Ne dhe të varfrit

Nga Imzot George Frendo

Të gjithë ata që kanë sadopak familjaritet me besimin e krishterë mund të vërejnë lehtë se, sipas Shkrimit të Shenjtë apo Biblës, Hyji zbulohet në varfëri, në të varfrit dhe nëpërmjet të varfërve. Në çdo shoqëri, të varfrit kanë qenë dhe ende janë ajo pjesë e njerëzimit që është më e pambrojtur, më e mënjanuar, dhe më e abuzuar. Një situatë e tillë është krejt në kundërshtim me atë dinjitet që gjendet brenda çdo njeriu. Për këtë arsye në Librin e Fjalëve të Urta lexojmë: “Kush e përbuz skamnorin poshtëron Krijuesin e tij” (17, 5).

TË VARFRIT NË MENDIMIN E KRISHTIT

Krishti dhe Krishterimi nuk e kanë miratuar varfërinë shoqërore. Në qoftë se Marx, do të kishte lexuar me më shumë kujdes Ungjillin, ose Letrën e Shën Jakobit, ose shkrimet e Etërve të shenjtë (si, për shembull, Shën Gjon Gojart), do të kishte bërë më shumë kujdes para se të kishte hedhur baltë mbi Krishterimin dhe të kishte akuzuar besimin si opiumi i popullit. Në shëmbëlltyrën e pasanikut dhe të Lazrit të varfër Jezusi ka dënuar sjelljen e pasanikut që mbeti indiferent përpara Lazrit të varfër. Jezusi na ka paralajmëruar se në gjyqin e fundit do të na shpërblejë apo ndëshkojë duke u bazuar në ndershmërinë ndaj të uriturit, të eturit, të zhveshurit, etj.

Ndërsa Shën Jakobi i qorton të pasurit me këto fjalë: “Kujdes, tani ju, o pasanikë! …. Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. …. Ja! Paga që iu hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet; dhe ofshama e korrëtarëve arriti në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton” (Jak 5, 1-6). Dhe ishte Gjon Gojarti që tha: “Ushqe atë që po vdes urie, sepse nëse nuk e ushqen, e vret”. Kur Jezusi tha: “Skamnorët i keni gjithmonë me vete” (Mt 26, 11), Ai kështu i ka ngarkuar nxënësit e tij, domethënë Kishën e tij, me detyrë të angazhohen efektivisht për të varfrit. Nga vetë thirrja dhe natyra e saj, Kisha duhet të jetë jo vetëm mbështetësja, por edhe mbrojtësja e të varfërve. Malcolm Muggeridge, një gazetar shumë i njohur anglez, një ditë e pa Nënë Terezën në Kalkutë duke larë plagët e të gërbulurve, i çuditur i tha: “S’do të bëja diçka të tillë as për një milion dollarë”, ajo i është përgjigjur: “As unë!” Po, ishte besimi i fortë i saj që e udhëhiqte. Dhe Papa Benedikti XVI, në Enciklikën Deus Caritas Est, thotë se “Bamirësia nuk është për Kishën një asistencë shoqërore, e cila do të mund t’u lihej edhe të tjerëve, por i përket natyrës së saj, është shprehje e vetë thelbit të saj, nga e cila nuk mund të heqë dorë” (n. 25).

SITUATA NË SHQIPËRI

Caritas është paraqitur në Shqipëri pothuajse menjëherë pas rënies së komunizmit. Menjëherë është angazhuar në shumë mënyra për të ndihmuar popullin më në nevojë. Situata e Shqipërisë në fillimin e viteve 90 ka qenë e tmerrshme: një përqindje shumë e madhe e popullsisë jetonte në varfëri ekstreme, infrastruktura ishte shumë mbrapa (veçanërisht në fshatra: rrugët, spitalet, shkollat, etj). Sot situata në vendin është përmirësuar shumë. Megjithatë, çdo përparim ka sjellë me vetë edhe disa pasoja të padëshiruara. Për shembull, më kujtohet kur një person erdhi këtu në Shqipëri menjëherë pas rënies së komunizmit, dhe më tha: “Në Shqipëri nuk mund t’i drejtohesh një të pasuri dhe t’i thuash: ‘Ndihmoje fqinjin tënd që është i varfër’, sepse nuk ka të pasur”. Sot, përkundrazi, shumë shqiptarë janë pasuruar shumë! Por çfarë ka ndodhur? Është rritur shumë hendeku mes të pasurve dhe të varfërve, dhe shumica e atyre që dymbëdhjetë vjet më parë ishin të varfër, sot janë bërë akoma më të varfër. Kostoja e jetesës ka vazhduar të rritet, ndërsa pagat nuk janë rritur në mënyrë të përpjesëtueshme. Dhe papunësia është akoma shumë e lartë.

