Së bashku me Zotin drejt shpresës që nuk zhgënjen
Kronika e një dite që do të mbahet mend gjatë…
Avioni i cili sillte Papën ka arritur në orën 9 në Aeroportin “Nanë Tereza” në Rinas.
Fillon kështu udhëtimi i Atit të Shenjtë Papa Francesku në vendin që i dhuroi Kishës Katolike dëshminë e gjallë të martirizimit në emër të fesë dhe të idealeve të shenjta të njeriut. Një vizitë e cila edhe pse vetëm 10 orëshe, por një vizitë e ngjeshur me takime të shumta dhe emocione të mëdha. Bëhet fjalë për udhëtimin e katërt të pontifikatit të Papës Françesk, pas udhëtimeve të mëparshme që i kishte bërë në Brazil, Tokën Shejte dhe Korenë e Jugut. Mbërritja në Aeroportin e Rinasit ka ndodhur në orën 9. Pasiqë ka avioni ka prekur tokën dhe është ndaluar, Papa është pritur nga Kryeministri i Shqipërisë, prej Ministrit të Punëve të Jashtme dhe të Kulturës si dhe prej Sekretarit të Përgjithshëm të Presidencës, së bashku edhe me autoritete të tjera civile. Për ta pritur Papën në aeroport ishin edhe Nunci Apostolik Imzot Ramiro Moliner Ingles, Kryetari i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare Shkëlqesia e Tij Angelo Massafra, Arqipeshkvi Metropolit i Arkidioqezës Tiranë Durrës Shkëlqesia e Tij Rrok Mirdita si dhe klerikë të tjerë dhe një numër i madh besimtarësh.

Nunci Apostolik së bashku me Shefin e protokollit janë ngjitur në avion për ta përshëndetë Papën, i cili më pas ka dalë prej avionit, duke mbajtë si gjithmonë në dorë çantën e tij të zezë, dhe sapo ka zbritur në tokë është pritur dhepërshëndetur nga Kryeministri i Shqipërisë Z. Edi Rama me të cilin më pas për disa minuta është ndalur në privat për të biseduar në sallën Vip të aeroportit. Ati i Shejtë më pas i është drejtuar Pallatit Presidencial në qendër të kryeqytetit duke përshkuar i mahnitur rrugët e mbushura plot e për plot kryesisht me të rinj por dhe njerëz të të gjitha moshave të cilët kishin dalë për ti uruar mirëseardhjen dhe për të marrë një bekim prej Tij.
Pas nderimeve ushtarake dhe ekzekutimit të himneve kombëtare, si dhe akomodimit në sallën e pritjes, ku ishin të pranishëm shumë personalitete, u mbajtën fjalimet e rastit.
Së pari Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Z. Bujar Nishani i’u drejtua Papës dhe kombit dukë u shprehur:
Fort i nderuar At i Shenjtë,
Është nder, është privilegj, është emocion i madh për mua t’ju kem si më të shquarin e miqve në Presidencën e Republikës!
Kjo është një ngjarje e madhe historike për kombin, për vendin, për të gjithë shqiptarët kudo që janë, të cilët njëzëri ju thonë: Mirëserdhët në Shqipëri! Faleminderit nga zëmra që na zgjodhët ne të parët për udhëtimin Tuaj në Europë. Te çdo bashkëkombës i imi unë identifikoj veç mirënjohje për Ju, Shenjtëri.
