HOMELIA NË SHUGURIMIN IPESHKVOR TË DOM SIMON KULLIT
(Imzot Angelo Massafra OFM)
Vau i Dejes 14-09-2017
Zgjedhja e kësaj date për të kremtuar një shugurim ipeshkvnor është shumë domethënëse: qoftë sepse na jep mundësi të reflektojmë mbi vlerën shpëtimtare të Kryqit të Krishtit, i njëjti që, si flamur, që sot e tutje Dom Simoni do ta mbajë sigurisht me nder në kraharorin, qoftë sepse përmbyll një periudhë hiri që ka parë tre presbiterë të shuguruar ipeshkvij të kësaj Kishe të Hyjit që është në Shqipëri.
E dimë, sakramenti i urdhrit të shenjtë kërkon një përngjasim të veçantë me Krishtin, jo aq në planin e simbolit apo të përfaqësisë, sesa në planin ontologjik. Në të vërtetë, ushtrimi i dashurisë së krishterë, mbarështimi i sakramenteve, ashtu si edhe drejtimi baritor i një pjese të popullit të Hyjit kryhen drejtpërdrejt prej Krishtit nëpërmjet shërbëtorëve të vet.
Plotësia e meshtarisë që dom Simoni do ta marrë pas pak merr rëndësi jo aq për atë që ai do të bëjë tani e tutje, sesa në emër të “kujt” do t’i kryejë detyrat e tij si ipeshkëv. Prandaj, pikënisja është Jezusi, të cilin ai do ta përfaqësojë për grigjën që i besohet, domethënë Dioqeza e Sapës.
Është Jezusi, i dashur dom Simon, ai Ungjill që të është dorëzuar ditën e shugurimit tënd diakonal, por që sot do të të vendoset mbi kokë dhe do të të mbjerë mbi shpatulla e shpinë: është ai që duhet të të zotërojë tërësisht dhe të të bëjë të fortë në shërbesën që po ndërmerr. Në lidhje me këtë, të mos duket e pavend që po citoj shën Agustinin i cili, duke folur për shërbesën ipeshkvnore, e kishte zakon të thoshte se ajo është një rrezik për atë që e merr, sepse e ngarkon me përgjegjësi jo vetëm administruese, por edhe morale.
Shpesh mendohet se të jesh ipeshkëv është nder. Me siguri! Por, sipas shën Agustinit, është nder më i madh të jesh i krishterë. Ndërsa për ipeshkvin nderi rrjedh prej përgjegjësisë që mbart me vete shërbesa. Të dashur besimtarë, kujdesuni për ipeshkvin tuaj: ai nuk i ka zgjidhjet për të gjitha problemet tuaja, por përgjegjësia e tij duhet të kuptohet dhe të bashkëndahet. Afërsia dhe lutja e vazhdueshme për të do të jenë me siguri një ndihmë e vlefshme nga ana juaj. Të dashur presbiterë, jini afër ipeshkvijve tuaj: ditën e shugurimit tuaj e keni premtuar këtë afërsi dhe dëgjesë birnore. Ipeshkvi ka detyrë të nxisë njësinë në presbiter, por juve ju takon ndërmarrja dhe nisma që të jeni të bashkuar me ipeshkvin tuaj në gjithçka dhe për gjithçka.
Është Jezusi, i dashur dom Simon, ajo Mitër që do të marrësh. Ajo, sipas fjalëve të ritit, të thërret në shenjtërinë e jetës që duhet të shkëlqejë përpara të gjithëve. Por zelli yt drejt shenjtërisë do të jetë vetë Krishti, që e vë në mbrojtje të kokës sate dhe që do t’ua paraqesësh të gjithëve si model dhe udhërrëfyes. Nëse mungon ky zell për shenjtërinë mungon edhe kuptimi i të qenit tonë të krishterë. Çoje grigjën drejt Krishtit dhe bashkoje me të në mënyrë që, duke marrë limfën prej hardhisë, shermendet të shkëlqejnë në fuqi dhe të sjellin fryte.
Është Jezusi unaza që do të të vendoset në gisht: sikurse Krishti është i bashkuar me Kishën, ashtu edhe ti je i bashkuar me grigjën tënde me një lidhje besnikërie, e njëjta besnikëri që Krishti pati ndaj Atit në kryerjen e misionit të tij shëlbues. “Integriteti i fesë dhe pastërtia e jetës”: kjo, sipas ritit, është domethënia e kësaj unaze që shumë vetë tani e tutje do ta puthin, duke shprehur jo aq për një nderim të personit tënd, sesa për një bashkim të zemrës me fenë e plotë dhe me jetën e pastër që ti përfaqëson.
