HOMELIA NË FUNERALIN E IMZOT RROK MIRDITËS
10 DHJETOR 2015

Afërsisht para gjashtëdhjetë vitesh, një filozof marksist i famshëm, Ernst Bloch, ka shkruar një libër në të cilin bëhet fjalë se ishte larguar nga mësimi i Karl Marksit për sa i përket besimit. Besimi, sipas Bloch, nuk është aspak opiumi i popujve. Përkundrazi, shpreh “protestën” e popullit, sepse çon në qiell ëndrrat më të bukura të njeriut: ëndrrat për një botë më të mirë dhe më të denjë për njeriun. Mesazhi i Ungjillit, në mendimin e Bloch, orienton për ta futur njeriun në ecjen drejt një toke të re.
Dhe unë besoj se historia e Shqipërisë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të njëzet tregon sa i vërtetë është ky pohim i Ernst Bloch-ut. Pas gati një gjysmë shekulli, gjatë të cilit komunizmi anti-teist u përpoq të vriste Perëndinë, ndjenja fetare e popullit shqiptar mbeti shumë e fortë. Dhe prania jonë sot në këtë Kishë Katedrale është prova se një gjysmë shekulli i atij anti-teizmi militant nuk mjaftoi për ta shuar ndjenjën fetare të popullit shqiptar. Kjo Katedrale ngrihet përballë një monumenti të ndërtuar nga ata që deshën ta’ vrisnin Zotin. Dhe sot po kremtojmë hyrjen në jetën e amshuar të atij që ka ndërtuar këtë Katedrale.
Dy gjëra na bashkojnë në këtë kremtim të sotëm. Së pari, besimi ynë. Së dyti, respekti për një person të veçantë.
Na bashkon besimi, sepse ne nuk jemi të nënshtruar ndaj vdekjes, nuk besojmë në vdekjen, por në ngjalljen. Në Ungjillin që sapo dëgjuat bëhej fjalë për një person të veçantë, për një person që ishte biri i Hyjit, por u bë njeri krejt si ne (me përjashtim vetëm të mëkatit), pra i nënshtruar, edhe ai, ndaj mjerimit të vdekjes. Po, edhe ai, Jezu Krishti, pranoi vdekjen, por vetëm për ta shndërruar rrënjësisht fizionominë e saj. Duke ngadhënjyer mbi vdekjen, duke u ngjallur, ai e ndryshoi fizionominë e vdekjes duke i dhënë trajtën e kalimit për një jetë të re. Në leximin e parë, Isaia, profet i madh shprese, që nga koha e disa shekujve para Krishtit na i forcoi zemrat tona me këto fjalë: Zoti “do ta zhdukë vdekjen … e nga çdo fytyrë do të fshijë lotin … Dhe do të thuhet po atë ditë: ‘Ja, ky është Hyji ynë! Në të shpresuam, Ai na shpëtoi!’”
Dhe pikërisht sot, ne na bashkon respekti ndaj një personi që na ka dashur dhe që e kemi dashur. Prania jonë këtu sot shpreh mirënjohjen ndaj Imzot Rrokut dhe njëkohësisht mirënjohjen ndaj Zotit që na e ka “dhuruar”. Shën Pali thotë: “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë”, sepse “atë që njeriu mbjell, atë edhe do të korrë”. Janë fjalë që na sjellin ndërmend përgjegjësinë tonë për të përdorur dhuratën e kohës duke u përpjekur të bëjmë mirë, duke i shërbyer Zotit dhe popullit të Zotit. Prandaj po e falënderojmë Zotin jo vetëm për 76 vjet që i ka dhuruar Imzot Rrokut, por edhe se gjatë kësaj periudhe kohore Perëndia iu zbulua atij si Zoti i historisë vetjake, duke i qëndruar fare pranë, dhe duke qenë pa masë bujar ndaj tij.
Jeta e Imzot Rrokut mund të dallohet në tri faza kryesore. Faza e parë përmban jetën e kundruar brenda familjes Mirdita në Ulqin, para se të bëhej prift. Ai ishte shumë krenar për mjedisin familjar në të cilin lindi dhe u rrit. Mësuesit e tij të parë, pa dyshim, qenë prindërit. Ishin ata të parët që e shoqëruan në njohjen e Jezu Krishtit.
Faza e dytë përmban tërë jetën e tij si prift, para shugurimit të tij ipeshkvor. Para pesë muajve ne përkujtuam përvjetorin e 50-të të shugurimit të tij priftëror. Si një prift shumë i ri, Dom Rroku shërbeu në dioqezën e Tivarit, në Mal të Zi, ku qe administrator dhe famullitar. Më vonë nga Arqipeshkvi i Tivarit u dërgua në New York për t’i shërbyer diasporës katolike shqiptare në Bronx. Atje shërbeu pranë Qendrës “Zoja e Këshillit të Mirë” dhe ndër tjera themeloi edhe programin radiofonik fetar “Zëri i Kishës Katolike Zoja e Shkodrës” për New York e rrethe.
Faza e tretë e jetës së Imzot Mirditës përfshin këto 22 vitet e fundit gjatë të cilave ka shërbyer si ipeshkëv. I shuguruar ipeshkëv nga Papa Gjon Pali II gjatë vizitës së këtij në Shqipëri në prill 1993, menjëherë u angazhua për ndërtimin e bashkësisë katolike në dioqezën që iu besua. Mund të themi se Imzot Mirdita qe instrumenti i dobishëm në duart e Zotit për rilindjen e Kishës në këtë dioqezë. Gjatë episkopatit të tij tregoi një dashuri të madhe ndaj Shqipërisë dhe ndaj shqiptarëve. Dhe u angazhua shumë për marrëdhëniet dhe dialogun ndërfetar.
