Lëvizja për Jetën – Thuaj PO Jetës!

Mons. Filip Rajlli në Shqipëri

Nga Katerina Kimete Klenia

Mons. Filip Rajlli, njëri prej organizatorëve dhe aktivistëve më të mëdhenj të Lëvizjes për Jetën në SHBA dhe në mbarë botën, qëndroi për një vizitë 1-javore në Shq‑ ipëri, në datat 12 deri 18 mars. Kjo është vizita e dytë e tij në vendin tonë, pas vizitës 2-ditore në maj të vitit 2011, e cila përnxiti hapjen e dy Qendrave për Jetën, një në Tiranë dhe një në Lezhë. Meshët e përjavshme të kremtuara për mbrojtjen e jetës dhe vigjiljet e përmuajshme të lutjes për jetën janë bërë pjesë e jetës së kishës gjatë këtyre 3 viteve të fundit në vendin tonë. Është ky realitet i ri që po e sjell gjithmonë e më shumë në vëmendjen e publikut të gjerë çështjen e rëndë të abortit dhe po e ndërgjegjëson atë gjithmonë e më shumë lidhur me pasojat fizike dhe shpirtërore që sjell ai. Caritas Dioqezan Tiranë-Durrës është organizatori i vizitës së Mons. Rajllit dhe një falënderim i madh i shkon Dr. Majlinda Gjonit për të gjitha organizimet e takimeve dhe Arqipeshkvit Rrok Mirdita për mikpritjen bujare dhe përkrahjen e lëvizjes për mbrojtjen e jetës që në hapat e parë të zhvillimit të saj në vendin tonë. Dyert e dioqezave të tyre i hapën edhe Arqipeshkvi Angelo Massafra, Imzot Ottavio Vitale, Imzot Luçian Augustini, Imzot George Frendo, të cilët me një kujdes të veçantë baritor u përkujdesën që besimtarët e tyre të mësonin edhe më shumë për çështjen e mbrojtjes së jetës nga përvoja e gjatë dhe e çmueshme e Mons. Rajllit. Qëllimi kryesor i kësaj vizite të Mons. Rajllit në Shqipëri ishte ndërgjegjësimi i klerit dhe të kushtuarve në vendin tonë lidhur me rëndësinë e veprimit tonë si kishë në mbrojtje të jetës. Agjenda e takimeve, gjatë 5 ditëve (13-17 mars), ka qenë shumë e ngjeshur dhe këtu do t’i sjellim veprimtaritë e zhvilluara në mënyrë kronologjike, që të pasqyrojmë sa më mirë qëndrimin e tij në mesin tonë.

13 mars – Takimi i përmuajshëm i meshtarëve dhe rregulltarëve e rregulltarëve të Dioqezave të Lezhës dhe Rrëshenit në Shënkoll të Lezhës.

