Papa ka shprehur keqardhjen e tij për atentatin në Paris dhe shpjegon që vetëm duke i dashur të tjerët mund të njohim Zotin, sepse intelekti ynë nuk është i mjaftueshëm.
Nga Salvatore Cernuzio
Para së gjithash, në homëlinë e parë të Papa Françeskut për vitin 2015 në kishën e Shën Martës ekziston dhimbja për gjestin e pastër të “mizorisë njerëzore” që ka qenë atentati në Paris. Pastaj si antidot për të kontrastuar horrorin për të cilin njeriu është i aftë, Papa flet për shpresën që vjen nga dashuria e pafund e Zotit: një dashuri që na paraprin, na pret, na fal dhe që përbëhet nga vepra konkrete. Papa pasi shprehu gjithë keqardhjen e tij në altarin e Kapelës për 12 jetët e humbura, tregoi që misteri i dashurisë ka dy binare, atë të Zotit ndaj nesh dhe tonën ndaj të tjerëve. Kjo është rruga e vetme për të arritur të njohësh Zotin me të vërtetë. Siç konfirmon dhe apostulli Gjon në letrën e tij të parë, që nuk mjafton “intelekti” ynë ose “arsyeja” për të arritur Zotin. Zoti “njihet totalisht në takimin me Të”. Një takim që bëhet pasi ke përshkuar “rrugën e dashurisë”. “Zoti është dashuri”, një dashuri e arsyeshme sigurisht, e shoqëruar nga arsyeja, por gjithmonë mbetet dashuri! Dy urdhërimet e para bazohen mbi këtë doktrinë të dashurisë. I pari dhe më i rëndësishmi, na kërkon ta duam Hyjin, sepse Ai është dashuri, por për të arritur këtë duhet të ngjisim shkallët e binarit të dytë që na fton të duam të afërmin. Në fakt vetëm duke dashur të afërmin, mund të arrijmë të kuptojmë këtë dashuri të pakufi të Zotit. Kush jep dashuri, e njeh Zotit; kush nuk fal dashuri nuk e ka njohur Zotin, sepse Hyji është dashuri. Por jo një dashuri telenovelash. Jo, jo! Dashuri solide, e fortë, e përjetshme, dashuri që manifestohet në Birin e Tij, që erdhi për të na shëlbuar. Një dashuri konkrete, dashuri veprash dhe jo fjalësh. Një dashuri kaq e madhe, që për ta njohur “duhet një jetë e tërë”, “duhet një rrugë njohjeje dhe dashurie për të afërmin, dashurie për ata që na urrejnë, dashurie për të gjithë”. Ekziston pastaj një tjetër aspekt i jashtëzakonshëm: dashuria e Zotit gjithmonë na paraprin, gjithmonë arrin e para. Profeti Jeremia thotë që Zoti na don para se ne ta kërkojmë. Dashuria e Tij është si lulja e bajames që lulëzon e para në pranverë. Dhe kur ne i afrohemi Zotit nëpërmjet veprave të bamirësisë, lutjes, në Kungim, në Fjalën e Zotit, gjejmë gjithmonë një “surprizë” të bukur: “Ai është aty i pari, duke na pritur…” Na pret, na don dhe është gjithmonë i gatshëm të na falë. Dhe jo vetëm një herë, gjithmonë! Dhe për ta njohur këtë Atë plot dashuri, duhet të ngjisim shkallët e dashurisë për të afërmin, për veprat e bamirësisë, veprat e mëshirës, që Zoti na i ka mësuar. “Që Zoti në dhëntë hirin për ta njohur në rrugën e dashurisë”.