Nga Dr. Lorenc Stojani
“Është e kotë, që ju çoheni herët…”, thotë një Psalm (127, 2). Dhe të tillë ishin edhe bijtë e Zebedeut, të cilët kërkuan për veten e tyre një vend në të djathtë dhe një në të majtë të Tij (Zotit), përpara se ata të kalonin përmes poshtërimeve, që iu desh të provonin sipas shembullit të vuajtjeve të Zotit. Ata donin të çoheshin “përpara Dritës”. Edhe Pjetri u ngrit përpara Dritës, kur ai e këshilloi Zotin, që të mos i mbarte për ne vuajtjet e veta. Sepse Zoti kishte folur për poshtërimet, si dhe për vuajtjet e Veta, që do të na shpëtonin. Dhe Pjetri, i cili vetëm pak çaste më parë kishte pohuar, se Jezusi është Biri i Zotit, u përfshi nga ankthi kur mendoi për vdekjen e Tij, duke i thënë: “Këtë mos e lejoftë Hyji, o Zot! Kjo nuk duhet të të ndodhë.” (Mt. 16,22). Ai donte të ngrihej përpara dritës, duke i dhënë një këshillë Dritës. Por, çfarë bëri Zoti? Ai bëri, që ai të dilte pas dritës, duke i thënë: “Zmbrapsu!”. “Zmbrapsu, që të mund të kaloj përpara teje, dhe ti të më ndjekësh. Ec nëpër rrugën që po kaloj unë, në vend që të më tregosh rrugën, ku ti do të dëshiroje të ecje. Përse pra, ju bijë të Zebedeut, kërkoni të çoheni përpara dritës? Kjo është pyetja, që ju bëhet juve. Prandaj, ju nuk do të zemëroheni; sepse këto gjëra u shkruan për ta, për të na e bërë të qartë ne të tjerëve, se si duhet të mbrohemi nga egoizmi, ku ata ranë. Përse pra, doni të dilni përpara dritës? Është e kotë. Ju doni të ngriheni, përpara se të jeni ulur? Vetë Zoti juaj, i cili është Drita juaj, e uli veten, për tu lartësuar. Dëgjoni, se çfarë thotë Shën Pali: “Ai ishe i njëjtë me Zotin, por nuk e mbajti veten për të tillë, por u zhvesh, duke u bërë i përulur si një skllav; duke u bërë i ngjashëm me njeriun, jeta e Tij ishte si e një njeriu. Ai e përuli veten dhe ishte i bindur deri në vdekje, deri në vdekjen në Kryq. Për këtë, edhe Zoti e lartësoi mbi gjithçka.” (Fil. 2.6).