Imzot Ottavio Vitale dhe Imzot Cristoforo Palmieri kishin pranuar propozimin e organizatorëve që Mons. Rajlly të mbante fjalën kryesore për të pranishmit në këtë tërheqje të përmuajshme shpirtërore. Për plot 1 orë, në praninë e mbi 60 meshtarëve dhe motrave, Mons. Rajlli foli gjerësisht për sfidat aktuale me të cilat përballet Kisha dhe kultura e Jetës sot. Në mënyrë të veçantë, ai shpjegoi me hollësi se si idetë maltusiane për pastrimin e racës njerëzore dhe krijimin e racës së përsosur, të cilat nuk u zbatuan dot plotësisht nga Hitleri, sot, ithtarët e tyre po përpiqen që t’i jetësojnë përmes hapjes së klinikave të farëzimit artificial në mbarë botën. Qëllimi kryesor i tyre nuk është dhurimi i fëmijës së dëshiruar çiftit, por kontrollimi i racës njerëzore dhe korrigjimi i “gabimeve të Zotit”, pra pastrimi gjenetik i njerëzimit. Përmes sterilizimit në masë përmes kontraceptivëve të ndryshëm dhe abortit, ata i drejtojnë çiftet, që janë në kërkim të një fëmije, te klinikat e farëzimit artificial, ku me apo pa dijeninë e çiftit, embrionet e ngjizura i nënshtrohen kontrollit gjenetik para mbjelljes. E nëse embrionet nuk e kalojnë këtë analizë, atëherë ato zhduken. Në këtë lloj mënyre, njeriu kërkon që të zërë vendin e Zotit dhe të ketë nën kontroll zhvillimin e racës njerëzore. Ata, pastaj, vendosin se cila racë duhet të jetojë e cila duhet të zhduket, duke financuar kështu fushata të mëdha të planifikimit familjar sidomos në vendet e pazhvilluara apo që njihen ndryshe edhe si vende të botës së tretë, të cilat gjenden kryesisht në Afrikë, Azi dhe Amerikën e Jugut. Edhe në Shqipëri, viteve të fundit, janë hapur klinikat e farëzimit artificial, të cilat e ofrojnë kontrollin gjenetik para mbjelljes së embrionit. Kisha me të drejtë është kundër krijimit të foshnjave në laboratorë, pasi një fëmijë i gjallë (embrion i mbjellë me sukses) paguhet me shumë embrione të tjera të ngjizura që vdesin gjatë procedurës së farëzimit artificial. Për çiftet që nuk gjejnë dot zgjidhje në mënyrë natyrore për të pasur fëmijë, Kisha rekomandon fuqishëm birësimin. Mons. Rajlli iu bëri thirrje të gjithë të pranishmëve në këtë takim që ta shpallin mësimin e Kishës mbi shenjtërinë e jetës si nga amboni ashtu edhe gjatë orëve të katekizmit apo edhe takimeve të ndryshme që mund të kenë me besimtarët, pasi vetëm kështu do të kemi besimtarë të pjekur dhe një Kishë të fortë.

14 mars – Takimi me rininë e Dioqezës së Sapës në Krajn të Lezhës

Rreth 150 të rinj e të reja u mblodhën që qendrën baritore të Krajnit, në Lezhë, për takimin me Mons. Rajllin. Ky takim ishte organizuar nën kujdesin e ipeshkvit të kësaj dioqeze, imzot Luçian Augustinit, i cili drejtoi edhe fjalën hyrëse dhe përmbyllëse, duke i përnxitur të rinjtë që të dinë ta çmojnë dhuratën e jetës dhe të jenë gjithmonë mbrojtës të saj. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe anëtarët e komisionit dioqezan për rininë dhe meshtarët e famullive të ndryshme, të cilit shoqëronin të rinjtë e tyre në këtë takim. Ishte vërtet interesante përqasja e Mons. Rajllit ndaj të rinjve, të cilët u përfshinë menjëherë dhe treguan një vëmendje dhe interes të lartë për temën e takimit. Ai iu foli të rinjve për rëndësinë dhe shenjtërinë e martesës, pastërtinë paramartesore, për natyrën e sekseve mashkullore e femërore si sekse përplotësuese dhe jo kundërshtuese, të cilat janë themelet për hapjen e çiftit ndaj jetës dhe për ndërtimin e kulturës së jetës. Ai bëri një përshkrim të gjerë të zanafillës së kulturës së vdekjes, ku pastaj shpjegoi hollësisht se si kontraceptivët dhe aborti nuk janë zgjedhje por shkatërrim për njeriun.