Kur erdha në Shqipëri për herë të parë, për një vizitë të shkurtër, në vitin 1993, kam pyetur një profesor: “A ndjehet shumë këtu problemi i drogës?” M’u përgjigj: “Droga bëhet problem vetëm kur populli është i pasur dhe ka mundësi ta blejë atë. Pra këtu nuk është problem fare”. Por a mund ta themi këtë gjë edhe sot? Sigurisht që jo! Qeveria demokratike në vitet ’90 kishte filluar tashmë procesin e privatizimit dhe qeveritë e mëvonshme kanë ndjekur të njëjtën politikë. Ky proces ka afruar më tepër Shqipërinë me Europën perëndimore, por kjo ka krijuar probleme të reja, mbi të gjitha për më të varfrit. Për shembull, shumë mjekë dhe mësues kanë kaluar në sektorë privatë, duke lënë një boshllëk në sektorët publikë, i cili është sektori më pranë për të gjithë, përfshirë të varfrit. Kur kam kaluar për herë të parë Krishtlindjet në Shqipëri, m’u kujtua sa shumë, në vendin tim, e qortonim popullin tonë mos të kremtojnën ato feste si viktimë konsumizmi, dhe mendoja se në Shqipëri as kishte nevojë të bëhej fjalë për konsumizëm: konsumi i tepërt as që ekzistonte në Shqipëri. Por a mund të mendojmë ashtu sot? Sigurisht se jo! Si vendet e tjera ish-komuniste, e para gjë që ka mësuar nga Europa perëndimore ishte pikërisht konsumizmi. Amerikani Francis Fukuyama deklaroi se etika e konsumimit ishte pushteti i ri për zgjidhjen e konflikteve ideologjike. Tregjet ishin bërë më tërheqës sesa politikanët; televizori me ngjyra është treguar më i pushtetshëm se Manifesti komunist.

Kapitalizmi demokratik dhe individualizmi dalin mbi çdo ideologji. Dhe këtë e kemi parë të verifikohet edhe në Shqipëri. Pak a shumë të gjithë jemi bërë viktima të këtij mentaliteti, një mentalitet që mendon vetëm për të sotmen, sigurisht jo pse është ndriçuar nga fjala e Jezusit: “Mos u shqetësoni për të nesërmen, se çfarë do të hani…”, por sepse është tërhequr nga filozofia e Oracios: Carpe diem (Gëzoju të sotmes) dhe Quid sit futurum cras, fuge quaerere (Mos kërko çfarë do të bëhet me të nesërmen). Konsumizmi është si një ungjill i ri për njeriun e sotëm. Por njeriu duhet të ungjillëzohet me fjalën e Krishtit, që na kujton se, ndërsa jemi duke ngrënë mirë në një restorant apo në shtëpi, afër nesh është ai i varfëri që quhet Lazër, që dëshiron “të ngihej me dromcat që bien nga tryeza” jonë! “Skamnorët i keni gjithmonë me ju”, na thotë Jezusi edhe sot. Dhe katolikët duhet të dëgjojnë britmën e të varfërve, britmën e atij të shkreti që quhet Lazër, i cili po kërkon pak dinjitet. Mund të jetë ai rom kundër të cilit ende ka shumë paragjykime, apo ajo grua që rrihet nga burri i saj, ose ai djalë i hedhur në mes të rrugës për të kërkuar pak lekë për të blerë një copë buke…. Kushdo që të jetë, fytyra e tij gjithmonë pasqyron fytyrën e Krishtit, i cili edhe sot thotë: “Isha uritur, e më keni dhënë të ha!”