LAIKËT JANË URË PËR NË BOTËN MODERNE – Papa Pali VI
mbi apostullimin e laikëve
Nga Elidon DODAJ
Shumë i nderuar Arqipeshkvi ynë Metropolit i Tiranë – Durrësit, Imzot George Frendo O.P.
të nderuar meshtar, rregulltar e rregulltare, laik të kushtuar,
shumë të dashur vëllezër e motra në të njëjtin pagëzim në Krishtin e Ngjallur.
Nuk e kam aspak të lehtë të flas sot para një numri kaq të madh të pranishëmve për një nga temat më të thekura le të them pikante të këtij fillim mijëvjeçari. E të flasësh pikërisht për Apostullimin e Laikëve përpos që duhet një bagazh tepër i madh, por edhe një shpirt i lirë komunikimi mes asaj çfarë mësuesit e Kishës na kanë lënë sot e kësaj dite nëpërmjet koncilëve, dekreteve, dokumenteve, letrave, etj. Në dekretin Apostolicam Actuositatem (Veprimtaria Apostolike) thuhet: “apostullimi i laikëve … rrjedh prej vetë thirrjes së tyre të krishterë, – e ky apostullim, nuk mund ti mungojë asnjëherë Kishës. … kohët tona nuk kërkojnë një zell më të vogël nga ana e laikëve; madje rrethanat e sotme kërkojnë absolutisht që apostullimi i tyre të jetë më intensive dhe më i zgjeruar.” [1] Në këtë mijëvjeçar të ri ku shkenca përparon dhe teknologjitë po arrijnë të bëhen gjithnjë e më shumë interaktive – apostullimi i laikëve ka zënë vend kudo, por janë bërë edhe shkaktar të problematikave të reja, që kërkojnë angazhim dhe gatishmëri të shpejtë. Ndaj nevojitet një thirrje pse jo urgjente e laikëve për apostullim. Shoh sot këtu të pranishëm, që shumë nga ne jemi pjesë aktive e Kishës, por mos harroni ne laikët në botë, por edhe këtu në Dioqezën tonë zëmë pothuaj 99% të Kishës. Apostolicam Actousitatem (Veprimtaria Apostolike) përfundimisht thotë se laikët duhet të luajnë një rol më aktiv në Kishë dhe veçanërisht në botë. Ne laikët duhet të kemi një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme për të zbuluar atë që do të thotë të jesh i krishterë para botës. Siç na porositi Papa Pali i VI – pesë dekada më parë “Laikët janë urë për në botën moderne”.
Veprimtaria Apostolike përfundimisht thotë – po e theksoj dhe do ta përsëris shpesh gjatë kësaj fjale: se ne laikët duhet të luajnë një rol më aktiv në Kishë dhe veçanërisht në botë (konkretisht këtu në dioqezën tonë). Ndaj na duhet për ta kuptuar më mirë dokumentet që dolën nga Koncili i Dytë i Vatikanit. Merrni një moment dhe mendoni vetëm për ndarjen që ndodh midis botës dhe botës që përcjell mesazhi i Ungjillit. Ne laikët kemi një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme për të zbuluar atë, e që do të thotë të jesh i krishterë.
Një i krishterë ka vetëm një qëllim të vërtetë si apostull i Krishtit – që të përhapë Fjalën e Krishtit, Ungjillin. Ne duhet të ndajmë dashurinë e Krishtit në mënyrë që të tjerët të marrin pjesë në shpëtimin e Tij duke hyrë në marrëdhënie me Zotin. Secili prej nesh ka një rol për të luajtur. Pjesëmarrja në këtë rol është thelbësore dhe e dobishme për ne individualisht dhe për të gjithë Kishën. Ne laikët e marrim këtë detyrë direkt nga vetë Krishti, përmes sakramenteve duke marrë kështu Shpirtin Shenjtë. Shpirti Shenjt na jep dhurata specifike e të nevojshme që ne të mund të kontribuojmë. Nga dashuria bashkëpunojmë dhe i nënshtrohemi vullnetit të Zotit. Sot një laik duhet të jetojë jetën në Krishtin përmes kulturës dhe shoqërisë. Këto të dyja nuk janë të ndara. Nëse jeta në të cilën jetojmë nuk na drejton drejt besimit, shpresës dhe dashurisë, do të bënim mirë të ndryshonim se si jetojmë. Të jetojmë në besim nënkupton se duhet të përpiqemi ta shohim Krishtin tek të gjithë. Kjo fillon duke vlerësuar të gjithë jetën. Të shpresojmë është të shohim se vuajtjet njerëzore mund të ndryshohen. Shpresa është për të dhuruar dashuri duke gjetur kuptim në përpjekjet e jetës. Ne shpresojmë për dashuri, sepse kulmi i jetës së krishterë është dashuria. Dashuria është themelore që në fund të fundit të zgjedhësh të mirë për të keqen. Të jesh në gjendje të duash në nivelin më të thellë, kërkon dorëzimin. Nuk ka dashuri më të thellë pa përulësi. Vetëm duke fituar përulësinë, fillojmë të njohim vetveten në të vërtetë. Duke e kuptuar veten, fillon të dallojmë se mirënjohja është për shkak të gjithçka që ne marrim. Kur një person e kupton ato çfarë vijnë nga Hyji, pjekemi për drejtësi.