Mons. Rajlli paraqiti para të rinjve edhe punën e Ndihmëtarëve të Foshnjave të Çmuara të Zotit, që është një lëvizje e themeluar prej tij në SHBA dhe e përhapur në mbarë botën. Ai theksoi në veçanti tiparet që e karakterizojnë këtë lëvizje, që janë: lutja për kthimin e zemrave të prindërve dhe personelit mjekësor që kryejnë abort; këshillimi në rrugë, para klinikave të abortit, i nënave që shkojnë për të kryer abort, para dhe pas abortit; ofrimi i ndihmës konkrete, përmes qendrave për jetën, ndaj nënave që e mbajnë fëmijën; përcjellje personale e personave të prekur nga aborti për shërimin shpirtëror. Lutja është çelësi dhe themeli i krejt këtij apostullati dhe kryhet në forma të ndryshme siç janë: Mesha e shenjtë që i ofrohet Atit për shlyerjen e mëkatit të abortit; vigjiljet për jetën që kryhen për çdo muaj përpara klinikave të abortit për të treguar dashurinë dhe mëshirën e Zotit ndaj të gjithë atyre njerëzve që me apo pa vetëdije kanë rënë viktima të abortit; adhurimi eukaristik, gjatë të cilit i kërkojmë Autorit të Jetës mëshirë për të gjithë ata që janë të përfshirë në kulturën e vdekjes dhe forcën për ta përqafuar kulturën e jetës. Në fund të takimit, Mons. Rajlli i ftoi të pranishmit që të merrnin pjesë ditën e nesërme, më 15 mars, në Vigjiljen për Jetën në Tiranë, që për ta do të ishte një rast për të shkuar në Golgotën e ditëve tona bashkë me Jezusin dhe Marinë për të shpallur se jeta është e shenjtë dhe se mëshira e Zotit është e madhe. Në këtë takim, u ndje në mënyrë të veçantë edhe prania e Marisë, pasi aty ishte e pranishme edhe truporja shtegtare e Zojës së Fatimas. E falënderojmë veçanërisht Zotin për këtë hir të veçantë, pasi e dimë se të rinjtë kanë më së shumti nevojë për ndihmën e Zojës, me qëllim që të luftojnë kundër ndikimit të kësaj kulture të vdekjes në jetën e tyre.

