Një kafshatë buke që ushqen përjetësinë

Një kafshatë buke që ushqen përjetësinë!
Kungimi i Parë në Katedralen e shën Palit – Tiranë


E ardhmja u përket atyre, sepse me përmbajtjen ADN-së, ata janë edhe filizat edhe gjethet e reja që do ta përpunojnë klorofilën e do t’i japin ushqimin pemës së Krishtit; asaj peme, e cila mbetet e gjelbërt, e brishtë dhe gjithmonë e ripërtërirë, ndër mote, drejt përjetësisë.
Janë pikërisht këta fëmijë, që po vijnë pak nga pak, sëbashku me prindërit, vëllezërit e motrat, por edhe me të afërmit e tyre. Duke kaluar pragun e derës, ata hyjnë në oborrin e shenjtë të Katedrales së Shën Palit… Bashkohen me fëmijët e tjerë, buzagaz: me gjallërinë karakteristike që i bën t’i ndrijnë sytë. Sot është dita e tyre e shumëpritur. Po afrohet çasti, kur do të jenë pranë Elterit të shenjtë për të marrë sakramentin e Kungimit të Parë “me zemrën e mendjen të hapur”.
Pasi kanë kryer rrëfimin, këta 19 fëmijë janë plotësisht të ndërgjegjshëm se jeta e tyre, tashmë po integrohet më mirë në rrugën e Krishtit, pikërisht ashtu siç thotë edhe Papa Françesku: “Kungimi është zemra e nismës së krishterë e madje është burimi i vetë jetës së Kishës”. Sigurisht janë ngritur më herët se çdo të djelë tjetër. Është një preokupim mjaft i bukur për ta: janë të bindur se në jetën e tyre fëminore do të ndodhë një ngjarje e madhe, krejt festive. Do të lërë gjurmë të thella për të ardhmen.
Për të mbërritur në këtë ditë, u bënë disa muaj që përgatiten e studiojnë së bashku me motrat; kanë zhvilluar shumë e shumë orë të bukura katekistike, në biseda të hapura e me interes, brenda atmosferës së një përshpirtërie, për ta, të papërjetuar më parë. Sigurisht, tani kanë mësuar t’i luten më mirë Jezu Krishtit, që sot i pret krahëhapur në Elterin e Katedrales. Ashtu, me krahët e shtrira përpara, tek ia hedh sytë asaj statuje, mbi të cilën është derdhur aq art, që t’i jepen trajtat në përgjigje të harmonisë së kompleksit arkitekturor modern që ka kisha, të duket sikur nga brenda gurit të latuar, vjen e përsëritur papushim jehona e fjalëve të Ungjillit të Gjonit: “Unë jam buka e jetës. Kush vjen tek unë, nuk do të ketë më kurrë uri, kush beson në mua, nuk do të ketë më etje” (Gjn 6, 35)…
Ndërkohë, motër Tereza Maria, motër Violeta së bashku me znj. Davita (katekisten e Motrave “Maria Mazzarello”), të cilat i kanë shoqëruar të dyja grupet e fëmijë në këtë itinerar të gjatë disamujor, janë në mjediset e katekizmit së bashku me 19 fëmijët që po përgatiten të veshur si engjëj, krejt në të bardha. Nga jashtë, po nga ana e pasme e Katedrales vijnë zërat e gëzuar të fëmijëve të tjerë, që i kënaqen lojës: të mbledhur në një rreth të madh, ulen e ngrihen shend e verë; hera-herës dëgjohet zëri i motër Malvinës, që përpiqet të hyjë në botën e tyre, e njëherësh të instruktojë me detajet specifike të lojës saleziane…
Koha kalon shpejt. Brenda në Kishë, mbretëron qetësia e lutjes në një atmosferë festive që flet qartë ngado; jo vetëm në larminë e luleve të freskëta të zgjedhura enkas me aq shije nga motër Teuta dhe prindërit e fëmijëve, sipas arredimit të posaçëm që kërkon kjo ditë, por mbi të gjitha në Elter e deri në bankat qendrore nga ku spikat ngjyra e bardhë e shiritave të najlonit. Nga kjo qetësi, dalin tingujt e lehtë muzikor, të cilat ndiqen nga zëri i lehtë koral. Ka nisur një Aleluja sinjalizuese e hyrjes për në ritualin e Meshës, ndërkohë që besimtarët shoqërojnë me kokë procesionin e prirë nga kryqi. Në Kishë, në mënyrë evidente vihet re një përqindje mjaft e lartë e fëmijëve. Është tregues i padiskutueshëm i një famullie të re, ku dominojnë masivisht moshat e reja.
