Krezmimet në Sukth Famullia Shën Mëhilli Kryeengjëll

Nga Don Francesco Guatrnati

Më 1 qershor 2014, e diela e Ngjitjes së Zotit në Qiell, te kisha jonë famullitare Shën Mëhilli Kyeengjëll kemi jetuar dhuratën e Shpirtit Shenjt ndërkohë që pesëmbëdhjetë adoleshentë kanë marrë Sakramentin e Krezmimit nga imzot George Frendo gjatë Meshës së shenjtë të orës 11.

Kisha ishte e plotë dhe besoj që ka qenë një përvojë e paharrueshme për të gjithë të pranishmit. Së pari duhet theksuar bukuria e kremtimit dhe pjesëmarrja e vëmendshme e besimtarëve. Ma merr mendja që kemi shijuar shenjat e shenjta të sakramenteve, të ndihmuar nga fjalët dhe gjestet e ipeshkvit, dhe nga këngët e korit të të vegjëlve. Na ka mallëngjyer edhe fakti që një vajzë që u krezmua, Adiola Konika, pikërisht të dielën e kaluar kishte humbur babin; ajo mori pjesë bashkë me kushërirat Bikela dhe Antonela, edhe ato kandidate të krezmimit. Ishin të pranishëm mami, motra e vogël dhe vëllai i vogël dhe anëtarët e fisit. Tre kushërirat ishin të veshura me të bardha, ndërsa familjaret ishin me veshjet e zisë, dhe të gjithë ata na kanë dhënë një dëshmi shumë të fortë në këtë moment kaq të vështirë. Çfarë ishte më shumë i nevojshëm se sa Shpirti Shenjt ngushëllues? Kjo familje e kuptoi dhe për këtë mori pjesë në kremtimin e Krezmimit me shumë besim dhe me gjithë zemër.

Në mbarimin e meshës imzot George ka dhënë edhe lajmërimin zyrtar që unë, don Francesco Guarnati, famullitari i Sukthit nga tetori 2006, do të largohem nga Shqipëria për një mision tjetër. Por kjo nuk do të thotë një lamtumirë. Me fjalë të tjera, nga shtatori e sipër do të caktohem si drejtues shpirtëror i Shoqatës Betania e cila vepron në Itali, në Shqipëri dhe në Kenia (Afrika); prandaj do të jem në gatishmëri të plotë të Shoqatës dhe sigurisht do të kthehem në Shqipëri dhe do të takohemi përsëri.

Dëshiroj të falënderoj Hyjin për këta tetë vjet si famullitar. Ka qenë një shkollë jete edhe për mua dhe kemi parë edhe disa përmirësime. Si kam thënë edhe në përfundimin e meshës atë ditë, kërkoj falje sepse mund të kisha bërë më mirë dhe nganjëherë jam mërzitur për disa situata të vështira. Mendoj që të gjithë mund dhe duhet të kërkojmë falje njëri me tjetrin, si bëhet në një familje. Por mbi të gjitha duhet ecur përpara. Prandaj që tani dëshiroj të inkurajoj famullitarin e ardhshëm të Sukthit! Falënderoj ipeshkvijtë tanë Rrok Mirdita dhe George Frendo për bashkëpunimin e tyre dhe për atësinë shpirtërore në Dioqezën e Tiranë- Durrësit. Falënderoj sepse mes nesh ka qenë gjithmonë një dialog i sinqertë dhe frytdhënës, i cili me siguri do të vazhdojë në të ardhmen bashkë edhe me priftërinjtë e dioqezës.

Falënderoj familjet, animatorët, katekistët dhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të famullisë. E di që largimi nuk është i lehtë, por siç kemi thënë shumë herë, famullia e Sukthit ka nevojë për ju për të ecur përpara. Më në fund dëshiroj të falënderoj motrat benediktine të provanisë hyjnore që kanë bashkëpunuar me mua në këto vite: motër Anjeza, motër Gjystina dhe motër Irma. Lutja dhe puna e tyre kanë qenë për mua një shembull dhe një mbështetje të domosdoshëm. Sa herë jemi lutur së bashku dhe jemi përpjekur t’i gjejmë zgjidhjet e problemeve ose t’i përmirësojmë aktivitetet e famullisë. Sa herë kamë marrë këshilla të mira prej atyre dhe për këtë u falënderoj. Shumë të dashura motra, ju uroj që të vazhdoni sa më mirë misionin tuaj në Shqipëri! Edhe të gjithë atyre kë kam takuar në këto vite u them mirupafshim në emrin e Zotit!