At i Shenjtë,

Ne shqiptarët jemi një popull i vjetër, me vetëdije të fortë kombëtare, kemi një gjuhë po aq të rrënjosur e përbashkuese, tradita e zakone të njëjta, por i falemi Zotit në mënyra të ndryshme. Këtë akt themelor të jetës sonë e kemi bërë gjithmonë në paqe e harmoni me njëritjetrin. Ngrehinën tonë shpirtërore e përbëjnë Krishterimi me Islamizmi, këto dy besime të mëdha të botës, përkatësisht me Katolicizmin, Ortodoksinë, Muhamedanizmin synit dhe atë bektashi, të cilat në gjirin e këtij populli të lashtë, bashkautor në ngjizjen e qytetërimeve mesdhetare, dinë veç të dialogojnë. Shqiptarët bashkë i kanë kaluar të gjitha proceset historike si njësi unike etnike mbi të gjitha, Rilindjen Kombëtare, duke respektuar përkatësitë fetare të njëri-tjetrit, në evokim të të njëjtit identitet kombëtar. Si të tillë kemi mbërritur te Pavarësia më 28 Nëntor 1912 deri sot në vitin e 102 –të të shtetit shqiptar. Jemi krenarë për këtë! Mes nesh nuk ka diskriminim, nuk ka intolerancë, nuk ka ekstremizëm, por respekt reciprok të trashëguar brez pas brezi , harmoni e barazi të plotë të komuniteteve fetare të garantuara nga Kushtetuta e shtetit tonë laik. Siç ju e dini Shenjtëri, ne përjetuam për gati 50 vjet një diktaturë të egër ku komunizmi tentoi të ndryshojë antropologjinë humane, të krijojë njeriun e ri pa Zot, pa liri, pa objekte kulti, pa kler duke u vetëshpallur si i vetmi vend ateist në botë. Unë dhe bashkëkombësit e mi mendojmë që Kisha Katolike Shqiptare dhe klerikët e saj, si dhe komunitetet e tjera fetare i kanë rezistuar në mënyrë heroike diktaturës komuniste duke i dhënë kombit , Kishës , botës së qytetëruar martirë të denjë në jetë të jetëve për këtë status. Fjalët e fundit të shumë prej priftërinjve katolike para skuadrave të pushkatimit ishin Rroftë Shqipëria, Rroftë Papa. Në emër të binomit Atdhe e Fe ishin me dhjetra kleriket që dhanë jetën e tyre. Ky eksperiment famëkeq kundër natyrës së njeriut na rezulton pa etalon krahasimi në epokën e modernitetit. Falë Zotit, falë qëndresës së shqiptarëve, dështoi. Ishte edhe kjo një sfidë që shqiptarët e përballuan të gjithë së bashku si vëllezër, si bij të të njëjtit Zot, myslimanë e të krishterë u ringritën nga hiri në kërkim të lirisë, demokracisë dhe besimit në dhjetorin e vitit 1990.
At i Shenjtë,
Krishterimi zu fill herët në Shqipëri, me gjasë që në kohën e Apostullit Pal dhe pa dilema mund të thuhet që historia e katolicizmit shqiptar është një pjesë e rëndësishme e historisë së katolicizmit botëror. Vendi im i ka dhuruar martirë e shenjtorë Kishës Katolike ndër shekuj, ndërsa brenda historisë sonë kombëtare komuniteti katolik, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe kleri i saj zënë një vend nderi. Ne të gjithë jemi krenarë që gjuha shqipe e shkruar ngjizet me një formulë të shenjtë “Unë të pagëzoj në emër të atit e të birit e shpirtit shenjt” në vitin 1462. Ky bekim hyjnor e ruajti atë nga zhdukja që i kanosej. Jo rastësisht libri i parë i gjuhës shqipe është një “Meshar” i vitit 1555, i murgut Gjon Buzuku, për të vijuar me të tjerë shkrimtarë e prelatë katolikë si Budi, Bogdani, Bardhi deri tek poeti kombëtar Gjergj Fishta e shumë të tjerë, të cilët ushqyen limfën e identitetit kombëtar në një periudhë të rëndë të historisë së kombit. Po ashtu, nga tradita e kësaj Kishe dhe këtij vendi doli modeli madhështor i besimit, sakrificës, mirësisë, dashurisë e humanizmit që modifikoi fytyrën e një shekulli të mbarsur me luftë të nxehtë e të ftohtë, ajo është bija e madhe e një kombi të vogël , është e lumja Nënë Terezë.