E famullitari, Dom Marjan Lumçi, pasi kemon Elterin, qiriun e Pashkëve, bashkësinë, por edhe Krishtin krahëhapur e madhështor që tërheq të gjitha shikimet e popullit të shumtë, ardhur në këtë event për Katedralen, thotë: “Sot, meshën, do ta nisim ndryshe. Imagjinoni se në qiell, sot, një grup fëmijësh do të takohen për herë të parë me Jezu Krishtin. E Krishti i pret ata…”. Pak më tutje, nga amboni, Motër Violeta shton: “Po i paraqiten bashkësisë sonë, fëmijët që sot do t’i afrohen për herë të parë Mensës Eukaristike…”. Më tej i kërkohet bashkësisë:”T’ia besojmë Zotit këtë kremtim. E të përpiqemi të jemi për ta, dëshmitarë të shndritshëm dëgjimi, dashurie dhe besnikërie…”.
Famullitari, i cili e kremton sot i vetëm ritualin e shenjtë, thërret secilin nga fëmijët në emër. Ata janë: Ana Mulaj, Serxho Mataj, Noemi Fabiani, Mario Vukzaj, Stefanie Vocaj, Françeska Vocaj, Erjon Vukzaj, Ester Kaçi, Ana Guga,  Erald Vukzaj, Ana Maria Nikolli, Ardjana Prendi, Adison Prendi, Manjola Prendi, Era Kasneci. Rovina Picaku, Aurel Gjuraj, Danjela Gjura, Xhoana Delia.
Njëri pas tjetrit, të shoqëruar nga prindërit e nunët, ata shkëmbejnë përshëndetjen me famullitarin dhe ulen në rreshtin e parë, të rezervuar për ta. Nësa ua prezanton fëmijët besimtarëve, Dom Marjani, nuk heziton që me pak shaka t’u bëjë edhe vëzhgimin se “përbërja e kandidatëve për Kungimin e Parë, sot është ndërkombëtare ashtu si vetë Kisha Katolike, pasi mes tyre kemi një vajzë italiane dhe dy të tjera që u kanë ardhur gjyshërit nga Peruja”. Pastaj, duke iu drejtuar prindërve shton: “Pas shumë vitesh, do të jetë një tjetër moment i rëndësishëm në jetën e këtyre fëmijëve, kur së bashku me prindërit e tyre do t’i afrohen sërisht këtij Elteri të shenjtë për të marrë Kurorën e Martesës dhe ju do ti përcillni drejt dhëndrit apo nuses, por kjo ditë e sotmja do të mbetet në kujtesë si më e rëndësishmja, sepse është hera e parë që po i afrohen Eukaristisë dhe ju po i përcillni fëmijët tuaj në takimin e Krishtin Dhëndërr”
Pas leximeve të ditës, në trajtë harku, para kremtuesit e para Elterit, të 19 fëmijët, shprehin njëzëri dëshirën për të marrë Jezusin. Vargu i pyetjeve e madje përgjigjet pohuese, përfundojnë me fjalët: “…me gëzim të madh, në emër të Kishës, e pranoj kërkesën tuaj; Jezusi qoftë gjithmonë miku juaj dhe ju pranoftë tani e përgjithmonë”.