Pastaj, është Jezusi ai pastoral që do ta shtrëngosh me duar për të mbajtur dhe drejtuar popullin që të është besuar. Vetë Jezusi, në personin tënd, do të jetë i vetmi bari i grigjës. Pikërisht këtu futet edhe reflektimi ynë mbi liturgjinë e sotme, që flet për Kryqin e Krishtit. Në të vërtetë, është Kryqi shkopi pastoral i Jezusit Bariut të Mirë. Me të do t’i biesh Detit të Kuq, simbol i të keqes dhe i mëkatit, për ta bërë popullin tënd të kalojë i pacenuar; me të do të bësh të gurgullojnë ujërat prej shkëmbit, simbol i sakramenteve; vetëm me të do t’i largosh ujqërit grabitçarë dhe gjarpërinjtë, që do të duan të përpijnë dhe të helmatisin grigjën; e në fund, tek ai do të mbështetesh për të gjetur përkrahje dhe ngushëllim në momentet e vështira.
Por kryqi, për Krishtin, nuk qe vetëm një mjet torture; ka qenë edhe mjeti me të cilin Ati na ka treguar se çfarë dashurie të madhe ka pasur për botën, deri në atë pikë sa të japë Birin e vet të vetëm për shëlbimin tonë. Kështu na ka mësuar Mësuesi Hyjnor në Ungjillin që sapo shpallëm.
Dom Simon ke zgjedhur kryqin edhe si simbol që spikat në stemën tënde ipeshkvnore: ai këput vargojtë (pranga hekura) që burgosin ata që zgjedhin të dëshmojnë Krishtin e vdekur e të ngjallur dhe ua hap atyre dyert e parajsës, ku do të shkëlqejnë si gurë të çmuar.
Ja çfarë mund të përfaqësojë ende pastorali për ty dhe popullin tënd: një shenjë të qartë të dashurisë së Hyjit i cili shpëton bijtë e vet dhe i çon në jetën e lumtur në amshim. Ji shprehje e gjallë e kësaj dashurie, me forcë dhe ëmbëlsi: mëso e drejto, qorto e shoqëro, por gjithmonë me dashuri.
Dom Simon, i përket Krishtit krejtësisht, lëshoje veten në duart e Tij që Ai të të mbajë dhe, nëpërmjet teje, të drejtojë popullin kah Ati. Pas disa çastesh do të biesh përdhe’ në shenjë përvujtërie dhe nënshtrimi ndaj vullnesës së Hyjit që angazhohesh ta mishërosh çdo ditë. Është e njëjta përvujtëri e Krishtit për të cilën na ka folur Pali apostull në leximin e dytë. Por përvujtëria nuk është qëllim në vetvete, pasi përndryshe do t’i referohej vetes së vet dhe do të ishte e rremë. Përvujtëria të çon tek tjetri, madje tek Tjetri me “T” të madhe: është shenjë që tregon se e ka bërë detyrën e vet në momentin kur Ai që duhej të tregoje është parë dhe ndjekur. Nuk ka gabim më të madh për ne ipeshkvijtë se sa t’i referohemi gjithmonë vetes sonë, domethënë kur funksioni ynë si tregues dështon në qëllimin e vet, duke u ndalur te vetja jonë. Por nëse tregojmë Krishtin, atëherë detyra jonë do të ketë sukese.
Dhe ju, të dashur besimtarë, kur shikoni ipeshkvin tuaj, duhet të dini të shkoni përtej personit të tij dhe të shihni në të vetë Krishtin që vepron. Një fjalë e urtë thotë se “vetëm i marri ndalet të shohë gishtin e atij që është duke treguar hënën”.
Në këtë përvujtëri do të gjendet sekreti i qëllimit të mirë tek i cili me siguri do të çojë shërbesa e dom Simonit; sepse vetëm nëpërmjet përvujtërisë ai do të lërë Krishtin të flasë, do të lërë që Ai të drejtojë, do të lejojë që Ai të bëhet i pranishëm në mbarështimin e sakramenteve që do të udhëheqë, sidomos Eukaristinë.
