Predikimi i ShT. Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkëv Metropolit i Arkidioqezës Tiranë-Durrës në Mesha e Natës së Ringjalljes së Krishtit
Shumë të dashur vëllezër e motra, Njerëzimi ka kërkuar gjithmonë me ngulm dritën dhe jetën. Në këtë kërkim është nisur nga shkëndija e dritës dhe e jetës, që gjendet brenda çdo njeriu. Mendja dhe shpirti njerëzor, përgjatë historisë, e ka hulumtuar gjithmonë e më thellë universin. Dija e mbledhur për mijëra vjet është ai thesar i madh drite, që e lejon shkencën të kuptojë më mirë si funksionon universi, që nga qeliza elementare deri tek yjësitë më të largëta. Arritjet e dijes shkencore mund t’i admirojmë ditë për ditë falë prodhimeve teknologjike, që janë bërë pjesë e jetës së shumicës së njerëzimit, përfshirë edhe vendet më të varfra. Intelekti njerëzor ka arritur të ndezë shumë drita në errësirën e gjithësisë. Po ashtu, edhe në drejtim të njohjes së fenomenit të jetës, të paktën për sa i përket jetës biologjike, janë bërë hapa viganë. Mjafton të mendojmë zhdukjen e epidemive dhe mjetet me të cilat shkenca e shëndetësisë lufton sot sëmundjet, që do të ishin vdekjeprurëse. Drita dhe jeta brenda njeriut kërkojnë dritën dhe jetën përjashta njeriut. Drita dhe jeta: kjo temë e përhershme e njerëzimit, janë dhurata e madhe, që Hyji krijoi qysh në fillim. Në leximin e parë, nga libri i Zanafillës, kemi dëgjuar se fjalët e para që thotë Hyji në Bibël janë këto: “Le të bëhet drita!”. Botën e krijuar dhe të ndriçuar me dritën e tij, Hyji e mbush me jetë dhe në qendrën e saj vendos njeriun, të cilin e bëri në shëmbëllimin dhe përngjasimin e vet. Gjithë bukurinë e dritës dhe madhështinë e jetës e shuan misteri i vdekjes, kjo errësirë e madhe dhe e padepërtueshme, të cilën njerëzimi nuk ka arritur ta mundë me shkëndijën e dritës dhe të jetës që zotëron. Sikurse është e vërtetë se dija dhe shkenca kanë ndezur shumë drita në errësirën e botës dhe kanë zbuluar mundësi të reja për ta mbrojtur jetën, është e vërtetë edhe se dija dhe shkenca nuk mund ta japin plotësinë e dritës dhe të jetës, atë plotësi që çdo njeri kërkon vetvetishëm në thellësinë e shpirtit të vet dhe nuk mund ta arrijë, nëse dikush nuk ia jep si dhuratë, dikush që është Hyji i dritës dhe i jetës. Drita dhe jeta e kësaj bote nuk i mjaftojnë njeriut të sinqertë, sepse janë dritë dhe jetë e kufizuar, ndërsa njeriu është krijuar për të pakufishmen dhe etja për plotësi e trazon thellë shpirtin e tij. Në këtë errësirë të botës, të ndriçuar në një farë mënyre me dritat e pamjaftueshme të arsyes njerëzore mbetet përherë trazuese pyetja: pse vdesim? Pse urrejmë? Pse duam? Pse tradhtojmë? Pse e shfrytëzojnë njerëzit njëri-tjetrin? Pse bëjnë luftëra? Pse vriten? Pse vuajnë fëmijët e pafajshëm? Pyetjet që mbeten pa përgjigje, njësoj si në lashtësi si sot, të cilat nuk i ndryshon dot as përparimi i dijes dhe i shkencës, do të vijonin pafund, duke e dendësuar errësirën dhe duke e dobësuar jetën. Është e vërtetë se njeriu i sotëm e gënjen veten se është modern dhe i emancipuar, sepse ka disa njohuri shkencore dhe disa të drejta njerëzore që paraardhësit e tij nuk i kishin, por është e vërtetë edhe se njeriu i sotëm është po aq primitiv sa paraardhësit e tij, në mos më shumë, kur bëhet fjalë për vetitë e përhershme, që lidhen me natyrën njerëzore, siç janë frika, urrejtja, gënjeshtra, padrejtësia, smira, shtypja, shfrytëzimi, tradhtia, dhimbja