Dhjetë Fjalët (Dalja 20,1-7)

Nga Dom Marjan Lumçi

Kur Zoti tha: “Unë jam Zoti, Hyji yt!” tashmë kishte thënë gjithçka: Nuk ishte nevoja që të thoshte fjalë të tjera. Por për ta sqaruar më mirë dhe për ta ndihmuar zemrën tonë të vogël, Zoti vetë ka shtuar edhe disa Fjalë të tjera sqaruese në mënyrë që njeriu të mund ta kuptonte ma mirë Fjalën e parë që doli nga goja dhe dora e Atit. Për këtë arsye na ka lënë Dhjetë Fjalë, Dekalogun. Këto Fjalën janë dhurata e Hyjit për popullin e Tij: Janë dije, jetë, lumturi. Janë zemra e Ligjit të Tij të Shejtë. Është shumë e rëndësishme që ti njohim mirë, në mënyrë që ti mbajmë edhe të shkruara në zemrën tonë:Unë jam Zoti, Hyji yt!

1. Tjetër Zot mos të kesh e mos të adhurosh pos meje.

2. Mos e merr emrin e TenZot nëpër gojë kot.

3. Shejtno ditën e diel e ditën festë të urdhëruar.

4. Ndero babën e nanën nëse don me jetue gjatë në tokën e të gjallëve.

5. Mos vraj.

6. Mos kurvëro.

7. Mos vidh.

8. Mos bëj dëshmi në rrenë.

9. Mos lakmo njeriun e huaj për të keq.

10. Mos lakmo kurrnji gja të huajën.

Midrash

Meqenëse këto Dhjetë Fjalë ishin kaq shumë të rëndësishme, atëherë pse Zoti nuk ja dha popullit më përpara, atëherë kur sapo kishin dalë prej Egjiptit, por priti deri në ditën kur populli iu afrua malit Sinai? Kjo gjë mund të shpjegohet kështu: Erdhi një mbret i cili kërkonte që të mbretëronte mbi një qytet. Ai u bëri një kërkesë qytetarëve të atij qytet: – Kam ardhur dhe dëshiroj që të qeverisi përmbi ju pasi ju jeni në pronën time! Populli iu përgjigj mbretit: – Çfarë ke bërë ti për ne që të mund të mbretërosh përmbi ne? Atëherë mbreti filloi të ndërtojë muret të cilat do ta mbronin qytetin, ndërtoi kanalet e ujit për të vaditur vendin dhe për pirje. Luftoi kundër armiqve të tyre dhe ua largoi rrezikun e vdekjes. Atëherë, iu drejtua popullit përsëri: – Po tani a mund të mbretëroj përmbi ju? Pas këtyre ngjarjeve kur qytetarët panë se çfarë të mira u kishte sjellë prania e këtij mbreti, i thanë atij: – Tani mund të mbretërosh dhe ne do jemi populli yt. Kështu bëri edhe Zoti më popullin e tij: E shpëtoi Izraelin prej duarve të Egjiptianëve, për hatër të tyre e ndau detin në dysh, bëri që të zbresë manna prej qiellit dhe të dali uji prej shkëmbit, e ne fund luftoi në favorin e tyre kundër Amelekut. Atëherë, kur mbi malin Sinai i pyeti: “A dëshironi me ju bindë Ligjit tim”?, ata i përgjigjën: – “Po duam”!. Pas këtij çasti Ai tha: “Unë jam Zoti Hyji i yt, që të kam ndihmuar që të dalësh prej tokës së Egjiptit dhe prej shtëpisë së skllavërisë!”.