15 mars – Vigjilja për Jetën e zhvilluar në Tiranë

Pika kulmore e kësaj vizite të Mons. Filip Rajllit në Shqipëri ishte Vigjilja për Jetën, e cila u zhvillua në Tiranë, më 15 mars, në Katedralen e Shën Palit, nga ora 9:00 deri në orën 12:30. Nën udhëheqjen e vetë Mons. Rajllit, shtatë meshtarë dhe rreth 250 besimtarë morën pjesë në këtë Vigjilje për Jetën, e cila është e treta që zhvillohet me pjesëmarrje të besimtarëve nga dioqeza të ndryshme të vendit. Vigjilja u hap me Meshën e shenjtë, e cila filloi në orën 9:00. Mons. Rajlli, që ishte edhe kremtuesi kryesor, gjatë homelisë, iu foli besimtarëve për rëndësinë e këtij organizimi. Ndër të tjera, ai theksoi se i krishteri e ka për detyrë që ta mbrojë jetën dhe ta bëjë këtë në mënyrë paqësore. I krishteri duhet të jetë i vetëdijshëm se lufta mes kulturës së jetës dhe kulturës së vdekjes nuk është një luftë mishi, por një luftë shpirtrash, dhe në këtë luftë nuk mund të hyjmë të paarmatosur. Të vetmit që mund ta mposhtin vdekjen janë Jezusi dhe nëna e tij, Maria. Kultura e vdekjes ka lindur në kopshtin e Edenit, kur prindërit tanë të parë u gënjyen nga gjarpri se mund të ishin si Zoti. Po në këtë kopsht, Zoti premtoi rikthimin e kulturës së jetës përmes Gruas dhe Birit të saj, i cili do t’ia shtypte kokën gjarprit. Njësoj edhe ndihmëtarët e foshnjave të palindura nuk mund ta luftojnë këtë mendësi vdekjeje që na rrethon pa ndihmën e Jezusit dhe të Marisë. Gjakun e Tejetshenjtë të Jezusit ia ofrojmë Atit në Meshën e shenjtë për shlyerjen e mëkateve të të gjithë atyre njerëzve që i kanë lyer duart me gjakun e foshnjave të pafajshme. Ndërsa, Maria na prin në rrugën e Kalvarit, drejt Golgotës së sotme, që janë maternitetet tona. Për ironi të fatit, brenda mureve të tyre, dikush qesh e dikush qan, pasi mjekët që iu ndihmojnë nënave në lindje, janë pothuajse të njëjtët që ua marrin jetën foshnjave përmes abortit. Mjekët që e kundërshtojnë abortin për çështje ndërgjegjeje janë të paktë dhe e lusim Zotin që të kthehen me gjithë zemër e të bëhen mbrojtës të jetës në çdo rrethanë. Në fakt, kur ndodh një abort, i kemi dy persona që hyjnë plotësisht të shëndetshëm në sallën e abortit. Pas kryerjes së tij, foshnja del nga salla e vdekur, ndërsa nëna e plagosur si në trup, ashtu edhe në shpirt. Është vërtet e palogjikshme të mendohet se kjo është zgjedhje dhe e drejtë e gruas, pasi kur një jetë është ngjizur në kraharor të nënës, atëherë vjen edhe përgjegjësia për nxjerrjen në dritë të foshnjës. Jetojmë në një shoqëri që idealizon kënaqësinë pa përgjegjësi dhe ku jeta e të palindurve flijohet për të mbuluar gabimet e kësaj kënaqësie pa kufi. Kjo është një shoqëri që ka nevojë më shumë se kurrë për Zotin, për dashurinë dhe mëshirën e tij, që kërkojmë ta pranishëm përpara materniteteve, së bashku me Marinë. Mons. Rajlli iu dha besimtarëve edhe udhëzimet e duhura lidhur me sjelljen që duhet ta kemi gjatë procesionit drejt maternitetit dhe për klimën e lutjes që duhet ta ruajmë nga fillimi deri në fund. Pas kremtimit të Meshës së shenjtë, filloi adhurimi eukaristik. Pasi e lutëm dhjetëshen e parë të Mistereve të Gëzimit, pjesa më e madhe e pjesëmarrësve u vu në procesion dhe nisëm rrugëtimin në Kalvar, drejt Golgotës, ndërsa disa besimtarë mbetën në adhurim para të Shenjtërueshmit Sakrament për të ndërmjetësuar në lutje. Vendi i përzgjedhur edhe për këtë vigjilje ishte Materniteti Koço Gliozheni. Forcat e rendit na kanë shoqëruar përgjatë gjithë procesionit. Ashtu si edhe në herët e tjera, shërbimi i tyre ka qenë tejet profesional dhe për këtë iu shprehim mirënjohjen tonë më të thellë. Procesionit i priu figura e Zojës së Guadalupes, Pajtores së të Palindurve. Pas saj u vendosën meshtarët dhe besimtarët. Gjatë gjithë procesionit, si në vajtje ashtu edhe në kthim, u lutën të katër misteret e Rruzares, Kurorëza e Mëshirës Hyjnore dhe këngë të ndryshme të përshpirtshme. Të gjithë besimtarët ishin të përqendruar në lutje dhe pjesa më e madhe e tyre ishin në moshë të re. Kishin ardhur nga rrethe e dioqeza të ndryshme të vendit: Tirana, Durrësi, Lezha, Mamurrasi, Rrësheni, Shkodra, Sukthi, Laçi i Vaut të Dejës, etj. Misteret e Mundimit i lutëm duke qëndruar përpara pavijonit të abortarit. Në fund të kësaj Rruzareje, e mbajtëm 1 minutë heshtje dhe e kërkuam mëshirën e Zotit për të gjithë ata që kryejnë aborte brenda kësaj ndërtese dhe për kthimin e zemrave. Zoti e do mëkatarin, e do dashurinë e tij dhe mezi pret që ai të kthehet dhe ashtu si djali i humbur të jetojë në dashurinë e Atit. Pastaj, u kthyem sërish në procesion drejt Katedrales së Shën Palit, për të marrë bekimin eukaristik, në pritje të kthimit të zemrave e të ringjalljes, sepse i kemi sjellë botës mëshirën e Hyjit, të vërtetën e Hyjit dhe shpresën. Kjo ngjarje u pasqyrua edhe në mediat vizive dhe në shtypin e shkruar, ku u pasqyrua qartë reagimi ynë paqësor dhe në lutje ndaj fenomenit të shëmtuar të abortit.

