Merre vulën e dhuratës së Shpirtit Shenjtë

Predikimi i ShT. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Tiranë-Durrës në kremtimin e Festës së Rrëshajeve

Shumë të dashur vëllezër e motra, Kemi mbyllur kohën e hirit të pashkëve, kohë në të cilën kemi përjetuar afërsinë e të ringjallurit me kishën e tij, dhe tani përjetojmë me besim të vendosur, me shpresë të gjallë dhe me dashuri të përkushtuar frytet e përvojës së pashkëve të Zotit tonë. I gjithë predikimi i krishterë zë fill tek ngjarja e madhe e kryqit dhe e ringjalljes së Jezusit dhe është veprues në sajë të Shpirtit të Shenjtë të Hyjit, që e bën kishën e tij dëshmitare të guximshme dhe të shenjtë të Krishtit. Rrëshajët janë pikërisht ky përjetim i mrekullueshëm i fuqisë së Shpirtit të Hyjit që ripërtërinë tërë jetën e besimtarëve dhe themelon virtytin teologal të shpresës në përtëritjen tërësore të krijimit falë ngjarjes shpëtimtare të pashkëve. Në misteret e jetës së Krishtit na është zbuluar misteri i Hyjit dhe i njeriut njëherësh. Ai na ka bërë të njohim Trininë e shenjtë, një Hyj afër njeriut dhe për njeriun. Kisha është shëmbëllim dhe Tempulli i Trinisë, prandaj nuk mund të mos kundrojë misterin e Hyjit me të cilin ushqehet për të qenë në botë shenjë e shpresës së qiellit. Si e tillë ajo kundron misterin e Atit, i cili që nga amshimi ka shestuar për botën bashkësinë e jetës me të dhe udhën e shpëtimit. Figura e Atit qiellor është figura e një Hyji që e do njeriun deri në fund, por që në dashurinë e tij, respekton lirinë e njeriut, duke pritur me durim kthimin e të gjithëve pikërisht siç pret në ungjillin sipas Lukës kthimin e djalit plangprishës. Ai është Ati i mëshirës dhe i faljes. Bota e sotme ka shumë nevojë për mëshirë dhe për falje. Shoqëria jonë shqiptare ka shumë nevojë për mëshirë dhe për falje, prandaj Ati që na zbulon Jezu Krishti duhet të jetë gjithmonë frymëzim i tërë jetës dhe veprimtarisë sonë. Ai është Ati i pritjes dhe i durimit. Pritja dhe durimi janë virtyte gjithnjë e më të ngutshme në shoqërinë tonë. Mendësia e zgjedhjes së menjëhershme të të gjitha problemeve është mendësia e ankthit. Shpesh herë këtu në Shqipëri ngadalësia e përgjigjeve, problemet burokratike, pengesat në proçeset ligjore, rrezikojnë të na vënë nën ankth dhe të na shkurajojnë. Pritja e shumë përgjigjeve të ngutshme do të ishte tmerrësisht lodhëse po të mos kishim atë besim që na vë në kontakt me Atin Qiellor, misionin e të cilit ne jemi të ngarkuar ta mbajmë në këtë botë në emrin e Birit të tij të amshuar.

Ati i Jezusit, pra, është Ati ynë dhe i të gjithë atyre që besojnë në Jezusin, dhe ai është ngushëllimi ynë në çdo kohë. Por është Biri ai që na zbulon vullnetin e Atit dhe është ai rruga për tek Ati. Në ungjillin sipas Gjonit, Jezusi u thotë të vetëve vazhdimisht: qëndroni me mua. Dishepujt e vërtetë të Krishtit janë ata që qëndrojnë në Krishtin, dhe të qëndrosh në Krishtin do të thotë të jetosh jetën e tij, do të thotë të jetojmë deri në fund atë që është mbjellur në ne në pagëzim. Biri është shëmbëllimi i Atit dhe ne si kishë duhet të zbulojmë dhe të shpallim Krishtin si këtë rrugë të vetme të shpëtimit. Po bëhen njëzet e katër vjet liri fetare në Shqipëri, kisha ka përjetuar në këtë vend ngjarje të mrekullueshme, por gjithmonë kemi nevojë të njohim më nga afër Krishtin dhe të çojmë sa më shumë njerëz tek ai. Urgjenca e ungjillëzimit është gjithnjë në rritje, sepse njerëzit e sotëm janë të habitur pas shumë gjërave të tjera që nuk i lënë vend ungjillit në jetën e tyre. Por për të njohur Krishtin kemi nevojë për Shpirtin e tij. Krishti u thotë apostujve të vet se do të dërgojë Shpirtin e së vërtetës, i cili do t’i udhëheqë tek e vërteta. Dhe e vërteta është se Hyji e ka shpëtuar botën, e ka mundur urrejtjen, mëkatin dhe rrjedhojën e tij të skajshme që është vdekja, dhe ka nisur me ne një histori të re. E vërteta është Krishti i kryqëzuar dhe i ringjallur.

