Krezmimet në Famullinë e Katedrales së shën Palit në Tiranë

Nga Mariglena Nikaj

8 qershori i këtoj vitit, për mua personalisht, por jam e bindur se dhe për të gjithë të krezmuarit e kësaj ditë, do të mbesi I pashlyer në mendjen dhe zemrën tonë. Në ditën e Rrëshajve, shekuj më parë Shpirti Shenjtë zbriti mbi apostujt, e tani erdhi koha qe Shpirti Shenjtë të zbresë edhe mbi ne të sapokrezmuarit e kësaj dite. Padyshim që kjo datë do të mbesë për shumë kohë në mendjet e secilit prej nesh. Pas rreth një viti katekizmi dhe përgatitje, më në fund ne u bëmë gati të mbusheshim me Shpirtin Shenjtë. Mund të them me plot gojë që ka qenë dita më e bukur e jetës! Ishte përgjegjësi e madhe që aty në prani të Krishtit, në Meshën Shenjte që po kremtohej, të merrnim atë sakrament aq të bukur që na mbushi me lumturi. Ishim të privilegjuar atë ditë sepse bankat e para ishin të rezervuara për ne, në mënyrë që të ishim sa më pranë Zotit edhe pse ai eshte i kudo ndodhur. Emocioni ishte i madh. Nuk e di nëse ishte emocion, ndjesi e bukur, lumturi apo diçka tjetër, por di që më kishte pushtuar një energji aq e madhe sa gjatë gjithë meshës e deri në përfundim të saj frymëmarrja ime ishte e rënduar dhe rrahjet e zemrës ishin të shpeshta. Në fytyre me ishte pikturuar një buzëqeshje të cilën e bëja pa vetëdije në çdo kohë. Ndihesha 3 metra mbi qiell dhe atë ditë s’mund të kishte një njeri më të lumtur së unë në tokë. Besoj se për të gjithë ka qenë kështu. E si mund të jetë ndryshe kur di që do jesh një hap më pranë Zotit?

Mesha e drejtuar nga Shkëlqesia e Tij, Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi dhe bariu ynë shkoi mrekullisht mirë. Në fund para se të merrnim bekimin e Imzot Rrokut, bëmë një falënderim për të gjithë ata që na përgatiten për atë ditë aq të veçantë për secilin prej nesh. Eksperienca të tilla fatkeqësisht vijnë vetëm një herë në jetë, por lënë tek ne një shije të ëmbël që do e kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri.

Nëse do me duhej të bëja një krahasim, do thoja që më përpara jeta ime ka qenë e zbrazët, boshe dhe e errët, derisa këtë ditë kaq të veçantë, në ditën më të bukur të jetës time, u mbusha me dritë, shpresë dhe dashuri. E hapa zemrën drejtë kësaj mrekullie dhe u mbusha me bekim. Pas krezmimit shpirti im fitoi qetësinë që prej kohësh më kishte munguar!