Përvjetori i 13-të i shugurimit të Katedrales së Shën Palit

Predikimi i Sh.T. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Arkidioqezës Tiranë – Durrës në Kremtimin e Meshës Shejte me rastin e Përvjetorit të 13të të Kushtimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë.

Duke kremtuar 13 vjetorin e kushtimit të Katedrales së Shën Palit në kryeqytetin tonë, të vetmin në botë që për më se tridhjetë vjet sanksionoi me ligj ateizmin dhe u përpoq me të gjitha mënyrat për të dëbuar Hyjin, unë ndiej një gëzim të veçantë, thellë brenda meje: gëzimin e ngritjes së Selisë Arqipeshkvore Metropolitane të Tiranës e Durrësit, një seli metropolitane nga ana e Atit të Shenjtë, të lumit Papës Gjon Pali II. Të dashur besimtarë, nuk duhet të harrojmë, megjithatë, se kisha nuk është vetëm realiteti i jashtëm. Ajo është para së gjithash e mbi të gjitha realitet i thellë shpirtëror, që prek jetët e besimtarëve dhe i bën ato jetë për Zotin. Në përvjetorin e shugurimit të Katedrales së Shën Palit në Tiranë, e kam për zemër të theksoj se kisha nënë e arkidioqezës sonë është ndërtuar pas një dhjetëvjeçari apostullimi të vërtetë, kohë gjatë së cilës janë bërë orvatje për ngritjen e bashkësive që përbëjnë kishën e gjallë. “Të ndërtuar mbi themelin e vërtetë që janë apostujt e profetët, ku guri i këndit që mban gjithçka, është vetë Jezusi Mesi. Në Të mbarë ndërtesa është e lidhur dhe rritet në tempull të shenjtë në Zotin. Në të edhe ju jeni bërë pjesë e ndërtesës së përbashkët që të bëheni në Shpirtin e Shenjtë banesë e Hyjit. ( Shën Pali Ap. Ef. (2, 10) Të krishterët ndërtohen me frymën e ungjillit përmes hirit të sakramenteve. Të gjithë duhet të punojnë për ndërtimin shpirtëror të njëri – tjetrit, me anë të jetës shembullore, me anë të lutjes e me anë të dashurisë zemërgjerë e të mëshirshme. “Do ti gëzojë ata në shtëpinë e uratës sime” (Iz. 56, 6 – 7) Të jemi kishë, të dashur besimtarë, do të thotë të hyjmë në dialog me Krishtin, që zhvillohet në ungjillin që sapo kemi dëgjuar. Ç’thonë njerëzit e sotëm, për Jezu Krishtin? Po për ata që besojnë në emrin e tij e janë anëtarë të kishës? Po ne, ç’themi, kush është Krishti? A e gjejmë vetveten në deklaratën e thjeshtë dhe solemne të Pjetrit: “Ti je Mesia, Biri i Hyjit të gjallë!” Kjo shpallje e Pjetrit nuk është shprehje entuziaste e një çasti që braktiset sapo të shfaqet vështirësia e parë e jetës së krishterë. Të shprehesh në atë mënyrë do të thotë të angazhohesh tërë jetën për të përçuar gëzimin e takimit me Mesinë, me Birin e Hyjit të gjallë. Të bësh një deklaratë të tillë do të thotë të dëgjosh Jezusin që na thotë edhe neve si Simon Pjetrit: “I lumi ti, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiell!” Kjo lumni nuk është gëzim sipërfaqësor, gëzim që mbytet e zhduket me shfaqen e parë të vështirësive të jetës. Është lumnia e besimit që mbështet çdo rrethanë, edhe në vuajtje e në dhimbje. Është lumnia që vjen nga lart e që mund ta japë vetëm Hyji. Të jesh kishë do të thotë të jesh brenda kësaj lumnie që nuk mund ta heqë asgjë, përveçse humbja e besimit. Jezusi i thotë Pjetrit: “Ti je shkëmb e mbi këtë shkëmb do ta ndërtoj kishën time!” Sigurisht se kjo fjali e Jezusit na jep tërë planin e Hyjit për mbështetjen e kishës tek pasardhësi i Pjetrit, tek Ati i Shenjtë. Ipeshkvi dioqezan është garanti i drejtësisë së doktrinës dhe bashkimit me pasardhësin e Pjetrit, Papën. Ne të gjithë ndjehemi afër Atit të Shenjtë Papa Françeskut, këtij njeriu plot fe , shpresë e dashuri, që nuk kursen asgjë për Zotin por i ka dëshmuar tërë botës vlerën e pafundme të përkushtimit total. Ndihemi krenarë për faktin që Ati i Shenjtë Papa Françesku e vizitoi këtë katedrale, më 21 shtator dhe gati për një orë u lut me ne e për ne. Por, kjo fjalë e ungjillit na kujton edhe neve, se nuk jemi vetëm në ecjen e besimit. Se ne jemi brenda një kishe, që na do dhe që e duam. Ne jemi gurë të gjallë të vendosur mbi themelet e Krishtit, mbi traditën e të krishterëve që na ka paraprirë në udhën e fesë. Por gjithashtu jemi gurë mbi të cilët vazhdon ndërtimi i trupit të Krishtit në Histori. Për këtë arsye nuk mund të mendojmë se jemi të përjashtuar nga përgjegjësitë e jetës kishtare. Për më tepër jemi të thirrur nga Ati i Shenjtë Papa Françesku, ti përgjigjemi nevojës së ungjillëzimit të ri për të përçuar fenë e krishterë, dera e së cilës është gjithmonë e hapur duke na ftuar ta jetojmë. Në këtë kremtim duam të lutemi që Shpirti i Shenjtë t’i shndrisë të gjitha mendjet e besimtarëve, që të kuptojnë rolin e tyre në jetën e kishës e të kenë gatishmërinë e bujarinë për ta luajtur atë rol me përkushtim e dashuri. Përvjetori i kushtimit të katedrales na kujton se ndërtimi i kishës së gjallë vazhdon e nuk ndalet asnjëherë. T’i kërkojmë Hyjit që ta bekojë vazhdimisht dioqezën tonë e t’u japë të gjithë besimtarëve një zemër ungjillëzuese, domethënë një zemër që nuk rresht së falënderuari Hyjin për hirin e shpëtimit që është bërë i mundur në misterin e Pashkëve të Krishtit që ne duhet t’ia përçojmë të tjerëve. Dhe Shën Maria, nëna e Krishtit e nëna e Kishës ndërmjetësoftë për ne! Amen.