Shumë të dashur vëllezër dhe motra,
Në këtë përvjetor të dymbëdhjetë të katedrales sonë ripërtërijmë vetëdijen e formës kishtare të besimit të krishterë dhe ndjenjën e lidhjes së thellë me kishën vendore, që është vendi i përjetimit të plotësisë kishtare, që realizohet në bashkësi me selinë e Romës. Ka pak kohë që kemi dalë nga koha e Krishtlindjes dhe në misterin e mishërimit të Krishtit kemi përjetuar konkretësinë e zbulimit hyjnor në Jezusin nga Nazareti, që është Biri i Hyjit i bërë njeri për shpëtimin tonë. Pas misterit të Krishtit shpëtimi nuk është vetëm një doktrinë shpirtërore që mund të mësohet në shkollat e përshpirtërisë, por një person konkret që flet me autoritetin e Hyjit i pranishëm mes njerëzve. Shpëtimi është Krishti dhe kush e kërkon shpëtimin mund ta gjejë atë në takimin me Krishtin. Por si është i mundur takimi me Krishtin për njerëzit e sotëm. Në cilën formë Krishti vazhdon t’u thotë njerëzve të kohës sonë: “Të janë falur mëkatet, shko në paqe e mos mëkato më” ose “sot do të jesh me mua në parajsë” e të tjera fjalë shpëtimi që Fjala e mishëruar u ka thënë njerëzve të kohës së tij dhe që gjenden në Besëlidhjen e Re? Aktualiteti i Krishtit, fakti se ai bëhet i pranishëm sot si bashkëkohës dhe që në situatat konkrete të jetës së kësaj bote thotë përsëri me të njëjtën peshë fjalën e shpëtimit dhe lajmin e mirë të dashurisë shpëtimtare të Hyjit, gjejnë përmbushje në misterin e Kishës. Kisha është ai realitet hyjnor dhe njerëzor në të cilën Krishti Zot dhe njeri bëhet i pranishëm në mënyrë konkrete në ditët tona dhe u jep ditëve tona qëndrueshmëri. Edhe kisha është një realitet konkret, sikurse është konkret mishërimi i Krishtit. Kisha lokale, dioqeza e mbledhur rreth ipeshkvit, që është pasardhës i apostujve, ruajtës i doktrinës së shëndoshë, bari sipas shëmbëllimit të Bariut të mirë, kujdestar i popullit të të pagëzuarve që i janë besuar kujdesit të tij nga kreu i barinjve që është Ipeshkvi i Romës Papa Françesku, pasardhës i Pjetrit, pra kisha vendore e mbledhur rreth ipeshkvit dioqezan, është vendi konkret i përjetimit të hirit të besimit. Kisha është rruga e zakonshme që Krishti ka zgjedhur për tu folur njerëzve në çdo kohë. Ajo është vendi ku Ungjilli nuk mbetet shkronjë e vdekur, por shpirt që jep plotësinë e jetës. Kisha Katedrale është shenja konkrete e bashkimit të kishës lokale, është shprehja e natyrës apostolike të bashkësisë besimtare, është vendi i përjetimit të bashkimit të plotë me kishën universale. Kremtimi i përkujtimit të kushtimit të kishës katedrale na ndihmon të kuptojmë e të përjetojmë përmasën e thellë shpirtërore të kishës së gjallë që është e përbërë nga ata që, pasi janë pagëzuar në Krishtin, ndjehen si një ndërtesë e vetme e themeluar në Krishtin. Leximi i dytë nga letra e Shën Palit Apostull na ndihmon të kuptojmë natyrën e bashkimit kishtar. Shën Pali kur shkruante këtë letër ishte në burg për shkak të ungjillit. Ai kishte dëgjuar për besimin dhe jetën e lavdërueshme të qytetarëve të Efesit, që kishin braktisur sjelljet mëkatare dhe kishin pranuar hirin e Krishtit. Nëse para se të pranonin Krishtin Efesianët kishin qenë pagan, pra të ndarë nga populli i Hyjit të cilit i ishte premtuar shpëtimi, në Krishtin ata bëhen ndërtesë e Hyjit, siç thotë kjo pjesë e leximit të dytë: “Nuk jeni më të huaj e mërgimtarë, por jeni bashkëqytetarë të shenjtërve dhe anëtarë të familjes së Hyjit, të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka është vetë Jezusi Mesi” (Ef. 2, 19-20). Në Kishë ne gjejmë themelin e jetës sonë e cila pa Krishtin do të ishte një jetë pa themel, pa qëndrueshmëri, pa të ardhme. Në Krishtin mbështetet bashkimi i besimtarëve me njëritjetrin, sepse, siç thotë kjo pjesë e letrës drejtuar Efesianëve: “Në të mbarë ndërtesa është lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin.” (2, 22). Për ti dhënë rëndësi përmasës shpirtërore Shën Pali thekson se: “Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin e Shenjtë banesë e