O Atë i Shenjtë, në lumninë tënde, lutu për ne e për vendin tonë

Festa liturgjike në kishën kushtuar Të Lumit Gjon Pali II në Bathore me 22 tetor 2014

Predikimi i Sh. T. Imzot rrok Mirdita në kremtimin liturgjik në famullinë e bathores në kishën e parë kushtuar Të Lumit Gjon Pali II në vendin tonë.

Shumë të dashur vëllezër e motra,

Shumë të dashur miq,

O-Atë-i-Shenjtë,-në-lumninë-tënde,-kushtuar-Të-Lumit-Gjon-Pali-II-në-Bathore-me-22-tetor-2014---Jeta-e-KishesBashkësia jonë e krishterë kujton sonte në këtë eukaristi bariun që udhëhoqi me urtësi për njëzet e gjashtë vjet kishën katolike, duke e futur atë në mijëvjeçarin e tretë të krishterimit me guximin e kthimit të vazhdueshëm tek ungjilli dhe me guximin e propozimit të ungjillit të Jezu Krishtit për botën e sotme si kartën e madhe të përparimit të individëve dhe të popujve.

Kur themi Papa Shën Gjon Pali II, na vjen përnjëherësh në mendje shëmbëllimi i kryetarit të Vatikanit, njeriu i fuqishëm, i lartë, madje nganjëherë edhe i largët, gati i paarritshëm. Sigurisht Papa Shën Gjon Pali II ishte njeriu i madh, që luajti një rol vendimtar në skenën ndërkombëtare të shekullit të njëzetë e që la gjurmë të pashlyeshme edhe për vitet e pakta të këtij shekulli, por mënyra më e shkëlqyer dhe më e drejtë për ta vështruar Papa Shën Gjon Palin e dytë është ajo e dallimit tek ky njeri, të dëshmitarit besnik, të drejtpërdrejtë e të guximshëm të Jezu Krishtit dhe të shpresës që Krishti, Zoti ynë e Zoti i vetëm i botës, i ka lënë kishës e njerëzimit.

Kishës katolike dhe krishterimit Shën Gjon Pali i dytë i ka lënë modelin e njeriut që vë në qendër të jetës së vet zbatimin e përditshëm të ungjillit, duke u angazhuar pa kursim në të gjitha sferat e jetës, sepse ungjilli nuk është libër leximi vetëm nëpër kisha e liturgji, por program jete që ndriçon dhe udhëheq në mënyrën më të shkëlqyeshme të gjitha veprimtaritë shoqërore të njerëzimit. Pikërisht si njeri i ungjillit, që i mishëroi të vërtetat e zbuluara nga Krishti në jetën e vet, ai kishte shumë për ti thënë botës bashkëkohore, që kjo të dëgjonte të vërteta që nuk janë vetëm fryt i mendimeve njerëzore, që ndryshojnë sipas kohërave, por zbulim i të vërtetave të amshuara, që vijnë nga përtej kohës dhe qëndrojnë në çdo kohë.

O-Atë-i-Shenjtë,-në-lumninë-tënde,-lutu-për-ne-e-për-venme-22-tetor-2014---Jeta-e-KishesKëto të vërteta nuk janë abstrakte, por shumë të përcaktueshme. E para dhe themelorja është e vërteta e ekzistencës së Zotit. Papa Shën Gjon Pali i dytë nuk është lodhur së thëni se një botë pa Zotin rend vazhdimisht e pareshtur drejt krijimit të zotave të rremë që më në fund ngrihen kundër njeriut që i krijon. Një botë pa Zotin është një botë e njeriut të vetmuar, të pambrojtur e të gënjyer, sepse nuk ka të vërteta të vogla e të përditshme nëse nuk ka një të vërtetë absolute e të përjetshme prej të cilave dalin të vërtetat e jetës sonë. Mendja njerëzore nuk mund ta prodhojë të vërtetën, por vetëm ta njohë e ta pranojë, pasi ajo t’i jetë zbuluar.

E vërteta e dytë është se ky Zot i amshuar ka dërguar në botë Birin e vet Jezu Krishtin, për të na treguar se ai është Zoti i dashurisë dhe i faljes, Zoti që i jep mundësinë njeriut për të rilindur me anë të besimit e për të fituar përmasën e amshimit të humbur me anë të mëkatit që errëson shikimin në thellësi të ekzistencës. E tërë jeta dhe veprimtaria e Atit të Shenjtë ka qenë e qendërzuar në Krishtin. Tek Ai e ka gjetur frymëzimin e përditshëm, për mbretërinë e tij ka ofruar me zemërgjerësi inteligjencën e vet, vullnetin dhe dashurinë që ushqehej pafund nga besimi në Zotin.

