At’ Bernardin Palaj – Mbytet në tortura në Shkodër

Me 8 dhjetor 1947
Mbytet në tortura në Shkodër

Lindi në Shllak, famulli e Ipeshkvnisë së Shkodrës, më 2 tetor 1894.
Teologjinë e kreu në Insbruk (Austri). Qe një ndër mitologët më të mirë shqiptarë;
qe profesor dhe shkrimtar.
Pati një kulturë të gjerë letrare dhe muzikore, qe pianist i shquar. Në 1946 u arrestua
dhe vdiq ndër tortura, para se të dënohej, më 8 dhjetor 1947 në Shkodër.
E lidhën me tela të ndryshkur, dhe kështu vdiq nga tetanozi.
Ka vdekur “in odium fidei”.
ATË BERNARDIN PALAJ O.F.M.

Nga Dom Marjan Lumçi

I bAt Bernardin Palajiri i Gjonit dhe Martës (emri i pagëzimit Zef ), lind në fshatin Shllak të Dukagjinit, Shkodër, më 22 tetor 1894, (sipas certifikatës nr.16/70, lëshuar nga gjendja civile e qytetit të Shkodrës, më 2.12.1991) në një familje me tre djem e një vajzë. Bernardini është fëmija i parë. Një nga figurat më të ndritura të klerit françeskan. Mësimet e para e të mesme i merr në kolegjin françeskan në qytetin e Shkodrës, në 1917, ku del me rezultate të shkëlqyera. Diplomohet për filozofi e teologji në Grac, ku kishte kryer studimet edhe Mati Prennushi, ku gjithashtu doli me rezultate të shkëlqyera, ndaj e dërgojnë për vazhdimin e studimeve pranë Liceut Teologjik të Salsburgut, Austri. Shugurohet meshtar më 2 gusht 1918. Shërben si profesor i latinishtes dhe i greqishtes së vjetër në gjimnazin «Illyricum» të fretërve, pastaj në famullinë e Toplanës, Palçit, Shalës, Bushkashit dhe të Rubikut. Poet i shquar. Tani së fundi, në SHBA u botua një vëllim i tij. Iu kushtua poezisë e prozës. Në revistat “Hylli i Dritës”, “LEKA”, “Iliria”, Padër Palaj ka botuar krijimet e veta, artistikisht të përsosura, duke përdorur shpesh edhe pseudonimin “Constandinus”. U bë një ndër mitologët më të shquar shqiptarë; njëkohësisht, muzikant e pianist i talentuar. “Do të tërhiqem në një famulli atje lart, ndër malet aq të dashura për mua dhe, atje ku shpirti shqiptar ka mbetur ende i gjallë, do ta vazhdoj punën e nisur prej vitesh. Do të bëj kërkime historike, folklorike e sidomos mbi kanunin. Do të përsos e plotësoj në mënyrë sistematike rapsoditë që, me aq kujdes, i kam mbledhur prej kohësh”; ishte kjo dëshira dhe deklarimi i tij pas ngjarjeve politike të kohës së Zogut. Rrjedhojë e një pune voluminoze hulumtuese, studiuese e seleksionuese shumëvjeçare, në 1939 Padër Bernardin Palaj, së bashku me Padër Donat Kurtin botuan librin “Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, ndërkohë që botimin e këtij cikli kishin filluar ta bënin në “Visaret e kombit”, qysh në 1937. Në këtë vëllim prej 342 këngësh, fryt i një pune gati 40-vjeçare gjenden “Orët e Mujit”, “Martesa e Halilit”, “Ajkuna qan Omerin”, ”Gjergj Elez Alia”, që janë kryevepra të folklorit shqiptar, ballkanik, madje edhe të atij evropian. Në vitin 1942 filloi botimi i “Doke e kanune në Dukagjin“, që vijoi në disa numra të “Hyllit të Dritës” e, në vitin 1944, u botua në Romë. Gjatë vitit 1943, një pjesë e madhe u botua edhe në tekstet shkollore. Pas vitit 1944 e shohin, sa në Shkodër, sa në Tiranë, ku shkonte të botonte punimet e tij shkencore në Institutin e Studimeve Shqiptare. U quajt “njohësi më i thellë i maleve tona“ nga albanologia ruse, Denisckaja. Në vitin 1940, Padër Palaj ishte zgjedhur anëtar i Institutit të Studimeve Shqiptare, përkrah Fishtës, Koliqit, Çabejt, Poradecit, Xhuvanit, Resulit, Gurakuqit, Toçit, etj. Mori pjesë në botimet e vëllimeve aq me vlerë “Studime dhe tekste”. Padër Bernardin Palaj, ashtu sikurse edhe Padër Martin