16 mars – Homelia gjatë kremtimit të Meshës së shenjtë në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër

Edhe pse ishte parashikuar për një fjalë të shkurtër të Mons. Rajllit pas kremtimit të Meshës, Imzot Angelo Massafra, Ipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, i ofroi atij kohën e homelisë para mbi njëmijë besimtarëve të mbledhur në Katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër. Ishte vërtet e mrekullueshme të shihje se me sa vëmendje i ndiqnin fjalët e Mons. Rajllit mbi mënyrën se si i krishteri duhet të rrijë gjithmonë zgjuar në mbrojtje të jetës. I krishteri, theksoi ai, nuk mund të flejë ndërsa të tjerët, ata që e mbrojnë kulturën e vdekjes, veprojnë dhe nuk pushojnë as ditën e as natën duke e sulmuar jetën. Le të shohim shkallën e përhapjes së abortit e të përdorimit të kontraceptivëve në mbarë botën, e madje edhe në Shqipëri. Le të shohim se si po sulmohet familja nëpër botë, duke ofruar lidhje të tjera alternative mes personave të të njëjtës gjini e duke i detyruar shtetet e ndryshme që t’i pranojnë këto lidhje si të ligjshme përmes ndryshimit të kushtetutës apo të kodit të familjes. Shqipëria, shtoi Mons. Rajlli, ka se çfarë t’i ofrojë botës perëndimore që po e humb besimin dhe kuptimin e familjes. Gjaku i martirëve ka bërë që këtu të lulëzojë sërish feja, e cila bëhet gjithmonë e më e fortë. Po kështu, në këtë shembull, ne duhet të jemi gjithmonë të mbrujtur me mësimin e Kishës, që na e tregon rrugën që duhet ta ndjekim për të qenë një komb që rritet, shtohet e shumohet, sipas planit të Hyjit. Mesha e shenjtë nga Katedralja e Shkodrës u transmetua edhe nga televizionet lokale, e kështu audienca ishte edhe më e gjerë. Pas homelisë, të gjithë besimtarët e shprehën mirënjohjen e tyre përmes një duartrokitjeje të gjatë dhe disa prej tyre e falënderuan edhe personalisht Mons. Rajllin pas Meshës.

16 mars – Homelia gjatë kremtimit të Meshës së shenjtë në Katedralen e Shën Palit në Tiranë

