Çfarë janë Krezhmet?


Nga Dom Marjan LumçiDom Marjan Lumci

Krezhmet janë një periudhë e veçantë e vitit liturgjik, periudhë në të cilën populli krishterë përgatitet për të kremtuar misterin e Pashkëve. Krezhmet janë një kohë e favorshme për të qëndruar me Zojën e Bekueme dhe shën Gjonin, nxënësin që Jezusi e donte shumë, përballë Krishtit i cili mbi kryq ofron për mbarë njerëzimin sakrifikimin e jetës së tij. “Do t’ja drejtojnë shikimin Atij që e kanë shporuar”: Kreshmet janë një kohë e favorshme dhe e përshtatshme për të shikuar me besim kraharorin e shporuar të Krishtit, nga i cili buron “gjak dhe ujë”. “Krezhmet, qofshin për çdo të krishterë përvojë e rinovuar e dashurisë së Hyjit që na është dhuruar në Krishtin, dashuri të cilën neve çdo ditë duhet t’ja ridhurojmë të afërmit tonë, e mbi të gjitha atij që vuan dhe që është në nevojë. Vetëm kështu do të mund të marrim pjesë plotësisht në gëzimin e Pashkëve” (Benedikti XVI, Mesazhi i Krezhmeve 2007).

Pse 40 ditë?

Teologjia dhe përshpirtnia e Krezhmeve ndërtohen dhe zbatohen duke i’u referuar ngjarjeve te Besëlidhjes së Vjetër. Numri 40 na kujton: -ditët e përmbytjes së gjithëmbarëshme; -vitet e kaluara nga populli i Izraelit në shretëtirë; -ditët e kaluara nga Moisiu në malin Sinai; -ditët e kaluara nga profeti Elia në shkretëtirë përpara se të shkonte në takim me Zotin në malin Oreb; -ditët e pendesës së banorëve të Ninive pas predikimit të profetit Jona; -ditët e pendesës së Jezusit në shkretëtirë, kur në fund të saj u tundua nga djalli; -ditët e qëndrimit të Jezusit me nxënësit e vet pas ringjalljes.

E gjithë kjo ka në vetvete një vlerë didaktike. Krezhmet janë koha e mjaftueshme për: -Shkatërrimin e së keqes, sikurse për njerëzit në kohën e përmbytjes; -Për provën e hirit, sikurse për populline Izraelit në shkretëtirë; -Për lutjen e cila na përgatitë për takimin tonë me Zotin, sikurse ishte për Moisiun dhe Elinë; pendesë dhe shlyemje fajesh në pritje të gjykimit hyjnor, duke kërkuar me imitue 40 ditët e prendesës e të ninenesës me të cilat banorët e Ninivesë e qetësuan dhe e zbutën idhnimin hyjnor.

Cilat janë temat kryesore të Krezhmeve? Tri janë temat e veçanta që na propozohen prej liturgjisë së Krezhmeve:

Tema e Pashkëve: Meqenëse Krezhmet janë kohë përgatitjet për kremtimin e Pashkëve, tema vdekje-jetë merr në vetvete një rëndësi të dorës së parë. Kjo temë del në dukje që në javën e dytë (me Shndërrimin e Zotit) dhe bëhet më e dukshme në dy javët e fundit.

Tema pagëzimore: Krezhmet në strukturën e tyre themelore formohen rreth Sakramendit të Pagëzimit i cili i jepet të rriturve në Natën e Pashkëve. Është kohë në të cilën të krishterët ndërgjegjësohen ma shumë porsa i përket vlerës së Pagëzimit në jetën e tyre.

Tema e Pendesës: Kjo temë zhvillohet ma shumë liturgjikisht në të Mërkurren e Përhime dhe në të Dielën e Parë të Krezhmeve (ungjilli i mundimit të Zotit tonë). Në Krezhme, Kisha, nusja e Krishtit, vuan dhe vdes, e në këtë mënyrë e jetojmë në mënyrë ma të fortë aspektin pendestar të jetës së sajë në rrugëtimin e bashkimit të saj përfundimtar me Dhandrrin.

Por cilat janë praktikat kryesore krezhmore?

Krezhmet përmbajnë në vetvete një angazhim bashkimit me Zotit, ky angazhim shtrihet kjoftë në planin individual ashtu edhe bashkësior në format e saja tradicionale si:

Lutje: Me marrë pjesë sa më shumë në Meshën Shejte, mundësisht ditë për ditë dhe mbi të gjitha me kenë të pranishëm në Udhën e Kryqit çdo të premte.

Ninesë: Me ninu me një sërë gjërash përnjiheri: ushqim-fjalë-argëtime. Duke veprue kështu do të jemi më të gatshëm për të ndihmuar të afërmin tonë, do të kemi më shumë kohë për punë vullnetare në shërbim të atyre që kanë nevojë dhe do të kemi edhe më shumë lek në xhepat tonë për të bërë bamirësi.

