HOMELI PËR SHUGURIMIN IPESHKVOR TË GIOVANNI PERAGINE-S
Lushnje, më 7 shtator 2017
I dashur vëlla Giovanni: leximet që sapo kemi dëgjuar dhe që ti vetë i ke zgjedhur për këtë rast të veçantë të paraqesin një program për jetën e re që po fillon sot. Sepse sot ti po fillon një kapitull të ri në jetën tënde, me sfida të reja, me aventura të reja. Një kapitull në të cilin Zoti do të të dhurojë shumë raste të bukura për të paraqitur praninëdhe dashurinë e tij.
Në Ungjillin e Lukës lexojmë se një ditë të shtunë Jezusi hyri në Sinagogëdhe atje hapi librin e Isaisë profet, dhe lexoi pikërisht atë pjesë që kemi dëgjuar në Leximin e Parë. Pasi e lexoi, Jezusi tha vetëm këto pak fjalë: “Sot shkoi në vend kjo pjesë e Shkrimit të Shenjtë që e dëgjuat me veshët tuaj.” Vetëm kaq ka mjaftuar. Sepse në këtë mënyrë Jezusi, me fjalë të tjera, u tha: Çka ka paralajmëruar Isaia po zbatohet në mua, në jetën time. Fjala e Isaisë shpalli programin e jetës së Jezusit. Por nga ai Lexim dua të theksoj ato fjalë: “Shpirti më dërgoi të shpall lajme të gëzueshme”. Fjala e Zotit është thelbësisht një lajm i mirë. Ja pse, më përpara, Isaia tha: “Do t’ju jap vajin e gëzimit në vend të zisë, këngën e lavdit në vend të zemrës së trishtuar”. Lajmet e televizorit dhe të gazetave janë plot me lajme të këqija, që na shkurajojnë. Po jetojmë midis një kulture dëshpërimi. Bota ka nevojë të dëgjojë një fjalë që i jep shpresë, kurajo, gëzim. Ky shtë lajmi që bota pret prej nesh, i dashur vëlla, ky është lajmi për të cilin Jezusi po të dërgon si bari në këtë dioqezë. Populli ka të drejtëtë dëgjojë prej nesh një fjalë inkurajimi, ka të drejtë të shohë tek fytyra jonë një buzëqeshje. Shenjtja Nënë Terezë e Kalkutës vazhdimisht u thoshte motrave të saj: “Give a big smile! Jepni një buzëqeshje të madhe!” Papa Françesku, në dokumentin e tij mbi Ungjillizimin, thotë se “ka të krishterë, jeta e të cilëve është si kreshmet pa pashkët”. Mos të harrojmë se gëzimi është një nga frytet e Shpirtit Shenjt. Pra edhe Maria, duke ndarë gëzimin e saj me Elizabetën, tha: “Shpirti im me hare i brohoret Hyjit, Shpëtimtarit tim”.
Shën Pali, në Leximin e Dytë, ka shprehur heroizmin e dashurisë së tij ndaj Krishtit. “Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit?” – thotë ai i cili, vite më parë, i kërkonte nxënësit e Krishtit për t’i futur në burg. Por tashti thotë: “Kur njëri bashkohet me Krishtin, bëhet një krijesë e re”. Dhe ka folur nga eksperienca vetjake kur ka thënë këto fjalë. Megjithatë në këtë moment dua të të kujtoj, o i dashur vëlla Giovanni, ato fjalë të apostullit nëLetrën drejtuar Filipianëve: “Vrapoj që, në ndonjë mënyrë, të mund ta zë, sepse edhe vetë kam qenë zënëprej Krishtit Jezus. Vëllezër, unë nuk mendoj se ia kam arritur; di vetëm kaq: harroj çka kam lënë pas dhe zgjatem drejt të së ardhmes, sulem drejt qëllimit, drejt shpërblimit të thirrjes qiellore të Hyjit në Krishtin Jezus.” Këto fjalë na mësojnë se jetëntonë duhet ta çmojmë si një proces, gjatë të cilit identifikohemi me Krishtin. Por të kemi kujdes për atë folje që përdor Pali: “zë”. Thotë: “Vrapoj për ta zënë Jezusin, sepse edhe vetëkam qenë zënë prej Krishtit”. Është folje që përdoret për peshkim: peshkatari zë peshq. Nuk e di a ke qenë ndonjë herë për peshkim. (Unë kam qenë vetëm një herë, dhe nuk kam pasur fat… shpresoj të kem më shumë sukses si peshkatar njerëzish!). Për t’i zënë peshqit, peshkatari përdor një grep, që peshku mos tëarratiset. Kështu edhe ne duhet ta zëmë Jezusin në mënyrë që të mos tëarratiset. Jezusi tashmë të ka zënë ty, i dashur vëlla. Por ti vazhdo të shkosh për peshkim për Jezusin, që të identifikohesh krejtësisht me të, e fjala jote të bëhet më e besueshme dhe e pranueshme.
