Katedralja e shën Palit – Tiranë, 25 mars 2014
Predikimi i Sh.T. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Arkidioqezës Tiranë – Durrës në Kremtimin e Meshës Shejte në ditën e Lajmërimit të Zotit dhe përshëndetjes me truporen e Zojës Fatima.
Shumë të dashur vëllezër e motra, Gjatë këtyre ditëve kemi pasur hirin të bënim një pjesë të udhëtimit kreshmor me Marinë, e cila u bë bashkudhëtarja jonë në shenjën e shtatores së Zojës së Fatimas. Gjatë kreshmëve përjetojmë afërsinë e Hyjit. Në Krishtin Hyji e përqafon njerëzimin e vuajtur dhe udhëheq me durim çdo njeri, përmes vuajtjes dhe vdekjes, drejt gëzimit të plotësisë së jetës: drejt pashkëve.
1. Afërsia e Hyjit! Në Ungjillin e sotëm Luka na paraqet skenën e mrekullueshme, në të cilën bie në sy befasia e takimit të Marisë së Nazaretit me lajmëtarin hyjnor. Engjëlli Gabriel i thotë Marisë: “Zoti është me ty”. Lajmi i Mirë, Ungjilli, përmblidhet në këtë kumt: Zoti është me ty. Po, Zoti është me gratë dhe burrat e kësaj bote, në Birin e mishëruar. Ai e përqafon tërë ekzistencën njerëzore, që nga ngjizja deri në vdekje. Në festën e sotme shikojmë Marinë dhe vërejmë tek ajo durimin e Hyjit me ne. Shikojmë Marinë dhe kujtohemi për këtë të vërtetë: Zoti është me ty. Por, si është ky Hyj-afër, Hyji-me-ne? Luka vëren se “kjo fjalë e shqetësoi Marinë”. Afërsia e Hyjit mund të jetë shkak shqetësimi, nëse mendojmë madhështinë e tij dhe vogëlsinë tonë, lavdinë e tij dhe mjerimin tonë, shenjtërinë e tij dhe mëkatin tonë. Mendojmë se doshta do të ishte më mirë nëse një Hyj kaq i ndryshëm do të rrintë larg nesh. “Nuk do të kërkoj kurrë një shenjë” thotë Akabi në leximin e parë. Shenja e Hyjit e shqetëson njeriu dhe Maria u shqetësua shumë. Ky paradoks ndodh shpesh në jetën e njerëzve: do të donim që Hyji të ishte afër, por sapo dikush, dikush që ka autoritetin e engjëllit Gabriel, na thotë: Zoti është me ty, mbesim të shqetësuar. Njeriu jeton ndërmjet nevojës për ta atëherë, çelësi që na e ha kuptimin e afërsisë së Hyjit?
2. Gëzimi: «Gëzohu, Mari!». Lutja e lashtë «Të falemi Mari», duke e zëvendësuar foljen «gëzohu» me «të falem», ka rivendosur, në një farë mënyre, largësinë ndërmjet Hyjit dhe Gruas. Fjala e parë engjëllit: «gëzohu!», mund të shihet jo aq shumë si rrjedhojë e faktit se Zoti është me gruan e re nga Nazareti, sa si kushti në bazë të të cilit Hyji vjen afër nesh. Nëse përpiqemi ta kuptojmë më thellë këtë përshëndetje, mund ta lexojmë kështu: engjëlli nuk thotë: gëzohu, sepse zoti është me ty, por: gëzohu dhe atëherë Zoti është me ty. Gëzimi nuk është vetëm fryti i afërsisë së Hyjit, por edhe dera nëpërmjet të cilës ai hyn në jetën e njerëzve. Gëzimi, hareja, lumturia, është ajo etje e thelë për jetë, që gjendet në shpirtin e çdo njeriu, sepse Hyji e ka krijuar njeriun për të qenë i lumtur. Duke qenë se njeriu mund ta arrijë vetëm me Hyjin atë për të cilën është krijuar, engjëlli i kërkon vajzës së re nga Nazareti t›ia hapë zemrën gëzimit, domethënë ta njohë planin e Hyjit dhe të dëshirojë ta ndjekë, sepse kështu Zoti do të jetë me të. Njeriu është i aftë për gëzim dhe Hyji është gëzim, gëzim i vërtetë dhe i plotë. Ne e shohim shpesh Marinë si Nënën e Dhimbshme. Me të drejtë, sepse ajo ka mbledhur në zemrën e vet tërë thellësinë e dhimbjes së Birit dhe shoqëron me praninë e vet amnore ecjen e dhimbshme të çdo njeriu. Megjithatë, nuk duhet të harrojmë ta thërrasim në ndihmë edhe si Shkakun e Gëzimit tonë, sepse është e para grua që e ka pranuar plotësisht lajmin e gëzueshëm. Ajo e ka ngjizur Jezusin në gëzimin e zemrës së saj dhe me forcën e këtij gëzimi ka përballuar dhimbjet, ka përqafuar kryqin e Birit dhe ka pritur me durim ringjalljen.