Lëmoshë: Ndihmë ndaj të afërmit i cili mund të ketë ma shumë nevojë. Në Krezhme Kisha na kujton se janë të urdhnueme: Millja dhe ninesa prej mishit: Të Mërkurren e Përhime dhe të Prenden e Madhe. Ninesa prej mishit duhet me u mbajtë në çdo të prende në Krezhme. Kisha na kujton se në Krezhme është mirë që të ushtrojmë praktimin e veprave të mëshirshme të trupit e të shpirtit:

Shtatë veprat e mëshirshme të trupit .

Me u dhanë me hangar të unshmve.

Me u dhanë me pi të etshmve.

Me veshë të zhveshunit.

Me strehue rrugtarët.

Me pa të sëmurët.

Me pa të burgosunit.

Me varrosë të vdekunit.

Shtatë veprat e mëshirshme të shpirtit

Me i këshillue dyshuesit.

Me i mësue të padijshmit.

Me qortue mëkatnorët.

Me ngushëllue të mërziturit.

Me falë fyemjet.

Me i durue personat e bezdisshëm.

Me u lutë për të gjallë e për të vdekun.

Këto praktika, “shprehin në mënyrë të dukshme kthimin tonë në raport me vetveten, në raport me Hyjin dhe në raport me të tjerët” (Katekizmi i Kishës Katolike, 1434).

Ku qëndron rëndësia e Krezhmeve? Pendesa kreshmore duhet të përbajë në vetvete:

Dimensionin personal: Me ninesë, besimtari kërkon që ti përulet me përvujtni Hyjit, duke besuar në mirësinë e tij. Praktikimi i ninesës e ndihmon personin të jetë i bashkuar trup e shpirt duke e ndihmuar që të evitojë mëkatin dhe të rritet në bashkim me Zotin. Duke i hequr ushqimin material vetvetes e rrit ma shumë gatishmërinë e brendshme për tu ushqyer me Fjalën e shëlbimit. Me ninesë dhe me lutje, ne i lejojmë Zotit që të vijnë e ta ushqejnë urinë tonë më të thellë: urinë dhe etjen për Zotin. Në të njëjtën mënyrë dhe kohë, kjo praktikë e ndihmon besimtarin që ti kontrollojnë ma mirë orekset e natyrës së dobësuar nga mëkati origjinal, efektet negative të të cilit e rrethojnë krejt personin njerëzor.

Dimensioni social: Krezhmet kanë edhe dimensionin e tyre social, sepse ato na ndihmojnë për tu ndërgjegjësu‑ ar për situatën në të cilën jetojnë vëllezërit tanë. Atë që ne e kursejmë duke bërë pendesë, mund dhe duhet ta dhurojmë në vepra bamirësie.

Si ta japim lëmoshën? Lëmosha duhet të jetë e fshehtë: “Mos ta dijnë e majta e jote se çka bën e djathta e jote” thotë Jezusi, “që lëmosha e jote të mbetet e fshehtë” Mt 6, 3-4.

Duhet ta bësh: pa fyer tjetrin; pa nxjerrë në dukje vetveten; me gëzim; në heshtje. Mos të limitohemi vetëm duke dhënë gjëra materiale, lek, bukë apo veshmbathje, por të japim vetveten tonë: nderimin tonë, respektin tonë, kohën tonë, aftësitë tona ma të mirat që vetë Zoti ma përpara na i ka dhuruar neve. Duke vepruar kështu ne u dhurojmë të tjerëve DËSHMINË MË TË MIRË TË KRISHTIT.

Cili duhet të jetë qëllimi lëmoshës?

Më lëmoshë ne duhet të ndihmojmë ata që kanë ma shumë nevojë dhe të bashkëndajmë me të tjerët atë që mirësia hyjnore neve na ka dhuruar. Me dhënien e lëmoshës ne praktikojmë virtytin e drejtësisë: para se të jetë një akt bamirësie, është të shohim në të varfnit fytyrën e Krishtit të vuajtur. Dukë dhënë lëmoshë ne imitojmë Krishtin i cili është bërë i varfër për të na pasuruar neve me praninë e tij bekuese. Lëmosha është edhe mjet asketizmi: sepse na ndihmon për tu çliruar sadopak nga dëshira për të mirat tokësore; na ndihmon për tu pastruar dhe pasuruar shpirtërisht; na ndihmon në forcimin e idesë se nuk jemi pronarë por administratorë të të mirave materiale që i kemi të dhuruara nga Zoti. Shën Pjetri na thotë se fryti shpirtëror i lëmoshës është falja e mëkateve: “Lëmosha, mbulon dhe zhdukë një shumicë mëkatesh” (1 Pt 4, 8). Rrugë të mbarë në Krezhme për takimin me Zotin e Ringjallur.