dhe vdekja. Brenda kësaj errësire të dendur të ekzistencës njerëzore, që asnjë dritë e kësaj bote nuk mund ta zbusë, ka hyrë Krishti, Biri i Hyjit. Dhe ka hyrë në mënyrë të heshtur, siç është e heshtur vetë vdekja. Biri i Hyjit nuk i ka mësuar njerëzit me arrogancën e dijes së kësaj bote. Mësuesi nga Nazareti nuk pati një katedër nga e cila do t’i tregonte botës sa shumë dinte. Ai eci udhëve dhe shesheve të qyteteve dhe fshatrave të Galilesë e të Judesë, si njeri mes njerëzve. Katedra e tij ishte dhimbja e njeriut, frika, vështirësia e për të falur, sëmundja e bijve të Hyjit dhe, pasi i foli botës për dashurinë e pafundme të Atit qiellor, u ngjit në katedrën më madhështore të historisë, në kryqin e ngulur mbi Golgotë, dhe aty u bë burim drite dhe jete për të gjitha ata që besojnë. Të dashur vëllezër e motra, në jetë takojmë shumë mësues dhe lajmëtarë doktrinash shkencore, shoqërore e politike. Të gjithë kërkojnë ndjekës, por vetëm Mësuesi që ka prekur dhimbjen tonë është i denjë për dëgjesën tonë. Vetëm ai që ka hyrë në zonat e vdekura të shpirtit të çdo njeriu, me delikatesën e skajshme dhe gjestin sublim të vdekjes së vet, thotë fjalët e së vërtetës. Vetëm ai që, në kryq, mes dy keqbërësve, në atë gjendje të cilën shpesh herë mund ta kemi njohur edhe ne, ka provuar heshtjen e Hyjit në çastin e nevojës më të madhe, mund të na flasë në mënyrë të besueshme për Hyjin.
Drita dhe jeta, për të cilën ka etje të thellë shpirti i çdo njeriu, vjen vetëm nga Krishti i vdekur dhe i ringjallur. Takimi me Krishtin e mbush me dritë jetën tonë, siç ka mbushur me dritë jetën e miqve të tij para dymijë vjetësh në Galile e në Jude. Dy gratë e Ungjillit që sapo kemi dëgjuar, Maria Magdalenë dhe Maria tjetër, shkojnë për të parë varrin e Mësuesit, sepse e dinin thellë në zemër, se Jezusi nuk kishte ardhur për t’u lënë një doktrinë, por për të qenë miku i tyre. E dinin se doktrina e Krishtit pa Krishtin vetë do të ishte si doktrinat e tjera të kësaj bote, një dritëz më shumë në këtë errësirë të madhe. Drita e plotë dhe jeta pa hijen e vdekjes është vetëm Jezu Krishti i gjallë dhe i vërtetë. Atë mëngjes pashkësh gratë e Jeruzalemit janë të parat që përjetojnë lajmin e befasishëm të engjëllit: “E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar. Ai nuk është këtu! U ngjall sikurse ju tha!”. “E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar”: kush është Hyji që kërkojmë ne? Hyji i pushtetit dhe i lavdisë? Hyji i shenjtë i lumturisë qiellore, që nuk përzihet me mjerimin e njeriut? Hyji pa pyetje dhe pa trazime? Nëse kërkojmë atë lloj hyjnie, nuk do të udhëtojmë kurrë drejt një varri dhe nuk do ta njohim kurrë lajmin e mirë të ringjalljes. “E di se kërkoni Jezusin e kryqëzuar”. Gratë e Jeruzalemit kërkojnë Hyjin që njeh dhimbjen njerëzore, vështirësinë tonë për të qenë më të mirë, dështimet tona të njëpasnjëshme, mëkatet dhe vdekjen tonë. Kërkojnë Hyjin e afërt me njeriun gjer në vdekje, prandaj shkojnë tek varri i Krishtit. Kush kërkon Hyjin, duhet të udhëtojë drejt dhimbjes së njeriut, drejt vdekjes së tij. Vetëm atëherë do të gjejë lajmin e mirë dhe rrugën e jetës: “Nuk është këtu. U ngjall sikurse tha… Po shkon para jush në Galile. Atje do ta shihni”. Jezusi ka hyrë brenda errësirës së njeriut, brenda vdekjes sonë, për të hapur udhën e dritës dhe të jetës.