Edhe Imzot George Frendo, gjatë kremtimit të Meshës së shenjtë të pasdites në Katedralen e Shën Palit, ia dha fjalën Mons. Rajllit gjatë kohës së homelisë. Ai bëri një krahasim të mrekullueshëm mes shndërrimit të Jezusit në malin Tabor dhe shndërrimit të tij në mal të Kalvarit, ku i mori përmbi vete të gjitha mëkatet tona, që ne të jetonim të lirë. Na duket i bukur Jezusi në malin Tabor, duam të qëndrojmë me të, siç e pohon edhe vetë Shën Pjetri në Ungjill. Mirëpo, i njëjti Pjetër dhe të gjithë apostujt e tjerë, përveç Gjonit, nuk mundën të qëndronin dot poshtë kryqit, edhe pse ishte i njëjti Jezus. Kjo është edhe vështirësia jonë sot. Harrojmë ta njohim Jezusin në ata që vuajnë, në ata që nuk kanë zë për ta mbrojtur jetën e vet, në ata që janë të shtrirë në shtratin e dhimbjes. Por, duhet të bëhemi të vetëdijshëm, se nëse nuk ngrihemi sot për t’i mbrojtur ata që nuk kanë zë e as fuqi, atëherë nesër do të jetë radha jonë; dikush tjetër, nesër, do të vendosë për ne, pikërisht atëherë kur fuqitë tona do të shterojnë e kur zëri ynë nuk do të dëgjohet më. Dikush tjetër, nesër, do të vendosë për ne nëse duhet të vdesim apo të jetojmë, nëse jeta jonë ka vlerë apo jo, nëse i kushtojmë apo nuk i kushtojmë shtetit kur jemi të sëmurë. Prandaj, i krishteri nuk mund të heshtë kurrë përpara padrejtësisë që iu ndodh më të pambrojturve, të palindurve. Ne duhet të reagojmë ndaj këtyre veprimeve që e kundërshtojnë jetën, por gjithmonë në paqe e gjithmonë përmes lutjes dhe këshillimit në të vërtetën. Patjetër që duhet të angazhohemi edhe me ndihmën konkrete që duhet t’u japim nënave dhe familjeve për mbajtjen në jetë të fëmijëve, sidomos kur ato gjenden në vështirësi të ndryshme. Kjo është detyra jonë dhe nëse nuk e bëjmë ne, kush do ta bëjë? Duhet të jemi gjithmonë në mbrojtje të jetës dhe ta shpallim gjithmonë shenjtërinë e jetës në mjedisin që na rrethon. Mons. Rajlli e përfundoi predikimin duke i falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në Vigjiljen për Jetën një ditë më parë dhe duke i ftuar të pranishmit që ta ndihmojnë Lëvizjen për Jetën në mbarë vendin dhe të bëhen pjesë aktive e saj si me lutje ashtu edhe me angazhimet konkrete. Gjithashtu, ai e kërkoi edhe bekimin e Zotit për popullin tonë, që të shtohemi e të jemi gjithmonë në mbrojtje të jetës.

17 mars – Fjalimi përpara meshtarëve dhe rregulltarëve e rregulltareve të Arkidioqezës Tiranë-Durrës

Takimin me meshtarët dhe rregulltarët e rregulltaret e Arqidioqezës Tiranë-Durrës e hapi Imzot George Frendo, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti Arqipeshkvi Rrok Mirdita, i cili bëri edhe prezantimin e Mons. Rajllit përpara të pranishmëve. Ndër të tjera, Mons. Rajlli iu foli të pranishmëve edhe për sfidat me të cilat përballet Kisha dhe shoqëria jonë sot lidhur me respektimin e jetës njerëzore dhe mbrojtjen e saj. Ai këshilloi që të bëjmë kujdes e të mos lejojmë që njerëzit të besojnë në gënjeshtrën djallëzore se demokracia duhet t’i lejojë gjithkujt që të bëjë çfarë të dojë, qoftë kjo vrasja e foshnjave të palindura apo e të moshuarve në shtratin e dhimbjes. Një veprim kundër njerëzimit është një krim kundër njerëzimit, qoftë nëse kryhet nga një diktator i paskrupullt, nga një komunizëm ateist apo edhe nëse kryhet nga një votë shumice në demokraci. Ne duhet të kufizohemi nga ligjet e Hyjit, nga urtia e Hyjit. Dhe nuk është demokraci e vërtetë ajo që i lejon gjithë këto djallëzi që të ndodhin. Ashtu si në takimin e mbajtur në Shënkoll të Lezhës, edhe këtu, Mons. Rajlli foli mbi rolin që kanë meshtarët, rregulltarët e rregulltaret në përhapjen e mësimit të Kishës mbi shenjtërinë e jetës në mesin e besimtarëve. Kisha ka një mjet shumë të fuqishëm për përhapjen e mësimit të saj dhe ky është amboni. Të gjithë duhet të angazhohemi në kryerjen sa më mirë të asaj pune për të cilën jemi thirrur nga Zotëria, shpallja e fitores së jetës përmbi vdekjen.