Eukaristia. Ja pika e fundit e reflektimit tonë, por jo më pak e rëndësishmja; madje, qendra e gjithçkaje. Në Eukaristinë që do të udhëheqësh së bashku me presbiterin tënd dhe popullin e Hyjit, dom Simon, gjendet me të vërtetë plotësia e shërbesës sate ipeshkvnore. Burim dhe kulm i krejt jetës së krishterë, Eukaristia e udhëhequr prej ipeshkvit në njësinë e presbiterit dhe besimtarëve të vet, përbën Kishën, e mbledh atë përreth gurit të këndit, Krishtit Jezus, në mënyrë që Ai të jetë gjithçka në të gjithë.
I kryqëzuari është edhe qendra fizike e të gjitha Eukaristive tona: i vendosur në qendër të asambleve liturgjike, na çon me mendje dhe me zemër te “Ai që e shporuan” për shëlbimin tonë. Ai mbetet gjithmonë një simbol që na bën ta drejtojmë vështrimin tek të gjithë «të kryqëzuarit» e përhershëm: të varfrit, të sëmurët, të moshuarit, të shfrytëzuarit, viktimat e padrejtësisë shoqërore, etj. Ata janë më të denjët për t’u vendosur në «qendër» të meshëve tona. Ashtu sikurse prej Krishtit të kryqëzuar marrim shëlbimin, po ashtu prej këtyre të kryqëzuarve të kohës sonë do të na vijë shëlbimi, në atë masë me të cilën do të dimë të vëmë në jetë fjalën e Ungjillit: “Isha i uritur e nuk më dhatë të ha, isha i etshëm e nuk më dhatë të pi, isha shtegtar e nuk më përbujtët, isha i zhveshur e nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg e nuk erdhët tek unë” (Mt 25). Po t’i porosis gjallërisht: le të jenë gurët e çmueshëm të pajës tënde ipeshkëvnore. Shenjta Terezë e Kalkutës, Pajtorja e kësaj Katedraleje, le të jetë modeli yt në këtë veprim dhe vëmendje ndaj të fundëve të shoqërisë dhe fitoftë prej Hyjit për ty një zemër të madhe, të aftë për t’i pranuar të gjithë, me atë gatishmëri karakteristike të atij që di të dojë.
I dashur dom Simon, të dashur ipeshkvij: ne që jemi prej vitesh dhe ju të rinj të kësaj Kishe të shenjtë të Hyjit që është në Shqipëri, gjatë këtyre 25 viteve kemi marrë një trashëgimi jo të lehtë, atë të shkatërrimit të komunizmit, dhe kemi bërë gjithçka për t’i kthyer kësaj Kishe, domethënë popullit të shenjtë të Hyjit të kësaj toke, dinjitetin e vet të plagosur, por jo të vrarë. Tani duam të besojmë se ka ardhur momenti aq i pritur që ta zbukurojmë dhe ta pasurojmë atë me thesaret e katekezës, me shkëlqimin e liturgjisë dhe me angazhimin e një dashurie gjithnjë e më të karakterizuar prej mësimeve të Ungjillit. Një hap përpara është i mundur për lavdinë e Hyjit dhe për të mirën e shpirtrave.
Por, së bashku me një trashëgimi dhimbjeje e vuajtjeje, kemi marrë edhe një trashëgimi të shkëlqyer dhe të lavdishme, atë që na kanë lënë Martirët tanë, që Dom Simoni i ka paraqitur në stemën e vet ipeshkvnore. Ata, pikërisht nëpërmjet fuqisë së kryqit, kanë arritur në lavdi. Jemi të sigurt se tani, prej Qiellit, ndërmjetësojnë për këtë Kishë dhe, me meritat e tyre, janë duke siguruar për ne këtu në tokë një shumësi bekimesh: ju ipeshkvijtë e rinj jeni prova e gjallë e këtij ndërmjetësimi.
Le të ecim në vazhdën e këtyre shembujve të forcës dhe të guximit, sepse sfidat e sotme nuk janë më pak të mundimshme se sfidat e 80 viteve më parë: beteja kundër Ungjillit të Krishtit ndoshta sot është edhe më e pabesë, sepse kundërshtimi ndaj Krishtit nuk është i hapur, por tinëzar. Neve, të cilëve na është besuar kujdesi baritor për popullin e Hyjit, na takon detyra që Zoti i dha Ezekielit profet, ajo e rojtarëve; jo vetëm për të pritur fundin e natës dhe për të lajmëruar ditën, por edhe për të qëndruar zgjuar mbi grigjën dhe për ta ruajtur nga kurthet e armikut. Por, siç u tha më parë, vetëm duke drejtuar vështrimin kah i Kryqëzuari mund të sigurojmë një ndihmë dhe një mbrojtje të vlefshme.