Është një varr në Jeruzalem, vend shtegtimi i të krishterëve nga e gjithë bota, shenjë e prekshme, tokësore, e lidhjes së Hyjit me njeriun gjer në vdekje. Është një varr në Jeruzalem, i zbrazur dhe i braktisur nga Krishti i ringjallur, shenjë e prekshme, tokësore e lidhjes së njeriut me Hyjin gjer në amshim. Engjëlli i ungjillit të sotëm i fton gratë brenda këtij varri: “Ejani e shikoni vendin ku qe vënë e pastaj nxitoni të shkoni e t’u tregoni nxënësve të tij: u ngjall së vdekuri dhe, ja, po shkon para jush në Galile”. Ecja e grave të Jeruzalemit, bashkë me nxënësit, nga varri i zbrazur gjer në Galile, për t’u takuar me të Ringjallurin, është ecja në besim. Këtë ecje kanë bërë vëllezërit e motrat tona, të cilët sonte marrin sakramentin e pagëzimit dhe bëhen gjymtyrë të trupit të Krishtit, trup i kryqëzuar dhe i ringjallur, që është Kisha. Në këtë ecje është vërtetuar për ta ajo që ndodh në Ungjill: “Ato (gratë) menjëherë u larguan nga varri me frikë e njëherësh me gëzim të madh (…) dhe ja, u doli përpara Jezusi (…) Ato u afruan, e morën ngrykë dhe e adhuruan”.
Jeta e krishterë është përqafim me Krishtin e ringjallur, i cili na njeh mirë, na do pafundësisht dhe na thotë: “Mos kini frikë!”. Këtë përqafim e përshkruan në mënyrë të mrekullueshme Letra e Shën Palit Apostull drejtuar Romakëve, të cilën e dëgjuam para shpalljes së Ungjillit: “Pasi jemi krejtësisht të bashkuar me Krishtin, me një vdekje të ngjashme me të tijën, me siguri do të bëhemi plotësisht një me të, me përngjasimin e ngjalljes së tij”.
Pagëzimi dhe jeta sipas pagëzimit është pikërisht ky bashkim me Krishtin, që e shndërron ekzistencën tonë: “njeriu ynë i vjetër është kryqëzuar bashkë me të” dhe është “i gjallë për Hyjin në Jezu Krishtin”. Të dashur vëllezër e motra, mirë se vini në Kishë! Dhurata e fesë suaj është bekim për të gjithë ne, sepse sillni freskinë e Shpirtit të Shenjtë, të cilën të pagëzuarit “e vjetër”, rrezikojnë ta vjetrojnë, duke e jetuar fenë më shumë si zakon sesa si dera e shpirtit, nëpër të cilën hyn Krishti brenda nesh dhe na mbush me dritë e me jetë. Së bashku me ju, e gjithë Kisha vrapon drejt Galilesë, atje ku i Ringjalluri pret të takohet me nxënësit dhe miqtë. Galilea, në Bibël, është rajoni ku banojnë hebrenjtë dhe paganët, është qyteti i të gjithëve. Jezusi i ringjallur pret që nxënësit e tij ta takojnë në qytetin real, mes të gjithë njerëzve të kësaj bote, që kërkojnë dritë dhe jetë. Të mos kemi frikë, të dashur vëllezër e motra, sepse në Galilenë e jetës sonë të përditshme, plot drita të rreme e dëshira të vërteta, gjendet Krishti ringjallur, që na mbush me dritë e me jetë.
Kisha dhe Jeta Gazete e permuajshme e Kishes Katolike Tirane