Gjoka, ishte një pianist i shkëlqyer dhe një muzikant shumë i formuar. Por, ajo punë e madhe shkencore, e nisur që në vitin 1920, u ndërpre, sepse ashtu si pjesa më madhe e klerikëve katolikë, u godit nga regjimi komunist. Në 1946, të dy klerikët shkencëtarë, Padër Bernardin Palaj dhe Padër Donat Kurti, u arrestuan në Shkodër. Vuajti tortura nga më çnjerëzoret. U akuzua si “agjent e bashkëpunëtor i të huajve“. U torturua keqas në burg, u var në pemë, u rrah me shufra hekuri. E lanë të lidhur duarsh me tel të ndryshkur për javë e javë, derisa iu helmatis gjaku e vdiq nga tetanozi. Jetoi 51 vjet. Ende sot është me varr të paditur. Është detyrë e të gjithëve t’ia gjejmë eshtrat e t’ia varrosim diku me nderim. Madje, kjo nuk është dëshirë, por detyrë, sepse “gjithkush lind, ka të drejtë të ketë një djep e gjithkush vdes, ka të drejtë të ketë nji vorr“, por, a mund të bëhet kjo, edhe për sa e sa si Padër Bernardin Palaj?! Dëshmi: “…Bernardini, në vitin 1911, u dorëzua si frat pranë kuvendit të françeskanëve në qytetin e Shkodrës. Pasi qëndroi për disa vjet pranë atij kuvendi, në vitin 1918 iu dha e drejta e meshshtarit dhe, pas asaj kohe, ka shërbyer në disa nga famulli të fshatrave më të thella të Malësisë së Mbi-Shkodrës. Aty nga viti 1920, Bernardini u caktua si profesor i gjuhës shqipe dhe latinishtes pranë gjimnazit “Illyricum“ të qytetit të Shkodrës dhe, në atë kohë, bashkëpunoi ngushtë me drejtorin e saj, Padër Gjergj Fishtën, i cili e nxiti atë në fushën e studimeve mbi doket zakonore dhe folklorin e veriut të Shqipërisë. Atë punë kërkimore e studiuese, Padër Bernardini e vazhdoi gjatë gjithë atyre viteve që shërbeu si profesor i gjimnazit, duke bashkëpunuar ngushtë dhe me mikun e tij, Padër Donat Kurtin, me të cilin ai, herë pas here ndërmerrte ekspedita kërkimore në fshatrat më të thella të trevave të veriut. Në ato zona të largëta, ai bashkëpunoi ngushtë me rreth 40 famullitarë, të cilëve u linte detyra për mbledhjen e eposit të kreshnikëve të veriut dhe dokeve e zakoneve të ndryshme të atyre fshatrave ku ata shërbenin. Po kështu, përveç asaj pune të vazhdueshme kërkimore në terren, që zgjati për afro 20 vjet me radhë, Padër Bernardini u mor edhe me anën studimore të eposit të kreshnikëve dhe, aty nga viti 1940, filloi botimin e tij. Në atë kohë, ai, së bashku me mikun e bashkëpunëtorin e tij të ngushtë Padër Donat Kurtin, botuan në katër vëllime librin “Këngë kreshnikësh dhe legjenda”, i cili pati jehonë të madhe dhe u vlerësua shumë nga personalitetet e letrave të asaj kohe si, Xhuvani, Çabej, Dosti, Harapi, etj., që e quajtën këtë vëllim “Iliada shqiptare”. …Ishte maji i vitit 1928 kur, Padër Bernardini së bashku me Papa Sifi Mihalin, prift katolik i ritit oriental, shkuan të eksploronin fshatin Mbrezhdan të Këlcyrës. Këtë fshat të thepisur malor, ai e përshkonte, sepse e vetmja lidhje që kishte me fushën, ishte në grykën e Mezhgoranit, ura prej dërrase e trarësh që quhej Ura e Miço Hysit, ku kafshët e ngarkuara gjarpëronin rrëzë lagjes Mirasë, tek gurra e Pëtkonjës, zonë në të cilën banonte autoktone familja e Kokthit, më poshtë e Hysajve, Kllapëve, Dorrajve, Xhanëve (nga të cilët, në 1929, pjesa ortodokse, kaloi në Përmet, kurse ajo muslimane, në Këlcyrë, si edhe e Karajve. Në katër ditët që qëndruan në Mirovë, ato mblodhën mjaft materiale folklorike e zakone (një pjesë të humbura), por vlerësuan aty mikpritjen, bujarinë, këngët që, edhe pse me stil pagan, i këndonin vashat, plot ritëm, si ata të kroit, bucelës dhe sidomos, lutjet e Shën Mërisë. Ata flisnin me