Nëna e Jezusit, Zoja e Këshillit të Mirë, le të jetë për ty, i dashur Dom Simon, ylli i shndritshëm i mëngjesit, siç e ke paraqitur në stemën tënde, fari i ndritshëm ashtu siç qe për Apostujt në Çenakull dhe, që prej këtij momenti, fitoftë për ty një derdhje të përtërirë të Shpirtit Shenjt, ngjashmërinë e përsosur me Krishtin e Kryqëzuar dhe “parresia”-n (guximin e dëshmisë) aq të nevojshme për kryerjen e detyrave të tua.
Edhe ne të gjithë, Kisha e mbledhur në emër të Trinisë, të lëmë në duart e Shpirtit Shenjt, me qëllim që të kryejë në ty vepra të mrekullueshme. Prandaj të përsëris fjalët që më tha Shën Gjon Pali II ditën e shugurimit tim ipeshkëvnor: “Po të lë në duart e Shpirtit Shenjt për misionin që ke për të kryer në Shqipëri”. Me gjithë qejf, i dashur dom Simon, po ta kaloj ty po këtë porosi që ti të jesh krejtësisht i zhytur në Hyjin Atë, Hyjin Bir dhe Hyjin Shpirt Shenjt, të cilit i qoftë lavdi e ndera, për të gjithë shekujt e shekujve. Amen
Fjalimi i Imzot Simon Kullit me rastin e Shugurimit Ipeshkvor, kremtuar në Katedralen Shën Nënë Tereza
në Vau Dejës, me 14.09.2017.
Shkëlqesi të nderuara,
I nderuar Nunci Apostolik,
Të dashur vëllezër në Episkopat dhe në meshtari,
Të dashur rregulltar ë e rregulltare,
Përfaqësues të komuniteteve fetare,
Autoritete shtetërore e civile,
I nderuar kryetari i Bashkisë Vau-Dejës,
Të nderuar miq e dashamir të ardhur nga shumë vende të ndryshme,
Vëllezër e motra në Krishtin.
Falënderoj Atin “I cili dërgoi Birin e vet që kushdo që beson në Të, të ketë jetën e pasosur” dhe më thërret të udhëheq grigjën e tij.
Dhjetë vite më parë në këtë Katedrale u shugurua ipeshkvi Imzot Lucjan Avgustini, çka e bën shumë përmalluese për mua këtë ditë, pa praninë e tij fizike, por i sigurtë që po lutet e ndërmjetëson për mua e grigjën e tij para Atit. Shembulli dhe zelli i tij si bari do të mbeten të paharruar në mua dhe frymëzues për shërbimin që Nëna Kishë po më beson.
Kur Nunci Apostolik më thirri e më shpalli se Ati i Shenjtë më kishte zgjedhur për Ipeshkëv të Dioqezës së Sapës, më ranë ndër mend fjalët e Jeremisë profet: “Eheu, o Zot Hyj! Po, unë nuk di të flas, sepse jam fëmijë!” Por Zoti m’u përgjigj: Mos thuaj: ‘Jam fëmijë!’ Por shko te të gjithë ata që do të të dërgoj dhe thuaju gjithçka do të të urdhëroj. Mos ki kurrfarë frike para tyre, sepse unë jam me ty për të të mbrojtur (Jer 1,6-8).
Në ato çaste nuk mund të mos kujtoja Marinë, Nënën tonë, e cila me gjithë paaftësinë për të kuptuar misterin që po ndodhte në të, tha “unë jam shërbëtorja e Zotit më ndodhtë siç the ti” ashtu unë po shijoja e po habitesha për shikimin e Zotit mbi të vegjlit, po vëreja se si Zoti nuk shikonte denjësinë time apo garancitë që mund t’i ofroja unë, por kërkonte prej meje të lë veten vegël në duart e tij, të bashkëpunoj me hirin e Tij të bollshëm, siç thotë shën Pali “Të mjafton hiri im, sepse fuqia përsoset në ligështi.” ( 2 Kor 12,9)
Që nga ai moment vazhdoj të lus Shpirtin Shenjt që të më ndriçojë për të kuptuar më mirë, çka kërkon nga unë, e të më dhurojë forcën dhe urtinë që të më aftësojë të marr përsipër e të zbatoj besnikërisht detyrat që burojnë nga shugurimi ipeshkvor.