Qëllimi ynë është të komunikojmë hirin e Hyjit në botë, duke zbuluar Jezusin dhe fjalët e tij. E gjitha kjo është projektuar nga Krishti që fillon me Liturgjinë. Kështu që duhet ta theksojmë vetëm përmes Liturgjisë. Jemi dërguar për të dhënë dëshmi nga jeta jonë. Kjo dëshmi ka për qëllim të ftojë të tjerët të marrin pjesë në jetën e Krishtit në Kishën e tij. Misioni ynë përfshin edhe aspekte të tjera të jetës sonë, si familja, miqtë, kultura, artet, puna, politika dhe realitetet ndërkombëtare. Në shumë mënyra, bota është verbuar nga mëkati dhe si rezultat njerëzit janë bërë egoistë dhe e shohin jetën vetëm në një mënyrë – mënyrën e tyre. Kisha ka për detyrë të ofrojë qartësi (mbështetje) morale dhe të sigurojë ndihmë shpirtërore. Megjithatë, edhe ne anëtarët e Kishës që përbëjmë shumicën mund ta kemi si qëllim tua japim qartësinë (mbështetje) morale dhe ndihmën shpirtërore atyre që do na e kërkojnë. Tek e fundi mesazhi i secilit prej nesh është të përcjellim dashurinë. Çdo gjë që bëjmë si të krishterë duhet të motivohet nga dashuria. Shkalla më e lartë e dashurisë përfshin dhembshuri për ata që janë në nevojë. Maja e dashurisë është dorëzimi i vetvetes, për të siguruar atë që është një e mirë më e mirë.Dinjiteti i njerëzve kërkon që ata të kenë ushqim, pije, veshje, strehim, mjekim, qasje në punë, arsim dhe liri veprimi. Është detyra jonë të japim mbështetje dhe mundësi në mënyra se si ne mundemi. Pavarësisht se cila është ndalesa e një personi në jetë, ne duhet t’i duan të gjithë në mënyrë të barabartë siç na do Zoti. Asnjeri prej nesh nuk është më i mirë se tjetri. Nocioni më i drejt i dashurisë është të kërkosh atë që është e drejtë. Kështu që lind nevoja që të lehtësojmë nevojat e vëllezërve nëpërmjet bamirësisë. Duke eliminuar shkaqet e padrejtësisë, në bashkë-punojnë me dashurinë e Hyjit. Bamirësia jonë duhet të vijë nga zemra nga ajo pjesë që është me e nevojshmja e jona duke hequr dorë prej saj. Vetëm kështu kemi vënë në veprim bamirësinë. Nuk kërkohet të bëjmë gjëra të mëdha, por siç na porosit Shenjta Tereza e Kalkutës – mjafton që të bëni gjëra të vogla, por me dashuri të madhe.Secili prej nesh thirret në forma të ndryshme për të dhënë njëfarë shërbimi. E vërteta e një shërbimi për të gjithë të krishterët bëhet e qartë nga mënyra se si ata shprehin besim në çdo veprim të ditës së tyre. Grupet që ofrojnë dashuri e bamirësi për fqinjin japin dëshmi të fuqishme për Trupin e Krishtit. Mjafton edhe qëndrim pranë njëri-tjetrit që ne me besim të jemi të fortë. Jeta e përditshme me Shpirtin e Krishtit është qëllim ynë.Të gjitha përpjekjet individuale ose të organizuara duhet të funksionojnë në raport me hierarkinë e Kishës. Ajo duhet të forcojë bashkimin tonë me të. Hierarkia duhet të promovojë punën e laikëve dhe të japë frymën drejtim. Veprimtaritë baritore duhet të nxisin edhe laikët në përfshirjen e tyre, qofshin këto mësimi i fesë (katekizmi), përgatitja e Liturgjisë, mos të ngelet thjesht punë e meshtarëve dhe motrave. Ipeshkvi dhe meshtarët kanë për qëllim të punojnë ngushtë me laikët në ndërtimin e Kishës së gjallë. Secili prej nesh është i thirrur në shërbimin për të vënë në përdorim talentet tona. Ndaj formimi i secilit është një e mirë e komuniteteve tona. Apostullimi na takon të gjithëve. Me fjalë të tjera, të gjithë jemi apostuj me një “a” të vogël. Asnjëri nga ne nuk mund të jetë vërtet një i krishterë pa qenë gjithashtu edhe apostull. Një apostull duhet të jetojë dhe të shpallë Krishtin. Megjithatë, sfida për shumë nga ne laikët qëndron në faktin se si ata ndjehen dhe ndajnë besimin e tyre nga jeta e përditshme.Le të ndalemi dhe të mendojmë për diçka. Thuhet se ne duhet të kërkojmë vullnetin e