Ndër të tjera gjatë Omelisë, Don Marjani vë në dukje se: ”Sot janë shumë motive për të cilat duhet të jemi të gëzuem prej Zotit që na ka mbledhë këtu të gjithëve. Të djelën e ardhshme do të kremtojmë Ditën e Rrëshajave, pra zbritjen e personit të tretë, të të Shenjtës Trini, mbi apostujt. Kemi përpara një ngjarje të shënueme në vitin liturgjik, e cila na ban të reflektojmë shumë. Në anën tjetër, pjesa e Ungjillit dhe liturgjia e sotme, pavarsisht gëzimit që na transmeton mbrenda nesh, na ban të ballafaqohemi me një dukuri, që në dukje, krijon ndërprerje: në mënyrë paradoksale Jezusi largohet nga apostujt e tij. A është e mundun kjo? Do t’ia banim këtë pyetje vetes, duke dhanë kurdoherë, pa u menduar gjatë të njajtën përgjigje: E Pamundun… U thotë atyne pra se po iki, por njiherit do të jem me ju në të gjitha ditët e botës… E motivi i tretë i gëzimit të sotshëm, asht prania e shndritshme e këtyne fëmijëve të mrekullueshëm, që për herë të parë, po e ndiejnë Krishtin aq afër vetes, sa nuk e kanë pasun kurrë. E kjo, asht e vetmja ditë që liturgjikisht nuk vihet në Kishë me i thanë Zotit që ‘Unë besoj në Ty’. Asht Zoti, Ai që na thotë sot ‘Unë besoj në Ty, unë besoj në ju, prandaj dhe po ju la ta drejtoni Kishën time dhe kam me besue në ju në të gjitha ditët e jetës duke kenë i pranishëm në mesin tuaj si ushqimi i së përditshmes tuaj…’. Festa e sotme, na kujton edhe nji tjetër të vërtetë të madhe, se Zoti Ynë me plagët e gjakun e shkaktuem prej njerëzve në trupin e vet, ngjitet tek Ati në qiell, qw do tw thotë se Trinia Shejte nw gjirin e saj ka fytyrën e secilit prej nesh. Pra jemi të pranishëm në gjirin e Trinisë’. Në vijim përmes një reflektimi mbi ripërtëritjen e Mbretërisë së Jeruzalemit tokësor, famullitari thekson se ‘Krishti u konfirmon apostujve që të mos kenë frikë: Unë gjithmonë do të jem i pranishëm në jetën tuaj… e fëmijëve deshta me ju thanë: ju tashti e dini se jeni të zgjedhunit e Zotit… e ky Zot, përmes Pjetrit u thotë apostujve të vet: Lërini fëmijët të vijnë tek unë. Nësa unë gjithashtu deshta me ju porositë që, motër Violetën, Davitën e motër Tereza Marinë, mos i harroni kurrë. Ata ju kanë shoqnue ju, ashtu siç mund të shoqnojë nji nanë e mirë, gjatë kësaj ecje sëbashku në fe. E nuk asht vetëm koha që kanë kalue me ju, që i ka afrue e i ka lidhë me ju ngushtësisht. Mbajeni të shenjtë këtë lidhje të ngushtë si e mban nana me fëmijën e vet. Dita e sotme, për ju, në nji farë mënyre, në simbolikën e vet na kujton lindjen e fëmijës pas 9 muajve të vështira por edhe të mrekullueshme. Fëmija ma në fund të pritjes, e sheh dritën. Edhe ju sot keni pa dritën e vërtetë e të jeni të sigurtë se këto nana, ashtu si edhe nana qiellore, do të vazhdojnë t’ju kenë gjithmonë pranë. Edhe ju vazhdoni t’i mbani gjithmonë sa ma pranë vetes. Urime e Zoti ju bekoftë!”.
Mes qetësisë e reflektimit në lutje, pas disa çastesh, Motër Tereza Maria e motër Violeta së bashku me katekisten Davita, nga qiriu i madh i Pashkës, ndezin qirijtë e vegjël të Kungimit të Parë dhe ua japin fëmijëve. Është një veprim sa i thjeshtë aq edhe plot domethënie, që të shkakton mjaft emocion. Sytë e bashkësisë janë ngrirë mbi dritën e qiriut të Pashkës.  Diku një e moshuar, që me siguri ka ardhur për ndonjë nip a mbesë të sajën, nuk mund t’i përmbajë lotët. Ka arsye. Pranë Elterit, po kryhet Gjesti i Qiriut të Ndezur, gjatë të cilit, Don Marjani përfundon: “Sot të dashur fëmijë, ajo dritë që keni marrë nga qiriu i Pashkëve, po iu dorëzohet pikërisht në ditën e takimit tuaj të parë me Jezusin Eukaristi”.
Është një meshë disi më e gjatë se zakonisht, por në sytë e njerëzve vihet re gjallëria e pjesëmarrjes me vëmendje të përqendruar në çdo pasazh. Sigurisht, kjo bashkësi është e impenjuar që në lutje t’i shoqërojë këta krijesa të brishta, ndërkohë që bashkohet në një zë të vetëm me ta në Përtëritjen e Premtimeve të Pagëzimit: “Po, i bie mohit” e pastaj “Besoj”.