Ne jemi populli i Nënë Terezes! Shenjtëri,
Nga historia me rezulton që Selia e Shenjtë i ka ofruar ndihmë dhe mbështetje të pakushtëzuar gjithmonë kombit tim. Heroi ynë kombëtar, prijësi, simboli i lirisë kundër robërisë, një nga kolonat e civilizimit europian, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, ishte aleati i zgjedhur i Shtetit të Vatikanit, mik i etërve të shenjtë, e në veçanti i humanistit të madh Enea Silvio Pikolomini, i cili do të nisej drejt brigjeve arbërore, por “jeta e përtejme” e ndali në Ankona. Historisë sonë i ka munguar pazëvendësueshëm zbritja e tij në Durrës për të kurorëzuar Mbret Skënderbeun dhe Kardinal Palin.
Fort i nderuar Papa Françesku,

Ne jemi një popull me histori tragjike, por kemi mbijetuar, jemi ringritur dhe me besim ecim drejt së ardhmes, virtytet nuk na kanë braktisur asnjëherë e një prej tyre është mirënjohja te cilën distanca historike nuk e zbeh por e bën më të vyer. Ne e kemi ndier dorën e Vatikanit kur miqtë nuk i kishim të shumtë. Dua të kujtoj se me nxitjen e Papa Klementit ose Albanit, origjina shqiptare e të cilit është motiv frymëzimi për ne, zë fill “Kuvendi i Arbërit”, djepi i Rilindjes shqiptare. Ndiej kënaqësi të thellë tek ju falënderoj për mbështetjen që na dhatë gjatë procesit të pavarësisë 1kombëtare e po me kaq mirënjohje kujtojmë aktin e një shekulli më parë, të Benediktit XV, i cili ngriti zërin kundër copëtimit të tokave shqiptare menjëherë pas Luftës së Parë Botërore. Po kaq e rëndësishme ka qenë mbështetja dhe zëri i Selisë së Shenjtë kundër tiranisë, kundër persekutimit gjatë stinës së vetmisë së madhe nën komunizëm! Mbështetja vinte në emër të Zotit, në emër të lirisë. Po, At i Shenjtë, kemi marrë prej jush një zë shprese, një horizont lirie nga valët e Radio Vatikanit! Në memorien e vendit tim është skalitur përjetësisht kujtimi i Papa Gjon Palit II, kur në vitin 1984 nga Pulja thirri fuqishëm kundër persekutimit të Kishës Katolike dhe besimeve në vendin tonë, kundër dhunës ateiste, kundër totalitarizmit. Ishte pikërisht ky burrë i ndritur dhe i shenjtë që në prillin e vitit 1993, erdhi në Shqipëri për të bekuar e frymëzuar një popull të vuajtur, një demokraci të re, për të ringritur Kishën Katolike dhe nxitur edhe më tej harmoninë ndërmjet besimeve shekullore këtë vlerë shqiptare.
I dashur Atë,
Kam ndjekur me vëmendje të madhe predikimet, ligjëratat dhe fjalën Tuaj nga froni i Shën Pjetrit. Mund të pohoj me bindje se ato janë një leksion i ndritur, besimi e humanizmi, kurajoje e kulture, një doktrinë e mirëfilltë për paqen, prosperitetin dhe stabilitetin në botë. Ato janë një reflektim i madh shpirtëror e etik mbi fatet e njeriut dhe perspektivën e tij , mbi respektin që çdo qenie humane meriton. Individi dhe shoqëria, pasuria dhe skamja, shoqëria dhe institucionet, besimi dhe e drejta për ta ruajtur atë, korrupsioni dhe egocentrizmi, religjioni dhe shteti, shteti dhe demokracia, bashkëjetesa ndërmjet religjioneve tema të mëdha të trajtuara nga ju janë tepër frymëzuese, tepër të dobishme për demokracinë 24-vjeçare shqiptare dhe për botën mbarë. Shqipëria sheh tek ju një personalitet të madh të njerëzimit, një mik të shtrenjtë, të cilit sot i ka hapur zemrën dhe derën sipas kodit zakonor të shqiptarëve në të cilin thuhet“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Sot kjo shtëpi është dy herë e juaja. At i Shenjtë,
Shqipëria në 24 vjet liri ka bërë progres të madh. Nga vendi më i izoluar në Europë, sapo kemi marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian, falë edhe mbështetjes Suaj të cilën dimë ta çmojmë. Nga një vend ateist, jemi vend i lirive fetare dhe konsolidimit të komuniteteve fetare në harmoni të plotë mes tyre. Pak vite më parë, jemi bërë anëtarë të NATO-s dhe kemi fituar lëvizjen e lirë të qytetarëve. Nga vendi më i varfër në kontinent, sot kemi një ekonomi dinamike që nuk i është dorëzuar krizës dhe një demokraci te re funksionale, e cila çdo ditë e më tepër është në kërkim dhe aplikim të standardeve europiane. Kemi pasur vështirësi dhe jemi përballur me sfida në rrugëtimin tonë, e jemi të vetëdijshëm që të tjera na presin, po kemi vullnet dhe energji për t’u përballur në emër të së ardhmes europiane të Shqipërisë. Integrimi europian është kryefjala e politikës shqiptare, e qeverisë dhe opozitës, fakt ky që e ridëshmon vokacionin europian të shqiptarëve. Në këtë kontekst, Shqipëria marrëdhëniet me Shtetin e Vatikanit në vijim të historisë, të së tashmes dhe të së ardhmes i ka strategjike, jo vetëm në emër të komunitetit katolik dhe Kishës Katolike Shqiptare, por të krejt kombit, ndaj i dëshirojmë ato intensive, në nivelin më të lartë dhe të përjetshme.
