Nderim për bindjet e të tjerëve

At Anton Harapi “Mos harroni ju, që unë jam shqiptar!

“At Anton Harapi O.F.M. asht mendje
dialektike qi shkruen kryeartikuj, ndër
të cilltë disa janë kryevepra. Dija e thell,
arsyetimi i lindun, analizimi i holle, stili
i peshuem, dallojnë gjithë shkrimet e tija.
Mund të jetë i thatë, i ftoftë, por ai asht
i drejt’ e i pafajshëm””.
Don Kolec Prennushi,
(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)

Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë,
ndër tradicione mënie midis elementave;
na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e
zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim,
me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha
e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe
ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin
e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu
për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i
sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë
që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue:
Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam
katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e
shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë
masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.
FAKTORI PSIKOLOGJIK
3. Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me
këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor.
Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo
kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi
shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e
traditat tona, nëse kje fat i madh asohere, sot, për
jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë.
Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë,
të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së
vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e
përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë
kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me
jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa
hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me
kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po
gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë,
fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq,
more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe
ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po
di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë
e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz
të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë
pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u
nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e
besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se
me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë
me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.
Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit,
por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk
i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht
fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse
shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi,
këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore
edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë tëtjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin
pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar,
i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson
as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për
Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini
a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek
për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e
të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk
ka qetësi në Shqipni!
INTELEKTUALË TË KACAGJELUEM
4. Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët
e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër ne nuk
studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme
i bihet nëpër te, merret nëpër kambë,
shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do,
nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht
çeshtjen e besimit, nuk ke të drejtë me folë, as me
dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ke qitë tharmin
e shqetësimit, je atentator i vllaznimit, i rrezikshëm
për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë
mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam
lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.
5. Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme,
shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja
familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa
shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht,
muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër
muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin,
katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma
shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të
huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por
asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e
shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti
asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit
asht të naltohemi mbi veten e mbi klanin e rrethit
tonë e të kapemi në jetën e vërtetë shoqnore. Mos
të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam
tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private,
ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë
se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen
mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen
punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë
për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit
tonë të kufizuem.
6. Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm,
për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua
vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të
tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e
veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mostë lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar
se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën
atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e
ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e
me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë.
Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin
kulturor e kombtar, por personalitetet që me
cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata,
që bajnë pikën e gravitetit në një popull. Derisa të
jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë
Shqipnia, apo se vetëm kristjanët janë nacionalistët
e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi
jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk.
7. Historia asht histori, dhe do të mbetet histori!
Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e
Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme
botnisht. Na shqiptarët as nuk mund
t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as
hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë
dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te ne shqiptarët.
Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja
nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë,
për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika,
që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë.
8. Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka
na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon:
Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë,
kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë
morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi
historinë, kemi ide, ndjesi, jetesë, zakone, kangë,
festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare
e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të
pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të
ndeshemi, të shikojshim e të anojshim me kujdes
në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me
u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!
A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim
atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në
lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin,
luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e
padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na
mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë
myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk
kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri
i tyne asht ma i vogël.
TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË
BASHKIMIN TONË
9. Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin
e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue
për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje
kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në
përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e
përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një
popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë
shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për
këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe
ndikimet fetare.
Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar
në një drejtim të vetëm, tue u naltue mbi të gjitha
brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm
ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm
këte sulm e këte rrezik.
10. Këte kontrast jete ndër ne e ushqen fortedhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa
nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e
t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë,
derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë
tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos
të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë
që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë
nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën
e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa
pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë
të fjalës, ne nuk mund të jetojmë si na përket as si
person, as si kolektivitet.
Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit
tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i
madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e
për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni
Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma
e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica
e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve
vërtetë vllaznore.
A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët?
Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e
frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë!
Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë,
po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë
të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë,
ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë
e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të
rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten
të marrun nëpër kambë.
Me gjak të vet e shuguroi Lterin e Atdheut
katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi,
Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji
e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në
mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje.
Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak
atë shka jemi: Vllazën të një gjaku! Mirditasit e
dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e
kolonjari, për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të
njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone
shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në
drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona
kombtare.Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue
edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma
me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv
të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një
popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht
i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye
të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë
përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat
e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të
mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për
historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë
arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të
mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi,
partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti
e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku
të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me
shkëndinë e përçamjeve fetare.Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për
shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin
shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet
më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që
shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia,
t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na
afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë
grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim
t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive,
të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej
fytyrës së dheut Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma
ndër kombe zani i Arbnorëve.
TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK
ZEMRE
Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të
të tre elementave na përket, për hatër të Zotit e të
Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim
dorën shoqi – shoqit e të vllaznohemi në Atë Zot
që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë
zemër. E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri
shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë
herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras,
e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia
shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën
në një Shqipni. A sot, a kurrë, të mobilizohemi
për Fe e Atdhe!
Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na
zhduket ndër duer. Bashkimi i tre klerëve në ketë
drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të
sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo,
sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë,
por as njena as tjetra pa Shqipninë. Të ngrihemi
në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni
të lumtun, na jemi vllazën!

”Korçë, Korrik 1944.
*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”,
Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.
*Shënim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton
Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht dhurue nga
Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë
fjalë nga origjinali.