkujtimor, të krijon një atmosferë kuptimplote. Kjo reflektohet edhe në fytyrat e njerëzve që kanë ardhur në këtë pasdite përkujtimore. Pikat rrëshqasin në currila, mblidhen në rrëketë duke krijuar pellgje të vogla të ujit mbi çimenton e etur… Moti i vjeshtës së Tiranës, këtë vit është ndjerë shumë pak. Shira, thuajse nuk ka pasur; e megjithatë, gjatë kësaj pasdite, retë e hirta kanë nisur të shkarkojnë në sasira të vogla, duke u bashkuar e mbase duke ndihmuar edhe rrjedhën e mendimeve të heshtura, të përmallshme e meditative. Nën strehën që shtrihet në tërë gjerësinë e kalesës pranë fasadës së shtëpisë, të ulur ndër stola të mëdha e karrige, njerëzit e kanë vëmendjen të përqendruar në fjalët hyrëse të kremtimit të udhëhequr nga ipeshkvit Imzot Gjergj Frendo. Gratë e moshuara dhe vajzat, e strehuara që i mirëpret kjo shtëpi, kanë zënë vend duke krijuar një masë homogjene, së bashku me miqtë e shumtë që bëhen të pranishëm, për të kujtuar bashkërisht motër Vitoren. Ishte planifikuar që mesha të bëhej brenda, por njerëzit e shumtë jo vetëm nga Tirana (brenda e nga fshatrat, të cilët e kanë njohur motrën), por edhe të ardhurit nga Shkodra e kudo tjetër ku ajo ka shërbyer, përbëjnë një grumbullim të madh personash për mjediset e brendshme të shtëpisë, e cila nuk mund t’i përgjigjet nevojës, me hapësirën që disponon.
E çuditshme si fluturon koha! Ajo qe mes nesh, fare mirë me shëndet. Një zhvillim i befasishëm e i papritur i sëmundjes, pikërisht gjatë vitit të shkuar dhe u nis për në Romë, për t’u kuruar. Nuk do të zgjaste shumë dhe do të na vinte edhe lajmi i hidhur i ndarjes…
“Pak kohë na ndan nga periudha e ardhjes dhe sot jemi të mbledhur këtu së bashku, për të përkujtuar përvjetorin e parë të ndarjes nga ne, të motër Vitores e cila ka shkuar tashmë tek Ati ynë qiellor. Me mendimet tona të kësaj pasditeje, përkojnë edhe fjalët e liturgjisë: ‘Kumtojmë vdekjen tënde, presim ardhjen tënde dhe shpallim ardhjen tënde në lumturi…’. Është ky besim në vetvete, që na motivon si përherë edhe sot në këtë kremtim eukaristik. Motër Vitorja, që sot na mungon pamasë, ringjallet para syve tanë të mendjes, me tërë forcën e saj shpirtërore, me atë buzëqeshje që nuk iu nda asnjëherë nga buza për aq kohë sa ishte në mesin tonë”.
Me këto fjalë, të shprehura në atmosferën e ngarkuar me emocionin e të pranishmëve, por edhe duke u thelluar më tej me nënvizimin e thënies së Nënë Terezës: ‘Me buzëqeshje të merrni dhe të dhuroni gjithçka që t’ju jepet, pa refuzuar asgjë’, Imzot Gjergj Frendo, duke folur mbi jetën e Motër Vitores M.C. theksoi se: “Gjithmonë gjatë jetës së saj tokësore, motër Vitorja ka përjetuar atë formë buzëqeshje që vjen vetëm nga një zemër e dashuruar me Zotin.”…
Gëzimi është një rrjetë e dashurisë për shpirtërat dhe një motër plot hare si motër Vitorja, predikon më shumë përmes jetës dhe veprave sesa porosive e fjalëve të thella që mund të na ketë lënë. Po, është kështu, e tërë jeta e saj tokësore. Në të vërtetë hapat e përshkuara nga jeta e saj qenë një përkushtim ndaj një Zoti që shihet nën dritën e njerëzve më të varfër ndër të varfërit. Për vetë kushtet e bashkëkremtimit të udhëhequr nga Imzot George Frendo, ku marrin pjesë Dom Marjan Lumçi si dhe don Oscar Tuscano s.d.b., rreth altarit të improvizuar në hyrjen e shtëpisë, veçoritë mjedisore çojnë në mbajtjen e omelisë në mesin e oborrit të shtëpisë, me një çadër në dorë. Është një përshtatje, që vjen krejt e vetvetishme për ta shfrytëzuar të gjithë hapësirën e shtëpisë. Veshët dhe sytë e njerëzve, të kthyer nga qendra e oborrit, ngjallen në reflektime emocionale. Aty këtu shikon pika lotësh që rrëshqasin të ngrohta në faqet e grave, të cilave sigurisht motra u ka qëndruar pranë, gjithnjë me po atë buzëqeshje që e drejtonte tërë jetën e saj të shenjtë… Ajo u nda nga ne, në një ditë të martë, siç ishin të gjitha ditët e tjera të rëndësishme të përshkallëzimit të jetës së saj: “të martat”. Mbase është një mrekulli edhe kjo shenjë e Zotit që evidentohet në atë jetë. Mbiemri