simpati të rrallë për një kullë 200-vjeçare, kulla e Litajve dhe shtonin se, kjo lagje “sulmohej për banim“ nga fise bessai, kryesisht kallanxhinj dhe merrnin mbiemrin e lagjes: Litaj. Si flautist i mirë, Padër Bernardini u shoqëronte këngët me fyell të çobanëve edhe në gjuhën dogançe e vendase, si dhe mbante iso, bashkë me Papa Sifi Mihalin. “M’bante përshtypje, – thoshte Padër Bernardini, – se në të vetmen kishë të fshatit shkojshin për t’u lutë, ma shumë vashëza të reja, nuse e djem dhe shumë pak të moshuem e kjo, mbasi fshati jetonte ma shumë me blegtori e mosha e madhe rrinte ma shumë staneve”. Këtu, Padër Bernardini mori edhe motivet e elegjisë së tij të famshme: “Ajkuna qan Omerin“. “Nji ditë që ndejta në Përmet, – na thoshte, – “mora me vedi mbresat ma të mira autoktone dhe njoha njerëz të butë, plot mençuri natyrore, bujarë e që, në krahasim me mbrezhdanakët, natyrshëm për popull autokton, përmetarët ishin ma të komunikueshëm. Nuk due të zbeh këtu cilësitë e mbrekullueshme të mbrezhdanakëve autoktonë, por.. jeta ban të sajen!” …Aty nga data 22 tetor e vitit 1946, vetëm një ditë pasi Padër Bernardini ishte kthyer nga Tirana ku, bashkë me disa klerikë tjerë katolikë ishin thirrur në një takim nga Enver Hoxha, atë e arrestuan dhe e mbyllën në një nga dhomat e kuvendit të françeskanëve, të cilin Sigurimi e kishte kthyer në burg. Gjatë asaj kohe që ai mbahej i arrestuar aty, u torturua në mënyrën më mizore dhe asnjë nga familja jonë nuk mundi ta takonte dot. …Me datën 2 dhjetor të vitit 1946, ne na lajmëruan të shkonim tek kuvendi për ta parë dhe aty vajtëm unë me nënën Liza dhe gjyshen, Nushën. Ne nuk na lejuan të futeshim brenda oborrit të Kuvendit, por na hapën paksa portën e jashtme dhe nga aty, pamë trupin e Bernardinit të plandosur përdhe, me veladonin gjithë gjak të ngjitur për trup. Njerëzit e Sigurimit na thanë se ai kishte patur vdekje natyrale dhe na dhanë disa plaçka e sende të tij personale, krejt të parëndësishme. Por e vërteta qëndronte ndryshe, sepse vdekja e tij kishte ardhur nga torturat dhe sëmundja e tetanozit që i ishte shpifur ato ditë, nga teli me gjemba që i kishin lidhur duart. Ne kërkuam ta merrnim me vete kufomën e tij për ta varrosur, por ata nuk na e dhanë e, pas disa minutash, na përzunë nga aty. Që nga ajo ditë, ne nuk mësuam dot asnjë të dhënë se ku e kishin varrosur trupin e tij, por pas pesë vjetësh, u hap fjala se Padër Bernardini, së bashku me gjashtë klerikë të tjerë që i kishin mbytur në tortura, ishte varrosur në gropën e gëlqeres, aty, në skaj të kuvendit françeskan. Po kështu, krahas këtij lajmi, na thanë se trupi i Padër Palajt ishte groposur në një vend me trupin e Dom Lazër Shantojës, brenda murit rrethues të kuvendit. Por të gjitha këto ishin vetëm fjalë nga njerëz dashamirës, sepse faktikisht, eshtrat e Padër Bernardinit, familja jonë nuk ka mundur t’i gjejë dot, edhe sot e kësaj dite”. Luigj Gjergji, i nipi Dëshmi: …Në 1946, Padër Bernardin Palaj është superior në kuvendin e Rubikut dhe famullitar i këtij qyteti. Autoritetet komuniste përpiqen më kot të përfitojnë nga prestigji i tij në këtë vend; ai refuzon. Në vitin 1946, kuvendi bastiset nga policia. Padër Bernardini dhe policët zbulojnë armët që ata i kanë sjellë me vete. Padër Bernardini akuzohet se i ka grumbulluar ato për të përgatitur kryengritjen me armë. Dërgohet nga Rubiku, në Shkodër, ku torturohet për disa muaj rresht. Didier Rance Dëshmi …Në oborrin e kuvendit të fretërve ishin disa pisha e, sa herë, pasi na rrihnin për vdekje, na lidhnin ndër to…Si sot e