E vërteta e tretë konkrete është vetëdija e tij gjithnjë e gjallë e vepruese se qytetërimi i krishterë, domethënë qytetërimi i dashurisë që mund çdo armiqësi e çdo frikë, nuk mund të realizohet në botë në asnjë mënyrë tjetër, përveç se përmes kishës, bashkësisë së atyre që kanë pranuar në jetën e tyre Zotin Jezus dhe forcën e ungjillit të tij.

Këtë bindje ai e ka shprehur haptas dhe pa kompromis në të gjitha fjalimet e veta. Kisha ka brenda saj diçka që bota nuk e ka dhe as nuk mund ta ketë, sepse është diçka që vjen nga takimi me Krishtin. Por bota do të ishte e varfër pa kishën e pa të vërtetat që ajo mbart. Një kishë besnike ndaj Krishtit dhe ungjillit, sjell një botë me më shumë vëmendje ndaj njeriut, sepse kisha, qysh mbas mishërimit të Krishtit, e shpreh dashurinë e saj ndaj Zotit duke u angazhuar ekzistencialisht në favor të njerëzve. Këto ditë kemi parë shumë shërbime mediatike, që na kujtojnë takimet e shumta të Atit të Shenjtë Papa Françeskut në të gjitha instancat e shoqërisë sonë. Nganjëherë, mendimi i parë që na vjen është ai i suksesit të tij.

O-Atë-i-Shenjtë,-në-lumninë-tënde,-kushtuar-Të-Lumit-e-22-tetor-2014---Jeta-e-KishesMund të jemi të sigurt se Shën Gjon Pali i dytë është njëri ndër papët më të suksesshëm të historisë, sepse zëri i tij u ngrit me një fuqi të jashtëzakonshme në kohën tonë, por ai i ka lëshuar një sfidë njeriut të sotëm, një sfidë që nuk është aspak e lehtë, nëse për ta përballuar kërkohet drita dhe forca e besimit. Kjo sfidë është ajo e pranimit dhe e jetësimit të vlerave të palëkundshme, mohimi dhe braktisja e të cilave është mohim dhe braktisje e njeriut.

Nuk mund të harrohet se në një kohë kur familja, që ishte në qendër të vëmendjes së ipeshkvijve gjatë sinodit dyjavor në Vatikan, po shkon gjithnjë e më shumë drejt thërrmimit e kur shoqëritë e vetëquajtura të emancipuara nuk duan që të ketë norma morale që rregullon dashurinë në çiftin njerëzor, Shën Gjon Pali i dytë ka thënë me forcë se thirrja e njeriut është dashuria e se familja është institucioni i vetëm i shenjtë i dashurisë së burrit për gruan dhe i gruas për burrin dhe institucioni më i shenjtë i jetës, sepse forca e dashurisë është forcë jetëdhënëse. Nuk është lodhur së përsërituri se egoizmi prodhon plakje të njerëzimit dhe vdekje, prandaj, që njeriu të jetë plotësisht njeri, duhet ta mohojë egoizmin e t’i hapet jetës. Askush nuk ka të drejtë t’i shërbejë aq shumë egos së vet, sa të flijojë zanafillën e një jete të re duke abortuar.

Mesazhi i tij ka qenë i drejtpërdrejtë e i fuqishëm për të pasurit dhe për botën e pasur. Lumturia e të pasurve është e gënjeshtërt dhe boshe, nëse këta nuk i hapin sytë ndaj të varfërve dhe nuk gjejnë shtysën e dashurisë që jep si fryt ndarjen e të mirave dhe realizimin e drejtësisë. Kisha duhet të jetë vetë shembulli i një qytetërimi të themeluar në këto vlera që i kanë themelet e tyre të palëkundshme në Zotin dhe kisha duhet të jetë shembulli i besimit që hap sytë për t’i njohur këto vlera dhe jep forcën për t’i përkthyer në angazhim konkret.

Shën Gjon Pali i dytë ishte miku i madh i të varfërve, mbrojtës i palodhshëm i të butëve, zëri i fuqishëm që ushtoi në botë për të ndrequr padrejtësitë, mësuesi i shkëlqyeshëm i mëshirës, kërkuesi i përhershëm i pastërtisë shpirtërore, ndërtues i bindur i paqes mes individëve dhe kombeve, prandaj, ne, i lutemi edhe atij: “O Atë i Shenjtë, në lumninë tënde, lutu për ne e për vendin tonë”.