i saj qe Martedi (e martë), dita lindjes e martë, dita e pagëzimit e martë, dita e kushteve për të hyrë në jetën rregulltare e martë, dita kur u shtrua në spital e martë dita e vdekjes po e martë. Kishin qenë të renditura njëra pas tjetrës edhe shumë të marta të tjera, në atë jetë njerëzore. Ku ta dish, mbase kjo është edhe një shenjë e mistershme që Zoti ka dashur të shprehë në atë shpirt, çka ne nuk arrijmë t’i japim asnjë shpjegim… Vetë motër Vitorja, kur ia përmendnin këto “koinçidenca të së martës” qeshte dhe e kalonte në shaka përmbajtjen e argumentit. Mes një grupi të vogël, pas Meshës së Shenjtë, këtë na e tregon duke qeshur motër Tekla, eprorja e shtëpisë e cila ka ardhur në Shqipëri qysh në ato fillime të viteve 90’ së bashku me Nënë Terezën; dhe zemrën, mendjen e mbi të gjitha besimin e saj në Krishtin e ka drejtuar në po atë përqendrim që i afrohet lutjes pranë altarit të shenjtë edhe me anën e lehtësimit të nevojave të këtyre njerëzve pa asnjë lloj përkrahje tjetër në jetë. E sot që përkujtojmë motër Vitoren, e cila tani ndodhet në gëzimin dhe dritën e parajsës, ia vlen të kthehemi edhe një herë me kujtesë, në ato ditë kur ajo do të ndahej nga ne. Ishte pikërisht koha kur përgatitej të kremtohej 25 vjetori i kushteve të jetës si rregulltare. U nis për t’u kuruar, por fjala që kishte shkruar për evenimentin dhe që u drejtohej simotrave të saj, mbeti në një fletë të bardhë. Sot motrat e kësaj shtëpie e ruajnë atë kaligrafi që mbart firmën e saj:
“Ka kaluar mjaft nga ajo kohë, kur së bashku në kishën e ‘Zemrës së Krishtit’ në Romë, ia kemi thënë Zotit ‘Po’-në tonë të parë, … ka qenë një ditë shumë e bukur plot gëzim, kurajë, frikë, shpresë dhe fe e mbi të gjitha, sidomos me dashuri. Kanë kaluar 25 vite nga ajo ditë dhe na duket e pabesueshme, por është gjithçka e vërtetë. Nuk është e mundur të takohemi për të bashkëndarë historinë e 25 viteve, por e kuptoj se kjo është diçka e parëndësishme; përfundimisht, çka mbetet e rëndësishme është fjala e fundit: DASHURIA. Ashtu siç e kemi përjetuar dhe bashkëndarë këtë dashuri Hyjnore të marrë nga Pagëzimi, dhe të përforcuar në jetën e përditëshme të dedikimit tonë si ‘Misionare të Dashurisë’ para së gjithash në bashkësinë tonë e pastaj me të gjithë ata që ne takojmë, dëgjojmë dhe shikojmë çdo gjë për lavdinë e tij, përfshirë këtu edhe gabimet e kufizimet tona. Përmes kësaj jemi rritur në shuarjen e etjes së Tij me një zemër të pastër dhe me një qëndrim të heshtur.”…
Më pas duke folur mbi rrugëtimin e jetës, na vë në dukje se për momentin, misioni i saj personal vijon: “…në shtëpinë Tirana 2…, kam qenë në Afrikë, në Zambia dhe pas kushteve të përjetshme jam dërguar në Shqipëri ku gjendem pandërprerë për 19 vite…”
Këtë ‘Po besimi’ që jehon në çdo sekondë frymëmarrje në aspektin meditativ të kësaj pasditeje, për këta njerëz të mbledhur për të nderuar emrin e ndritur që ajo na la (ndërkohë që edhe koha nuk resht së lotuari), motër Vitorja në vendosmëri e në qetësi të plotë shpirtërore, e përsëriti përfundimisht duke e braktisur veten në krahët e Atit, para një viti, në orën tetë të mbrëmjes, së një dite të martë. Pikërisht, në ato ditë që u rrokullisën aq shpejt, kur përparimi i sëmundjes ishte i menjëhershëm ajo si gjithnjë nuk e humbi kurajën. Kishte lindur për t’u bërë pasqyrë e dashurisë së Krishtit, në atë buzëqeshje që i jepte një shkëlqim të veçantë në fytyrë. E parandjente se gjithçka po zhvillohej me shpejtësi dhe nuk harroi t’i shkruante bashkëmotrave këto fjalë: “
Veçse të jemi besnike deri në fund. Të gjitha ne, pa përjashtim jemi të thirrura në shenjtëri…” Për Krishtin, “Pranoj gjithçka e dhuroj gjithçka”,
është përcaktimi që bën, në këto fjalë të fundit të shkruara me dorë e saj, duke vijuar:
“Secila prej nesh pa përjashtim ta ndihmojmë njëra-tjetrën që të sjellim të gjithë të varfërit në shenjtëri. Të gjitha jemi të thirrura prej Atit Qiellor që të mos i shmangemi kostos e mos të shikojmë për rezultate, por të jemi besnike deri në fund. Amen!