At i Shenjtë,
Duke përfunduar, më lejoni edhe një herë t’ju falënderoj në emër të vendit tim për këtë nder që na bëtë sot, duke ju siguruar që Shqipëria e ndien thellë këtë privilegj dhe fat historik. Ju faleminderit!
Më pas menjëherë fjalën e mori Papa Françesku i cili duke iu drejtuar presidentit, të pranishmëve në takim, gjithë popullit që ishte në sheshin Nanë Tereza dhe sheshin Skënderbe, por padyshim nëpërmjet televizorit edhe të gjithë bashkëkombësve tanë kudo ndodhen, u shpreh:
Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar Anëtarë të Trupit Diplomatik,
Shkëlqesi,
Zonja dhe Zotërinj,
Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat ta vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore. Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse, të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet e afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë Botës. Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta. Respektimi i të drejtave njerëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të një vendi. Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij, lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët. Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje: e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme. Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për përsiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij. Askush të mos mendojë se mund ta përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!
Kjo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që e urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë, është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm të një populli. Është vlerë, që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike, të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve, duke e njohur dhe duke e nderuar njëri-tjetrin. Është dhuratë, të cilën duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit, në lutje. Uroj që Shqipëria ta vijojë këtë udhë, duke u bërë për shumë vende shembull frymëzimi. Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve, erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave institucionale, është përforcuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar edhe në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim, të shtyrë nga kërkimi për punë e për kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë, si e sa munden, për përparimin e shoqërisë shqiptare. Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda. Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme. Kisha Katolike, nga ana e vet, mundi të rinisë jetën normale, duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë. U ndërtuan ose u rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjtërorja e Zojës së Këshillit të Mirë, në Shkodër; u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence, në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen, me të drejtë, prandaj, jo vetëm si shërbim ndaj bashkësisë katolike, por ndaj mbarë kombit. E lumja Nënë Tereza, bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm – atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell për punën e burrave dhe të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri. Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida, që presin përgjigje. Në një botë që priret drejt globalizimit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja dhe zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu, ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, domethënë, nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin. Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e Shtetit, me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit, që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.
Falënderoj me gjithë zemër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe, si Shën Gjon Pali II në prill të 1993-shit, i lutem Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!
Në mbarim të fjalimeve dhe të takimit, Presidenti i paraqiti Papës edhe familjarët e Tij si dhe u bë shkëmbimi reciprok i dhuratave. Kështu vazhdoi kjo pjesë e parë e ditës për të arritur kulmin në sheshin Nënë Tereza me kremtimin e Meshës Shejte në orën 11.