Lutja e mbrëmësores në Katedralen e shën Palit

Lutja e mbrëmësores në Katedralen e shën Palit Bergoglio “prek” dy martirë dhe përmallohet

Në takimin me meshtarët, rregulltarët dhe seminaristët në Katedralen e shën Palit, Papa ka dëgjuar edhe dëshminë e dy viktimave të persekutimit komunist. Pas këtij momenti, e lë mënjanë predikimin që kishte përgatitë dhe fillon të flasë me fjalë që në atë çast i burojnë nga zemra.

Në të vërtetë ishte një himn kurajot dhe ngushëllimit fjala e shpallur prej Atit të Shejtë në Katedrale pas dëshmisë së dy martirëve të gjallë që i rezistuan persekutimit të egër komunist.

Papa PershendetGjatë kremtimit të Vesprit, Papa dëgjoi me sy të përlotur dëshminë e meshtarit Dom Ernest Troshani dhe të murgeshës Stigmatine Motër Marie Kaleta. Dy shembuj këta mes shumë meshtarëve dhe murgeshave që e kanë paguar me çmim të shtrenjtë besnikërinë e tyre ndaj Krishtit. Duke i dëgjuar direkt prej gojës së tyre dramën dhe vuajtjet e kaluara ka qenë një emocion i tillë për Papën saqë e ka lënë mënjanë predikim e përgatitur dhe ka filluar të flasë spontanisht, i shtyre prej përmallimit dhe prej “surprizës”që pati rastin të prekë me dorë vuajtjet e popullit tonë.

“Unë kam përgatitë disa fjalë për ju, për t’jua thënë sot, por do t’ja dorëzoj Arqipeshkvit që ai t’jua japë juve. Por tani, më erdhi t’ju them diçka tjetër…” – u shpreh në këtë moment Ati i Shejtë. “Në këta dy muaj, jam përgatitë për këtë vizitë, duke lexuar diçka mbi Historinë e persekutimit në Shqipëri. Për mua ka qenë një surprizë: unë nuk e dija se populli i juaj ka vuajtur kaq shumë”. Për Atin e Shejtë gjithashtu ka qenë një surprizë të shihte sot gjatë rrugës prej aeroportit e deri në sheshin Nanë Tereza gjithë ato fotografi martirësh të varura përgjatë rrugës. “Shihet mirë se ky popull e mban ende të gjallë kujtimin e martirëve të tij, të atyre që aq shumë kanë vuajtur!’, është shprehur Ati i Shejtë. Dhe duke ju marrë goja prej emocionit shprehet se sot kam prekur me duar e mia dy prej tyre. “Ajo çka unë mund t’ju them me fjalët e mia, është vetëm ajo çfarë ta kanë shprehur me jetën e tyre, me fjalët e tyre të thjeshta… i tregonin gjërat me shumë thjeshtësi… por me shumë dhimbje!”.

Duke reflektuar mbi fjalët e dy dëshmitarëve të gjallë pyetja e cila lind natyrshëm është: “Si ja kanë arritur që ti mbijetojnë asaj vuajtje aq të madhe?”. Përgjigja është në rreshtat e leximit të Mbrëmësores në të cilat shën Pali u drejtohet Korintasve: “Qoftë bekuar Hyji, Ati i Zotit tonë Jezu Krishtit, Ati i mëshirshëm dhe Hyj i cdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në cdo mundim, në mënyrë që edhe ne të mund ti ngushëllojmë ata që gjenden në çfarëdo mundimi, me të njëjtin ngushëllim me të cilin kemi qenë ngushëlluar nga Hyji”.

Thjesht ka qenë Ati i Amshuar që i ka ndihmuar shumë meshtarë, rregulltarë, të shuguruar dhe laikë për ti bajtur vuajtjet e një kombi i cili “ka dashur të vrasë Hyjin”. “Kanë vuajtur shumë” shprehet Papa Francesku, “kanë vuajtur fizikisht, psikologjikisht edhe ankthin dhe pa sigurinë: do të pushkatoheshin shpejt apo jo… Dhe jetonin çdo ditë me këtë ankth! Dhe Zoti i ngushëllonte”. I ngushëllonte ashtu sikurse dhe ka bërë shekuj më parë me shën Pjetrin “i lidhur në zinxhirë” në burg, ndërsa “gjithë Kisha lutej për të”. Është pikërisht ky “sekreti”: “Zoti ngushëlloi Pjetrin, edhe martirët e edhe këta që sapo i dëgjuam, sepse, shpjegoi Papa- “kishte njerëz në Kishë , populli i Hyjit, plakat e shenjta dhe të mira, shumë motra të klauzurës që luteshin për ta. Është “misteri” i Kishës: kur ajo “i kërkon Zotit që ta ngushëllojë popullin e tij”, Ai “ngushëllon me përvujtëri, edhe në mënyrë të fshehtë”, “ngushëllon në intimitetin e zemrës dhe ngushëllon me forcë”.

Dhe vetëm prej Tij vjen “ngushëllimi i vetëm”. Pra “mjerë ne, shton Papa – nëse kërkojmë tjetër ngushëllim!”. Mjerë priftent, meshtarët, rregulltarët, murgeshat, novicët apo të shuguruarit nëse e kërkojnë ngushëllimin larg prej Zotit! Unë nuk dua ‘t’ju rrahi me shkop’ sot e… Unë nuk dua të bëhem xhelati i juaj këtu; por ta dini mirë, nëse ju e kërkoni ngushëllimin në vende të tjera, nuk do të jeni kurrë të lumtur. Dhe duke e ngritur disi tonin e zërit shprehet se: “nuk do të mund të ngushëlloni kurrë askënd, sepse zemra e juaj më përpara nuk i është hapur ngushëllimit të Zotit. E si përfundim, sikurse thotë dhe Elia i madh i popullit të Izraelit. ‘do të çaloni me të dyja këmbët’”. Pra “qoftë bekuar Hyji Atë, Hyji i çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në çdo mundim…” i përsëritë përsëri fjalët e leximit Ati i Shejtë. “Këtë gjë e kanë bërë këta të dy sot, me përvujtëri, pa pretendime, pa krenari, duke na ngushëlluar të gjithë neve” dhe duke na thënë “jemi mëkatnorë! Por, Zoti ka qenë me ne: kjo është rruga. Mos të shkurajohemi!”. “Ju kërkoj faljes, pse ju përdora si shembull sot – përfund Papa duke ju drejtuar priftit dhe murgeshës – por të gjithë duhet të jemi shembull për njëri tjetrin”. Pra, përfundon, “te shkojmë në shtëpi duke menduar mirë: sot i kemi prekur martirët”.