Ati i Shejtë Papa Françesku
me një bust në qendër të Tiranës
Tiranë, 15 mars 2016. Papa Françesku do të jetë nga sot pjesë e kryeqytetit të Shqipërisë me bustin e tij pranë Kambanës së Paqes në lulishten e Piramidës. Në ceremoninë e zhvilluar për këtë rast ishin të pranishëm Nunci Apostolik në Tiranë Shkëlqesia e Tij, Mons. Ramiro Moliner Inglès, kryetari i Konferencës Ipeshkvnore Imzot Angelo Massafra, si dhe Ipeshkvij të tjerë Mons. Palmieri, Mons. Kabashi, Mons. Vitale, klerik, rregulltarë dhe rregulltare të ardhur nga të katër anët e Shqipërisë. Nga autoritetet shtetërore të pranishëm ishin: Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij, Bujar Nishani, Zv/kryeministri z. Niko Peleshi, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Erion Veliaj, ministra, përfaqësues të besimeve fetare, trupi diplomatik i akredituar në Shqipëri, besimtarë, etj.
Ceremonia nisi me zbulimin e bustit të Papa Françeskut nga Presidenti i Republikës dhe me himnet respektive të të dy shteteve. Në fjalën e tij, Presidenti Nishani, ndër të tjera shtoj se ndihej i privilegjuar dhe krenar për faktin se jemi të gjithë dëshmitarë në këtë moment kaq të veçantë, të përurimit dhe përjetësimit të bustit të Atit të Shenjtë. “Ndihem padyshim i privilegjuar që gjendemi sëbashku të mbledhur këtu në mes të kryeqytetit tonë të dashur, për të përuruar bustin e Atit të Shenjtë, Papa Françesku, i cili jo më larg se dy vite më parë e përshkoi personalisht këtë vend, këtë bulevard, duke e bekuar vetë këtë popull të shumë vuajtur martirësh. Përveçse i privilegjuar jam edhe i emocionuar sot, për një arsye tjetër. Sepse sot edhe në cilësinë e kryetarit të shtetit shqiptar, por edhe si qytetar i këtij vendi, mbushem me krenari kur mendoj se kemi të gjithë fatin të jemi dëshmitarë sesi busti i Atit të Shenjtë po përjetësohet dhe po përurohet pikërisht këtu, pranë Kambanës së Paqes dhe aq më tepër, pranë ish muzeut të diktatorit, ideologjia e të cilit dikur u përpoq jo vetëm të shembte kisha e xhami, por edhe të burgoste klerikë e besimtarë të pafajshëm, por madje të na shpallte të gjithëve pa përjashtim, ateistë të deklaruar”, deklaroi në fjalën e tij Presidenti Nishani.
Tre vite më parë Papa Françesku u zgjodh në krye të Kishës Katolike si Vikari i Krishtit në tonë dhe si vizitë të parë në kontinenti Evropian zgjodhi të vizitoj kryeqytetin tonë Tiranën, duke e kthyer atë ditë në një ditë gëzimi për popullin shqiptarë që kishte mbërritur nga katër anët e botës. “Jemi mbledhur këtu në kontekstin e 3-vjetorin të zgjedhjes së Papa Françeskut. Dhe ky është një moment i rëndësishëm, pasi Papa vizitoi vendin tonë duke shprehur mesazhe të rëndësishme paqeje dhe solidariteti. Ajo që fetë e ndryshme kanë të përbashkët është udhëtimi i jetës” – shtoi ndër të tjera Nunci Apostolik gjatë fjalës së tij.
Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës gjatë fjalës së tij vuri theksin tek rëndësia e bashkëjetesës fetare në vendin tonë, duke u shprehur se ky është një model i rëndësishëm për tolerancën në shoqëri. Për vizitorët që nga sot që do ta vizitojnë bustin e Shenjtërisë së Tij, Papa Françeskut në pllakën memorie do të gjejnë fjalët goditëse që ai iu drejtuar mbarë popullit shqiptar gjatë Vizitës së Tij Apostolike në Tiranë më 21 shtator 2014: “Uroj që Shqiponja, të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, t’ju kujtojë gjithnjë shpresën, për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira”.