Krishtlindja – Një festë më tepër, apo… klithmë për dashurinë?

Meditim – Mesazh

Krishtlindja për mua nuk është thjeshtë
një festë më tepër. Kur e mendoj, kuptoj
se më tepër se festë është një klithmë për
DASHURINË.
Po të hedhësh sytë rrotull, në mes të jetëve
tona, kupton se fillimi e mbarimi i të gjithave
është mungesa e dashurisë. E shohim botën, jetën,
njëri – tjetrin më shpesh me sy të mbyllur, me
shpirt të mbyllur, pa e kuptuar se jemi shumë pak
kohë në këtë botë për të qenë kaq egoistë. Vrapojmë
si të marre drejt diçkaje të maaaaadhe fare,
duam gjithmonë e më tepër duam makutërisht,
dhe harrohemi. Harrojmë veten, të tjerët. Harrojmë
të japim e të marrim. Harrojmë të duam.
Harrojmë se ndonjëherë mjafton shumë më
pak për tu ndjerë mirë, për tu ndjerë në paqe
me veten dhe me botën. Aty ku gjërat bëhen
me dashuri, sado të vogla qofshin, gëzimi arrin
të mbërrijë në çdo rrethanë dhe situatë. Se aty
arrin të mbrrijë vetë ZOTI.
Kur unë doja të pagëzohesha, kam pasur
një frikë. A do mundja dot vallë me natyrën

e shpirtin tim të lirë të plotësoja dot ato listat
e urdhëresave që shpesh na i servirin si
të vetmet kuptime të ZOTIT? Tani me vjen
për të qeshur. E dini pse? Sepse atë, ZOTIN
– listë urdhëresash unë akoma se kam
takuar. Mos u habisni! Nuk e kam takuar.
Unë kam takuar një Zot që më do edhe
kur gaboj. Vetëm se tani unë vetë i druhem
syve të tij që më thonë përmes dashurisë:
ti e di vetë, por mbase është më mirë që…
Unë kam gjetur një ZOT që shpesh arrin të
bëjë atë që mbase asnjë prej nesh nuk arrin ta
bëjë dot, është gjithmonë pranë, është gjithmonë
pranë meje për një fjalë, është gjithmonë
pranë meje për një këshillë, dhe më do përtej
gabimeve të mia.
Gëzuar KRISHTLINDJET të dashurit
e mi! Festën e klithmës për DASHURI!
A se harrova! ZOTIN tim mendoj se e ka gjetur
halli me mua. Poooo! Se ngaqë e di se më do
fort, unë ia kam lënë gjithçka ATIJ në duar.
Gëzuar!!!