3. Sot e kremtojmë këtë eukaristi me një grup meshtarësh dhe laikësh të angazhuar për t›ua shpallur gëzimin e Ungjillit të rinjve universitarë në të gjithë Evropën. Përshëndes me përzemërsi Arqipeshkvin e Vuxhit, Sh. T. Marek Jedrashevski, kryetar i komisionit të Këshillit të Konferencave Ipeshkvore Evropiane për baritoren universitare në të gjithë Evropën. Me të njëjtën përzemërsi përshëndes Sh. T. Anton Jamnik, ipeshkëv ndihmës i Ljubjanës, dhe secilin pjesëmarrës në këtë takim, që mbyllet sot. Tema e përsiatjes së këtyre ditëve: «Gëzimi i jetës. Çfarë është?», përkon me solemnitetin e sotëm. Të dashur miq të baritores universitare, ju jeni të thirrur për t›u shpallur të rinjve universitarë gëzimin e Ungjillit me të njëjtat fjalë me të cilat engjëlli Gabriel ia shpalli Marisë: Gëzohu! Zoti është me ty; për t›u shpallur gëzimin, që ata të mund të ngjizin Hyjin në jetën e tyre. Shumë shpesh të rinjtë e shikojnë fenë e krishterë nga larg pikërisht sepse kemi krijuar përshtypjen se angazhimi serioz i fesë paguhet me dhimbje. Sigurisht, shpesh herë është e vërtetë se feja na çon nëpër shtigje të dhimbshme. Toka jonë është tokë martirësh: shumë meshtarë, rregulltarë, rregulltare, burra e gra kanë derdhur gjakun për Krishtin dhe për dashuri ndaj vëllezërve, por forca për t›u martirizuar buronte nga gëzimi që kishin në zemër. Në fillim është gëzimi, gëzimi i Hyjit me ne, pastaj angazhimi, i cili mund të jetë edhe i lodhshëm dhe i dhimbshëm. Gëzimi nuk është fryti i dhimbjes, por forca për ta përballuar dhimbjen, ndjenja e sigurisë se, nëse «Zoti është me ty», mund të tejkalohet çdo situatë e dhimbshme. Maria e mori lajmin e gëzimit të moshë të re, atëherë t›ia besojmë asaj shërbesën tuaj, duke iu lutur që t›ju shoqërojë në udhën tuaj, sikurse edhe udhën e të gjithë të rinjve që do të takoni.
4. Maria u shqetësua nga lajmërimi i engjëllit: «Si është e mundur? Nuk njoh burrë». Hyji që lajmëron gëzimin është po ai Hyj që edhe e realizon. Në delikatesën e tij të madhe, kërkon vetëm lejen tonë. Pastaj vepron vetë.: «Mbi ty do të zbresë Shpirti i Shenjtë dhe fuqia e të Tejetlartit do të të mbulojë me hijen e vet. Ai që do të lindë do të jetë i shenjtë dhe do të quhet Biri i Hyjit». Nëse Hyji kërkon nga ne më shumë sesa ne mund të bëjmë, nuk e bën për të na detyruar të kryejmë të pamundurën, por për ta hapur zemrën ndaj gjërave të pamundshme që ai i realizon, nëse e presim me besim fjalën e tij. Maria është ikona e fesë, ikona e besimit, sepse fjalës së pamundur të Hyjit i përgjigjet: «Unë jam shërbëtorja e Zotit. U bëftë në mua sipas fjalës sate». Jeta e saj është jetë me Fjalën. Dhëntë Zoti që edhe në ne të ndodhë sipas Fjalës së tij, që të kemi kështu gëzimin e plotë. Amen.