Zgjedhja në detyrën e Ipeshkvit për mua është një mundësi e re për t’i shërbyer më mirë Zotit dhe popullit sipas shembullit të Krishtit, që erdhi në botë “për të shërbyer e jo për të qenë shërbyer”. Prandaj, ju ftoj të gjithëve, të nxitur nga Dashuria e Krishtit, “Më ndihmoni që t’ju ndihmoj”. Do përpiqem të jem plak me pleqtë, i ri me të rinjtë, i vuajtur me të vuajturit, i varfër me të varfërit dhe do të përpiqem të bëhem i ligshtë për të ligshtët, gjithçka për të gjithë në mënyrë që të shpëtoj ndonjërin. E të gjitha këto do t’i bëj për dashuri të Ungjillit, kështu që të kem pjesë në të”. siç thotë Shën Pali (1 Kor 9, 22).
Dashuria e madhe e paraardhësve të mi për këtë Dioqezë më ka nxitur të pranoj me bindjen dhe fenë e sigurtë se Krishti Bariu i mirë është gjithmonë me mua, t’i prij grigjës drejt kullosave që nuk mbarojnë kurrë, i sigurt edhe në ndërmjetësinë e Shën Terezës së Kalkutës, Martirëve të fesë në Shqipëri, Zojës së Këshillit të mirë, pajtores së Shqipërisë. Atyre dua t’u besoj vetveten dhe popullin fisnik të Sapës.
Dëshiroj të kujtoj bashkë me ju shembullin e fjalët e shën Agustinit, ipeshkëv: “Që kur më është dhënë kjo peshë mbi shpinë, për të cilën do t’i jap Zotit një llogari jo të lehtë, jam gjithmonë i trazuar nga shqetësimi për dinjitetin tim. Gjëja më e vështirë në kryerjen e kësaj detyre është rreziku i parapëlqimit të lavdisë personale më shumë se sa shpëtimi i tjerëve. Por nëse nga njëra anë më shqetëson ajo që unë jam për ju, nga ana tjetër më ngushëllon fakti se jam me ju. Për ju jam Ipeshkëv, me ju jam i Krishterë. I pari është emri i detyrës që më është dhënë, ndërsa i dyti është emri i hirit”.
Më lejoni të shpreh mirënjohjen e thellë para Zotit, për Atin e shenjtë Françeskun, që më besoi udhëheqjen e kësaj kishe dioqezane.
Falenderoj Prindërit e mi, babën e nënën, këtu të pranishëm, që më rritën dhe mbollën në mua dëshirën t’i shërbej Kishës së vuajtur e popullit martir në Shqipëri.
Falenderoj Vëllezërit e mi me familjet e tyre, këtu të pranishëm, që i kam patur gjithmonë pranë më lutje e ndihmë për nevojat e mia, gjithë farefisin dhe të afërmit e mi, miq e dashamir që më kanë përcjellë me lutje e dashamirësi.
Një falenderim i veçantë shkon për të afërmit e mi që kanë kaluar në amshim: gjyshërit e mi, Meshtarët që më kanë dhënë shembull me dëshmimin e fesë me jetën e tyre; dom Martin Trushi, dom Injac Dema, dom Genc Tuku, pader Shtjefën e pader Kostandin Pistulli dhe Mons. Lucjan Avgustinin që më rritën e shoqëruan në thirrjen meshtarake, nga të cilët mësova shumë e mua më mbetet të lutem për ta e të kërkoj ndërmjetësinë e tyre në misionin tim.
Dëshiroj të falenderoj të gjithë dioqezën e Sapës, në veçanti besimtarët e Pistullit, ku u linda dhe u rrita, mbi të gjitha një dëshmitare të gjallë këtu e pranishme, e cila më ka pagëzuar, motër Maria Kaleta. Gjithashtu dëshroj të falenderoj besimtarët e famullisë “shën Nikolli Vau Dejës, ku shërbeva për 14 vite si famullitar. Më keni shoqëruar gjithmonë me lutje, dhe ju lutem vazhdoni të më përcillni që të jem shërbëtor i denjë i grigjës që më është besuar.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time autoriteteve më të larta kishtare këtu të pranishëm, ju të dashur vëllezër në episkopat, Shuguruesin tim, imzot Charles Brown, nunc Apostolik, dy bashkëshuguresit imzot Angelo Massafra dhe imzot Dodë Gjergji, i cili që në hapat e parë të meshtarisë sime dhe të rithemelimit të kësaj dioqeze, më ka mbështetur dhe qëndruar afër.