Në Ungjill kemi dëgjuar për atë takim shumë interesant të Krishtit të ngjallur me Pjetrin. Jezusi i drejtoi Pjetrit një pyetje të thjeshtë: “A më do ti?” Shën Augustini vëren se Krishti i ngjallur nuk bëri asnjë pyetje tjetër përveç kësaj. Pra ishte një pyetje shumë e rendësishme.
Sot Jezusi po ta drejton të njëjtën pyetje ty, vëlla Giovanni: “A më do ti?” Dhe pasi të bëhet i sigurt se ti e do, do të të urdhërojë: “Kulloti qengjat e mi”. Këto janë fjalët që ti ke caktuar si moto për stemën tënde: Pasce agnos meos. Kulloti qengjat për të cilët sot po shugurohesh ipeshkëv. Së pari me shembullin e jetës sate. Le të shkëlqejë tek ti drita e Krishit, që të mund të ndriçosh të tjerët. E vazhdo t’i kullotesh me Fjalën dhe me sakramentet.
Dua të përmend se vendi ku është kryer ky dialog mes Jezusit dhe Pjetrit ishte bregu i detit të Tiberiadit, që quhej gjithashtu Deti i Galilesë ose edhe Liqeni i Gjenazaretit. Tri vite më përpara Jezusi e kishte takuar Pjetrin, i cili kishte qenë për peshkim tërë natën, por nuk zuri asgjë. Jezusi i urdhëroi: “hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.” Dhe në fakt zunë një sasi të madhe peshqish. Ky ishte rasti kur Jezusi për herë të parëi tha Pjetrit: “Më ndiq mua”; dhe Pjetri e pranoi menjëherë këtë ftesë, ndoshta duke menduar: “Patjetër se do ta ndjek! Ky burrë do të më sjellë fat!” Tani, Krishti i ngjallur, për herë të dytë i thotë Pjetrit: “Më ndiq mua!” Por tani Pjetri ka kuptuar se ndjekja e Krishtit përfshin gjithashtu eksperiencën e Kalvarit, e kryqit. Dhe kryqi që ti do të mbash mbi kraharorin tënd, i dashur Giovanni, le të të kujtojë se, sikurse tha Dietrich Bonhöffer, nuk ka dishepullat pa eksperiencën e kryqit.
I dashur Giovanni, mos harro se, sipas ligjit të Kishës, ti, që vjen nga një familje rregulltare, nga Kongregata e Klerikëve të Shën Palit, ende je anëtar e asaj familjeje rregulltare, edhe pse jo më i lidhur me kushtin e dëgjesës ndaj eprorëve të Kongregatës.Kjo do të thotë se ti do të vazhdosh të përjetosh karizmën e Kongregatës dhe shpirtin e themeluesit të Kongregatës, Shën Anton Maria Zakaria. Të uroj shumë të pasqyrosh shpirtin e tij, veçanërisht dashurinë e tij për të varfrit, devotshmërinë e tij për eukaristinë e shenjtë, dhe angazhimin e tij për të parë një Kishë më të denjë që të quhet “nusja e panjollë e Krishtit”, duke dënuar abuzimet që ishin një njollë për Kishën e asaj kohe.
Dhe së fundi, dua të përmendeksperiencën e bashkëpunimit tim me Atë Giovanni gjatë këtyre njëzet viteve si misionarë në Shqipëri, sepse ai ka ardhur këtu si misionar vetëm pak muaj pasi kam ardhur unë. Gjatë viteve kur unë isha Vikar i Përgjithshëm me Imzot Rrok Mirditën e kam njohur Atë Giovanni-n shumë nga afër si famullitar në Milot. Më kujtohet kur një ditë shkova me të për të bekuar një kishë mbi një mal. Binte shumë shi, dhe pasi në vendin tim nuk kemi male, gjithmonë kam shumë frikë kur kaloj nëpër rrugë të ngushta mbi male. Kam vlerësuar shumë sakrificat e mëdha të Atë Giovanni-t për të punuar në ato kushte. Kam vlerësuar angazhimin e tij baritor, zellin për të krijuar një bashkësi të krishterë në famullinë e tij. Ja pse, për shumë vite, ka kryer detyrën si dekan i dekanatit verior në dioqezën tonë, dhe kështu ka krijuar edhe një shpirt vëllazëror të fortë mes meshtarëve dhe rregulltarëve të atij dekanati. Kemi bashkëpunuar shumë kur unë isha presidenti i Konferencës së Eprorëve të Lartë dhe ai ishte sekretar i përgjithshëm. Më vonë, në nivel evropian, u zgjodh anëtar i Këshillit Evropian të Konferencave të Eprorëve të Lartë, dhe para disa vitesh edhe presidenti i këtij Këshilli Evropian.