Shkrimet e Imzot Mirditës në tri vëllime Për një Shqipëri me Zotin në aspektin historik kanë një rëndësi të jashtëzakonshme. Sepse Imzot Rrok Mirdita e shoqëroi lindjen e Kishës në Shqipëri, dhe veçanërisht në Arkidioqezën e vet, Tiranë-Durrës. Sot kjo Arkidioqezë përjeton moshën e pjekurisë, është njëzetedyvjeçare: është ende në pranverën e jetës. E kur një nënë e sheh birin e saj në këtë moshë, shpesh kujtohet se, njëzetedy vjet më parë, e kishte lindur këtë djalë në vuajtje. Kjo ishte edhe eksperienca e Imzot Rrok Mirditës në lindjen e dioqezës së vetë.
Që nga fillimi i mandatit si ipeshkëv dioqezan, Imzot Mirdita vuri në dukje nevojën e një ungjillëzimi të ri për Shqipërinë. Për këtë ai shkruante: “misioni i Kishës është t’i shpallë botës Hyjin dhe dashurinë e tij shpëtimtare të shfaqur në Jezu Krishtin…. Një kishë që jeton në dëgjesën e Ungjillit dhe e shpall atë, është kishë në shërbim të shoqërisë”. Dhe në fakt, gjatë këtyre viteve si Arqipeshkëv, ai pati kënaqësinë të pranojë në dioqezën e vet shumë misionarë që e zbatuan dhe ende zbatojnë mision fisnik të ungjillëzimit.
Ipeshkvi udhëheq Kishën në atë dashuri që na bashkon në një popull. Gjatë homelisë në përvjetorin e parë të kushtimit të kësaj Kishe Katedrale (më 25 janar 2003) Imzot Rrok Mirdita tha: “Unë e shoh me gëzim dhe hare se kjo Katedrale e gjallë, që jeni ju, rritet dhe bëhet çdo ditë më e bukur, më mikpritëse, më e dashur”. Predikimet dhe shkrimet e Imzot Mirditës tregojnë afërsinë e tij me grigjën që i ishte besuar, dhe angazhimet e tij për këtë grigje. Lutja e Jezusit para mundimeve dhe vdekjes: “Që të jenë një” – ishte si “testamenti shpirtëror” i Jezusit, trashëgimi që ai na ka lënë. Dhe pikërisht këto fjalë janë të shkruara edhe në stemën e Arqipeshkvit tonë, në latinisht: “Ut omnes unum sint”. Lutja dhe dëshira e Krishtit u bë lutja dhe dëshira e Ipeshkvit.
Kur Jezusi foli me një farë Nikodemi dhe i tha se njeriu duhet të rilindë, Nikodemi u habit: “Si është e mundur?” – iu përgjigj. Deri në atë kohë sigurisht që Nikodemi nuk e dinte se ka një lindje trupore për jetën natyrore dhe një rilindje shpirtërore për jetën mbinatyrore. Ndoshta Nikodemi nuk mund të dinte se besimtarët e Zotit nuk “plaken” kurrë. Vetë Zoti nuk “plaket”: është gjithmonë i ri, sepse gjithmonë punon dhe ndërton, madje Ai ndërton dhe rindërton botën me anën e dashurisë. Më kujtohet një këngë angleze shumë popullore e fëmijërisë sime, në të cilën thuhet: “You will never grow old while there’s love in your heart”. Që do të thotë: “Ti nuk do të plakesh kurrë përderisa ke dashuri në zemrën tënde”.
Sa shumë të rinj në moshë janë thuajse të vdekur në shpirt! Dhe nga ana tjetër sa njerëz takojmë ne, gjatë jetës sonë, që ndonëse mund të jenë të shtyrë në moshë, mbeten ende të rinj në shpirt! Kështu mund ta klasifikojmë edhe Imzot Mirditën: i shtyrë në moshë, po, por i ri në shpirt. Karakteri i tij, gëzimplotë, e afronte shumë tek njerëzit. Dhe ai kishte gjithmonë fjalën e ngushëllimit, kishte këshillën e mirë për të gjithë ata që i afroheshin për çfarëdolloj problemi.
Dua të përfundoj me dy fjalë të thjeshta, personale. Unë ndihem shumë i privilegjuar për faktin se kam punuar fare pranë dhe ngushtësisht me Imzot Rrok Mirditën përgjatë këtyre 17 viteve të fundit: 8 vjet si vikar i përgjithshëm, dhe 9 vjet të tjera si edhe ipeshkëv ndihmës. Kam mësuar shumë nga ai, dhe gjithmonë në mënyrë të ndërsjellët kemi treguar shumë respekt për njëri tjetrin. Dhe sot dua t’i them: “Nëse, pa dashje, mund të kem shkaktuar ndonjë dhimbje, të kërkoj ndjesë; dhe të falënderoj përzemërsisht për tërë besimin që gjithmonë ke treguar ndaj meje pa e merituar”.
Sot ti mund të na tregosh të gjthë neve të njëjtat fjalë që Shën Pali, në pleqërinë e vet, i kishte thënë Timoteut dhe që i kemi dëgjuar në leximin e dytë: “Luftën e mirë e luftova, vrapimin e kreva, fenë e ruajta. Që tani më pret gati kurora e drejtësisë, që atë Ditë do të ma japë Zoti, Gjykatësi i drejtë”.
Pusho në paqe, i dashur Rrok. Në emrin tim si edhe në emrin e të gjithë këtyre të pranishëm këtu dhe të besimtarëve të dioqezës sonë, të përshëndes dhe të them nga zemra: Faleminderit! Faleminderit shumë!