Zotit. Nëse është kështu e vërtetë, atëherë është e arsyeshme të supozojmë se ne duhet të jemi të hapur për të vërtetën e atij vullneti. E gjithmonë ka një formë thirrje nga Zoti, nëpërmjet Krishtit, që nxitet nga Shpirti Shenjtë. Është vullneti ynë i lirë që na lejon të jemi të hapur ose të mbyllur për këtë thirrje. Mund të zgjedhim të përgjigjemi ose jo, të tërhiqemi thjesht në një marrëdhënie dashurie me Zotin ose të largohen prej tij. Kisha dhe laikët përbëjnë të tërën e vetëm kështu ajo kryen shërbesën e saj dhe vihet në shërbim të gjithë komunitetit.Shën Gjoni XXIII thirri Koncilin e Dytë të Vatikanit duke ua besuar laikëve rolin e rëndësishëm të shqyrtimit të diskutimeve – e ky Koncil u quaj Koncili i laikëve. Sepse laikët formojnë pjesën e madhe të Kishës, siç e thashë më herët ata përbëjnë 99% të saj! Ndoshta këtë po kërkon edhe Ipeshkvi ynë sot, po na fton që të gjithëve në këtë Sinod Dioqezan. Sot punoj si një punonjës i një prej enteve të kishës krah për krah me shumë prej jush që e duam Krishtin dhe përpiqemi t’i shërbejnë atij. Pa mbështetjen e shumë prej jush, punët do të ngelnin në vend numëro. Ndaj shpesh kërkojmë edhe lutjet tuaja, sidomos nga grupet e lutjeve nëpër bashkësitë tona famullitare, rregulltarë, që secilit ent i kishës – Zoti t’i jap hirin, që punonjësit e tyre të jenë shembull drejtësie.
Përgjegjësia më e madhe për ne laikët nuk qëndron në kryerjen e shërbesave në Kishë. Ndikimi më i madh i yni është kur të dërgojmë në botë (familje, lagje, punë, shoqëri, etj) pas çdo meshe të së dielës mesazhin e Krishtit të Ngjallur. Më shumë se kurrë ne laikë pse jo besnik katolik jemi të nevojshëm në botë. Pse? – Të luftojmë indiferencën në rritje ndaj fesë. Mjerisht, Koncili i Dytë i Vatikani nuk është përqafuar me të vërtetë nga shumë prej nesh. Bota është shumë më shumë laike, materialiste dhe konsumiste. Njerëzit sot vlerësojnë vetëm atë që është fituar materialisht – tek e fundit a kam një rrogë në fund të ditës dhe i gëzohen asaj. Askush nuk është i shqetësuar për pjesën tjetër që ndoshta po kalojnë kriza të pa perceptueshme. Dhe me të gjitha përparimet e mëdha në teknologji, ekziston një e vërtetë e trishtueshme madje themelore: teknologjia tani kontrollon njeriun më shumë sesa njeriu kontrollon atë.Duhet dhe mundet: sepse ka më shumë të pagëzuar laikë aktivë në shërbim në Kishë se kurrë më parë, por ka më shumë ish-besimtarë se kurrë më parë. Duhet të mendojmë për këtë dhe le të marrim një vendim për veten tonë. Shumica e njerëzve që njohim nuk do ta dëgjojnë Ungjillin në kishë. Nëse ata kanë ndonjë shpresë që ta dëgjojnë, do të jemi ne. Ta mbajmë mend gjithashtu – nuk mund ti jepni dikujt tjetër atë që nuk e keni! Papa Françesku thotë : “… nuk ekziston jetë e krishterë e përcaktuar në tryezë, e ndërtuar shkencërisht, ku mjafton të zbatosh disa rregulla për ta qetësuar ndërgjegjen. Jeta e krishterë është udhë e përvuajtur e ndërgjegjes, që nuk duhet të ngurtësohet kurrë e duhet të mbetet gjithnjë në marrëdhënie me Zotin. Ndërgjegje, që di të pendohet e t’ia besojë veten Hyjit, pa menduar se i mjafton vetvetja. Vetëm kështu kapërcehen hipokrizia, dyfytyrësia, klerikalizmi, legalizmi, shkëputja nga njerëzit. Zoti kërkon njerëz të pastër në zemër, jo të pastër nga jashtë, si mëkatarët hipokritë.”[2]– A jemi ne gati të bëhemi një urë që sjellim katolicizmin në dioqezë?
*Drejtor i Caritas Dioqezan Tiranë – Durrës
PhD Cand. Shkenca Komunikimi-Gazetari
[1] Dokumente të Koncilit II Ekumenik të Vatikanit, “Dekreti mbi Apostullimin e Laikëve”, Botime të Arqipeshkvisë, Shkodër 2012, faqja 487, 488
[2] http://sq.radiovaticana.va/news/2017/10/02/papa_në_bolonjë_kisha,_familja,_shoqëria,_takimi/1340308