Gëzohu, Giovanni, sepse Zoti të ka dhuruar shumë raste për t’i shërbyer atij dhe Kishës së tij. Po i them këto fjalë, jo që të mburresh me atë që ke, por për t’u përulur para Zotit për atë që ke marrë prej tij. Sigurisht, do të gjesh mbështetjen dhe bashkëpunimin e plotë tek të gjithë meshtarët dhe rregulltarët shumë të mirë dhe të zellshëm që pasurojnë dioqezën tënde. Vlerëso gjithmonë misionin tënd si ipeshkëv, si një thirrje të veçantë për të shërbyer, sipas shembullit të atij që erdhi në botë jo për të qenë i shërbyer, por për të shërbyer. Ai që, si Bariu i Mirë, është takuar me Marinë Magdalenë dhe e thirri për emër, do të të mësojë si t’i njohësh delet e tua dhe t’i çosh drejt atij që është Rruga, e Vërteta, dhe Jeta, Jezu Krishti. Amen.
Fjalimi i Ipeshkvit te ri ne mbarim te Kremtimit
Fort të dashur,
Në këtë moment në zemrën time jehon fort himni i falënderimit të Marisë “Shpirtiim e madhëron Zotin, sepse shikoi me pëlqim shërbëtoren e vet të përvuajtur”. Është e vërtetë se përballë madhërisë së Hyjit që vepron në jetën tonë, gjithmonë në mënyrë të papritur e të habitshme ndjej nevojën për atë që është duke kryer në jetën time, pavarësisht prej limiteve dhe dobësive të mia njerëzore. Kemi dëgjuar se Papa Françesku ka dëshiruar, që një misionar nga një qytet i vogël i veriut të Shqipërisë (Milot),të bëhet bari i një territori të gjerë që përfshin Administratën Apostolike në pjesën jugore të Shqipërisë. Për këtë arsye duhet të falënderoj Papa Françeskun për besimin që më ka treguar, duke më dërguar mes jush si bari të ri. Falënderoj me njëherë hirësinë e tij Mons. Hil Kabashi, i cili për 20 vite e udhëhoqi këtë Administratë. Jam i sigurtë se sakrificat që ai ka bërë, sidomos në vitet e para dhe punët që ai ka bërë deri më sot do të vazhdojnë të japin fryt e edhe në të ardhmen. I përshëndes dhe I falënderoj të gjithë meshtarët dhe rregulltarët që punojnë në këtë Administratë. Besnikëria juaj ndaj Zotit, dëshmia e përditshme dhe heshtja e jetës suaj të kushtuar në shërbim të më të dobtëve, janë e do të jenë për mua arsyeja e inkurajimi në këtë çast dridhjeje. Të dashur, kam qenë i dërguar nga eprorët e mi si misionar i Kongregatës së Etërve Barnabitë dhe si misionar kam ndër mend të vazhdoj shërbimin tim. Gjatë gati 25 viteve të meshtarisë sime, 20 vjet i kam jetuar këtu në Shqipëri, në këtë Kishë në mesin e këtij populli, kam mësuar të ushtroj ministerin tim, kam mësuar të dëgjoj njerëzit dhe e kam mbrojtur famullinë time, familjen time. Për këtë e përshëndes dhe e falënderoj bashkësinë e famullisë së Milotit dhe gjithë dioqezin Tiranë-Durrës, e cila për mua ka qenë si një nanë. Nana Terezë e Kalkutës shpeshherë ka pohuar se ka pasur gjak shqiptar dhe zemër indiane. Edhe unë mund të them padyshim se kam gjak italian dhe zemër shqiptari. Motoja që kam zgjedhur është “Kulloti qengjat e mi”. Ashtu si Pjetri gjatë mundimeve, për tri herë e kishte mohuar Jezusin, pasi kishte kërkuar të konfirmojë dashurinë e tij më shumë se të gjithë, edhe edhe mua Zoti më kërkon t’i kullos qengjat, popullin e tij, duke filluar nga më të dobëtit më të varfërit, më të largtët. Me ndihmën e Bariut të mirë dua të bëhem i afërt i dtë gjithëve dhe t’i dëgjoj, udhëheq, mbroj, mbështes e shërbej. I përshëndes, që nga tani, besimtarët e Kishës Katolike, të cilëve së shpejti do t’ju dërgoj një mesazh përshëndetje edhe besimtarët e besimeve të tjera që janë të pranishëm në këtë territor, komunitetin musliman dhe bektashian dhe vëllezërit e kishës ortodokse. Me ta dëshiroj të ndërmarr rrugë dialogu dhe bashkimi për të qenë gjithmonë shenjë më konkrete e Hyjit për njerëzimin. Ju përshëndes të gjithëve e lutuni për mua.