Stërpikja me Ujin e Bekuar të fëmijëve para Elterit të shenjtë, e pastaj edhe të gjithë bashkësisë, do të ndiqet nga një tjetër lutje që i ngrihet Zotit nga e gjithë bashkësia: “Dëgjoje, o Atë, lutjen tonë”: është përgjigjja e Lutjes së Besimtarëve, e cila në këtë kremtim të shenjtë, u përket këtyre fëmijëve të mrekullueshëm, të veshur në shkëlqimin e bardhësisë hyjnore. Njëri pas tjetrit i afrohen ambonit, dikush me emocion e dikush tjetër duket më i qetë, por në konfrontimin e shikimit me të gjithë këtë masë njerëzish që mbush kishën, është e shpjegueshme të ekzistojë edhe një fare tronditje e brendshme. Natyrshëm, që ashtu si Kungimi edhe ky veprim përgjithësisht kryhet për herë të parë prej tyre.
Prezantimi i dhuratave, është një pjesë e ritualit që kryhet në solemnitet e në qetësi të plotë. Dëgjohet vetëm një zë i vetëm që shpjegon përkushtinë që po i ofrohet Elterit. Lëvizjet janë të ngadalta. Buka e vera – Korpi e Gjaku i Krishtit; drita e qiriut – simboli i Krishtit të Ringjallur, por edhe shporta për të varfrit që përmban ushqime të ndryshme, çka na bën të reflektojmë në bashkëndarjen njerëzore, nga duart e besimtarëve që vijnë dy e nga dy, kalohet në duart e famullitarit e më pas i përcillet Elterit të Shenjtë.
Ka ardhur momenti i shumëpritur i takimit me Zotin, që bëhet i pranishëm në trupin tonë nëpërmjet Eukaristisë. Përpara janë fëmijët, protagonistët e kësaj dite, e më pas vijon rreshti i gjatë i bashkësisë. Në këtë Kungim të Parë, nga 19 fëmijët, po merret ajo dhuratë aq e vogël në dukje, por edhe aq e madhe dhe e çmueshme në përmbajtje. Është një kafshatë buke, që në një farë mënyre, i bën ata anëtarë të famullisë ku vijnë rregullisht; është një kafshatë buke që ushqen përjetësinë, duke i dhënë dritë nga drita e pasosur në shpirtin tonë të brishtë njerëzor. Gjithçka reduktohet në një qëllim të universalitetit që të çon në amshimin vezullues: të nxjerrësh në dritë këtë shpirt njerëzor, larg errësirave, që përpiqen të uzurpojnë e ta dhunojnë në kllapinë vdekjeprurëse, të gjithë rrjedhën e bukur të jetës.
Lutja pas kungimit sinjalizon se Kremtimi solemn po i afrohet fundit: “Jezus jemi këtu që të të themi se të duam, të adhurojmë e të falënderojmë, që erdhe në zemrat tona. Mos lejo të ndahemi kurrë prej teje. Të lutemi për çdo anëtar të kësaj bashkësie: për të rinjtë e të moshuarit. Mbi të gjitha të lutemi për të gjithë ata që janë duke përjetuar vuajtje shpirtërore apo trupore: bëj që të shohin në gjithçka dashurinë tënde dhe të dinë t’i tejkalojnë këto plagë. Të lutemi o Jezus, për shenjtërimin e meshtarëve tanë, e personave të shuguruar, të të gjithë bashkësisë sonë. Zemra jonë është e mbushur me falënderime, o Jezus. Të falënderojmë për dhuratën e Trupit dhe Gjakut Tënd. Të falënderojmë për dashurinë e prindërve tanë, për të gjithë personat që na kanë përgatitur për këtë ditë. Bekoji ata o Jezus, me hiret e Tua Na ndihmo që të mos harrojmë kurrë dashurinë tënde e të rritemi si të pëlqen ty: të aftë për të dashur njëri-tjetrin. Hiri yt, o Zot, dhe dashuria e Marisë, nëna Jote e nana jonë, na shoqëroftë gjithmonë”.