Hyjit” (2.22). Edhe pse Shën Pali, ndryshe nga apostujt e tjerë, nuk e kishte ndjekur nga afër Jezusin e historisë, ai ka plotësinë e autoritetit apostolik në sajë të takimit me Krishtin e ringjallur. Me këtë autoritet ai i shkruan një kishe vendore konkrete dhe u kujton besimtarëve rrënjët apostolike të fesë dhe lidhjen e tyre me Krishtin. Po, katedralja jonë, që i është kushtuar Shën Palit në festën e kthimit të tij, është kjo ndërtesë në të cilën simbolizohet bashkimi dhe njëjësia e kishës dioqezane. Ajo është gjithashtu një thirrje për të marrë pjesë në familjen e të shpëtuarve me anë të flijës së Krishtit dhe vendi ku fjala e Zotit na drejtohet me tërë forcën e saj hyjnore, e ruajtur në vërtetësinë e saj nga kujdesi i ipeshkvit dioqezan, i cili duhet të kujdeset që në kishë të mos mësohen mësime të tjera, përveç mësimeve të Krishtit. Në një vend tjetër të Besëlidhjes së Re, apostulli Pal, duke u kujdesur përsëri për kishën e Efesit, i shkruan Timoteut këto fjalë: “Sikurse të porosita kur u nisa për në Maqedoni, zura vend në Efes, për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë mësime të tjera dhe të mos merren më përralla dhe me gjeanologji të pakufishme që ndihmojnë më fort për mësime të kota sesa për planin e Hyjit që realizohet në fe” (1 Tim. 1, 3-4). Është detyrë e ipeshkvijve që të ruajnë mësimin e vërtetë të Krishtit dhe, duke qenë se kisha katedrale është kisha në të cilën gjendet katedra ipeshkvore, kisha dioqezane gjendet e mbledhur rreth ipeshkvit në pranimin e mësimit të Krishtit, që përçohet nëpërmjet kishës në formën konkrete të kremtimit të liturgjisë dhe predikimit të ungjillit. Letra e Shën Palit Apostull dhe dëshmia e tij mbeten për kishën tonë dioqezane një pikë e rëndësishme dhe e vazhdueshme referimi dhe orientimi. Pjesa e ungjillit sipas Gjonit, që kemi dëgjuar në këtë liturgji, duket sikur ka lidhje të drejtpërdrejtë jo vetëm më jetën shpirtërore të kishës sonë dioqezane, por edhe me historinë dhe rrjedhën e fakteve të kësaj bashkësie besimtare. Në fillim të kësaj pjese tregohet zelli dhe dashuria që ka Jezusi për tempullin e Hyjit. Ky zell dhe kjo dashuri nuk lejohet që vendi i banimit të të Tejetlartit të përdhoset me gjëra të kësaj bote, prandaj ai merr frushkullin kundër përdhosjes. Në historinë e vonë, por edhe disi të hershme të kishës shqiptare, kanë vënë dorë mbi tempujt, i kanë përdhosur dhe i kanë shembur. Kur e pyesin Jezusin në Ungjillin e sotëm: “Ç‘ shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” (Gj. 2, 18), ai përgjigjet: “Rrënoni këtë tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë” (2, 19). Pasuria e mesazhit teologjik të këtij ungjilli qëndron në zhvendosjen e qendrës shpirtërore nga tempulli i gurit, i cili nuk mund të sjellë shpëtimin edhe pse aty i kushtohet fli Hyjit, tek tempulli i vërtetë i banesës së Hyjit mes njerëzve, që është njeriu Jezus, i cili bëhet fli shpëtimi për mbarë njerëzimin. Trupi i Krishtit, i vdekur dhe i ringjallur, është vendi i vërtetë i adhurimit të Hyjit. Në kishë, në eukaristi, Krishti bëhet i pranishëm me trupin e tij dhe duke u kunguar me të njëjtin trup të Krishtit, besimtarët bëhen një trup i vetëm e një kishë e vetme. Duke kremtuar përkujtimin e kushtimit të katedrales sonë, i themi botës së sotme me fjalë, por sidomos me jetë, se Jezusi është Krishti Mesi, Biri i Hyjit shpëtimtar. Duke falënderuar Hyjin që i ka dhuruar botës kishën, por edhe që i ka dhuruar dioqezës sonë këtë katedrale, dëshirojmë të prekemi nga fjalët e apostullit Pal, të cilit i është kushtuar ky tempull dhe që na thotë në leximin e dytë të kësaj liturgjie: “Po ju, a nuk e dini se jeni tempulli i Hyjit dhe se Shpirti i Hyjit banon në ju? Nëse dikush e rrënon tempullin e Hyjit, Hyji do ta rrënojë atë, sepse tempulli i Hyjit është i shenjtë dhe ky tempull jeni ju!” Ti lutemi Nënës së Hyjit, Virgjërës Mari, në përkujtimin e kushtimit të katedrales, që të na ndihmojë edhe ne, që të jemi tempulli i shenjtë i Hyjit në botën tonë.