Nga Dom Marjan Lumçi
Fjala Ardhje, vjen prej latinishtes “adventus”. Shpesh herë kjo fjalë tentohet të përkthehet dhe të konsiderohet edhe si “pritje”, dhe në dukje të parë të bahet sikur nuk ekziston siguri se Zoti ka me ardhë, por jetojmë në një pritje disi të dyshimtë të ardhjes së Tij apo jo. Koha e Ardhjes është mund të themi një kohë e shkëlqyeshme, kohë e shkëlqyeshme sepse ngjarja që ndodh e mbush zemrën dhe mendjen tonë me habi të madhe. Mbetemi të habitur përballë një Hyjit, i cili për tu bërë lehtësisht i kuptueshëm prej nesh, pranon që të bëhet i vogël në krahnorin e Virgjërës Mari. Mbetemi të habitun prej zvogëlimit që Jezusi i ka bërë vetvetes, Krijuesi, i cili pranon që të gjykohet dhe të dënohet prej krijesës së tij! Por, kishem me thanë se edha ma shumë të len të habitun dhe pa frymë, motivi se pse ndodhë gjithë kjo: DASHNIA, vetëm Dashnia që ka për ne, për ne të cilët e kena humbë rrugën e Dashnisë.
Është me të vërtetë emocionuese: se si ti, o Zot, që i njeh jo vetëm veprat e mia, por edhe mendimet e mia të këqija, nuk vepron ashtu sikurse veprojmë ne njerëzit: që gjithë jetën e tonë e kalojmë në kërkim të fajtorit, që e gjykojmë dhe shpesh edhe e fshijnë plotësisht prej jetës sonë, por vjen dhe na kërkon, pranon përbuzjen tonë dhe fyerjet tona, ke durim me arrogancën tonë dhe me mendjemadhësinë tonë duke vazhduar të shpresosh se zemra jonë përballë Dashnisë tënde, do të mund të zbutet dhe të ndryshojë. Dhe kur ma në fund ne e kuptojmë Dashninë tande dhe i dorëzohena pritjes sate, Ti ban festë në qiell, na e rijep dinjitetin e bijve, na fal dhe na rikthen në jetë, dhe gjithë këtë ti e konsideron si një dhuratë për ty!
Jezus, ti je me të vërtetë një Hyj i jashtëzakonshëm. Ban që zemra e jonë të mund ti hapet Dashnisë tande, të mund ta kuptojë se urrejtja dhe inati janë një rrugë pa krye dhe që na mbyll në vetvete, bëj që ne të bindemi se vetëm Dashnia ka për me e shpëtuar botën, duke filluar prej vetvetes tonë, prej raporteve tona me ata që i kemi më afër, prej mënyrës sonë se si sillemi, si vishemi, si mendojmë dhe si relacionohena me të tjerët. Ardhja, ardhja e Hyjit në mesin e njerëzve. Jezusi është ne mesin tonë, sepse më përpara ai ka pranuar që të qëndrojë në kraharorin e Virgjërës Mari dhe ka pranuar që të lindë si çdonjëri prej nesh.
Gjëja më e rëndësishme që ne duhet të kuptojmë është: NUK JEMI NE QË E KËRKOJMË ATË, POR ËSHTË AI QË NA KA KËRKUAR DHE NA KËRKON VAZHDIMISHT. Në këtë kohë ARDHJET, le ti lutemi vazhdimisht: Eja, o Zot Jezus, eja nëpër Marinë, lind sot dhe çdo ditë në zemrat tona.