Nga dom Patrizio Santinelli
Fillimi i muajit të Majit ka qenë për Bathoren një moment i paharrueshëm. Ajo që deri para disa vitesh dukej e pa arritshme u realizua: shugurimi i kishës së re kushtuar Gjon Palit të II-të. Nuk mund të mos kujtoj Prillin e 2007-ës: nga 3 vjet isha në Bathore dhe duke hapur gazetën “Emmaus” e dioqezës së Maçeratës me rastin e ardhjes së ipeshkvit të ri Claudio Giuliodori, gjej në faqen e fundit një artikull me titullin “për dhuratë një kishë e re për Bathoren”. Nuk mund ta besoja, por Mons. Giuliodori duke hyrë në dioqezën e Maçeratës ka kërkuar prej gjithë besimtarëve një kontribut për të ndërtuar në Bathore një kishë të re. Nga 2 vjet kisha plotësuar kërkesën për legalizimin e territorit, por vështirësitë dhe parregullsitë më të ndryshme nuk jepnin shenja shprese. Pas shumë përpjekjeve dhe peripecive në vitin 2010 ishte gati gjithë dokumentacioni dhe filluan gërmimet. Fondet e mbledhura ishin krejtësisht të pamjaftueshme, dhe për 2 herë kemi ndaluar punimet. I njëjti ipeshkëv i Maçeratës mori atëherë vendimin të devijoheshin disa fonde të destinuara për dioqezën e vet për vazhdimin e ndërtimit të Kishës së Bathores. Me mbështetjen e Mons. Rrok Mirditës erdhën kontributet nga Konferenca Ipeshkvore Amerikane, Spanjolle dhe nga shoqata “Kirke in Not”, kështu ajo që dukej një ëndërr e parealizueshme, arriti në përfundim. Duke shikuar vitet dhe vështirësitë e kaluara një gjë është jashtëzakonisht e dukshme: kisha e re në Bathore ka qenë një projekt dhe një dhuratë e Zotit. Me mirënjohje duhet të falënderojmë pafundësisht bamirësit për bujarinë e tyre, por zhvillimet e situatës në shumë aspekte nënvizojnë edhe më shumë që ajo që ndodhi ka qenë padyshim dëshira dhe projekti i Zotit. Kështu pas 5 ditësh nga shenjtërimi i Gjon Palit të II-të, kisha e re kushtohet këtij Papës së madh. Pjesëmarrja e bashkësisë së krishterë ka qenë masive përtej çdo parashikimi, e devotshme dhe e gëzueshme. Në një atmosferë gëzimi dhe mallëngjimi, nën udhëheqjen e Mons. Rrok Mirditës, me praninë e Nuncit Apostolik Mons. Ramiro Molines, Mons. George Frendo ipeshkëvi ndihmës, Mons. Lucjan Avgustini ipeshkëv i Sapës dhe Mons. Claudio Giuliodori që ka ardhur posaçërisht nga Italia me një delegacion prej 40 besimtarësh, dhe me 50 prifta nga Arkidioqeza Tiranë-Durrës dhe nga vendet e tjera të Shqipërisë, u zhvillua riti i shugurimit të kishës. Lyerja e mureve dhe elterit, bekimi i ambonit, vërja e relikes së Gjon Palit të II-të, vërja e kemit në prush mbi elterin që lironte një tym solemn që përfaqëson lutjen e popullit të krishterë që ngjitet te Zoti, inaugurimi i tabernakulli të ri, kanë qenë momentet më të rëndësishme dhe të prekshme. Asemblea e besimtarëve shoqëronte këto momente me një pjesëmarrje aktive dhe e përshpirtshme, ndërsa kisha tingëllonte me këngët e lavdërimit.
Kisha e Shën Gjon Palit të II-të në Bathore shkëlqen njëkohësisht për madhështinë dhe thjeshtësinë. Struktura që përfshinë dhe kambanoren me 6 këmbana është e dukshme dhe madhështore, ndërsa përbrenda ka shtylla të hapura sikurse në një përqafim, ku fillon një korridor i verdhë që vazhdon në presbiteriumin deri në kryqin e madh të absidit, edhe ky me ngjyrën e dritës që “shikon”drejt tabernakulli ku rimerren format dhe ngjyrat e presbiteriumit. Çatia është në formën e velës, sepse Kisha është anija e udhëhequr nga fryma e Shpirtit Shenjtë, ndërsa në mure mbizotëron ngjyra e bardhë që kujton se populli i kishës është populli pagëzimor, d.m.th. vazhdimisht i thirrur për të rizbuluar dhe për të përjetuar pasurinë e pafundme të Pagëzimit, veçanërisht në Bathore ku akoma shumë persona kanë nevojë të mikprerin Fjalën e Zotit që çon në Pagëzimin e pranuar në mënyrë të vetëdijshme.
Falënderojmë Zotin për këtë dhuratë, të sigurt që kjo “ndërtesë” është një nxitje dhe një stimul për të vazhduar shpalljen e Fjalës së Jetës dhe për të ndërtuar “Kishën e vërtetë” ajo që ndërtohet me “gurë të gjallë” të udhëhequr prej Shpirtit të Zotit, të ushqyer me trupin e Krishtit dhe të lidhur në dashurinë e vërtetë.