Papa Françesku u jep Sakramendin 33 fëmijëve në Kapelën Sistina Nga Luca Marcolivio
Hyji, si Atë i mirë që është dëshiron të na dhurojë “gjëra të mira” dhe një “ushqim të konsiderueshëm” për bijtë e tij. E ka thënë Papa Françesku gjatë Meshës së Shenjtë të celebruar në Kapelën Sistina gjatë së cilës u ka dhënë Sakramendin e Pagëzimit 33 të porsalindurve. Ushqimi që Zoti na sjell në dhuratë është “Fjala e Tij që na bën të rritemi, na jep fryte të mira në jetë, ashtu si shiu dhe bora që i bëjnë mirë tokës dhe e bëjnë atë pjellore”. Prindërve, nunëve dhe gjyshërve të pranishëm, Papa u ka rekomanduar t’i ndihmojnë fëmijët e tyre “të rriten mirë”, duke u dhënë atyre “Fjalën e Zotit, Ungjillin e Krishtit”. Nënave u ka thënë që t’u japin fëmijëve të tyre qumësht, kurdo që ata të kenë uri dhe të qajnë. Ka falënderuar Zotin për dhuratën e qumështit dhe është lutur me të pranishmit për ato nëna që të shumta në numër që për fat të keq nuk janë në gjendje të ushqejnë fëmijët e tyre. Ka kërkuar që përveçse të luten përto, edhe t’i ndihmojnë ato nëna. Ashtu siç qumështi e rrit dhe e forcon trupin njerëzor, të njëjtin efekt ka dhe fjala e Zotit për shpirtin: “Fjala e Zotit e rrit besimin. Dhe falë besimit ne jemi të krijuar nga Zoti”. “Feja e Kishës” që më të vegjlit e marrin në Pagëzim, në një të nesërme “me hirin e Zotit do të jetë Feja e tyre, “PO”-ja e tyre personale drejt Krishtit, që na dhuron dashurinë e Atit”. Nëpërmjet Pagëzimit, çdo shpirt inserohet “në trupin e Kishës, në popullin e shënjtë të Zotit. Dhe në këtë trup, në këtë popull në ecje, feja transmetohet nga breznia në brezni”. Në këtë mënyrë, duke kaluar nëpër Marinë, nënën tonë, nëpër Shën Jozefin, Shën Pjetrin, Shën Andreun, Shën Gjonin dhe të gjithë Apostujt e Martirët, feja arrin “deri tek ne”. Transmetimi i besimit është diçka që simbolikisht shprehet me “kalimin dorë pas dore të qiriut të fesë” ose “me gjestin e ndezjes së qirinjve të vegjël nga qiriu i madh i Pashkëve”: në këtë mënyrë prindërit marrin nga Krishti i Ringjallur dhe nga Kisha “dritën e fesë” për t’ju përcjellë fëmijëve të tyre. Një aspekt i fundit që Papa ka theksuar, ishte që “në Pagëzim jemi të shuguruar nga Shpirti i Shenjtë”. E njëjta fjala “i krishterë” nënkupton pikërisht “shuguruar si Jezusi, në të njëjtin Shpirt që ka qënë zhytur Jezusi në të gjithë ekzistencën e tij tokësore”. Derisa fëmijët e sapo-pagëzuar të bëhen “të krishterë të vërtetë”, prindërit dhe nunët nuk duhet të harrojnë “ta thërrasin shpesh Shpirtin Shenjt, çdo ditë”: duke vepruar kështu, do të jetë e mundur të ndjehet “prania amnore e Virgjërës Mari. Ajo na mëson të lusim Shpirtin Shenjt dhe të jetojmë sipas Shpirtit, si Jezusi”. “Zoja e shoqëroftë gjithmonë ecjen e fëmijëve dhe familjeve tuaja” – ka përmbyllur Papa Françesku.