Pikërisht ngaqë është Shpirti i së vërtetës, ai është Shpirti i shenjtërisë. Si kishë duhet të kujtojmë atë që na ka theksuar me forcë Konçili i Vatikanit II që të gjithë të pagëzuarit janë të thirrur të marrin pjesë në shenjtërinë e Zotit me shenjtërinë e jetës së tyre. Nëse nganjëherë duket se mëkati na mund, Shpirti i Shenjtë na kujton dashurinë e Hyjit dhe na vendos në Krishtin, ku nuk ka fuqi as mëkati, as vdekja. Tundimet dhe sfida që bota i paraqet besimit janë këto të dyja: ose të heqë fare ndjenjën e mëkatit, ose të paralizojë vullnetin për të kërkuar dhe për të marrë faljen e Hyjit dhe të të tjerëve. Ne e dimë se mëkati ekziston dhe rrënon nga të gjitha anët, por dimë edhe rrugën e daljes nga mëkati që është besimi në Krishtin dhe jeta e re që ai na jep.

Shpirti i Hyjit na mëson këto gjëra dhe na bën t’i përjetojmë në liturgji. Sakramentet janë ushqimi ynë i përditshëm së bashku me thellimin e njohjes së fjalës së Hyjit dhe takimin me njerëzit që ai ka dashur dhe shpëtuar. Kisha, pra, ne të gjithë, jemi popull i mbledhur në emër të Trinisë së shenjtë. Këtë aspekt trinitar të kishës e ka nxjerrë në pah Konçili i Vatikanit II duke cituar Etërit e Kishës për të edukuar vetëdijen e shëmbëllimit hyjnor që mbart kisha. Sot, një ditë pas solemnitetit të Rrëshajëve, kundrojmë misterin e kishës misionare si ajo që shpall ungjillin e Krishtit dhe pagëzon ata që besojnë në emër të Atit, e të Birit e të Shpirtit Shenjtë. Por, të jesh nxënës i Krishtit në kishën e tij, do të thotë të jesh i gatshëm t’u përgjigjesh kërkesave të ungjillit dhe të misionit që ungjilli u jep atyre që e përqafojnë. Pali thotë në leximin e parë: “mos e lëni pa fryt hirin që morët prej Hyjit”.

Hiri i shpëtimit është hiri i një jete të re që duhet të japë fryt. Të krishterët duhet të vënë në praktikë dashurinë që kanë marrë prej Hyjit dhe të bëjnë vepra të mira që shndërrojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve. Gjithçka që duket humbje në sytë e botës, është fitore për të krishterët, sepse ata marrin pjesë në fitoren e Krishtit. Për sytë e botës mbetet paradoks jeta e krishterë. Shën Pali e ka sjellë më së miri në fjalë këtë paradoks në leximin e parë: “të mbajtur për gënjyes, e pra të vërtetë; si të panjohur, e pra të njohur mirë; si ata që janë duke vdekur, e pra jetojmë; porsi të ndëshkuar, por jo të vrarë, porsi të trishtuar, e përkundrazi, gjithmonë të gëzuar; porsi skamnorë, e pra bëjmë të pasur shumë; si ata që nuk kanë asgjë, e kemi gjithçka”.

Besimi na jep një jetë të re dhe kritere të reja për të parë ku qëndron jeta e vërtetë. Edhe në ungjill Krishti shpall ligjin e ri të dashurisë si udhën e jetës në besim. Ligji i vjetër i drejtësisë pa mëshirë nuk ka më fuqi për ata që besojnë në pafundësinë e mëshirës së Zotit. Mëshira dhe dashuria mund të jenë shpëtimi nga varfëria e jetës. Ai që do dhe përdor mëshirën mund të ngrejë në këmbë drejtësinë e rrëzuar për shkak të mëkatit. Pikërisht për këtë arsye kisha është sakrament i dashurisë dhe i mëshirës.

Shumë të dashur meshtarë, rregulltarë dhe rregulltare, unë e di se ju i jetoni ditë për ditë sfidat dhe kërkesat qoftë të shoqërisë sonë qoftë të ungjillit, por asnjëri nga ne nuk mund dhe nuk duhet të heqë dorë nga themelimi në fe i ekzistencës sonë. Pa besimin e gjallë, pa fenë e patundshme, do të na duhet të përplasemi me kufizimet tona dhe të mbesim pa energji e pa rrugëdalje. Hyji e ka dërguar Krishtin në botë për të na tërhequr tek vetja, dhe Krishti na ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë për të na udhëhequr në shtegtimin tonë. Virgjëra Mari, nëna e Hyjit, qoftë shoqëruesja jonë në këtë ecje sa të mundimshme aq të bekuar dhe plot me hire! Amen.