Pas fjalëve të mbylljes dhe shenjës së Kryqit, vala e urimeve, përshkon zemrat fëminore. Nuk kanë të sosur fotot buzë Elterit të shenjtë. Ashtu buzagaz, ata përqafohen me njëri-tjetrin, me prindërit, të afërmit e shokët e shoqet që u qëndrojnë pranë. Në qendrën e vëmendjes, janë edhe falënderimet e tyre për famullitarin, Dom Marjanin, por sigurisht edhe për motër Tereza Marinë, motër Violetën dhe znj. Davitën me të cilat shkëmbejnë edhe këtë kulmim të emocionit të tyre fëminor.
Ana Maria Nikolli, është spostuar e vetmuar e në një copë letër nxitohet t’i shkruajë motër Tereza Marisë: “Është një bekim i madh për mua: sot mora Krishtin në zemrën time. Një ndjenjë e mrekullueshme ma rrënqethi trupin. Në fillim të rrëfimit ndihesha e pasigurtë dhe e ndrojtur. Por, u desh pak kohë dhe u çlirova. Më erdhën në mendje të gjitha fjalët që na thoje ti motër në katekizëm… e pastaj, kur hyra në kishë, bashkë me prindërit e mi që më mbanin përdore, u ndjeva si në parajsë. Ndërsa i afroheshim altarit, zemra më rrihte fort. Nuk e di përse, por pata frikë kur dola të lexoja lutjen e besimtarëve, para tërë atyre njerëzve që më shikonin vetëm mua. Nga emocioni gati më dridheshin gjunjët. Nuk do ta harroj çastin e marrjes së Korpit të Krishtit. E ndjeva Krishtin të gjallë në trupin tim. Ishte një ndjenjë e bukur”.
Një tjetër fëmijë Ana Mulaj, pasi e ka përqafuar Motër Violetën, duke e shikuar drejt në sy, dëgjoj t’i thotë: “Sot, motër, isha shumë e lumtur, sepse erdhi ajo çfarë e kam pritur aq shumë: për herë të parë, unë e mora Trupin e Gjakun e Krishtit. Ishte ditë speciale për mua. Dua të falënderoj shumë ty motër, që na mësove sesi ta duam Krishtin”.
Tek ndeshem përballë me znj. Davitën, i kërkoj një mbresë të shpejtë nga emocioni që ende e përjeton në zemër nga kjo ditë; e ajo më thotë: “Kur motër Violeta më propozoi që sëbashku t’i zhvillonim katekizmin këtij grupi fëmijësh, pranova menjëherë. Megjithatë, ka qenë një ide sa e bukur po aq edhe me përgjegjësi për mua. Me përgjegjësi, sepse ishte impenjim që kërkonte vullnet, përgjegjshmëri vetijake dhe njëkohësisht dije e horizont për të përcjellur tek fëmijët mësimet e duhura, në mënyrë që ecja dhe formimi mbi sakramentet të ishin me themel, për vetë dhuratën që sot fëmijët do të merrnin. Falënderoj Zotin, për këtë dhuratë që ua bëri fëmijëve. Ata fluturonin nga gëzimi. Ishin të gjithë të lumtur, në kulmin e shkallëve të lumturisë. Natyrisht kjo ecje e tyre do të vazhdojë për ta shumë gjatë. Por nga dita e sotme, gjithçka do të jetë ndryshe: në zemrën e tyre tashmë do të kenë Jezusin, pikërisht atë Jezus, që e prisnin prej kohe. Jam e lumtur që familja e krishterë bëhet gjithnjë e më e madhe”.
Aty pranë është edhe motër Violeta, e cila me modesti në momentin e parë heziton të japë një mbresë nësa e bëj me dije për shkrimin; pastaj shton: “E mirë… pa problem, dy fjalët… apo një ndjenjë e shpejtë e imja e këtij çasti në mbylljen e kremtimit festiv mund të përmblidhen thjeshtë: Takimi i sotëm i fëmijëve në Eukaristi me Krishtin, qe një burim gëzimi i pafund për mua. Gjatë gjithë vitit, në përgatitje për këtë Sakramend, e kemi parë dhe e kemi ndjerë të gjallë, etjen e madhe që kanë fëmijët tanë për Krishtin. E them me bindje se kjo etje, nuk mund të shuhet nga askush. Një gjë e tillë sigurisht na bën të ndihemi mirë në besimin tonë, por në të njëjtën kohë, na motivon që ta rrisim gjithnjë e më shumë përgjegjësinë për ta shpallur Ungjillin e Krishtit”.
Nga: Ferdinand Ndocaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *