Nga Imzot George Frendo
“Është pikërisht brenda kësaj Organizate që respekti për jetën duhet të gjejë më të mirën mbrojtjen. Është detyra juaj të angazhoheni që buka të shpërndahet drejtësisht mbi tryezën e njerëzimit”. Janë fjalët që Papa Pali VI ua drejtoi përfaqësuesve të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, me rastin e përvjetorit 20 të themelimit të asaj Organizate, dhe pikërisht më 4 tetor 1965. Kanë kaluar gati 50 vjet nga ajo ditë kur Pali VI ka thënë këto fjalë. A është përmirësuar situata e njerëzimit? Duket se jo. Në atë fjalim, Pali VI i kujtoi kombet detyrën e tyre të ndih-
mojnë njëri-tjetrin në luftën e tyre kundër urisë. Megjithatë ende jemi shumë larg nga zbatimi i atij solidariteti ndërkombëtar për të cilin kishte folur Papa Gjoni XXIII në Enciklikën Mater et Magistra dhe për të cilin me shumë këmbëngulje përsëri ka folur Papa Benedikti XVI në Enciklikën e tij Caritas in Veritate. Mjafton të përmendim se 85% e pasurisë së botës kontrollohet nga vetëm 15% e popullsisë. E ndërsa shumë miliona njerëzish ende jetojnë në standarde çnjerëzore, vazhdojmë duke harxhuar miliardë dollarësh çdo vit në armët. Një prift italian misionar në Indi ka shkruar: “Po të kisha atë bukë që në Itali u jepet pulave, po të kisha ushqimin që hidhet poshtë në restorantet, në kolegjet, si edhe në shtëpitë e punëtorëve, po të kisha ushqimin që hidhet jashtë në një qytet të madh si Milano, do të kisha shuar urinë e shumë e shumë mijërave indianesh”. Po jetojmë në një botë ku akoma gjenden pasaniku dhe Lazri i varfër (krhs. Lk 16, 19-31). Me sy të dhimbshme, Lazri shikon drejt tryezës së pasanikut, me shpresë të ngihet me dromcat që bien nga tryeza e pasanikut. Janë shpallur shumë “luftra kundër varfërisë”, me shpresë që shoqëria njerëzore të bëhet më e vetëdijshme se bota me mbarë pasurinë që ka Zoti ia ka besuar të gjithë njerëzve dhe të gjithë popujve, si na mëson Kisha në doktrinën e saj shoqërore, “Kush është i afërmi im?” Ishte pyetja që një person i urtë ia kishte drejtuar Jezusit. Edhe pse i urtë, nuk e dinte se i afërmi mund të jetë njëri që ndoshta banon afër shtëpisë së tij; që ndoshta bërtet duke kërkuar ndihmë por ai nuk e dëgjon; që ndoshta po vdes prej urisë por ai nuk vë re. Edhe pse i urtë, mendonte se mëkati kundër dashurisë kryhet vetëm duke vrarë të afërmin me thikë ose me pistoletë, pa pasur parasysh atë porosi të etërve: “Jepi të hajë atij që është duke vdekur nga uria, sepse po mos t’i dhashë, ti e ke vrarë”. Të gjithë njerëzit formojnë një familje e vetme. Para se jemi shqiptarë apo anglezë apo pakistanezë, jemi njerëz; secili prej nesh është krijuar në përngjasimin e Perëndisë, dhe secili prej nesh ka një dinjitet të pazëvendësueshëm. Çdo njeri ka detyrë të respektojë dinjitetin e tjetrit, dhe çdo njeri ka të drejtë që dinjiteti i tij të respektohet nga të tjerët.