kam parasysh Padër Bernardinin, të lidhur këmbë e duar e të varur ashtu pezull, përballë meje. E kishin rrahur kaq shumë, gati në të vdekur e lënë shumë kohë atje nën shkallë, të braktisur midis qelbësirës… sa kishte humbur ndjenjat e qëndronte ashtu pezull, si një trup pa jetë…Ai vdiq nga tetanozi dhe e varrosën në oborr, pa lënë gjurmë. Bashkëvuajtës Tomë Leci Dëshmi: …Para se ta transferojshin, ndër shumë të tjera që kishte hjekë e ndigjue gjatë hetuesisë, na tregoi se si e kishte torturue e mundue Padër Bernardin Palajn, bash me duart e tij, komisari politik i Sigurimit, famëkeqi Nesti Kopali: ”Thuaj ky është Zoti im!” (për kuadrin e Enver Hoxhës). Dhe ky i pergjigjej: “Jo, asht zotnija juej, pse Zoti jem asht ne qiell e ai nuk m’ka mesue me ba keq në këtë jete, por me i mesue e edukue njerëzit si të bajne mirë”. Tue pa se kundërshtonte, ia përsëriste ate pyetje, tue e shoqnue me të rame, derisa lodhej ai vete. E atëherë kishte ndihmësit dhe ai s’mund të ishte kush tjetër, veç Elez Mesit, kampionit të torturave e të mizorive”. Dy vjet ma vone, po ai kriminel që i kishte lye duert me gjak priftensh e intelektualesh, do të kërkonte “azil politik” në Romë dhe, prej andej, emigroi ne Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ma i pari ndër emigrantet që vuejshin ndër kampet e Italisë. Tash 40 vjet jeton i lirë ne Uashington, për hir të shenjtes demokraci dhe te “drejtave të njeriut“, qe Amerika u ka dhanë edhe të tjerëve kriminele shqiptare… Bashkëvuajtës Lekë Harapi Dëshmi: …Atë mbramje u kënaqme tue bisedue mbi folklorën t’onë. E, të nesërmen, Frati më çoi në nji odë të vogël e aty, mbi lëpizat e nji rafti të vjetër, më tregoi do turra letrash e tefterësh të trashë, zverdhue nga moti. Kangët. Mija kangë kreshnikësh e trimnish, mija valle darsmash; poezia shekullore e popullit shqiptar, përherë e njomë, kalue nga goja e breznive në të sosun, n‘atë brezni në të këndellun. I shfletuem bashkë ato letra e tefterë të pluhnuem, prej nga dilte fryma e nji pranvere t’amshueme. Cikli heroik i Mujit e Halilit i kënduem nga raspsodët e Dukagjinit me gjuhë të kulluet e të thekshme. Po ato kangë, por ndër variantet ma të ngjyrëshme, ma të lëvizshme t.ë Malësisë së Madhe, ku kangëtarët kanë fantazi ma të gjallë. Vallet e Kosovës dhe të Dibrës plot njomsi dashunore. Ato të Shestanit e t’Ulqinit me fytyrime detare, të holla të lmueta. Ato të Bizës, te Kepi i Rodonit afër Durrësit, delikate plot analogji me trajtat toskënishte. Nuk e di se kush pat thanë që gjithkund në botë poetët këndojnë për popullin, vetëm në Ballkan populli këndon për poetët. Deri tash, për mue, poeti ma i madh i Shqipnisë asht populli ynë. Kjo e vërtetë, m’shndriti para syve të mendjes në Palç, në qelën e Fratit të Kangëve. Ai, në vetminë e gjatë të malit, i ka vue veshin kangës së pashterrshme që buron shì nga zemra ma e thellë e kombit arbnuer, edhe ia ka rrëmbye harresës. Mbi lëpiza të pluhunueme të qelës së Palçit flen fara e pranverave të ardhshme të poezisë së re shqiptare. Sharto në prozën e Gjeçovit nji dell të dendun muzikor, si të rrjedhun nga uverturat vagneriane, sharto nji lëvizje të jashtëzakonshme parafytyrimesh të gjalla origjinale, edhe të del stili i Bernardinit. Prof. Ernest Koliqi Opinion:…I pajisur me ato cilësi që kërkon arti, i hapur ndaj të gjitha aspekteve të jetës, me ndjenjat më fisnike, intinuitiv e depërtues, me shije shumë të holla, veçanërisht me një ndjeshmëri muzikore shumë të rafinuar, Palaj, do të mund të arrinte majat më të larta të lavdisë letrare.

Angela Cirrincione