Falënderoj të gjithë meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, misionarët e misionaret, seminaristët e pranishëm nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Italia e Gjermania; jeni familje e mrekullueshme që Zoti ka në vreshtin e vet, qëndroni në dashurinë e Tij, e cila na nxit të bëjmë të dukshme fytyrën e mëshirshme të një Ati që na do e na nxit të duam njëri – tjetrin si na ka dashur Ai.
Falënderoj për praninë e tyre miqtë e ngushtë të dioqezës sonë, Arqipeshkvin e Pescarës, Imzot Tommaso Valentinetti, imzot Massimo Camisasca, ipeshkëv i Reggio-Emillia- Guastalla, Imzot Mario Russotto, Ipeshkëv i Caltanisetës,
Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit,
Imzot Zef Gashin,
Imzot Dode Gjergjin Ipeshkev i Kosoves,
Imzo Gjergj Frendo, Arqipeshkëv i Tiranë – Durrës,
Imzo Cristoforo Palmieri,
Imzot Hil Kabashin,
Imzot Ottavio Vitale, Ipeshkëv i Lezhës,
Imzot Ramiro Moliner Inglez, ish nunc apostolik në Shqipëri,
Falenderoj dy Ipeshkvinjtë e saposhuguruar, vëllezërit e mi në Episkopat, Imzot Giovanni Peragine dhe imzot Gjergj Meta; urime në misionin tuaj të ri! Le të ecim bashkë drejt shenjtërisë dhe në shërbim të denjë të popullit të vuajtur shqiptar.
Miq të shumtë nga Ferrara, Reggio Emilia, Caltanissetta, Cremona, Bari e nga Gjermania etj.
Falenderoj familjen e dashur Avgustini për praninë e tyre.
Falenderoj Provincialet dhe eproret e motrave te bashkësive të ndryshme sot të pranishme në këtë katedrale.
Falenderoj autoritetet fetare të Kishës Ortodokse dhe të Komunitetit Mysliman, shenjë e dukshme e harmonisë fetare; miq të besimeve tjera të cilët më nderojnë me praninë e tyre në këtë kremtim të gëzueshëm
Falenderoj Shtëpinë e Bamirësisë, një prani reale e Kishës në shërbim ndaj më nevojtarëve, të gjithë të sëmurët e të varfërit për praninë e tyre.
Falenderoj autoritetet civile e shtetërore, mbi të gjithë z. Zef Hila, kryetarin e bashkisë Vau-Dejës për kontributin e tij në mikpritje si zot shtëpie në këtë qytet, dhe të gjithë kryetarët e bashkive të pranishëm në këtë kremtim.
– Në këtë dioqezë ku jam rritur e kam shërbyer, një tokë martire e vaditur me gjak dhe me shembullin e parardhësve të mi, Budit, Bardhit, Mjedës, Serreqit, Kolecit, Thaçit, Prennushit, Volajt, Gjergjit, Avgustinit, dëshiroj të hedh hapat e mi si Bari e t’i ndjek si udhërrëfyes në veprimtarinë time.
– Rruga që është hapur përmes martirëve të lumë të kësaj Dioqeze, nga Fran Mirakaj, dom Ndoc Suma, dom Luigj Prendushi dhe atë Daniel Dajani do të jenë edhe gjurma e hapave të mi dhe frymëzim për të harxhuar jetën time në shërbim të Ungjillit, për të bërë të prekshme Dashurinë e Krishtit.
– Nga zemra dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e mi, klerin dioqezan të kësaj dioqeze për mbështetjen, afërsinë dhe bashkëpunimin gjatë vitit si administrator dioqezan si dhe komisionet organizative të këtij kremtimi.
– Falenderoj të rinjtë e të rejat që pa u kursyer kanë organizuar gjithçka, Korin e përbashkët të katedraleve Sapë, Shkodër e Lezhë e shumë të tjerë në punët organizative.
– Së fundi falenderoj të gjithë ju, vëllezër e motra në Krishtin të kësaj Dioqeze, përcillni përshëndetjet dhe bekimet e mia të gjithë atyre që keni në shtëpitë tuaja, sidomos pleqve, fëmijëve, të sëmurëve e të varfërve.
Lutuni për mua, që të jem Bari sipas Zemrës së Krishtit.
Faleminderit, Zoti ju bekoftë!