Gëzimi i një dite që do të mbahet gjatë në kujtesën e shumë të rinjve të famullisë së Katedrales së shën Palit këtu në Tiranë.
24 maji, dita e Rrëshajëve, dita në të cilën Shpirti i Zotit e zbukuroi jo vetëm së brendshmi jetën e shumë personave, por një bukuri e cila shikohej dhe vërehej qartë në sytë e të gjithë besimtarëve. Pikërisht në këtë ditë 57 të rinj të famullisë së shën Palit i thanë po dhuratës së bërë atyre nga prindërit kur patën qenë të vegjël duke i futur në Kishën Katolike nëpërmjet pagëzimit, dhe që sot nëpërmjet Krezmimit pranojnë me vetëdije të plotë të jenë pjesë e kësaj Kishe që me aq shumë dashuri i pret dhe i ngrohë në gjirin e saj. Në një Katedrale të tejmbushur me besimtarë, Meshën Shejte e priu Arqipeshkvi i Arkidioqezës sonë Sh. T. Imzot Rrok Mirdita, me të cilin bashkëkremtuan Ipeshkvi Ndihmës Sh. T. George Frendo që është dhe famullitar i kësaj famullie, si dhe Dom Marjan Lumçi zëvendës famullitar dhe Dom Korrado Van Kerschaver punëtor baritor i kësaj famullie. Që në fillim të fjalës së Tij, Arqipeshkvi i ftoi të gjithë të pranishmit të marrin pjesë dhe të mbushen me kryefjalën e kësaj dite – gëzimin-, sepse vetëm një përson i gëzuar në Zotin mund ti hapë rrugën Shpirtit të Tij për të lejuar që të mbushet me praninë e Tij paqeplotë. Ai u shpreh duke thënë: «Gëzohuni sot ju të gjithë që merrni pjesë në këtë Gëzohuni ju djem dhe vajza që po merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë. Më pas, duke vënë re moshën e re
të pjesës më të madhe të atyre që do të merrnin sakramendin e Krezmimi, i›u drejtua posaçërisht atyre duke ju kujtuar momentin e përshtatshëm në të cilin Miku i jetës së tyre po ju vjen afër: «Gëzohuni ju djem dhe vajza që po merrni dhuratën e Shpirtit të Shenjtë në një periudhë të jetës në të cilën me të vërtetë keni nevojë për mikun qiellor. Jeni të rinj dhe jeni duke krijuar mardhënie të reja, duke thurur miqësitë në të cilat keni qëllim të rriteni, duke projektuar të ardhmen tuaj, duke formuar pasionet tuaja dhe shpesh herë, megjithëse jeni plot energji, ndesheni
me çaste vetmie kur ju duket se të tjerët nuk ju kuptojnë dhe ju nuk i kuptoni të tjerët». Gjatë fjalës së Tij, Imzot Rroku ju kujtoj të rinjve funksionet apo dhantitë e Shpirtit të Shejtë, të cilat për asnjë çast nuk do i linin vetëm, por sapo ta thërrasin në ndihmë do ndjejnë praninë e Tij dashamirëse: «Mos mendoni se jeni vetëm. Thërritni mbi ju Shpirtin e dashurisë që në mjedisin ku jetoni të palosë çfarë është e ngurtë, të ngrohë çfarë është e ftohtë, të drejtoj çfarë është e shtrembër. Lejoni që të udhëhiqeni shtigjeve të Hyjit. Mos kini frikë të dorëzoheni në duart e tij. Fjala e tij të tingëllojë në jetën tuaj si një këmbanë që bie për t’ju kujtuar kohët e Zotit. Kini guximin të jetoni për të tjerët t’ju kushtoheni atyre krejtësisht». Nuk mungoi në predikimin e Shkëlqesisë edhe ftesa për ta dëgjuar thirrjen që Shpirti bën në shpirtin dhe në ndërgjegjen e secilit besimtar, thirrje kjo qoftë e projektuar drejt martesës, por edhe drejtë meshtarisë apo jetës së kushtuar: «E nëse Hyji kërkon prej jush që ta ndiqni në udhën e meshtarisë apo të jetës rregulltare, mos ngurroni t’i thoni “po” thirrjes së tij. Në këtë “po” Hyji do të veprojë për shëlbimin tuaj dhe të botës. Të rinjtë që po merrnin sakramendin e Krezmimit, në gëzimin e tyre ishin të shoqëruar përveçse nga nunët e tyre, edhe nga prindërit e tyre, për këtë arsye, Arqipeshkvi i› u drejtua prindërve duke ju kërkuar që të jenë të gëzuar sepse shohin me sytë e tyre të kurorëzuar me sukses frytin e djersës së tyre në misionin e vështirë të edukimit për jetën të dhuratës që Zoti atyre u ka besua: «Gëzohuni ju prindër, sepse bijtë dhe bijat tuaja duan t’i përkasin krejtësisht Hyjit, se bijtë e Hyjit janë ata, të cilët i udhëheq Shpirti i Shenjtë, sepse fenë që ju keni trashëguar nga të parët e shihni sot duke u rritur tek fëmijët tuaj. Ata janë për ju një dhuratë, dhe kjo dhuratë sot është shumë e bukur sepse Hyji vetë po e bekon. Duke marrë Shpirtin e Shenjtë do të bëheni bij të adoptimit. Më pas i ftoi të rinjtë që tua hapin derën e zemrës së tyre Krishtit, duke i prekur në pikën më delikate të vetë moshës së tyre, dashurisë, duke e shpallur atë si shenjën kryesore të njohjes së dëshmitarit të vërtetë,por dhe si zanafillë e gëzimit të vërtetë që asnjë vështirësi nuk do të mund t›jua çrrënjosë më: «Lëreni Krishtin të hyjë në jetën tuaj, t’ju mbushë me jetën e tij, t’ju vërë në krahët e Atit. Vetëm dashuria mund ta shpëtojë botën dhe vetëm dashuria i bën të krishterët të jenë të ndryshëm. Është ,Jezusi ai që na thotë: “Prej dashurisë që
do të keni për njëri – tjetrin, kushdo do t’ju njohë se jeni bijtë e mi”. Hyni që sot në këtë njësi të dashurisë hyjnore dhe aty jetoni përgjithmonë. Në të do të gjeni gëzimin e jetës suaj». Moment shumë i bukur dhe emocionues ishte çasti kur menjëherë pas pranimit të sakramendit të Krezmimit, nunët e secilit të sapo krezmuar i vendosnin shiritin e bardhë në kokë me shenjën e kryqit në ballë, shenjë kjo e vulosjes përfundimtare më kryqin e Krishtit si dhe e futjes përfundimtare në Kishën e Atij që më përpara e kishte bërë premtimin «Qe, Unë do të jem me ju deri në të sosur të botës». Fjala përmbyllëse ishte një urim për të gjithë të sapo krezmuarit, por edhe një ftesë për të mos ngurruar që të takohen çdo të djelë me Krishtin në Eukaristi: «Shpirti i Shenjtë qoftë drita e juaj dha ai ju udhëheqtë drejt bashkimit të plotë me Krishtin. Amen!»